Rilindje apo lindje
Dilemat nisin që me përdorimin e terminologjisë “rilindje”, “rimëkëmbje,” “ripërtëritje”, “riintegrim”: a janë këto termat që duhen përdorur, apo duhen përdorur të tjerë?
Fatos Lubonja
Një historian i njohur, Albert Vandal, thotë: “Në politikë krijonjësit e mëdhenj nuk janë ideatorët, por ekzekutorët”. Nuk mund të mos më vinte në mendje kjo thënie duke lexuar këto ditë projektin e PS e duke dëgjuar fjalën e Ramës në Kongresin e PS, që ishte një përmbledhje e tij. Ndaj shumëçka thuhet në atë program lidhur me realitetin e hidhur shqiptar dhe shumëçka nga vizioni i shpalosur për Shqipërinë që premtojnë aty socialistët po të vijnë në pushtet. Duke pasur parasysh edhe gjendjen se si është katandisur vendi, gjykoj se ka gjasa që mjaft njerëzve t’u mjaftojnë tonet e larta të Ramës për t’u bindur se tani ka ardhur vërtet momenti i “rilindjes” së vendit e se ky po shkon në duart e sigurta të liderit të PS dhe bashkëpunëtorëve të tij. Mirëpo ne, që e kemi jetuar prej njëzet vjetësh politikën shqiptare, na lind detyra të mendojmë pak më në mënyrë kritike lidhur me këtë premtim të ri.
Duke e lexuar programin me sy kritik nuk mund mos të të bjerë në sy se në program mungojnë faqet e një kapitulli të rëndësishëm: ai i “si?”–së. Pra, mungojnë faqet ku të shtjellohet disi më konkretisht se si do të realizohet ky program. Dhe mungesa e këtyre faqeve nuk ka se si të mos shoqërohet me disa dilema të rëndësishme që më bënë të rikujtoj thënien e Vandalit mbi dallimin midis krijuesve të ideve dhe krijuesve në politikë.
Dilemat nisin që me përdorimin e terminologjisë “rilindje”, “rimëkëmbje,” “ripërtëritje”, “riintegrim”: a janë këto termat që duhen përdorur, apo duhen përdorur të tjerë? Në fakt, këta terma të çojnë në një gjuhë mitologjike që përdoret për mendjet jokritike e që sot shpesh quhet populizëm, sepse premtohet kthim në kohë të ndritura, ndërkohë që, në fakt, këto kohë nuk kanë ekzistuar. Ta do mendja se Rama nuk flet për “rilindje” duke pasur parasysh me “lindje të parë” kohën e Fatos Nanos dhe kohën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës. Sepse në këtë rast do të duhej të shpjegohej se si, ndonëse ajo paskësh qenë një kohë e ndritur, njerëzit votuan më 2005-n kundër saj për Sali Berishën. Sipas meje, pyetjet a ka pasur demokraci ndonjëherë në Shqipëri që sot të flitet për rilindje të saj, a ka pasur ekonomi të shëndoshë që të flitet për rimëkëmbje, a kemi qenë ndonjëherë në Europë, në kuptimin e vlerave që përfaqëson ajo sot, që të flitet për riintegrim, meritojnë përgjigjen e prerë: “jo”. E, po qe kështu, e para gjë që duhet thënë është se duhet të bëhet fjalë për “lindje”, jo për “rilindje”. Dhe kur bëhet fjalë për lindje, dilemat shtohen duke nisur nga ajo nëse janë këta njerëzit që do të na sjellin “lindjen”, “shpëtimin”, apo kjo mund të vijë veçse nga të tjerë njerëz. Historia tregon se përgjithësisht, shpëtimtarët, edhe kur kanë dalë të rrejshëm, kanë ardhur nga larg, nga lart, kanë qenë, gjithsesi, njerëz të paprovuar që i janë kundërvënë një sistemi apo një gjendjeje të gjërave, dhe jo ndër krijuesit kryesorë të kësaj gjendjeje. Fakti është se njerëzit që po na premtojnë rilindjen kanë qenë në pushtet gjatë, kanë lindur/pjellë edhe më parë dhe fatkeqësisht na kanë lindur/pjellë “monstra”. Thënë me fjalët e Vandalit, ata, si ekzekutorë, në vend se krijues të mëdhenj që kanë ndryshuar realitete, janë treguar batakçinj të mëdhenj që u janë adoptuar realiteteve. Dhe fakti është se i kemi dëgjuar edhe herë tjetër të na premtojnë ndryshimin e të na prodhojnë përsëritjen aq sa sot shumica i njeh si politikanë që çdo gjë mund të mbajnë, por vetëm fjalën e dhënë jo. Aq më tepër, është e vështirë t’u besosh kur për të gjitha monstrat e premtimet e pambajtura nuk dëgjon një fjalë të vetme përgjegjësie.
