Libri i pushtetshëm
Megjithatë, ende ka shpresë për librin “e papushtetshëm”, dhe kjo shpresë është e fshehur në instinktin e mbijetesës kulturore që çdo njeri ka brenda vetes, duke qenë se njeriu është i pari libër i shkruar shumë bukur që sa herë e lexon, aq herë i kthehesh sërish, sepse gjithnjë mahnit dhe në ...
Gjergj Meta
Panairi i Librit 2011 u vërtit, si ndoshta asnjëherë tjetër, kryesisht përreth vetëm tre apo katër titujve. Ky fakt evidentoi, midis të tjerash, një marrëdhënie interesante që ia vlen të reflektohet midis librit, medias dhe mendësisë komerciale. Fushata për këta libra kishte filluar me kohë, me promovime, paraprirje nëpër faqe gazetash e revistash, intervista televizive, spote ekranesh tamam si ato spotet e çokollatave me qumësht për të ndjellë fëmijët. Gati-gati një fushatë e dhunshme mediatike, e cila në të vërtetë pati efektet e veta. Unë efektin e pashë si vizitues i përditshëm i panairit në rendjen (pothuajse histerike) të shumë njerëzve drejt stendave përkatëse për të marrë një autograf nga autorët. Përveçse një garë librash, u bë edhe një garë autografesh, e cila fsheh në vetvete një lloj psikoze kolektive që godet sportistët, aktorët e filmave e, këto kohët e fundit, edhe shkrimtarët që në të vërtetë nuk duhet të bëjnë autografe, por dedikime.
Zakonisht autografet janë punë shoferësh Formula Uno, motoçiklistësh, futbollistësh që në përgjithësi dinë të luajnë këmbët e muskujt, por jo gishtat për të shkruar e atëherë mjaftohen me një shkarravinë. Nuk kam për qëllim të flas për librat në fjalë, sepse ende nuk i kam lexuar, por dua të them diçka në lidhje me mekanizmin që i shoqëron këto lloj dukurish e që fshehin një lloj kulture masive, e cila në përgjithësi ka të bëjë me logjikën publicitare me sfond komercial. Ekonomia e tregut funksionon përgjithësisht në këtë mënyrë: reklama shet mallin. Kjo shkon shumë mirë për shumë prodhime, por kur kjo ndodh me librin, është një fatkeqësi dhe mjerim kulturor. Përnjëmend është një mjerim! Dikur libri i mirë kalonte dorë më dorë dhe “reklama” ndaj librit të mirë ishte një përvojë personale e treguar e atij që e kishte lexuar me fjalët: “Jam mahnitur nga filan libër”; “Po pse, çfarë tregonte?”; “Më mirë lexoje vetë, po ta jap”.
Libri kalohej nga njëri te tjetri ose blihej, sepse dikush e kishte shijuar dhe e kishte treguar. Kurse publiciteti mbi librin ka për qëllim parësor jo leximin e librit, por shitjen e tij. Atëherë libri kthehet në një nga “mallrat” kur në të vërtetë është më shumë se një mall. Pse ndodh kjo? Reklama në përgjithësi nxit të ashtuquajturin neps dhe jo uri. Nepsi në të gjitha përmasat ku shfaqet është i papërmbajtshëm dhe kërkon plotësim të menjëhershëm, madje bëhet i dhunshëm në momentin që nuk e kënaq. Uria, përkundrazi, është një mungesë ushqimi, e cila të shtyn drejt dëshirës për t’u ngopur dhe është shumë natyrore, ndërsa nepsi ngacmohet më shumë në psikikën e njeriut, por nuk ka një bazë reale. Publiciteti krijon një tejngopje virtuale që kur zbret në realitet të lë më bosh se përpara. Çfarë ndodh pasi kënaqet nepsi? Individi që ia ka plotësuar tekat nepsit nuk ka aftësi t’u shkojë gjërave deri në fund, do vetëm të prekë e të largohet. Është sipërfaqësor njëlloj sikurse kultura publicitare e librit që sjell si efekt të vetin mediokritetin dhe mjerimin kulturor. Duke ia parë hairin këtij mekanizmi, do të gjenden gjithnjë e më shumë shkronjës mediokër që me forcën e pushtetit mediatik apo financiar prodhojnë dhe nepsqar apo lexues mediokër që konsumojnë një ushqim jo bio, por të fryrë me doza të larta publiciteti.
