Home | Opinion | Pas “Pranverës Arabe”, një Dimër Europian?!

Pas “Pranverës Arabe”, një Dimër Europian?!

image
Në një botë ku madhësia ka rëndësi, evropianët duhet të rindezin motorët dhe të mos lejojnë krizën fiskale ose tregjet t’i kthejnë në kohën kur ata sundonin kufijtë, armiqësitë, politikat dhe nacionalizmi kombëtar.
 
 
 
 
 


Nga Sophia Kalantzakos





New York – Në pjesën më të madhe të këtij viti, kemi lexuar për kryengritjet e “Pranverës Arabe”, që çuan në rënien e liderëve në Egjipt, Tunizi dhe Libi. Tani po përballemi me prospektin e një dridhjeje më të madhe të themeleve në shtetet perëndimore: një Dimër të Bashkimit Europian.

Kriza e vazhdueshme në eurozonë është duke marrë në sy liderët e ekonomive në telashe. Një nga një ata po bien.

Në jug, zhvillimet po shoqërohen me dramë. George Papandreou i Greqisë dha dorëheqje pas dy vjetësh në zyrën kryeministrore, si parakusht për krijimin e një qeverie të koalicionit në Greqi. Silvioe Berlusconi i Italisë, rënia e të cilit kishte vite që ishte parashikuar për shkak të pazareve tregtare dhe zgjedhjeve të jetës së tij private, gjithashtu ka dhënë dorëheqje.

Por dominotë nuk ndalen vetëm në këto vende mesdhetare. Nicolas Sarkozy i Francës përballet me mundësinë e dështimit në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të pranverës. Francezët janë zemëruar me planin e shkurtimeve buxhetore, por vendi i tyre duhet t’i thellojë reformat ekonomike nëse dëshiron ta ruajë stabilitetin dhe ta kthejë rritjen ekonomike.

Kancelarja Angela Merkel e Gjermanisë po shënon një rënie të madhe popullariteti derisa po detyrohet të kontribuojë më shumë me para të taksapaguesve gjermanë për rikthimin e rritjes ekonomike në bllok. Kryeministri spanjoll, Jose Luis Rodriguez Zapatero, madje as që ka kërkuar një mandat të tretë qeveritar në zgjedhjet e 20 Nëntorit. Papunësia ka arritur shkallën prej 21 për qind, derisa nuk duket në horizont rikthimi i rritjes ekonomike.

E sa u përket këtyre liderëve, shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.

Çfarë duhet të kuptojnë qytetarët me qëllim të pranimit të ndryshimit themelor në jetën dhe prospektin e tyre? Pas largimit të një serie politikanësh a do të jenë atëherë të gatshëm të kalojnë nëpër një dhimbjeje të nxitur nga shkurtimet e ashpra dhe një rritjeje ekonomike jostabile, apo mbase secila qeveri do të përballet me opozitë edhe më të fuqishme? A ka një rrugë realiste për të dalë nga kriza pa u shkaktuar vuajtje qytetarëve?

Qytetarët nuk e parapëlqejnë eksperimentimin. Ata duan një udhërrëfyes të qartë me të cilin do të prihen: Ka një fillim, një mes dhe një fund. Opinionet konfliktuoze dhe vënia në dyshim e politikave për dalje nga kriza vetëm sa e rrisin konfuzionin dhe krijojnë ndjenjën e rrejshme se dikush po mundohet t’i shmanget kësaj gjendjeje. Kështu, njerëzit nisin gjejnë strehim në teori konspirative dhe fajësojnë pushtetet për gjendjen.

Vetëm koalicionet nuk do të jenë të mjaftueshme për t’ia dalë mbanë. Menjëherë duhet të hartohet një plan panevropian për një unitet të jashtëzakonshëm të kontinentit për tejkalimin e krizës.

Grupet më të gjera politike, si Partia Popullore Europiane, Socialistët Europianë, Liberaldemokratët dhe të Gjelbrit, përmendëm vetëm disa, duhet të bashkohen me Komisionin e Bashkimit Europian dhe ta menaxhojnë këtë sfidë.

Komisioni ka punuar në propozimet ekonomike për të adresuar krizën fiskale dhe qeverisjen ekonomike në Bashkimin Europian. Ka shumë diskutime për ndryshime të Traktatit të Bashkimit Europian. Disa mendojnë se duhet të bëhen ndërrime radikale në aspektin ligjor me qëllim të krijimit të një baze të fuqishme për tejkalimin e gjendjes së tanishme. Megjithatë kishte edhe diskutime për krijimin e dy eurozonave. Kjo vetëm sa do ta rriste pasigurinë dhe frenimin.

Por, madje ka një lajm të mirë.

Shumë prej elementeve unifikuese janë ende në vendin e vet. Në mbarë Bashkimin Europian ka një konsensus për kalim në një ekonomi me nivel të ulët të emetimit të karbonit, për krijim të vendeve të reja të punës në fusha ambientale, të mbrohet ambienti dhe të investohet më shumë në mbrojtje të burimeve. Duhet një plan më i detajuar për menaxhim të suksesshëm të Bashkimit Europian. BE-ja ka shumë traktate që bashkojnë shtetet anëtare, dhe me kalimin e kohës është krijuar një identitet i fuqishëm evropian që ndihmon qytetarët të ndihen në shtëpi në mbarë Bashkimin Europian dhe ia shton vlerat identitetit dhe trashëgimisë kombëtare.

Është dëshpëruese se kriza e tanishme fiskale ka dëmtuar të gjitha këto politika pozitive që ndihmuan Europën të bëhej ajo që është sot: një shoqëri moderne që promovon siguri politike, ekonomike dhe personale për të gjithë qytetarët e saj. Europa ka fuqizuar institucionet e saj demokratike, ka promovuar fonde për anëtarët më të dobët të saj, ka përfshirë anëtarë të rinj pas rënies së perdes së hekurt, u ka dhënë hapësirë zërave të qytetarëve dhe i ka prirë botës në ndryshimin e politikës së emetimit të karbonit, që është edhe sfida më e madhe e kohës sonë. Ajo çfarë na duhet tani më shumë se kurrë është më shumë Evropë, e jo më pak.

Në një botë ku madhësia ka rëndësi, evropianët duhet të rindezin motorët dhe të mos lejojnë krizën fiskale ose tregjet t’i kthejnë ata në kohën kur sundonin kufijtë, armiqësitë, politikat dhe nacionalizmi kombëtar. Bota e ditëve të sotme kërkon bashkëpunim në çdo front, dhe ekonomia është vetëm një prej testeve që duhet t’i kalojmë, një sfidë që duhet të përballemi me qëllim të ecjes me vendosmëri drejt një të ardhmeje si evropianë që shkruajnë një kapitull të ri në historinë tonë të përbashkët.
 
 
(Autorja është profesoreshë e studimeve ambientale dhe politikës publike në Universitetin e New Yorkut, ishte zëvendësministre e Greqisë në Ministrinë Punës dhe të Mbrojtjes Sociale nga viti 2007 deri më 2009, dhe deputete e Parlamentit grek prej vitit 2000 deri më 2009. ky tekst është transmetua në CNN).

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00