Telekomanda, fëmija dhe gjykatësi
Pastaj asgjë, shkretëtirë. Ndërsa vrasja e një gjykatësi sigurisht që lë gjurmë. Kjo, ngaqë nëse këto krime nuk ndëshkohen, pastaj u vjen radha vetë dinjitarëve të lartë të shtetit të mendojnë se edhe mund ta pësojnë nga ekzekutimet e shtrira në masivitet, me telekomandë. Por nuk është ky morali që kërkon shoqëria jonë.
Fatos Çoçoli
Tri ditë më parë, një ekzekutim makabër me shpërthim me telekomandë i një gjykatësi të ri në Vlorë, tronditi opinionin ton` publik. Me shumë të drejtë, të gjithë burrat e shtetit tonë e dënuan njëzëri aktin dhe kërkuan gjetjen e vrasësve. Ndërsa vetëm katër ditë më parë, një shtëpi gjysmë e rrënuar në Shkodër u rrëzua. Dhe zuri brenda një fëmijë 12 vjeç. Askush nga burrat tanë të shtetit nuk doli nëpër media. Asnjë shoqatë nuk e ngriti zërin për vdekjen tragjike të fëmijës në gërmadhat e një shtëpie që nuk duhej lënë të banohej, ashtu gjysmë e rrënuar. Askush nuk ngriti gishtin të tregonte përgjegjësinë e asaj strukture publike (bashkisë së qytetit në radhë të parë), që me papërgjegjësinë e saj kishte shtypur pultin e bombës me telekomandë (trarëve të rrënuar të shtëpisë) që vrau vogëlushin. Si gjithnjë, faji në këto raste ngeli jetim. As edhe vetë bashkia e Shkodrës nuk ndjeu ndonjë vrarje ndërgjegjeje. Për të mos folur për dorëheqje (është shumë herët për këtë institucion morali, kur puna në shtet te ne konsiderohet ose mënyrë për të mbajtur familjen, ose për të vjedhur). Madje as edhe një falje publike për shtëpinë e lënë gjysmë të rrënuar, që vrau pastaj vogëlushin. Nga ana e atyre që e kanë detyrë jo vetëm shoqërore, por edhe institucionale, të mbrojnë të varfrit e fëmijët (përse jo edhe vetë Presidenti, Folësja e Parlamentit apo Kryeministri?, asnjë prononcim.
Këta nuk lënë rast pa dalë kur bëhet fjalë për ndonjë aktivitet bamirësie pikërisht për të varfrit apo fëmijët. Flasin fjalë të bukura, edhe përloten, sipas rastit. Por kur vjen puna për të folur për përgjegjësi, asnjë bëzim, madje as edhe belbëzim i shtetarëve tanë më të lartë. Asnjë konferencë për shtyp e ministrisë që merr fonde shteti për të ndihmuar të varfrit (Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta) apo e shoqatave të huaja dhe donatorëve të shumtë për fëmijët dhe të varfrit. Asnjë shqetësim edhe në media, madje as edhe ndonjë shkrim në rubrikat me mendimet e shqetësimet e qytetarëve. Vdekja e vogëlushit ngeli vetëm një lajm sporadik, i vetmuar mortor, njëlloj si vdekjet nga krimi në familje apo nga aksidentet në rrugë. Kur nuk është kështu! Kur tritoli i papërgjegjësisë shoqërore paraqitet po aq tronditës dhe shkatërrues për fatet e demokracisë sonë dhe të shtetit ligjor që duam të ndërtojmë, sa dhe tritoli i mafies shqiptare. Për fatin tonë të trishtë, jetojmë në një shoqëri ku vdekja e kurdisur (nga një papërgjegjësi shoqërore e institucionale strukturash publike) e një fëmije të varfër nuk lë shumë gjurmë në moralin e saj të mpakur.
Mund të tronditë për disa orë ose edhe ditë vdekja nga asfiksimi e katër fëmijëve të vegjël në një kasolle në rrethinat e Durrësit. Pastaj asgjë, shkretëtirë. Ndërsa vrasja e një gjykatësi sigurisht që lë gjurmë. Kjo, ngaqë nëse këto krime nuk ndëshkohen, pastaj u vjen radha vetë dinjitarëve të lartë të shtetit të mendojnë se edhe mund ta pësojnë nga ekzekutimet e shtrira në masivitet, me telekomandë. Por nuk është ky morali që kërkon shoqëria jonë. Për rastin e vrasjes së vogëlushit (pse realisht nuk është thjesht një vdekje tragjike, por një vrasje), shtetarët tanë të lartë mund të bëjnë shumë, po të duan. Kanë realisht shumë në dorë, që raste të tilla të mos përsëriten. Dhe nuk është nevoja të vendoset ndonjë fond 100 mijë euro për ata që do të ndihmojnë gjetjen e vrasësve të vogëlushit, pse ata dihen. Janë ata punonjës të bashkisë së Shkodrës, që nuk u përkujdesën për të bllokuar (të paktën për këtë!) shtëpinë gjysmë të rrënuar, që aty të mos hynte më njeri. Dhe, nëse kryebashkiaku nuk jep dorëheqjen, dorëheqjen e detyruar mund ta japë ai drejtor që në bashki merret me çështjet e urbanistikës dhe të sigurisë së ndërtesave ku qytetarët fusin kokën. Dhe për këtë ia vlen të interesohen pikërisht ata burra shteti që nuk u ndien kur u vra vogëlushi, duke filluar nga Presidenti, Kryeministri e Folësja e Parlamentit. Vetëm nëse sigurohet që për këtë vrasje makabër (edhe kjo mund të quhet me plot gojën e tillë!), përgjegjësia është vënë në vend, me dhjetëra punonjës bashkiakë, komunarë e të këshillave të qarqeve do të jenë më të kujdesshëm e punëbërës, për vetë interesin e mbajtjes së karrigeve të tyre.
Comments (0 posted)
Post your comment