Me këto rreshta nuk dua asesi të aludoj që librat në fjalë janë mediokër apo autorët e tyre janë të tillë, këtë gjë do ta tregojë koha.
Një dukuri tjetër shqetësuese, për mendimin tim, ishte fakti se publiciteti i disa librave u bë nëpërmjet titujve provokues apo agresivë në mënyrë që të ngacmoheshin grupe interesi dhe të reagonin. Në pamje të parë, titujt kishin për qëllim të nxisnin debatin, por në të vërtetë ishin kryekëput provokime me qëllim pulicitar që deri në një farë pike ia arritën qëllimit.
Pa ekuivokë ritheksoj se librin që hidhet në dorë të lexuesit në mënyrë të tillë mund ta quajmë një libër të pushtetshëm, i cili ka nga pas një perandori, dhe kjo është perandoria mediatike. Një nga botuesit, kur i shpreha këtë gjë, më tha se nuk mund ta shmangim këtë. Sigurisht, në kohën që jetojmë nuk mund të shmanget, vetëm se vihet në pikëpyetje të madhe cilësia e librit, e cila, duke ndjekur një kulturë eficentiste, nuk kalon nëpër një karantinë kontrolli (kritika) ku pushon, kullohet, dhe i jepen lexuesit kritere objektive qasjeje duke mos eliminuar për asnjë çast subjektivitetin e atij që shkruan dhe të atij që lexon. “Dhuna” me të cilën publiciteti imponon blerjen e librit duhet të zbutet apo të ndalet me institucionin e kritikës serioze, jo pasionale, por konstruktive dhe të rreptë.
Fakti që komercialiteti jo vetëm ka përfshirë, por ka kapur edhe kulturën, nuk është as më shumë e as më pak se sa një ideologji e përmbysur e asaj çka ndodhte në regjimin e kaluar, ku mund të kalonin vetëm vepra të kontrolluara nga regjimi, ndërsa sot kalojnë vetëm vepra të sponsorizuara nga mediat apo nga mendësia komerciale.
Megjithatë, ende ka shpresë për librin “e papushtetshëm”, dhe kjo shpresë është e fshehur në instinktin e mbijetesës kulturore që çdo njeri ka brenda vetes, duke qenë se njeriu është i pari libër i shkruar shumë bukur që sa herë e lexon, aq herë i kthehesh sërish, sepse gjithnjë mahnit dhe në çaste të caktuara e me kohë di të dallojë çka bën e çka nuk bën, me objektivitet. Këtë shpresë ma dha një takim i rastësishëm i ndodhur gjatë Panairit 2011. Ndërsa po bëja ecjen time të përmbrëmshme nëpër panair, më ndal një burrë dhe një grua, të cilët, me sa kuptova, ishin babë e bijë e që mbanin në dorë librin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit, dhe më thonë: “Atë, a mund të na japësh një autograf te ky libri?”.
Atëherë, me pak ironi dashamirëse, u thashë: “Po unë nuk jam patër Zefi”. Ata buzëqeshën dhe më thanë: “E dimë që nuk je ai”. Atëherë me mendjen time nxora përfundimin se ata më njohin dhe u thashë: “Po atëherë, si më njihni?” (edhe me pak krekosje për nga brenda kuptohet) e ma kthyen: “Jo, ne nuk të ndaluam pse të njohim, por thjesht donim diçka nga një klerik në nder të patër Zefit që na ka lënë një kryevepër”. Me një përmallim të jashtëzakonshëm dhe i nderuar njëkohësisht i shkrova dy fjalë dedikim duke menduar patër Zefin dhe faktin se vepra e tij në fillim lexohej nga një grup i vogël njerëzish, se madje rrezikonte edhe të mos dilte, se doli në shtyp në tri vëllime dhe me një cilësi të dobët, se ishte shkruar nga dikush që kishte bërë 27 vjet burg dhe shumë se të tjera që e bëjnë atë vepër një kryevepër dhe që i reziston kohës. Sigurisht, uroj që edhe autorët e rinj apo të vjetër të meritojnë krejt afeksionin e lexuesit, edhe pse jo gjithmonë pranimin e tyre në ide. E, nga ana tjetër, një reflektim serioz mbi trekëndëshin, media, kulturë (në këtë rast libër) e mendësisë komerciale është i nevojshëm të bëhet, e kjo në të mirë të kulturës.
Comments (0 posted)
Post your comment