Home | Opinion | Greqia - sherri i Europës - në prag të një katastrofe

Greqia - sherri i Europës - në prag të një katastrofe

image
Por një gjë është e sigurt, se e gjithë zona e euros është duke kaluar nëpër një periudhë të ngadalësimit të thellë të veprimtarive ekonomike si rezultat i borxheve të mëdha publike, dhe se imponimi i masave të rrepta të kursimit nga ana e qeverive të ndryshme do të shkaktonte protesta dhe turbullira civile të mëdha anë e mbanë Europës. 

Frank Shkreli

Greqia nuk do të marrë më ndihma nga Evropa, si pjesë e paketës për shpëtimin ekonomik të vendit, për derisa Athina nuk zbaton marrëveshjet e arritura me vendet e eurozonës javën e kaluar. Kjo deklaratë u bë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi pas deklaratës së papritur dhe të njëanshme të kryeministrit grek, Jorgos Papandreu, në fillim të kësaj jave për mbajtjen e një referendumi në lidhje me marrëveshjen që vendi i tij arriti me udhëheqësit e vendeve të eurozonës për marrjen e masave të forta shtrënguese që nevojiten për shpëtimin ekonomik të vendit.
 
Kancelarja gjermane dhe presidenti francez qenë shumë të prerë në deklaratat e tyre. Kancelarja Merkel tha se vendimi i Greqisë për një mbajtjen e një referendumi – i cili shkaktoi panik në tregjet financiare dhe monetare ndërkombëtare, “në esencë nuk është gjë tjetër përveçse t’i përgjigjet pyetjes nëse Greqia dëshiron të jetë pjesë e eurozonës, po ose jo”. Ndërsa presidenti Sarkozi deklaroi se fondet që ishin aprovuar për t’iu dhënë Greqisë këtë muaj nuk do t’i jepen, duke thënë se “ne dëshirojmë të bashkëpunojmë me Greqinë, por rregullat janë rregulla dhe është e papranueshme që këto rregulla të mos përfillen”. Kryeministri i Luksemburgut dhe kryetari i mbledhjeve të eurozonës, Xhan Klod Jukker e cilësoi referendumin si shumë të “rrezikshëm”.
 Edhe takimi dy ditësh që po zhvillohet në Kanë të Francës, i udhëheqësve botërorë dhe financiarë të grupit G-20 të vendeve të industrializuara, duket se po dominohet nga kjo kthesë e fundit që ka marrë kriza ekonomike greke, si rrjedhim i shpalljes se papritur të referendumit nga kryeministri grek. Pritej që në këtë takim, udhëheqësit evropianë, të paraqisnin marrëveshjen e re me Greqinë si një shembull për tu përballuar me krizën financiare, por siç duket tani, ky plan është në rrezik të mos zbatohet, gjë që do të çojë vetë Greqinë në një katastrofë ekonomiko-financiare dhe të afektoj negativisht edhe ekonomitë e tjera më të mëdha të Evropës, si Italia dhe Spanja, dhe në këtë mënyrë të shkaktojë fillimin e një ngadalësimi tjetër të veprimtarive dhe zhvillimit ekonomik, jo vetëm në zonën e euros, por anë e mbanë botës.
 
Me këtë krizë financiare, që ka ardhur si rrjedhim i shpenzimeve të paprefenuara buxhetore, Greqia jo vetëm që rrezikon vetveten dhe mirëqenien e shtetasve të saj, por në të njëjtën kohë po bëhet sherri i Evropës dhe botës. Dyshimet në lidhje me aftësitë e Evropës për të përmbajtur dhe minimizuar krizën e borxheve kanë shkaktuar nervozizëm dhe shqetësime të mëdha në tregjet botërore dhe kanë venë rishtas në shënjestër problemet ekonomike të Italisë, Spanjës, Portugalisë e ndoshta edhe vendeve të tjera të eurozonës. Falimentimi financiar e monetar i Greqisë, që do të pasohej me një falimentim të njëjtë ekonomik në Itali, Spanjë e më gjerë, do të shënonte fillimin e mbarimit të Bashkimit Evropian. Bashkimi Evropian është një bashkim shtetesh sovrane dhe çdo vend anëtar mund të largohet nga ky komunitet dhe nga zona e monedhës euro kur t’i teket, në qoftë se detyrimet të cilat i imponon anëtarësimi në të, janë të papërballueshme.
 
Është ende herët për të parë nëse kriza financiare greke dhe mundësia e rrëzimit të qeverisë së Papandreut do të shkaktojë dëme serioze në zonën e euros. Por një gjë është e sigurt, se e gjithë zona e euros është duke kaluar nëpër një periudhë të ngadalësimit të thellë të veprimtarive ekonomike si rezultat i borxheve të mëdha publike, dhe se imponimi i masave të rrepta të kursimit nga ana e qeverive të ndryshme do të shkaktonte protesta dhe turbullira civile të mëdha anë e mbanë Evropës. Dhe jo vetëm anë e mbanë Evropës, por edhe anë e mbanë botës, duke përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, ku qeveria dhe populli amerikan janë duke u përballuar me problemet e lindura nga borxhet publike dhe nga shpenzimet pothuaj të pa kufizuara të qeverisë federale. Disa analistë evropianë pyesin se çka mund të premtojë presidenti Obama në takimin e Kanës për të ndihmuar në kapërcimin e krizës financiare në Evropë. Përgjigja është se përveç ndihmës morale, presidenti amerikan në këtë kohë nuk mund të ofrojë asnjë ndihmë financiare. Presidenti Obama dhe vendi i tij, janë në hall për veten. Unë kam frikë se shumë shtete anë e mbanë botës shikojnë fatin e Greqisë dhe fatkeqësisht shohin të ardhmen e tyre. Sepse, në qoftë se nuk vendoset autoriteti moral dhe disiplina financiare, së bashku me shkurtime masive të shpenzimeve të kota, agonia ekonomike me të cilën përballet sot bota, do të vazhdojë.
 
Por, përsa i përket Greqisë, në fundi të fundit, siç tha edhe kryetari i Dhomës së Tregtisë greke, Konstantinos Michalos, edhe në qoftë se kryeministri Papandreu, ndërkohë, ndryshon qëndrimin e tij në lidhje me referendumin, besimi i Evropës dhe ndoshta edhe i botës ndaj Greqisë ka pësuar humbje të pariparueshme.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0