Home | Opinion | Ç’na këshillojnë perëndimorët?

Ç’na këshillojnë perëndimorët?

image
Ne jemi europianë dhe jemi aktualisht në Europë. Politikanët tanë që predikojnë Europën “Parajsë” janë të parët që nuk e duan, madje bëjnë çmos për ta vonuar. Arsyeja është e thjeshtë; sepse nuk mund të bëjnë sulltanë siç po bëjnë. 


Nga Xhovalin Delia


Gjithçka veç revoltës popullore. Pse nuk duhet të protestojnë shqiptarët? Nuk dimë apo nuk duhet? Nëse nuk dinë dhe protestojnë, çfarë do të humbnin të humburit shqiptarë? Nëse nuk duhet të protestojnë, çfarë do të fitonin të nënshtruarit qyqarë? Si profan e kam një përgjigje profane, por le të dëgjojmë profetët e demokracisë, udhërrëfyesit tanë perëndimorë.Si më të bindurit e diktaturës, ne shqiptarët qemë të fundit që u zgjuam nga letargjia gjysmë shekullore komuniste. Ose më saktë, rroftë Perëndimi që na zgjoi, se po të ishte për ne, ka rrezik të ishim akoma me yll në ballë e kallam sheqeri në dorë si kubanët e Fidel Kastros. “E duam Shqi-pë-ri-në si E-vro-pa!”- me këtë parullë u zgjuam pa e ditur ç’është Evropa, por të sigurt që do të ishte një gjë më e mirë se hallva jonë.  Kanë kaluar dy dekada dhe politikanët tanë vazhdojnë të na vejnë në gjumë me Evropën “Parajsë”. Edhe pse sot nuk jemi si atëherë të pa dalë, prapë se prapë na zë gjumi rehat me të njëjtën përrallë. Ndoshta ngaqë deri më sot asnjë i vdekur nuk e ka përgënjeshtruar ekzistencën e Parajsës, përkundrazi, të gjallët e gjezdisur dëshmojnë për Parajsën tokësore krijuar nga njeriu gjenial perëndimor. E për të mbërritur për së gjalli në këtë dreq “parajse”, çfarë nuk kemi bërë e çfarë nuk po sakrifikojmë, deri edhe dinjitetin e bash jetën tonë! Madje nuk guxojmë as të protestojmë për horrllëqet e pafundme, nga frika se mos na zëmërohet zonja Evropë. Po heshtim para provave më evidente të korrupsionit e të krimit shtetëror, vetëm e vetëm për mos të humbur “shansin historik” dhe prapë se prapë treni ekspres i Evropës, edhe kësaj here na la targën “BE”. Mor po çfarë duhet të bëjmë tjetër xhanëm që të na e fusin në Evropë? Paradoksi i BE –së me yje qëndron në faktin se ata që janë jashtë besojnë në të, ata që jetojnë brenda e vënë në dyshim. Shqiptarët po shtyhen për të hyrë ndërsa, evropianët janë vënë në radhë para Exit Emergency! Janë çmendur ata, apo nuk jemi në rregull ne? Të dashur bashkatdhetarë ëndërrimtarë: Evropa e bashkuar është akoma një ide e bukur që nuk i dihet kur e nëse do të bëhet ndonjëherë realitet politik.

