Home | Opinion | * * *

* * *

image
Njëjtë, edhe në vendet ish-komuniste, Perëndimi toleroi që në politikë të kishte ish-komunistë, por si këmbim kërkoi shpërbërjen graduale të partive komuniste.

Nga Kastriot Myftaraj

Fitorja e Perëndimit në Luftën e Ftohtë ishte natyrisht një fitore e ftohtë, do të thotë që ushtritë e NATO-s nuk e pushtuan Rusinë, ashtu siç e pushtuan Gjermaninë në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik dhe blloku komunist në përgjithësi, kapitulluan me kushte, jo pa kushte si vendet e Boshtit dikur. Fitore e ftohtë do të thotë fitore e shtrirë në kohë. Sot, 22 vite pas rënies së Murit të Berlinit, mund ta shohim se si eci procesi i asaj që mund të quhet Fitore e Ftohtë. Një nga treguesit më domethënës është mënyra se si u shpërbënë gradualisht partitë ish-komuniste në vendet ish-komuniste. Natyrisht se ky do të ishte një nga treguesit më të prekshëm të fitores së Perëndimit. Derisa shtetet komuniste qenë parti-shtet, shpërbërja e këtyre partive ishte një nga qëllimet e Perëndimit në vendet ish-komuniste. Këtu nuk është fjala për largimin e ish-komunistëve nga politika, se edhe pas Luftës së Dytë Botërore, në Gjermaninë Perëndimore kishte shumë ish-anëtarë të NSDASP (Partisë Naziste) të rangjeve të ulta në politikë. Por NSDAP u shpërbë.

Njëjtë, edhe në vendet ish-komuniste, Perëndimi toleroi që në politikë të kishte ish-komunistë, por si këmbim kërkoi shpërbërjen graduale të partive komuniste. Partia Komuniste e Rumanisë (e quajtur Partia e Punëtorëve) ishte e para që pushoi së ekzistuari në dhjetor 1989, pas vdekjes së Çausheskut. Partia u deklarua e nxjerrë jashtë ligjit nga autoritetet e periudhës së emergjencës, pastaj, ndonëse pas tre ditësh ky vendim u quajt i anuluar, partia nuk veproi më. Nga anëtarësia e kësaj partie u krijuan disa parti të tjera, por partia komuniste kishte përfunduar së ekzistuari. Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik ishte partia e dytë që pushoi së ekzistuari, duke dalë jashtë ligjit në gusht 1991. Natyrisht se komunistët në Rusi krijuan partitë e tyre, por për Perëndimin ishte një satisfaksion i madh dalja jashtë ligjit e partisë- amë të komunizmit botëror. Kjo ishte fitore e ftohtë.Në vendet e tjera ish-komuniste europiane, partitë komuniste që nuk u shpërbënë saora, shkuan drejt shndërrimit në parti të vogla, të parëndësishme.

Në Çekosllovaki, Partia Komuniste u nda në dy pjesë, në atë të Çeki-Moravisë dhe në atë të Sllovakisë. Partia Komuniste e Çeki-Moravisë nuk e ndryshoi emrin dhe erdhi duke rënë vazhdimisht. Në zgjedhjet e vitit 2010 në Republikën Çeke, kjo parti mori 26 vende nga 200 në dhomën e ulët të parlamentit dhe 2 vende nga 81 në Senat. Kjo nuk është një parti qeverisëse, por është shndërruar në një parti minore, e ngjashme me partitë komuniste ne vendet e Europës Perëndimore. Në Sllovaki, Partia Komuniste ndryshoi emrin në Partia Demokratike e Majtë. Rezultatin më të mirë ajo e arriti në 1998, kur mori 14.6% të votave dhe 23 vende, në parlamentin njëdhomësh me 150 vende. Pas kësaj nga partia u shkëput një grup reformatorësh, të cilët krijuan një parti e re, me emrin “Drejtimi”, duke u nënkuptuar me këtë integrimi europian. Në vitin 2005, Partia Demokratike e Majtë vendosi që t’ i japë fund ekzistencës së saj, duke u shkrirë me Partinë “Drejtimi”. Këtej e tutje kjo parti u quajt “Drejtimi Socialdemokracia”. Në zgjedhjet e vitit 2006 kjo parti mori 29.1% të votave dhe 50 vende në parlamentin me 150 vende.

