Home | Opinion | Teatri “Migjeni”, gjuha shqipe dhe Jozefina

Teatri “Migjeni”, gjuha shqipe dhe Jozefina

image
Teatri “Migjeni” mban emrin e një gjeniu që me bindje e them, po të ishte gjallë, do turpërohej me ato çka nxjerr nga goja binomi Topalli-Berisha. Ndaj, me përulje dhe respekt, t’i lëmë të prehen të qetë Ata që shkrinë jetën si qiriri për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e të mos i ngatarrojmë me çorbën politike që na servirin përditë pushtetarët tanë, gegë apo toskë qofshin. 

 


Hervin Çuli


 
Përmbi za që lshon bylbyli/ gjuha shqipe m’shun-gullon/ përmbi er’ që jep zymbyli/ pa da zemrën ma ngushllon”.  O Zot, sa bukur! Mjeda i këndon gjuhës shqipe, gjuhës me tingull zogu, gjuhës me aromë luleje… Të dashur kolegë dhe miq të teatrit “Migjeni” të Shkodrës, vendosa që me përulje dhe respekt t’ju drejtohem me një shkrim modest në formën e një letre të hapur, pas deklaratës publike që ju keni bërë kundër Presidentit të Shqipërisë, pas një thënieje që qytetari i pare i ka drejtuar  kryetares së Parlamentit. Nëse ato që do radhis më poshtë nuk do t’ju pëlqejnë apo s’do të jeni në një mendje me mua, jam i bindur që nuk do të më konsideroni si hasmin tuaj, e normalisht do mbetemi miq, si gjithmonë.
 Për herë të parë në mandatin e tij presidencial, Bamir Topi foli hapur. Po miq, foli dhe foli hapur, sepse ai përgjithësisht nuk flet, ose më mirë përdor një gjuhë që askush nuk e kupton. Foli, pra, iu drejtua spikeres së Parlamentit për të kultivuar shqipen e saj. Lakejtë e pushtetit berishian edhe njëherë, si përherë, për të larguar vëmendjen nga varfëria e tejskajshme e shqiptarëve, po përpiqen me të gjitha mënyrat ta kanalizojnë si një përpjekje të Presidentit për të denigruar gegët dhe gegërishten. Në këtë moment, si gjithmonë, pushteti, për t’i bërë të ngrënshme alibitë e veta, kërkon mbështetjen e intelektualëve dhe njerëzve të artit. Si rëndom këto kohe të turbullta politike, ju vënë juve njerëzve të artit në ballë të gjoja revoltës së tyre. Sepse për këtë u duheni, për t’i mbrojtur kur kanë interes. Dhe si shpërblim keni vendin e punës me një rrogë qesharake dhe asgjë më tepër. Larg qoftë që Jozefinës t’i shkojë mendja ndonjëherë të shfrytëzojë influencën e saj të madhe politike për t’i rikthyer lavdinë që i takon Teatrit legjendar të Shkodrës.

Nejse, kjo është e tepërt për një personazh politik që artit dhe kulturës së Shkodrës deri më sot i ka shërbyer me emërimin e këngëtarit Luis Ejlli në një ambasade shumë të rëndësishme. Megjithatë, vini re, Jozefina reagoi dhe na e krahasoi veten me Migjenin, Fishtën, Mjedën, duke harruar si gjithmonë të shihet në pasqyrë. Të shihet në pasqyrë jo se është fizikisht e shëmtuar, përkundrazi miq, asht boll e bukur, por se shëmtohet përditë e më shumë nga mënyra si mendon, flet dhe vepron, për interesat politike të saj, Berishës dhe gjithë kopesë së deputetëve që verbërisht i ndjek nga pas. Edhe Presidenti, që falë Zotit foli, i drejtohej pikërisht për këtë shëmti, për “kapje për zhelesh e xirre jasht” e aspak për dialektin e mrekullueshëm që origjina e saj përfaqëson. Modeli gjuhësor që shprehet zonja kryetare, fatkeqësisht nuk ka fare lidhje me të mrekullueshmen gegërishte, e aq më pak me gjenitë (ajo thotë se i ngjan), që e kanë himnizuar shqipen me bukuri dhe dashuri si askush tjetër. Kam plot miq në Teatrin e Shkodrës, në teatrin “Migjeni”, qe i dua shumë dhe nuk paragjykoj aspak pozicionimin përkrah bashkëqytetares se tyre, por ju lutem sinqerisht  të gjithëve, për të mirën e tyre dhe të institucionit që përfaqësoni: Shfrytëzojeni ju Jozefinën (se falë votës suaj është aty ku është), për të ringritur atë institucion që dikur përfaqësonte elitën e artit skenik shqiptar, e mos lejoni t’ju shfrytëzojë ajo, për të na përçarë në gegë e toskë, në veriorë e jugorë.