Ajo çka i bashkon evropianët është vetëm monedha e fortë, e cila po prish bash enën e vet. Prandaj mos u dëshpëroni. Hall më të madh mos paçim se hyrja në Evropë! Ne jemi evropianë dhe jemi aktualisht në Evropë. Integrimi jonë në Evropë është problemi i fundit, madje nuk është problemi ynë. Është nevoja e problemi i të tjerëve, të cilët ne nuk mund ti injorojmë, përkundrazi duhet të ndjekim procesin hap pas hapi, por nuk duhet të gënjehemi e kurrsesi të tolerojmë matrapazët tanë e as të huaj të spekulojnë me e mbi ne. Politikanët tanë që predikojnë Evropën “Parajsë” janë të parët që nuk e duan, madje bëjnë çmos për ta vonuar. Arsyeja është e thjeshtë; sepse nuk mund të bëjnë sulltanë siç po bëjnë. Shtiren si evropianë e pro amerikanë për të marrë bekimin e tyre, por në fakt janë ata çka ata kanë bërë e ç’po bëjnë.Pse hyrja në Evropë është i fundit problem i shqiptarëve? Sepse integrimi vjen si rezultat natyral, pasi Shqipëria të ketë zgjidhur të gjitha problemet themelore politike dhe ekonomike e legjislative të shtetit e të shoqërisë demokratike. Integrimi në Evropë nuk është privilegj por detyrë për tu realizuar, si për ne ashtu edhe për zotërinjtë evropianë. Pra integrimin nuk na e dhuron Evropa bujare e nuk ka pse e lyp shoqëria e varfër shqiptare. Zotërinj të nderuar Perëndimorë: - për të gëzuar “privilegjin e të qenit evropian”, evropianët e moçëm shqiptarë, domosdoshmërisht duhet ti nënshtrohen një sundimi të ri psikologjik, politik dhe ekonomik post diktatorial? Duhet të ulin kokën dhe të pranojnë padrejtësinë, vjedhjen, grabitjen, poshtërimin, korrupsionin e krimin shtetëror si ligjësi demokratike?

Ç’na këshilloni të bëjmë? Bëni çfarë themi ne e mos shikoni ç’bëjmë ne? OK, ne bindemi, por sytë e veshët nuk na binden, ne shohim e dëgjojnë.Matanë Atlantikut, në SHBA, në Tempullin e Demokracisë, u desh thjeshtë denoncimi i një kameriereje për ti vënë prangat njërit prej njerëzve më të fuqishëm të Tokës. Përtej Adriatikut, në Itali, në Romën e Ligjit, nuk mjaftoi autoriteti i Drejtësisë për të arrestuar disa nëpunës të lartë të akuzuar për korrupsion. Përkundrazi dy pushtetet e tjera, ekzekutivi e legjislativi grusht bashkuar në mbrojtje të korrupsionit e krimit shtetëror iu kundërvunë Drejtësisë. Sheh rrushi rrushin e piqet edhe këtej Adriatikut, në Shqipëri, në vendin e shqiponjave, ku të pandehurit janë të lirë, të mbrojtur me mandate, parti e qeveri, madje kërcënojnë! Ndonjë prej këtyre ka edhe projekt politik për “reformimin” e Drejtësisë! Të tre vendet e lartpërmendura, zyrtarisht njihen si vende demokratike dhe për çudi shohim tre qëndrime të ndryshme ndaj ligjit e zbatimit të tij. Pyes: cili nga rastet e lartpërmendura është shembull për tu ndjekur? Rasti i III –të është i thjeshtë, e mund të përgjigjet çdo shqiptar: është skandal! Please, na ndihmoni ta ndalojmë sa më parë!Zotërinj të nderuar perëndimorë: rrëfehuni në Vatikan e në Shtëpinë e Bardhë si funksionon Demokracia shqiptare, sa e drejtë është Drejtësia, ç’vlerë ka ligji në Shqipëri dhe do të shikoni si do ti drithërohet shpirti Obamës në shtëpinë e tij e Berlusconi, me siguri do të kërkojë strehim politik në Shqipëri. Nëse nuk ju besojnë, shfaqni një nga 60 videot e regjistruara në zyrat e qeverisë shqiptare, atë që gjithë shqiptarët kanë parë e vazhdojnë të jetojnë kudo e për ditë. Atë video që ekspertiza juaj e sofistikuar e ka konfirmuar si të vërtetë.

Ja vlen për ju e për ne. Një rrugë e dy punë: e para - bashkëqytetarët tuaj do mësojnë sa fisnike është politika shqiptare, sa i shenjtë dhe i rreptë është ligji, para të cilit, të gjithë, qytetarë e shtetarë, edhe në vendin e shqiponjave janë të barabartë dhe e dyta, - skeptikët, antikrishtët e antiamerikanët shqiptarë do të binden se Amerika është shpata e drejtësisë në mbrojtje të të dobëtit, me të mbarët kundra të mbrapshtëve. (Mr. Ambassador Arvizu F.Y.E.O.) "The path of the righteous man is beset on all sides by the inequities of the selfish and the tyranny of evil men. Blessed is he who, in the name of charity and good will, shepherds the weak through the valley of the darkness. For he is truly his brother's keeper and the finder of lost children. And I will strike down upon thee with great vengeance and furious anger those who attempt to poison and destroy my brothers. And you will know I am the Lord when I lay my vengeance upon you." (Ezekiel 25 : 17)Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të dekorojë perëndimorët për degradimin tonë moral, politik e institucional , pasi të gjitha medaljet i meriton kasta politike shqiptare, e majtë dhe e djathtë, por prestigji i tyre si pikë referimi për Ligjin, Lirinë e Demokracinë më sugjeron në mënyrë natyrale tu referohem.