Pas zgjedhjeve, kjo parti për të hyrë në qeveri, për herë të parë pas rënies së komunizmit, bëri koalicion me një parti të djathtë. Në vitin 2010 kaloi përsëri në opozitë, pas humbjes në zgjedhje.Në Hungari, partia komuniste (e quajtur Partia Socialiste e Punëtorëve), në 1989 ndryshoi emrin në Partia Socialiste. Edhe kjo parti ka shkuar gradualisht drejt shpërbërjes. Në zgjedhjet e vitit 2010 mori 19.3% të votave dhe 58 vende nga 386 që i ka parlamenti hungarez. Në Bullgari, në prill 1990 Partia Komuniste ndryshoi emrin në Partia Socialiste. Edhe kjo parti ka shkuar gradualisht drejt shpërbërjes. Në zgjedhjet  parlamentare të vitit 2009, Partia Socialiste nuk arriti që të marrë më tepër se 17. 7% të votave dhe 40 nga 240 vendet në parlament. Në Poloni, Partia Komuniste (e quajtur Partia e Punonjësve të Bashkuar) u shpërbë në Kongresin XI, në janar 1990. Prej anëtarësisë së saj u krijuan dy parti të reja. Partia Social-Demokracia, e cila pretendonte trashëgiminë e ish-partisë komuniste, në 1999 u bashkua me Aleancën e Majtë Demokratike, dhe krejt koalicioni mori vetëm 11.3% të votave në 2005. Më pas, partia mori pjesë në një koalicion më të gjerë, Të Majtët dhe Demokratët, e cila në zgjedhjet e vitit 2007, që gjithsesi nuk mori më tepër se 8% të votave. Në zgjedhjet e vitit 2011, hyri në koalicionin e quajtur Aleanca e Majtë Demokratike që mori vetëm 8.24% të votave.

Në Serbi, Lidhja e Komunistëve, në 1990 ndryshoi emrin në Partia Socialiste. Edhe kjo parti po shkon drejt shpërbërjes pas rënies së diktaturës faktike të Millosheviçit. Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Serbi, në 2008, mori vetëm 7.6% të votave, e njëjta shifër si dhe në zgjedhjet e vitit 2002. Sot ka 23 vende në parlament, një më tepër se në 2002. Lidhja e Komunistëve të Sllovenisë, në 1990 ndryshoi emrin në Partia e Rilindjes Demokratike. Megjithatë, partia humbi në zgjedhjet para parlamentare pluraliste të prillit 1990 në Slloveni, duke marrë vetëm 17.3% të votave. Në zgjedhjet e vitit 1992 partia doli në një koalicion me një listë të përbashkët me tre parti të tjera dhe koalicioni fitoi vetëm 13.6% të votave dhe hyri në qeveri duke bërë aleancë. Në maj 1993 partia pushoi së ekzistuari, duke u bashkuar me tre partitë e tjera të koalicionit, në një parti të re, të quajtur Lista e Bashkuar e Social-Demokratëve. Në zgjedhjet parlamentare e vitit 1996, kjo parti fitoi më pak se 9% të votave. Në zgjedhjet e vitit 2000 partia fitoi 12 % të votave dhe hyri në qeveri duke bërë koalicion. Në zgjedhjet e vitit 2004 partia fitoi 10.2% të votave dhe mbeti në opozitë. Në 2005 partia e shkurtoi emrin në Partia Social-Demokrate. Në Kongresin e korrikut 2006 partia e dënoi ashpër në tërësi regjimin komunist të vendosur në Jugosllavi dhe Slloveni pas Luftës së Dytë Botërore, duke kapërcyer formulën se ishte i keq por kishte dhe të mirat e veta.

