Greqia, vendimmarrje në kurriz të interesave shqiptare
Po përse duhet bërë kjo marrëveshje për aneksimin e kufijve tanë detarë dhe pse nuk bëhemi ne palë në këtë sipërmarrje madje dhe pa falur detin?Kush e autorizon palën greke të negociojë e të firmosi marrëveshje në kurriz të fateve tona dhe në kundërshtim me interesat tona publike dhe kombëtare?
Nga Sadedin Çeliku
Kryeministri grek, Jorgo Papandreu ka paralajmëruar fillimin e kërkimeve për naftë e gaz në detin Egje dhe Jon. Gjatë një ceremonie të organizuar në Selanik në panairin ndërkombëtar të këtij qyteti, Papandreu deklaroi se shumë shpejt do të fillojnë kërkimet në det me qëllim përfitimin e pasurive natyrore për qytetarët grekë, që siç tha Ai, meritojnë më shumë. Një zonë vendburimesh ku janë zbuluar prej dekadash janë shumë afër Sarandës e Karaburunit, pra pikërisht në ujrat tona territoriale.Qeveria greke ka ushtruar presion dinamik të hapur jo vetëm për paktin detar por dhe për regjistrimin e popullsisë dhe identifikimin e inventarizimin e pronave gjoja të minoritetit tyre grek. Siç është bërë me dije, në vitin 2009 ish ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha firmosi marrëveshjen me homologen e tij për kufijtë detarë ku në thelb ishte aneksimi i kufijve tanë detarë nga pala greke. Ajo marrëveshje e cila do mbetet në memorien e shqiptarëve si gjëja më e keqe e bërë deri tani, vuri në lëvizje mjaft intelektualë, shoqata, historianë, politologë e juristë të së drejtës ndërkombëtare madje dhe Gjykatën Kushtetuese e cila u shpreh kundër asaj marrëveshje.Se sa i vërtetë ishte ky pakt, e kanë treguar ekspertë e hartografë jo vetëm shqiptarë por dhe italianë, ku pala greke anekson ujrat tona dhe i afrohet brigjeve tona tashmë me metra. Në nenin 1 të asaj marrëveshjeje, në kllapa përmendet termi “vijë bazë ishullore”.
Kjo ka sjellë një vijë bazë kryekëput në favor të palës greke dhe rrjedhimisht cënon në thelb parimin e barazlargësisë dhe dëmtimin e interesave kombëtare të vendit tonë. Ky akt, është shkelje e hapur e pikës 2, neni 1, i Kushtetutës ku thuhet se, “Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm”. Po ashtu është shkelur neni 3 i cili gjithashtu thekson se “Pavarësia e Shtetit dhe Tërësia Territoriale e tij janë baza e këtij Shteti, i cili e ka detyrë të respektojë dhe ti mbrojë”.Të njëjtat gjëra theksojnë dhe nenet 78 dhe 83 të Kodit Detar të Republikës së Shqipërisë. Pra shkurt shkelet sovraniteti territorial i vendit dhe cënohet siguria kombëtare. Tashmë kjo histori nuk është e re dhe as sekret. Më 29 prill të vitit 2008 në Soçi të Rusisë, kryeministri Vladimir Putin firmosi një marrëveshje të veçantë me të gjitha vendet nga ku do të kalojnë tubacionet e burimeve të gazit e naftës dhe “South Stream”, mes të cilave dhe me Greqinë. Kjo marrëveshje është paraparë të zgjasë 30 vjet, ndërsa sasia e gazit e transportuar nga këto vendburime mendohet të jetë rreth 10 miliard metër kub në vit. Sipas qeverisë së atëhershme greke, kjo ishte ndër kontratat më fitimprurëse që ka nënshkruar ndonjëherë Greqia dhe aktualisht shpresojnë që kjo sipërmarrje ta nxjerrë Greqinë nga kriza e rëndë që e ka përfshirë. Kryeministri Kostas Karamanlis dhe ai Rus Vladimir Putin, firmosën pikërisht këtë marrëveshje që ka të bëjë me shfrytëzimin e vendburimeve pranë Korfuzit dhe brigjeve tona të sipërpërmendura a thua se jemi vend i mbikqyrur dhe i administruar nga ata. Ceremonia e rastit u zhvillua në Kremlin. Moska zyrtare ka deklaruar se ky projekt kërkimor e shfrytëzues do të filloi gjatë këtij viti që përkon dhe me deklarimin e Papandreut në Selanik. Pra gazi dhe nafta dhe kanali i Otrantos janë interesat greke e ruse. Në bazë të marrëveshjes të firmosur nga Basha, Greqia hyn automatikisht në kanalin e Otrantos dhe kësisoj ajo konsiderohet vend kufitar me Italinë dhe jo më ne.
Pra Greqia përfiton kot falë bujarisë së qeverisë shqiptare. Ardhja ditët e fundit e personaliteteve të diplomacisë Greke u bë pikërisht për këtë çështje, informime që i marrim nga burimet greke sepse qeveria shqiptare vazhdon të heshtë dhe të mos informojëpublikun për probleme me rëndësi kombëtare.Po përse duhet bërë kjo marrëveshje për aneksimin e kufijve tanë detarë dhe pse nuk bëhemi ne palë në këtë sipërmarrje madje dhe pa falur detin?Kush e autorizon palën greke të negociojë e të firmosi marrëveshje në kurriz të fateve tona dhe në kundërshtim me interesat tona publike dhe kombëtare?Përse nuk zbatohet për këtë rast ligji i konçensionit dhe çfarë interesash luhen në kurriz të Shqipërisë? Kush do të fitojë dhe humbë në këtë rast?Përse hesht Kryeministri, po Presidenti i Republikës që ushtron detyra kushtetuese dhe që përgjigjet direkt për sigurinë kombëtare dhe ruajtjen e tërësisë territoriale pse nuk prononcohet? Kush duhet të na informojë për këtë çështje ?A nuk vlen të përmendim rastin e Maqedonisë që vetëm për emrin e shtetit, vetë nuk i bën lëshime Greqisë dhe as që ka dëgjuar se ç’thonë ndërkombëtarët për problemet që lidhen me sovranitetin e vet? Sigurisht që nuk mendoj të kthehemi pas, të bëjmë politika reflaktare e të izoluara në dëm të integrimit të Shqipërisë.
Por nuk mendoj kurrë që në emër të fqinjësisë e integrimit të shesim gjithçka kemi ndërtuar dhe trashëguar nga të parët tanë që aq shumë dhanë dhe luftuan për Shqipërinë. Shqipëria është e shqiptarëve dhe është e patolerueshme që vendimmarrjet dhe politikat në vendin tonë ti bëjnë politikanët grekë. Herët ose vonë historia do të vrasë frikën dhe do të thotë të vërtetën.
Comments (0 posted)
Post your comment