Home | Opinion | Vlerësimin për politikanët e vet e bën Sovrani, zoti Arvizu!

Vlerësimin për politikanët e vet e bën Sovrani, zoti Arvizu!

image
Në këtë rast, “politikani nr 1” zbatoi proverbin kinez “Armiku i armikut tim, është miku im”. Nuk ka e nuk do të ketë politikan në botë që ta duan të gjithë. me të drejtë thuhet se po të deshën të gjithë nuk je i mirë, por edhe po nuk të deshën të gjithë nuk je i mirë, Sot, ca të duan e ca nuk të duan. 

 

 


Nga Pandeli Bardhi

 

 


Nuk është e thënë z. Arvizu që qytetarët shqiptarë, t’ju nderojnë e respektojnë juve si person, aq më tepër kur juve merrni përsipër të bëni vlerësime të pa baza. Mbi të gjitha, ata ju duan e ju respektojnë si përfaqësues i Lidershipit të paqes, lirisë e demokracisë në mbarë botën. Me vlerësimin që ju i bëni politikanëve tanë sikur Kryeministri është politikani nr 1, z.Nano nr 2 etj, shumica e qytetarëve shqiptarë, nuk ndan të njëjtin mendim me tuajin. Kjo, nuk do të kishte asgjë të keqe sikur ti ishit afruar sadopak realitetit. Këtu, nuk është puna të majtë apo të djathtë,as për të meta e dobësi të njërit apo të tjetrit, por duke u nisur nga një periudhë kohore për më se mbi 20 vite, çdo njeri është i bindur se Kryeministri ynë,vërtet për nga rradha në listë mund të jetë i pari, mbasi është Kryeministër, por për nga mënyra se si ai ka qeverisur gjatë viteve të qënies së tij si President dhe në krye të Ekzekutivit, kjo lë për të dëshiruar...

Nuk e teproj aspak edhe po të them se ai është politikani më i padëshiruar për shumicën e popullit. Për hir të së vërtetës, duhet të themi se ai ka edhe merita në fillimet e proceseve demokratike. Si ndër nismëtarët e parë për përmbysjen e regjimit më të urryer diktatorial, ai ngjalli shpresa tek populli për ndërtimin e një jete të re, të lirë dhe demokratike ashtu si e gjithë Europa.. Por sa më shumë koha kalon, aq më shumë qytetarët binden se ai shpresat i ka kthyer në zhgënjime. Ishte ai në krye të shtetit si President,kur u ndërtuan firmat piramidale, kur Shteti u shkërmoq brenda natës sikur të ishte i ndërtuar mbi rërë dhe që shkaktoi shumë viktima të pafajshme. U armatosën të gjithë me armë luftarake dhe akoma e sot ato marrin në qafë jetë njerëzish... Ky, si President, deklaronte se paratë e shqiptarëve janë të siguruara dhe qysh të nesërmen u pa e qartë se sa të siguruara ishin ato. Ky nuk është më i besueshëm për shqiptarët, dhe ato ç’ka deklaron ky, nuk e beson njeri por besojnë të kundërtën. Gjithnjë e më shumë koha po tregon se atij nuk i dhimbset populli që po e varfëron gjithnjë e më shumë, por interesat e tij dhe të atyre që ka rrotull. Sigurisht, nuk është i gjithë faji i tij, por ai ka përgjegjësinë kryesore, ai është “Njëshi” për nga “qosheja” ku rri, por jo nga puna që bën. Ai nuk mund të fajësohet për gjithçka, por nga mënyra se si e drejton “Qeverinë e tij, është bërë strehë e korrupsionit, e mashtrimeve dhe mosmbajtjes së asnjë premtimi, duke filluar qysh nga ministrat e tij. Vetëm fjalorin e tij të dëgjosh në Parlament, se si shan e ofendon deputetët, përfaqësuesit e popullit, do të ishte e mjaftueshme që ai nuk është për këtë punë që kryen dhe ca më pak të quhet “politikani nr 1”.

