Home | Opinion | Ritakim me fatin europian

Ritakim me fatin europian

image
A është e mundshme që Shqipëria të ritakojë fatin e saj europian e ta kremtojë 100-vjetorin e saj si vend kandidat për në BE? Përgjigjja e pyetjes duhet ta ketë gjenezën te sensi i përgjegjshmërisë që duhet ushtruar nga të gjithë, kur në udhëkryq ndodhet interesi kombëtar. 


Ditmir Bushati


Kanë kaluar thuajse dy javë që nga dita kur kryetari i PS-së, Edi Rama, propozoi një pakt për Europën, në thelb të të cilit qëndron nevoja për një sipërmarrje të përbashkët në disa fusha kyçe të procesit të shtet-ndërtimit dhe, nga ana e Kryeministrit Sali Berisha nuk ka një përgjigje të esëllt nëse qeveria e tij e do paktin me opozitën. Nuk ka asnjë qëndrim në lidhje me brendinë e paktit apo elemente të tjera që i duhen shtuar atij në funksion të përshpejtimit të procesit të integrimit europian, duke shpalosur njëherazi edhe mungesën e vizionit të kësaj qeverie për t’u përfshirë me opozitën dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm në një proces të shëndetshëm demokratik.

 Ç’është më e keqja, nuk ndjehet asnjë shqetësim në radhët e kësaj qeverie, e as teknologëve politikë pranë saj, për humbjen e shansit historik për së dyti, për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe perspektivën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim në BE. I vetmi merak që i ka kapluar prej kohësh është se si ta përbaltin sa më shumë opozitën dhe ta portretizojnë atë si shkaktare të dështimeve të qeverisjes, a thua se në këtë vend ka dy palë që qeverisin.

 Analizat paraprake tregojnë se vendet më të përparuara në procesin e integrimit europian janë Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, për shkak të përmbushjes së reformave. Ndaj, Komisioni Europian do të angazhohet – duke kapitalizuar edhe mbi suksesin e Kroacisë – që t’u mundësojë këtyre vendeve kalimin në fazën tjetër të procesit (akordimi i statusit të vendit kandidat për Serbinë, fillimi i bisedimeve për aderim me Malin e Zi dhe gatishmëria për të filluar bisedimet për aderim me Maqedoninë, sapo të gjendet një zgjidhje e pranueshme me Greqinë për çështjen e emrit). Autoritetet kosovare pritet të marrin udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, çka do t’i mundësojë atyre përqendrimin e energjive në një proces të mirëstrukturuar e rigoroz për përmbushjen e standardeve që kanë të bëjnë me lirinë e lëvizjes në hapësirën “Shengen”.

 Ndërkaq, për Shqipërinë dhe Bosnjë-Hercegovinën, “diagnoza” dhe “receta” nuk pritet të ndryshojnë nga vjet, duke u shoqëruar me dhënien e një mesazhi të qartë në favor të perspektivës europiane. E, duke inkurajuar kështu ndërmarrjen e reformave të duhura që do ta bënte perspektivën europiane edhe më të prekshme. Afërmendsh, janë humbur dy vjet dhe ende nuk duket në horizont një proces reflektimi e nxjerrje përgjegjësish.
 Deri në ciklin e vjeshtës së vitit 2012 para nesh janë dy stacione të rëndësishme, të cilat nuk duhen humbur. Stacioni i parë, 12 tetori, ditë kur Komisioni Europian do të publikojë progres-raportin për Shqipërinë. Është pak, por e sigurt të pohohet se ky stacion po rihumbet me vetëdije, pasi asnjë prej 12 përparësive kryesore të listuara nga BE-ja nuk është adresuar nga Shqipëria. Shembulli më elokuent janë zgjedhjet vendore pa standarde të 8 majit dhe farsa e Tiranës, që sipas BE-së, ishin “jo të mira”. Përpos kësaj, qeveria vijon kokëfortësish rrugën e dominimit politik, duke çimentuar pushtetin e çmontuar shtetin. E, duke i bërë këto dy “entitete” praktikisht të padallueshëm. Nuk ka asnjë reflektim në këtë drejtim, e as në krijimin e një klime më bashkëpunuese në Kuvend.

 Stacioni i dytë, muaji dhjetor, kur vendet anëtare të BE-së do të miratojnë konkluzionet për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat janë udhërrëfyesi më i mirë i institucioneve të BE-së. Në rast se Shqipëria hedh disa hapa vendimtarë duke i dhënë një dinamikë procesit të integrimit europian, ka shanse që në këtë takim, vendet anëtare të BE-së të njohin progresin e Shqipërisë e t’i kërkojnë Komisionit Europian një vlerësim, pa pritur vjeshtën e vitit 2012. Sipas këtij skenari hipotetik, Komisioni mund ta kryejë vlerësimin në pranverën e ardhshme dhe mund të rekomandonte akordimin e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, në rast të përmbushjes së përparësive të identifikuara. Vendet anëtare mund t’i akordonin Shqipërisë statusin e vendit kandidat në fund të pranverës apo fillim të verës së vitit 2012. Për hir të së vërtetës, ky skenar është aplikuar rrallë. Për shembull, në rastin e Kroacisë, kur BE-ja i dha dritën e gjelbër fillimit të bisedimeve për aderim porsa gjeneral Gotovina u dorëzua në Tribunalin e Hagës, pa pritur ciklin e vlerësimit vjetor që kryhet në periudhën e vjeshtës.
 A është e mundshme që Shqipëria të ritakojë fatin e saj europian e ta kremtojë 100-vjetorin e saj si vend kandidat për në BE? Përgjigjja e pyetjes duhet ta ketë gjenezën te sensi i përgjegjshmërisë që duhet ushtruar nga të gjithë, kur në udhëkryq ndodhet interesi kombëtar. Një gjë e tillë është plotësisht e mundshme dhe në përputhje të plotë me aspiratën e mbi 93% të shqiptarëve që e duan Shqipërinë një orë e më parë pjesë të mozaikut të vlerave të familjes europiane, duke i dhënë peshën e duhur procesit të shtet-ndërtimit e çliruar atë nga pushtetmbajtja.


 Pra, për të kapur fillimisht stacionin e dhjetorit të këtij viti, pakti për Europën, i propozuar nga PS, në përmbushje të 12 përparësive të identifikuara nga BE-ja, shërben si një truall nga mund të lëshojë rrënjë një proces i shëndetshëm demokratik, i cili duhet të shtrihet deri në pranverën e vitit të ardhshëm, në funksion të realizimit të reformës zgjedhore, reformës parlamentare, reformës në fushën e medias dhe ndërtimit të një procesi legjislativ për modernizimin e shtetit dhe fuqizimin e institucioneve kushtetuese e demokratike, të cilat nuk mund të njësohen me pushtetin, por veçse me qytetarin.
 Aristoteli thoshte njëherë e një kohë se shteti është një entitet moral. Në këtë kuptim, transformimi i tij demokratik ka nevojë për një lidership moral me vizion për të ardhmen dhe i gatshëm për të sakrifikuar pushtet. Procesi i integrimit europian nuk përfshin vetëm një fushë të zhvillimit të vendit, por në formën e një spiraleje ngjitëse prek pak nga pak të gjitha fushat e jetës së vendit, duke depërtuar në zemër të konceptit të shtet-ndërtimit dhe qeverisjes. Në mënyrë që të funksionojë siç duhet spiralja ngjitëse, pra, e përqasjes dhe harmonizimit të sistemit shqiptar me atë të BE-së, lipset një angazhim kapilar për t’i mundësuar Shqipërisë fatin e saj europian.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00