Home | Opinion | Kur propaganda shitet për analizë politike

Kur propaganda shitet për analizë politike

image
Gjithë politologët shqiptarë që njoh nga të gjitha trojet shqiptare nuk e di që ndonjëri prej tyre që të ketë magjistruar apo doktoruar në fushën e analizës politike (ndoshta ka, nuk po them se nuk ka, por unë nuk kam informacion për këtë). 

 

 

 

Nexhmedin Spahiu

 

 

- Televizionet tona, në mungesë të analistëve politikë, po abuzojnë duke i paraqitur komentatorët, opinionistët dhe në veçanti propagandistët e pushtetit si analistë politikë.

Në kohën kur ekranet televizive në Tiranë, Prishtinë, Shkup janë të vërshuara nga poshtë - shkrimet “analist politik” është e vështirë të shpjegohet se ka mungesë analistësh politikë. Fatkeqësia është se çdo opinionist, çdo komentator apo çdo propagandist i pushtetit vetëshpallet apo cilësohet nga interesentet si analist politik.

Abuzimi i televizioneve: i paraqesin për analistë politikë njerëzit që analizën politike kurrë nuk e kanë mësuar në fakultet

Si merret guximi që të paraqiten si analistë politikë njerëzit që as lëndën analiza politike nuk e kanë mësuar në fakultet e që nuk e kanë dhënë provimin nga kjo lëndë e lëre më të kenë magjistruar apo doktoruar në fushën e analizës politike, kjo mund të shpjegohet vetëm si pafytyrësi ekstreme.

Unë nuk kam parë ndonjëherë që televizionet tona ta marrin ndonjë nallban e ta paraqesin si dentist e as ndonjë çoban që ta paraqesin për mjek, por kur është fjala për ndonjë propagandist të pushtetit në çast i vihet nofka “analist politik”.

Nuk e kam të qartë se pse agjensionet rregullatore të mediave vizive në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni e lejojnë që televizionet t’ia bëjnë publikut një mashtrim të tillë. Ky është një abuzim i skajshëm.

Abuzimet po bëhen edhe në gazeta ku autorë të shkrimeve nënshkruhen me prof, dr, akademik etj, por tema e trajtuar në atë artikull nuk ka të bëjë fare me lëminë ku autori e ka marrë atë titull.

Çfarë do të kishte ndodhur nëse televizionet tona do t’i nënshkruanin nallbanët si stomatologë?

Sigurisht do të ngriheshin në protesta stomatologët do të hidhnin gurë e dru mbi televizionet. Pse atëherë pas gjithë kësaj zallamahie në televizione ku edhe ‘maca e kuca’ prezantohet si analist politik, nuk protestojnë analistët politikë? Problemi është se janë shumë pak.

Gjithë politologët shqiptarë që njoh nga të gjitha trojet shqiptare nuk e di që ndonjëri prej tyre që të ketë magjistruar apo doktoruar në fushën e analizës politike (ndoshta ka, nuk po them se nuk ka, por unë nuk kam informacion për këtë). Natyrisht, një pjesë e atyre që kanë studiuar në Perëndim shkencat politike, analizën politike do ta kenë pasur lëndë bazike, por shumica e tyre duke parë se ‘maca e kuca’ paraqitet për analist nuk paraqiten fare në media. Në këtë drejtim, ndjehem në shoqëri shumë të kufizuar, që mos them i vetmuar.

Si u hoq analiza politike nga kurikulumi në Universitetin e Prishtinës?

Është ironike që në kohën kur pata ndërmarrë iniciativën për të themeluar Fakultetin e Shkencave Politike në kuadër të Universitetit të Prishtinës (viti 2000) dhe kur Ministri i atëhershëm i arsimit Michael Daxner më pat caktuar nënkryetar të Këshillit themelues (kryetare ishte një holandeze), insitimi im ishte që lënda bazike në këtë fakultet të ishte analiza politike. Nuk e fshihja pretendimin qe këtë lëndë ta ligjëroja unë.

Duke parë që gjithë juristët dhe historianët bënin turr të jenë mësimdhënës në këtë fakultet dhe se përdorimi i bërrylave është karakteristikë e meseve tona, parandieja se do të më bëjnë kurthin disi. Kurthin e mendoja se do të ma bënin duke ftuar ndonjë profesor të huaj me renome ndërkombëtare që ta ligjëronte këtë lëndë (atëherë ekzistonte kjo mundësi sepse shumë organizata ndërkombëtare financonin këtë projekt, mes tjerash edhe falë angazhimit tim personal si nënkryetar i këshillit themelues). Por kurthi u bë shumë më banal: lënda analiza politike u hoq tërësisht nga kurikulumi duke i marrë në qafë gjenerata të tëra studentësh të shkencave politike në Kosovë.

Heqja e kësaj lënde bazike si dhe shumë lëndëve të tjera profesionale, ngarkimi i kurikulumit më lëndë juridike dhe historike si dhe shndërrimi nga fakultet në departament - fakulteti i humbi kuptimin gjithë këtij projekti ambicioz duke e shndërruar atë një fakultet të dytë juridik apo fakultet të dytë të historisë, të dyja këto fakultete lazëm për reformë rrënjësore dhe shkundje ideologjike (juridiku nga titizmi, e historia nga enverizmi).

Kujt iu desh që Kosova të mos kishte analistë politikë?

Nëse lënda do të ishte në kurikulumin e Universitetit të Prishtinës, qe 10 gjenerata, ndonjëri nga këta studentë apo shumë prej tyre do të përzgjidhnin të magjistronin e doktoronin në këtë lëmi. Më e pakta, do të kishim qindra politologë që do të kishin njohuritë elementare nga analiza politike. Si të tillë ata do të krijonin opinion më të shëndoshë në jetën tonë politike.

Kur njerëzit që nuk kanë haber me analizën politike do të paraqiteshin në TV si analistë politikë, do të kishte reagime e protesta. Kjo gjë do të ishte shumë më frytdhënëse për shoqërinë tonë e për kombin, por jo edhe aq komode për pushtetin. Për pushtetin është shumë më komode që njerëz të trajnuar në SHIK për agjitacion e propagandë dalin në TV dhe propagandën e shesin për analizë.

Aksioni në veri të Kosovës

Rasti më i freskët është aksioni në veri të Kosovës. Aventura e Qeverisë së Kosovës më 25 Korrik 2011, ku Bajram Rexhepi mburrej se ka pasë vetëm 2 orë (!!!) përgatitje, i kushtoi Kosovës me një jetë polici dhe plagosjen e disa të tjerëve si dhe me qortim publik nga baronesha Ashton.
16 shtatori dëshmoi se kur gjërat përgatiten mirë pas një analize profesionale suksesi është i garantuar. Natyrisht, plani u bë mbi analizën e ndërkombëtareve, miq të Kosovës.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0