Vazhdojmë më tej. Ka mbi 2 vjet, që vendi është futur në kolaps si rezultat i ngërçit të krijuar, pikërisht nga ky si Kryeministër dhe që akoma nuk po gjen gjuhën e bashkëpunimit me opozitën, për të integruar vendin në Europë, por po e le jashtë dyerve të saj. Vendet e tjera, kanë probleme shumë më të mëdha dhe mundohen ti zgjidhin brendapërbrenda tyre, kurse politikanët tanë zihen për “mustaqet e Çelos” vetëm e vetëm që të mos i hapin rrugë njëri tjetrit. “Timonierët” e botës e shpëtojnë “anijen” kur “dallgët” i krijon natyra, kurse “timonieri” ynë ka çuar “anijen” shqiptare në prag të mbytjes, nga “dallgët” artificiale që krijon dhe nga “ngarkesa” vetëm në krahun e djathtë, duke e hequr gjithë “ngarkesën” e majtë!... Edhe në këtë rast, përgjegjësi kryesor është po ky. Ky “politikan nr 1” asnjëherë nuk ka mbajtur përgjegjësinë e vet për gjithçka ka ndodhur, për skandalet e shumta, për humbjen e jetëve njerëzore, për korrupsionin e ministrave të kabinetit të tij, etj., etj., por gjithmonë ato u a ka faturuar të tjerëve. Kur është puna për tu mburrur, mburret me gjëra të paqena, aq sa bëhet edhe qesharak me sloganet e tij Sançopançiane kur shqiptarëve u tregon përralla në një kohë që shumica e tyre nuk kanë bukë të hanë e sorollaten me vite për të marrë atë që i takon e nuk e marrin. Ku është Shteti i këtij “politikani nr 1” kur njerëzit me të drejtë pyesin? Ku është Shteti kur krimi ka marrë përmasa të frikshme, kur njerëzit, në pamundësi për të zgjidhur hallet e tyre, vetëflijohen? Ku është Shteti, për ta çuar pronën tek i zoti dhe jo tek më i zoti? Ku i gjetën politikanët e qeveritarët, pronat, trojet e vilat, mos vallë u a ka lënë “babai”.Përgjigja është e thjeshtë; Rroftë ‘politikani nr 1”, nën hundën e të cilit lulëzojnë lloj lloj “ferra” e “gjembaçë” dhe ky, jo vetëm që nuk i “shkul” nga rrënjët, por u krijon edhe kushte që të rriten!.. “Politikani nr 1” ka qenë dhe është në konflikt me të gjitha institucionet e pavarura dhe me krerët e tyre. Vetë e propozoi Prokurorin e përgjithshëm Sallakun, dhe kur nuk i shkoi pas “midesë” e etiketoi atë “njeri të lidhur me krimin” dhe “strehë e kriminelëve”! Nguli këmbë dhe e zgjodhi Topin President.

 Pavarësisht nga mënyra se si u zgjodh, nuk kaloi shumë kohë dhe ky na u etiketua si “puçist” që desh të përmbyste pushtetin me dhunë! Vetë e zgjodhi “Silvia Kontin” prokurore të Përgjithshme, dhe ajo shumë shpejt na u bë ‘lavire bulevardi”! Bëmat e këtij Don Kishoti, nuk kanë të sosur, por ky nuk e ka për gjë dhe nuk do t’ia dijë për asgjë kur i rrezikohet karrigia. Kur “sherri” është larg karriges, fërkon duart, qetësohet dhe gjithçka e quan “limonadë”! Tha e ç’nuk tha, për “politikanin nr 2” Fatos Nano. Të gjitha i kishte seriozisht, mbasi duhej të merrte pushtetin. Me të ardhur në Pushtet, e fjeti mendjen dhe gjithçka kish thënë, i quajti ato “limonadë”! E meqë jemi tek “politikani nr 2” Nano, ky ka meritat e tij, në krijimin dhe konsolidimin e të majtës shqiptare. Por kur kjo “ushtri” kishte nevojë për këtë “gjeneral”, ky e braktisi atë dhe ia mbathi diku larg për të bërë “ahengje” dhe në Shqipëri vinte vetëm për të marrë rrogën! Ku është merita e tij përderisa e dinte që e kishte dorëzuar “ushtrinë” në duart e një “luftëtari” pa përvojë?