Megjithatë, problemi i “si?”-së nuk është thjesht e vetëm i lidhur me besueshmërinë e njerëzve në krye të program-premtimeve të reja. Le të besojmë se atyre u erdhi një frymëzim i shenjtë, një pendim i ndjerë dhe se tani janë vërtet të vendosur të na bëjnë mirë kur të vijnë në pushtet. Problemi i “si?”-së lidhet edhe me mundësitë reale që mund të kenë këta të penduar për të realizuar premtimet e tyre për ndryshime radikale duke shlyer edhe mëkatet e së kaluarës. Një nga pyetjet që ngrihet është se cila do të jetë “pika” ku do ta mbështetin ata levën e Arkimedit për të kryer revolucionin e premtuar? Pa metafora, kjo do të thotë se nga do t’ia fillojnë punës ata për të bërë ndryshimin rrënjësor që premtojnë. Le të përpiqem ta shpjegoj këtë me një nga premtimet që është diskutuar më shumë se cilido tjetër këto ditë: ai i heqjes së taksës së sheshtë dhe vendosjes së taksës progresive në emër të më shumë barazie mundësish, politikash sociale, kundër polarizimit etj., me çka teorikisht jam plotësisht dakord. A do të mund të na çlironte kjo masë nga ndjenja e padrejtësisë dhe e dhunimit që provojmë përditë nga të pasurit arrogantë, që së fundi, në bashkëpunim me qeverinë, vendosën, kundër vullnetit tonë, ta kthejnë Shqipërinë në një vend riciklimi dhe depozitimi të plehrave të Europës? Mua më duket se jo, pasi sëmundja jonë është më e thellë se përqindja e taksave dhe nuk shërohet duke bërë një ligj mbi taksën progresive. Nëse do të kemi parasysh retorikat që ka përdorur Berisha lidhur me vendosjen e taksës së sheshtë, ai e ka justifikuar këtë me faktin se një taksë e sheshtë jo vetëm që stimulon prodhimin, por pakëson evazionin fiskal duke bërë që, nëse të gjithë do të paguajnë nga pak – për çka do të jenë më të gatshëm – do të mbledhim më shumë taksa sesa sikur të vëmë taksa të larta që nxisin evazionin. Madje Berisha është mburrur se ka mbledhur kësisoj më shumë taksa nga ç’kanë mbledhur socialistët në kohën e tyre. Pavarësisht nëse është apo jo e vërtetë kjo, një gjë është e padiskutueshme: se problemi i problemeve tona nuk është taksa e sheshtë apo progresive që paguajnë të pasurit, por janë të pasurit “sui generis” që kemi prodhuar ne. Të pasurit që, si në kohën e demokratëve, edhe në kohën e socialistëve, kanë bërë e bëjnë ligjin (veçanërisht duke e nëpërkëmbur atë), pasi kanë kapur pushtetin legjislativ, atë ekzekutiv, atë mediatik dhe atë gjyqësor; të pasurit që kanë abuzuar e abuzojnë në mënyrën më skandaloze mbi çdo gjë tjetër që ekziston jashtë tyre e familjes së tyre në këtë vend: mbi njerëzit, mbi territorin, malet, lumenjtë, detin, bregdetin, ajrin, ujin, plehrat e ku di unë. Është po ashtu jashtë çdo dyshimi se ata e kanë kryer këtë duke kapur partitë e se aktorët kryesorë të kësaj kapjeje janë vetë kryetarët e partive me në krye Berishën dhe Ramën vetë, që, sikurse e kam thënë edhe herë tjetër, i kanë kthyer partitë në banda dhe politikën në biznesin më fitimprurës për veten e më shkatërruesin për vendin.
Pra problemi është se ndërkohë që na premtohet një ndryshim radikal, jemi në një situatë që njerëzit që na premtojnë çrrënjosjen e sistemit/pemës/bandës janë në majë të saj dhe se, që të kryejnë këtë, do të thotë të çrrënjosin vetveten. Përgjigjen se si do t’ia bëjnë për të zbritur nga kjo pemë që pastaj ta çrrënjosin, unë nuk e mora. P.sh., unë nuk pashë në programin e ri të socialistëve asgjë konkrete lidhur me ndryshimin e mostransparencës së financimit të partive; nuk pashë asgjë lidhur me ndryshimin e sistemit mediatik që janë, që të dyja, në themelet e pemës së të keqes që kërkon të çrrënjosë opozita.