Në zgjedhjet e vitit 2008 partia mori 30. 4% të votave, duke dalë për herë të parë pas vitit 1990 si partia më e madhe në vend, me 29 vende në parlamentin me 90 vende. Pas zgjedhjeve ajo formoi një qeveri koalicioni.Në Kroaci, Lidhja e Komunistëve, pas largimit nga Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, në janar 1990, e ndryshoi emrin në “Lidhja e Komunistëve të Kroacisë- Partia për Ndryshim Demokratik” dhe në zgjedhjet e para pluraliste në Kroaci, në prill 1990, fitoi vetëm 22.6% të votave. Pas zgjedhjeve e ndryshoi emrin duke mbetur vetëm Partia për Ndryshim Demokratik, me të cilin doli në zgjedhjet parlamentare të vitit 1992 ku fitoi 5.5% të votave, e 11 vende në parlamentin me 138 vende. Në vitin 1994 partia pushoi së ekzistuari duke qenë se u shkri me Partinë Social-Demokrate. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1995 Partia Social-Demokrate fitoi 8.9%të votave, me 10 vende në parlament. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000 Partia Social-Demokrate fitoi 28.5 të votave dhe 43 vende në parlamentin me 151 vende duke u bërë partia e parë në Kroaci. Ajo krijoi qeverinë e koalicionit me katër parti të tjera. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 ajo fitoi 31.2% të votave, me 53 vende në parlamentin me 153 vende.Në Maqedoni, Lidhja e Komunistëve të Maqedonisë, në 1991 ndryshoi emrin në Lidhja Social-Demokrate e Maqedonisë. Edhe kjo parti po shkon kah shpërbërja dhe ka humbur tre zgjedhje parlamentare njëra pas tjetrës, në 2006, 2008 dhe 2011. Në Malin e Zi Në zgjedhjet e para pluraliste të mbajtura në 9 dhjetor 1990, partia hyri me emër të pandryshuar dhe fitoi 56. 2 të votave dhe 83 vende në parlamentin me 125 vende.

Në 1991 ndryshoi emrin duke u bërë Partia Demokratike e Socialistëve. Kjo ishte një parti pro Millosheviçit fillimisht, dhe më pas kundër tij. Ajo ka qëndruar në pushtet pa ndërprerje, praktikisht që nga viti 1945 deri më sot. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 partia hyri në koalicion, me listë të përbashkët dhe mori 51.9% të votave dhe 47 vende në parlamentin me 81 vende.Në Shqipëri, partia komuniste, e quajtur Partia e Punës e Shqipërisë, ndryshoi emrin në Partia Socialiste, në Kongresin X të PPSH, në qershor 1991. Sot, 22 vite pas rënies së Murit të Berlinit, Partia Socialiste e Shqipërisë, është së bashku me Partinë Demokratike të Socialistëve të Malit të Zi, e vetmja parti-shtet komuniste, që është ende një parti e madhe. Në Malin e Zi, shpërbërja e ngadaltë e ish-partisë komuniste është toleruar nga Perëndimi, për shkak se ajo është një parti etnike malazeze, e cila i kundërvihet partisë tjetër të madhe, e cila është partia e serbëve etnike të Malit të Zi, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë. Në rastin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Perëndimi nuk ka një arsye të ngjashme për ta toleruar. Partia e Punës së Shqipërisë ishte e fundit parti komuniste në pushtet, në Europë, e cila u nda nga Stalinizmi. Në Shqipëri, u dënuan njerëz për dhunim e  monumentit të Stalinit edhe në janar 1990 (Shkodër).

Në Tiranë, monumenti i Stalinit u hoq vetëm në dhjetor 1990, në një kohë që në Moskë Stalini ishte dënuar që në vitin 1956.22 vite pas rënies së Murit të Berlinit, në 2011, Partia Socialiste e Shqipërisë, është përsëri e fundit në procesin e kapitullimit të partive-shtet komuniste. Drejtuesit e PS sot duhet që ta kuptojnë se Perëndimi nuk do të tolerojë një version të ri të “Shkëmbit të Granitit” në brigjet e Adriatikut, siç shprehej Enver Hoxha, domethënë që vetëm një parti syshqiponjë e zemërçelik ia prishi fitoren e Luftës së Ftohtë Perëndimit. Ose drejtuesit e PS do ta kuptojnë se ka ardhur koha që t’ i paguajnë Perëndimit pjesën e tributit që u takon për satisfaksionin në fitoren e ftohtë të Luftës së Ftohtë, ose PS, sado e çuditshme që të duket, do të asgjësohet në mënyrën më të paimagjinueshme dhe si asnjë parti tjetër ish-komuniste në Europë. Nëse drejtuesit e PS shkojnë me mendjen se kështu tha Kukani, e ashtu tha Fyle, se kështu tha Papandreu, e ashtu tha Svoboda, se kështu na pritën në Internacionalen Socialiste, e ashtu… gabohen shumë rëndë. Fitorja e Ftohtë e Luftës së Ftohtë është vendosur si ligj i Historisë në qendra ndërkombëtare para të cilave të gjithë këta persona të së majtës ndërkombëtare janë krejt pa vlerë. Rrota e Historisë bën përpara duke i ndjekur e shtypur ish-partitë-shtet komuniste. Kush e kupton këtë, merr masat që të shpëtojë. Kush nuk e kupton…

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00