Natyrisht kjo nuk i bën ata bashkëfajtorë por pa dyshim u shton përgjegjësinë për rolin vendimtar që ata kanë në fatin shqiptar. Ajo çka më shtyn të reflektoj në këto rreshta është orientimi i mbrapshtë në princip, i kastës tonë politike e shtetërore dhe spekulimi bash me këtë pikë referimi. Ritheksoj se jo çdo gjë që fluturon në Perëndim hahet dhe “vesi” nuk përkthehet “virtyt”. Italia është një nga vendet më të zhvilluara perëndimore, është vendi i artit dhe i kulturës prej të cilës ka mësuar e ka ç’mëson gjithë Bota, është qendra e krishterimit ku falet mbarë njerëzimi, por Italia në rastin e lartpërmendur nuk është shembull për t’u ndjekur. Theksoj: faji nuk është i një personi që ka turnin, por i sistemit. Të njëjtën sëmundje ka marrë demokracia shqiptare që në embrion. Përsëris: si e sëmura matanë edhe kjo e jona këtej detit, nuk shërohen me ndërrimin e filanit me fistëkun e as me të qeverisë blu me rozë. Jo, ajo që nuk funksionon andej as këtej është sistemi politik dhe ky do ndryshuar. Konkluzioni: Për sa kohë politika nuk do të ndahet nga biznesi, shoqëria shqiptare do të vazhdojë të pjellë korrupsion e krim shtetëror e Shqipëria nuk do ta kapë kurrë trenin BE. Ndarja e politikës nga biznesi zgjidhet me një ligj të ri zgjedhor i cili do të mundësonte projektimin e një klase të re dirigjente pa konflikte interesi. Ky do të ishte guri themeltar i alternativës së re politike shqiptare, si rrugëdalja e vetme demokratike nga kolapsi aktual politik. Kush mund ta bëjë një hap të tillë? Cilido shqiptar i lirë, veç fytyrave që shohim prej 20-vjetësh.“Ne jetojmë në një Shqipëri e cila përjetonte një varfëri ekstreme dhe që sot renditet në vendet me të ardhura të mesme të larta, ku liria ekonomike është rritur” – deklaroi Kryeministri ynë në sesionin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme të OKB –së.

Po për cilën Shqipëri e ka fjalën prijësi ynë komunist kapitalist? Nëse e ka fjalën për kastën politike, e djeshmja e kuqe nuk qe krejt e varfër, ndërsa e sotmja rozë & blu është aq e pasur sa për ti vënë prangat. Ata që përjetonin dje një varfëri ekstreme dhe që vazhdojnë të përjetojnë një varfëri të dhimbshme ekstreme, janë të njëjtët, fshatarët e braktisur, punëtorët skllevër të pa mbrojtur dhe inteligjenca e fyer dhe e harruar. “Të keqen e komunizmit! Mjaftonte të lëvdoje E. Hoxhën e të shaje J. Krishtin dhe jetën e varfër e kishe të garantuar. Kush punonte, hante. Kush nuk punonte, hante e pinte. Ata që spiunonin bënin edhe karrierë”. Çfarë i mungon o ç’ka tepër ky vend që në çdo sistem pjell veç varfëri, mjerim e poshtërsi? Përgjigja e kësaj pyetjeje më indinjon e më revolton. E kur mendoj se shkaku është shqiptar, më vjen turp që jam pjellë e të njëjtës farë. Ajo çka aso kohe i mungonte Shqipërisë më detyroi ta braktis dhe bash ajo që sot i nevojitet asaj më thërret ta lë “Parajsën” e Italisë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00