Dikush do të më kundërargumentojë duke përdorur pikërisht fjalët e Vandalit, që vura në krye të shkrimit: a thua vetë se në politikë krijonjësit e mëdhenj janë ekzekutorët, dhe jo ideatorët? Si mund të vihet Edi Rama në mundësi të ekzekutimit të atyre që ka në mendje nëse u hap sot luftë oligarkëve që ka si në parti edhe jashtë saj? Ata do ta zhduknin menjëherë. Mirëpo problemi është se këtë pyetje justifikuese unë e kam dëgjuar edhe kur në vend se të shihja të më realizoheshin premtimet për një Tiranë më të gjelbër, më të bukur, më me ajër, me një plan urbanistik, fillova të shoh se si dita-ditës po mbyteshim nga pallatet e shëmtuara të pasunarëve, një pjesë e të cilëve tani janë po ata që premton Rama se do t’u shkulë rrënjët e hedhura te pushteti i Berishës. Po ashtu, të njëjtin argument kam dëgjuar edhe kur shihja se si po kapej dita-ditës Berisha i 2005-s, ndërkohë që na kishte premtuar çlirimin nga baronët e drogës e monopolisët e Nanos e të Ramës. Dhe ja ku erdhëm sot në pikën e nisjes. Rilindje na premtohet apo rinisje e një rrethi vicioz?
E di se në këtë pikë dikush do të thoshte se duke shkruar këto po i vë të dyja palët në të njëjtin plan, çka është një padrejtësi e madhe ndaj opozitës, pasi përgjegjësitë më të mëdha i përkasin maxhorancës. Se kjo do të thotë të mbrosh statuskuonë, ndërkohë që duhet të ikë Berisha më së pari, që është e keqja e të këqijave, që të lëvizin gjërat, pasi çdo ndryshim është ndryshim – siç më tha njëherë një burrë i urtë. Ok. Edhe unë jam i mendimit se Berisha e ka mbushur kupën siç e kishte mbushur edhe Nano në 2005-n. Ky ligji i plehrave i vuri kapakun. Por, ama, nuk na lejohet të mos kërkojmë të mos na përsëritet Berisha i 2005-s pasi e kemi provuar një herë mashtrimin e atij që na premtoi të pastronte sistemin e korrupsionit. Aq më pak të ekzaltohemi apo të kërkojnë të na ekzaltojnë. Kush mashtrohet më shumë se një herë nga të njëjtët njerëz ose është budalla, ose është pjesë e mashtrimit. Sot jetojmë në një kohë kur pjesa më racionale e të dyja palëve, kur tenton të të bindë pse duhet të votojmë palën e vet, të thonë: “Mbyll hundët dhe voto për ne, pasi ata të tjerët mbajnë më shumë erë”. Ky është realiteti i politikës shqiptare. Politikanët e Partisë Socialiste Demokratike të Shqipërisë (po perifrazoj këtu një përkufizim që i kanë bërë të indinjuarit spanjollë kastës bipolare në pushtet në Spanjë), duhet të jetë e vetëdijshme për erën e qelbur që qarkullon në korridoret e tyre. Socialistët dhe demokratët e kësaj partie kanë nevojë të reflektojnë më thellë nëse duan të na bindin për një lindje të re. Mbi të gjitha, duhet të kuptojnë se nuk është e lehtë të na bindin se e kanë me të vërtetë, se janë të vërtetë. Njerëzve u mjafton një shenjë e vetme me përvojën që kanë për ta kuptuar këtë. A mund t’i besojë kush se duan të na sjellin demokraci e të vërtetën, e jo të na manipulojnë, kur shohim se si iu vërsulën për ta linçuar politikanit më të përgjegjshëm që ka nxjerrë Partia Socialiste Demokratike Shqiptare në këta njëzet vjet, Rexhep Meidanit, duke i thënë se është palë e armikut sapo hodhi në shtyp një kritikë që dukej goxha e arsyeshme mbi vështirësitë që ka sot ekonomia shqiptare për të krijuar 300 000 vendet e punës që trumbetohet në program? Për t’i shkuar sa më afër së vërtetës, thotë Karl Popperi, ka vetëm një rrugë: nëpërmjet gabimeve tona. Do ta mësojë këtë rrugë – shton ai – vetëm ai që është në gjendje t’i shohë gabimet e të tjerëve si hapa drejt së vërtetës dhe vetëm ai që i kërkon gabimet e veta me qëllimin që të çlirohet prej tyre.
Comments (0 posted)
Post your comment