 Ky politikan edhe “plumbin” e tij të fundit, votën, e “shkrepi” kundër ushtrisë që vetë e krijoi! Çfarë merita ka ky politikan këto afro 7 vjet, përveç ndonjë “tullumbace” që hedh herë pas here për të tatuar pulsin dhe të hyjë përsëri në skenën politike si President? Ta lemë në “dymenë” e tij këtë dhe të shkojmë tek “politikani nr 1”.Tha e çfarë nuk tha për Ilir Metën. Herë e quajti “Ilir Floriri”, herë “kreu i Mafies” herë “kriminel” etj., etj. Nuk vonoi shumë dhe për interesat e tij bëri koalicion edhe me Ilirin. Edhe vetë ishte i bindur se Iliri ishte përfaqësues i të majtës, dhe do hynte në “kopenë” e djathtë si “dhia” ndër dhen. Por kjo ishte hiçgjë për të dy këta politikanë, se pavarësisht bindjeve të tyre, njëri nga “krushka’ e tjetri nga “mushka”, më tepër se çdo gjë i lidhnin interesat e ngushta, duheshin mbrojtur me çdo kusht “sarajet” e tyre, i lidhnin vjedhjet dhe abuzimet me pasurinë e popullit. Në këtë rast, “politikani nr 1” zbatoi proverbin kinez “Armiku i armikut tim, është miku im”. Nuk ka e nuk do të ketë politikan në botë që ta duan të gjithë. me të drejtë thuhet se po të deshën të gjithë nuk je i mirë, por edhe po nuk të deshën të gjithë nuk je i mirë, Sot, ca të duan e ca nuk të duan. Por politikanët tanë në fjalë, i do vetëm një pakicë shumë e vogël njerëzish dhe nuk gëzojnë respektin e shumicës së qytetarëve. Dikush, mund të thotë se ata hiqen vetëm me votën e popullit. Ashtu është dhe për këtë nuk ka dyshim. Por është po kaq e vërtetë që “politikani nr 1” është mjeshtër për të vjedhur votën. Sa herë që janë bërë votime, ky “tam-tam” vazhdon. Vetëm për këtë është “njëshi”, të mos i hamë hakun. Politikanë të këtij lloji, po e lenë vendin përsëri jashtë integrimit dhe siç shihet po i bëjnë të gjitha “parapritat”për të akuzuar opozitën nesër si fajtore.Në intervistën tuaj, juve z. Arvizu, thoni që pikëpamjet tuaja nuk janë personale, por shprehni ato të departamentit Amerikan të Shtetit.

Edhe unë jam dakord për këtë, por a jeni dakord juve që “politikani nr 1”thotë se juve shprehni pikëpamjet tuaja personale, siç thotë për paraardhësin tuaj? Personazhi më negative në të gjitha kabllogramet e paraardhësit tuaj del “politikani nr 1”. Kam mendimin se më i besueshëm është ky i fundit, mbase nuk mendoj se janë pikëpamjet e Departamentit tuaj të Shtetit, kur juve pa zbritur akoma në tokën shqiptare, na “zbuluat” një “burrë shteti” siç ishte ai që të paktën nuk e do më tepër se gjysma e qytetarëve, jo vetëm të majtë, por edhe të djathtë. Për këtë do të bindeni edhe vetë, kur të mbaroni mandatin tuaj dhe kur të dalin kabllogramet që keni dërguar, “politikani nr 1” përsëri do ti quajë ato, pikëpamjet tuaja personale.

Ky “politikan” gjithçka fantazon, siç e fantazoi “puçin” dhe që nuk e bindi as shefi juaj z. Kantrimen. Falë teknologjisë së lartë në transmetimet televizive, edhe këto ditë që ndodhet në Amerikë, na duket sikur e kemi këtu pranë me “parajsën”shqiptare që ka krijuar. Mbasi na “bindi” ne, tani kërkon të “bindi” edhe amerikanët. Ky politikan nuk i mendon pasojat, sikur të ngrihen amerikanët e të bëjnë lloto, për të ardhur në Shqipëri, se ku do ti sistemojë gjithë atë numër të madh njerëzish.!

Ky “politikan” i ka bërë të gjithë ata që i rrinë rrotul, të flasin vetëm me gjuhën e tij, përndryshe, ata cilësohen, “kriptokomunistë”, “kriminelë”, “klane mafioze”, “bllokmenë” e ku ta di unë. Këto, edhe shumë si këto, a nuk janë të mjaftueshme që ky nuk është “politikani nr 1” e aq më pak një “burrë shteti’? Më e keqja është kur kjo thuhet nga ana juaj, përfaqësuesi i vendit simbol të paqes lirisë e demokracisë. Qofsha i gabuar, por duket sikur jeni rreshtuar nga e djathta. Për ti bërë qejfin edhe politikanëve të majtë, i “krihni” edhe ata, dhe u a lini “morrat’ brenda!...

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00