Home | Opinion | Tartufët e politikës shqiptare…

Tartufët e politikës shqiptare…

image
 Meqenëse shqiptarët kanë respekt për të huajt, e kanë lënë të “Bukurën e Dheut” të “dëfrejnë” të huajt dhe vetë kanë shkuar të “dergjen” “skutave” të Europës! Ky duhet të jetë me siguri sekreti i fundit i Europës 

 

 


Nga Pandeli Bardhi

 

 


Të gjitha gjasat, edhe për këtë vit janë që Shqipëria të mos marrë statusin e kandidatit për në BE.U mbushën 21 vjet që kjo ëndërr dhe shpresë e këtij populli të vuajtur, po kthehet në zhgënjim. Ky zhgënjim, nuk është as i vetmi e as i fundit, por është në vazhdim të të gjitha dështimeve të hipokritëve qeveritarë dhe tellallëve të tyre. E megjithatë, qeveritarët e politikanët, duken tepër të kënaqur e të pa shqetësuar. Me sa duket ata mirëqenien e popullit e masin me xhepin e tyre, dhe përtej tij, ata nuk shohin e nuk dëgjojnë. U desh më shumë se një javë që Kryeministri ynë ti mbushte mendjen ndërkombëtarëve, se me “reformat” që ai ka marrë, e ka futur Shqipërinë, në vendet e mesme dhe të zhvilluara, dhe me entuziazmin e tij gati sa nuk u lutej edhe atyre, që nëqoftëse duan edhe ata të mos njohin krizë, të ndjekin shembullin e Shqipërisë… Duke qenë se shqiptarët këtij, ja kanë “pirë lëngun” me kohë, i ka mbetur tani të “broçkullisë” me ata që nuk kanë idenë ku ndodhet Shqipëria si Butana apo Kepi i Gjelbër. A ka vallë shqiptar, që të besojë se këtu është zhdukur varfëria? A ka shqiptar që të besojë se ne renditemi me Gjermaninë për rritje ekonomike dhe mirëqenie?... A e kupton ky Kryeministër se edhe “suksesi” i tij i madh siç ishte liberalizimi i vizave, po i kthehet në bumerang? Shumë shqiptarë po kërkojnë azil në Vendet e Europës, si Gjermania, Suedia etj., që kanë nivel më të “ulët” mirëqenieje nga ne. Mos vallë ata shkojnë atje për të mbajtur “dietë”? Këto e shumë e shumë të tjera si këto, ai nuk i zë në gojë, në ekspozenë që i bëri para grupit të tij parlamentar, por radhiti “sukseset” e vizitës së tij në Amerikë, sikur ti kishte lënë të gjithë me “gojë hapur”me reformat e tij të “shkëlqyera” në zhdukjen e varfërisë,dhe se kriza ekonomike, vendin që udhëheq ky burrë, nuk e “ciku” fare! Edhe kur kanalet e huaja televizive e pyesin se përse Shqipëria një vend kaq i “stabilizuar” kërkon ti bashkohet “rrëmujës” Europiane, ai ngul këmbë se do japë atje kontributin dhe eksperiencën e tij…

Ajo, çka ishte më kryesorja, bashkëpunimi dhe diskutimi me opozitën për gjetjen e rrugëve dhe mundësive për integrimin e vendit, as që nuk u interesua fare, sikur të ishte një gjë e parëndësishme. Për këtë opozita kishte paraqitur 10 pika, që megjithëse “pas pilafit” ja vlente që me ndryshimet që do ti bëheshin, të futeshin në rrugën e bashkëpunimit, për hir të interesave të vendit. Duket se kjo gjë, nuk i intereson,ai nuk e duron dot disiplinën e Europës, por do që të “livadhisi” dhe të rrijë “azat” (zgjidhur), siç ka ndenjur deri më sot, për interesat e tij dhe të disa tellallëve rrotull tij. E reklamoi shumë Shqipërinë dhe e futi atë në vendet e zhvilluara, në moshën e internetit etj. Po cili është ai shqiptar që nuk i do këto, që nuk do mirëqenie? Të mos duash zhvillimin e vendit tënd, është njëlloj sikur qorri të mos dojë sy. Por duhet të jemi pak realistë e të mos mburremi pa baza. Në të njëjtën kohë, as nuk duhet të nxjerrim të “palarat” e shtëpisë në “mexhlis”.Po e ilustroj këtë, midis shembujve të shumtë me dy shembuj të thjeshtë.