Këtë mesazh e drejtoj sinqerisht, miq, pasi jam i bindur që Berisha-Topalli deri në 2013-n këtë punë kanë, të shajnë cilindo që u dikton interesi politik, në mënyrë që kur të vijnë zgjedhjet të mos japin llogari – para se të kërkojnë votën – për varfërinë dhe dështimin në integrimin europian, por të drejtojnë gishtin te grupi i ri puçist dhe armiqësor. Ju kërkoj ndjese miq, aktorë të Shkodrës, nëse mendoj ndryshe nga ju, por nuk besoj se unë e kushdo tjetër që është kundër tipologjisë që përfaqëson zonja Topalli bëhet armik i shkodranëve, tropojanëve, gegëve apo gegërishtes. Teatri “Migjeni” mban emrin e një gjeniu që me bindje e them, po të ishte gjallë, do turpërohej me ato çka nxjerr nga goja binomi Topalli-Berisha. Ndaj, me përulje dhe respekt, t’i lëmë të prehen të qetë Ata që shkrinë jetën si qiriri për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve, e të mos i ngatarrojmë me çorbën politike që na servirin përditë pushtetarët tanë, gegë apo toskë qofshin. Ndofta Jozefina do të dëshironte të kundërtën, do të dëshironte që edhe artistët e Shqipërisë së Mesme, simpatizantë të Presidentit, t’i përgjigjeshin me të njëjtën monedhë kur ajo e quan Bamir Topin si Haxhi Qamilin. Por, nuk do të ndodhe, sepse zonjës kryetare i mungon edhe kultura më minimale për të ndërtuar një paralele krahasuese. Nëse kryetarja do kish lexuar ndopak për Haxhi Qamilin, do të kuptonte se “dum babën” ngjan me kryetarin e partisë së saj, që me thikë në dorë po ndan ajrin, ujin e tokën shqiptare në thela bakllavaje, vetëm e vetëm për të mbushur arkën e copëtuar ekonomike të shtetit shqiptar. Qëllimi një dhe i vetëm, mbajtja me çdo kusht e pushtetit, shqiptarët kundër shqiptarëve, qëllimi justifikon mjetin.

 Së fundi, miq artistë, dua të sqaroj pozicionin tim si njeri i angazhuar në drejtim të Presidentit. Shkrimin e filloj me fjalët “Presidenti më në fund foli”. Them kështu sepse unë e gjykoj zotin President për një impotencë të theksuar institucionale, si një individualitet politik që në këndvështrimin tim shpeshherë ka treguar shenja të një meskiniteti politik i shprehur në një gjuhë të pakuptimtë, për të dalë i larë nga tallazet e politikës së ashpër që imponojnë kahet në politiken shqiptare. Por, kurrsesi në këndvështrimin tim Presidenti nuk përfaqëson një politikan konfliktual apo antieuropian, por një personazh civil me dritëhijet e veta. Gjithsesi, llogaritë e President – kryetare Parlamenti i bën populli dhe, pa dyshim, historia. Populli do t’i gjykojë me votë, ndërsa historia do t’u japë vendin që meritojnë, nëse nuk do të jetë një tjetër Sali që do të urdhërojë një tjetër Beqir  që ta shkruajë.
 Miq të teatrit “Migjeni”, ju përqafoj dhe asnjëherë mos harroni këto fjalë të arta: Qoft mallkue kush qet ngatrrime/ ndër kta vllazën shoq me shoq/ kush e ndan me flakë e shkrime/ çka natyra vet përpoq.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0