* * *
Anekënd botës do të vazhdojmë punën e vështirë të kërkimit të paqes, promovimit të zhvillimit që i nxjerr njerëzit nga varfëria, si dhe përparimit të sigurisë së ushqimit, shëndetit dhe qeverisjes së mirë që çlirojnë potencialet e qytetarëve dhe shoqërive.Në të njëjtën kohë, i jemi përkushtuar besimit për të jetuar me vlerat tona këtu brenda vendit. Si një komb emigrantësh, Shtetet e Bashkuara mirëpresin njerëz nga çdo vend dhe kulturë.
Nga Barak Obama
Në këtë 10-vjetor të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kujtojmë që nuk ishte një sulm vetëm kundër Shteteve të Bashkuara; ishte një sulm kundër të gjithë botës dhe njerëzimit, si dhe kundër shpresave që të gjithë ne bashkëndajmë.
Kujtojmë që mes afro tre mijë njerëzve të pafajshëm që humbëm atë ditë ndodheshin qindra qytetarë nga mbi 90 shtete. Ishin burra dhe gra, të rinj e të moshuar, nga raca dhe besime të ndryshme. Në këtë përvjetor solemn bashkohemi me familjet dhe popujt e tyre për të nderuar kujtimin e tyre.
Kujtojmë me mirënjohje se si dhjetë vjet më parë e gjithë bota u bashkua në një. Anembanë globit, qytete të tëra u ndalën për një minutë heshtje. Njerëzit ofruan lutjet e tyre në kasha, xhami, sinagoga dhe të tjera vende adhurimi. Të gjithë ne në Shtetet e Bashkuara nuk do ta harrojmë kurrë mënyrën se si njerëzit në çdo cep të botës qëndruan në krahun tonë në solidaritet, me qirinj dhe lumenj të tërë lulesh të vendosura në ambasadat tona.
Kujtojmë që në javët pas 11 shtatorit, vepruam si bashkësi ndërkombëtare. Si pjesë e një koalicioni të gjerë, e dëbuam Al Kaedën prej kampeve të stërvitjes në Afganistan, përmbysëm talebanët, si dhe i dhamë popullit afgan një mundësi për të jetuar të çliruar nga terrori. Megjithatë, vitet që pasuan ishin të vështira dhe fryma e partneritetit që ndjemë pas 11 shtatorit u zbeh.
Si President, kam punuar për të rigjallëruar bashkëpunimin ndërkombëtar që na nevojitet për t’u përballur me të gjithë gamën e gjerë të sfidave me të cilat ballafaqohemi. Nëpërmjet një epoke të re angazhimi, kemi ndërtuar partneritete me shtete dhe popuj mbi bazën e interesit të ndërsjellë dhe të respektit të ndërsjellë.
Si një bashkësi ndërkombëtare, kemi treguar që terroristët as nuk i afrohen forcës dhe qëndresës së qytetarëve tanë. E kam bërë të qartë që Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në luftë me fenë islame. Përkundrazi, me aleatët dhe partnerët jemi të bashkuar kundër Al Kaedës, e cila ka sulmuar duzina vendesh dhe ka vrarë dhjetëra mijëra burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm – shumica dërrmuese e tyre myslimanë. Këtë javë, kujtojmë të gjitha viktimat e Al Kaedës dhe kurajën e qëndresën me të cilën familjet e bashkëqytetarët e tyre kanë këmbëngulur, nga Lindja e Mesme në Europë, nga Afrika në Azi.
Duke punuar së bashku, kemi zmbrapsur komplote të Al Kaedës, kemi eliminuar Osama bin Ladenin dhe pjesën më të madhe të udhëheqësve të tyre, si dhe e kemi futur Al Kaedën në rrugën e mposhtjes. Ndërkohë, popujt anembanë Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut po tregojnë që rruga më e sigurt drejt drejtësisë dhe dinjitetit është forca morale e mosdhunës, jo terrorizmi dhe dhuna e pakuptimtë. Është e qartë që ekstremistët e dhunshëm po ngelen prapa dhe e ardhmja u përket atyre që duan të ndërtojnë, jo të shkatërrojnë.
Vendeve dhe popujve që kërkojnë një të ardhme paqeje dhe begatie u them: te Shtetet e Bashkuara keni një partner. Sepse edhe teksa përballemi me sfidat ekonomike brenda vendit, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol unik udhëheqës në botë. Ndërkohë që largojmë pjesën e mbetur të trupave tona nga Iraku dhe përcjellim përgjegjësitë në Afganistan, ne do t’i mbështesim irakianët dhe afganët në përpjekjet e tyre për të garantuar siguri dhe mundësi për popujt e tyre. Në botën arabe dhe tej saj, do të jemi në anën e dinjitetit dhe të drejtave universale të të gjitha qenieve njerëzore.
Anekënd botës do të vazhdojmë punën e vështirë të kërkimit të paqes, promovimit të zhvillimit që i nxjerr njerëzit nga varfëria, si dhe përparimit të sigurisë së ushqimit, shëndetit dhe qeverisjes së mirë që çlirojnë potencialet e qytetarëve dhe shoqërive.
Në të njëjtën kohë, i jemi përkushtuar besimit për të jetuar me vlerat tona këtu brenda vendit. Si një komb emigrantësh, Shtetet e Bashkuara mirëpresin njerëz nga çdo vend dhe kulturë. Amerikanët më të rinj – si të gjitha viktimat që humbëm dhjetë vjet më parë – na kujtojnë që pavarësisht dallimeve të racës epo etnisë, origjinës apo besimit, të gjithëve na bashkon fort shpresa e përbashkët se mund ta bëjmë botën një vend më të mirë për brezin e tanishëm dhe atë të ardhshëm. Kjo duhet të jetë trashëgimia e atyre që kemi humbur.
Ata që na sulmuan më 11 shtator donin të fusnin një pykë midis Shteteve të Bashkuara dhe botës. Dështuan. Në këtë dhjetëvjetor, jemi të bashkuar me miqtë dhe partnerët tanë për të kujtuar të gjithë ata që kemi humbur në këtë luftë. Në kujtim të tyre, riafirmojmë frymën e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë që na duhet për të siguruar një botë, ku të gjithë njerëzit jetojnë me dinjitet, në liri dhe në paqe.
Comments (0 posted)
Post your comment