 Gjatë gjithë verës, zjarre të shumtë, në të katër anët e Shqipërisë, dogjën qindra e mijëra hektarë me pyje, bimësi e ullishte. Të qëllimshme apo të paqëllimshme këto, kanë një emërues të përbashkët, jo vetëm indiferentizmin por edhe më tej, mungesën totale të Shtetit. Në çdo kronikë që na servirnin televizionet tanë të “famshëm” shikonim “zjarrfikësit” barinj apo fshatarë të “armatosur” me nga një degë shkurreje në dorë apo me ndonjë kovë ujë në krah që vraponin për të “shuar” zjarrin. Kërkesat për ndonjë helikopter apo aeroplan “kanader” për shuarjen e zjarreve nga populli i Sarandës bëheshin në Janinë, sikur këtu të mos ekzistonte Shtet fare. Por edhe sikur ata të bënin kërkesë, kujt ti drejtoheshin?. Ata e dinë që këtu nuk ka menduar kush për shuarjen e zjarreve edhe sikur të digjet gjithçka, dhe nuk ekziston as aeroplan e as helikopter, në një kohë që ato zjarrfikëse i thënçin, nuk mund të shkojnë dot për shkak të terrenit të vështirë! Të ishte kjo nga varfëria, nuk do të zëmërohej kush, por të blihen helikopterë miliona euro apo makina luksoze për Kryeministrin (që zoti na e ruajt) kjo është përtej absurdes. Nuk u shqetësua ndonjëherë Kryeministri për këtë problem kaq madhor. Kryesorja për të është entuziazmi, ku në mbledhjen e Qeverisë i mburrej Majlindës se megjithë kohën e gjatë të qëndrimit në det, përsëri atij i dukej deti si tapet! Sa i “ëmbël” është ky hipokrit, me kolegët e tij që zhvatin Shqipërinë, sa harbut e i pamëshirshëm është me deputetët e opozitës aq “kërrabë” bëhet kur takon të huajt, sidomos ndonjërin që i shkon fjala!...Së dyti, të marrim gjendjen e shërbimit shëndetësor në QSUT. Këtu nuk bëhet fjalë për defektet në kujdesin ndaj pacientëve. Të tilla, ka patur e do të ketë jo vetëm tek ne por edhe gjetkë. Edhe shfaqje të korrupsionit ka patur dhe tash së fundi janë dhjetëfishuar. Por që të mos ketë edhe gërshërë dhe ti presin fashot në repartin e djegie plastikës me thikë, kjo është e paimagjinueshme. Këto nuk ndodhin as në Xhibuti e as në Dahomei, dhe ja ku ndodhin në një vend të zhvilluar me një mjekësi moderne!..

Ah sikur Nënë Tereza të ngrihej për një çast nga varri e të shihte ne sytë e saj “humanizmin” që ajo na e la amanet!... Çfarë do të thoshte, kjo simbol i humanizmit në Botë kur të dëgjonte se “bamirësit” e shtetit “bamirës” i “vrasin” dyfish ata që i ka “vrarë” zoti duke i vjedhur ilaçet? Nuk janë vetëm ilaçet e onkologjikut që vidhen, por kudo ku atyre u jepet mundësia, vjedhin dhe rrjepin të sëmurët!Ison e Shefit të Qeverisë e mban edhe tellalli apo ministri i sapoemëruar, “vjeshtaku” Bumçi. Ai doli të në mbushi mendjen se për këtë vit, qysh nga Janari tek ne kanë ardhur as më shumë e as më pak por 2 milionë e nëntëqind e nëntëdhjetë mijë turistë. Ky tellall, ka statistika të “sakta” prandaj edhe nuk i rumbullakos si shefi i tij, diku tek 4 milionshi. Bumçi ata i ndan se sa nga ata janë transit, sa kanë ardhur e kanë ikur brenda ditës dhe sa nga këta ishin emigrantë shqiptarë që erdhën të kalojnë “pushimet” pranë familjeve të tyre! Na i bëri “lopka-lopka” por një gjë të “parëndësishme” nuk na e tha. Sa të ardhura pati ekonomia jonë nga ky sektor i rëndësishëm të ardhurash? Statistikat flasin se për këtë vit, turistët shqiptarë kanë nxjerrë nga Shqipëria 570 milionë euro dhe kanë hyrë vetëm 430 milionë. Ku janë këtu të ardhurat nga ky sektor? Me siguri, ata që kanë ardhur vetëm për një ditë, e kanë marrë bukën me vehte, dhe e kanë shijuar atë pranë ujrave të zeza të plazheve tona.

Por ka mundësi që të jetë edhe tjetra. Meqenëse shqiptarët kanë respekt për të huajt, e kanë lënë të “Bukurën e Dheut” të “dëfrejnë” të huajt dhe vetë kanë shkuar të “dergjen” “skutave” të Europës! Ky duhet të jetë me siguri sekreti i fundit i Europës siç e quajti tellalli Bumç, që s’ka kohë të marri frymë nga “bum-et” turistike, jo vetëm në behar por edhe në Vjeshtë!Një vëmendje të veçantë, në vizitën e tij “historike”Kryeministri, i kushtoi edhe takimit të tij me Presidentin e SHBA, Obama, dhe për të qenë më bindës, bëri edhe një fotografi me të. Kohën ai e kishte më se të mjaftueshme, për ti zënë rrugën dhe për të bërë një fotografi. Me kaq ai ishte i kënaqur ashtu si Jozefina para 2 vjetësh që ishte kënaqur kur e kishte patur Hillary Klintonin vetëm 30 m larg!. Sa të rrojmë do të dëgjojmë! Kjo më kujton një Kuke në Korçë, i cili duke qenë i mangët nga ‘komiteti, “kënaqej” duke zënë derën e komitetit, vetëm e vetëm që të bënte një fotografi me Kryetarin e Komitetit apo Sekretarin e Parë! “Kuket” nuk paskan të mbaruar dhe po ringjallen përsëri në Shqipërinë e “zhvilluar”, në moshën e internetit!..

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00