Home | Opinion | Konsensusi që nuk mjafton

Konsensusi që nuk mjafton

image
Konsensusi i ri bazohet në vullnetin politik midis dy palëve politike, PD e PS. Këtu qëndron forca dhe dobësia e tij. Tradicionalisht vendimet konsensuale kanë qënë lëshime reciproke midis palëve...

Nga Afrim Krasniqi


Dy partitë kryesore politike më në fund kanë dëgjuar zërin e arsyes dhe ranë dakord për nisjën e dialogut politik. Një komision bipartiak do të trajtojë reformën zgjedhore, reformën parlamentare dhe atë të ligjeve të cilësuara. Nuk ka dilemë se vendimi është pozitiv, por gjithësesi nuk ka vend për shampanjë. Sepse palët janë një vit me vonëse, sepse në tetor 2011 Shqipëria u penalizua nga BE kryesisht për shkak të mungesës së dialogut dhe këtyre reformave dhe sepse ky është komisioni i 24-ët bipartizan në 20 vjet, nga të cilët vetëm 2-3 kanë pasur vertetë sukses afatgjatë.

Konsensusi i ri bazohet në vullnetin politik midis dy palëve politike, PD e PS. Këtu qëndron forca dhe dobësia e tij. Tradicionalisht vendimet konsensuale kanë qënë lëshime reciproke midis palëve, shpeshherë në kurriz të palëve të tjera, përfshirë edhe institucioneve kushtetuese dhe Kushtetutës. Konsensusi i ri tenton të imponohet si zgjidhje ideale, edhe pse në thelbin e tij u projektua të jetë gjysmake. Tri reformat e premtuara janë tri çështje me interes primar midis PD-PS, por jo domosdoshmërisht tri prioritetet e shoqërisë shqiptare. Në 20 vjet kemi pasur 13 reforma zgjedhore, e përsëri vota vidhet, tregtohet e kontestohet. Miratimi i ndryshimeve në Kodin Rrugor apo Gjykata Administrative janë nevojë dhe duhen bërë, por në axhendën e re politike nuk përmenden reformat reale dhe jetike për vendin, psh, zgjidhja finale e reformës së pronësisë, reforma administrative, reforma në gjyqësor, zgjedhja direkte e Presidentit, heqja kushtetuese e imuniteteve politike, respektimi real i institucioneve të pavarura, transparenca financiare e partive dhe aplikimi i demokracisë direkte.

Së fundi, konsensusit të ri i mungon diçka thelbësore: besimi publik dhe transparenca. Kuotat e klasës politike janë minimale, zhgënjimi publik është maksimal, kurse palët, në vend të debatit publik gjithëpërfshirës mbi reformat e verteta dhe axhendën e integrimit kanë zgjedhur bisedimet tetë a tetë në zyra hotelesh e salla të mbyllura parlamenti. Herën e fundit që vepruan kështu brenda pak orësh e ndryshuan kushtetutën (2008) duke dëmtuar themelet e sistemit politik. Sot janë penduar, të paktën njëra palë. A do të jetë ndryshe tani? A mund të bëhen „djajtë“ edhe „ëngjej“, a mund të jenë simbolet e konfliktit edhe simbole të paqes? Më 1997 Franz Vranicki u përgjigj me një „jo“ të pashpresë, por ne, si gjithnjë, edhe këtë herë nuk kemi zgjidhje tjetër përvec shpresës.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0