Home | Opinion | Ruleta Ruse përsëri në Ballkan

Ruleta Ruse përsëri në Ballkan

image
Mendimet, idetë, planet dhe strategjitë mund të jenë joshëse por çështja është se sa dhe me çfarë çmimi janë të realizueshme këto ide? Me gjithë këto vështirësi që tani po ballafaqohet shteti ynë i ri, sa na duhen tani sprovat dhe sfidat e tilla jashtë mundësive tona...

 
 




Hajriz Sejdiu
 
 
 


Ruleta ruse u krijua në shekullin e 19. Sipas legjendës, të burgosurit detyroheshin me dhunë të luajnë ruletë ruse duke e vendosur grykën e revolverit në tëmth dhe duke e tërhequr këmbëzën, Në mullirin e revolverit kishte vetëm një fishek. Kujdestarët e burgut vënin bast për rezultatin e lojës duke i ofruar vodkë me bujari atij fatlumi i cili pas gjashtë herësh radhazi të ngrehjes së këmbëzës, do të mbeste gjallë, gjë që kishte ndodhur vetëm disa herë gjatë shumë viteve. Në këtë kohë në ushtrinë perandorake ruse, revolveri standard ishte “Nagant M” e cili kishte një mulli me shtatë fishekë.
 
Gjatë krizës së ashtuquajtur lindore e cila kishte filluar në vitin 1853 dhe përsëritjes së saj në vitin 1878, atëherë kur Rusia e dobësuar ishte në shënjestër të fuqive të mëdha Evropiane që synonin për ta larguar atë nga Lindja e Afërt, pikërisht në këtë kohë Rusia drejtoi kursin e saj ekspanzionist kundër Perandorisë Osmane, po ashtu të dobësuar, me qëllim që të krijonte shtetet sllave dhe ortodokse në Ballkan, dhe njëkohësisht për të forcuar pozitat e saj të dobësuara karshi Anglisë, Francës dhe Gjermanisë si një forcë e re që sapo po delte në skenën ndërkombëtare. Rusia në dy krizat e Lindore tentoi, por sidomos gjatë krizës së dytë (1878) arriti të krijonte shtetet sllavo ortodokse kështu që nga Traktati i Shën Stefanit pavarësinë e fituan: Bullgaria, Rumania, Serbia dhe Mali i Zi.
 
Rusia në atë kohë duke nxitur, urdhëruar dhe detyruar Bullgarinë që ti bashkohej, i dha asaj territore të huaja të cilat ajo nuk mundi t’i mbajë dhe t’i gëzojë kurrë, përveç se u armiqësua me popujt fqinjë për rreth. Në këtë rast Rusia kishte favorizuar shtetet e vogla Ballkanike të sapo krijuara siç ishin Serbia dhe Mali i Zi duke copëtuar territoret shqiptare. Dobësimi i perandorisë Osmane, Interesat e Francës e cila gjithmonë kishte dhe ka luajtur rolin e lakeut rus, indiferenca Angleze, dhe makutëria Austro-Hungareze për territoret e Bosnjës dhe tokat shqiptare, përgjakën dhe përgjysmuan etnikumin shqiptar anekënd Ballkanit.
 
Farsa Ruse e përsëritjes së krizës lindore
 
Tani në shek XXI Rusët për fat të mirë nuk kanë më kujt t’i vërsulën siç ishte një herë e një kohë perandoria Osmane, gjegjësisht tokat shqiptare. Tani Rusia simulon një lojë virtuale gjeostrategjike me përmasa minore të tipit si kriza lindore e shekujve XIX – XX.
 
Po fillojmë radhazi:
 Kur NATO hyri në Kosovë në qershor të vitit 1999, Rusia e trandur se do të humbiste përgjithmonë interesat dhe pozitën gjeostrategjike në Ballkan, nisi një kontingjent ushtarësh të cilët patën hyrë në Prishtinë para forcave të NATO-s, duke provokuar kështu një luftë të re përmasash botërore. Në të njëjtën kohë ajo dislokoi trupat e saj në Kosovën qendrore, në Malishevë, për t’i tërhequr më vonë këto trupa në mënyrë të turpshme për mungesë fondesh.
 
Gjatë gjithë viteve më pastaj diskursi politik, diplomatik dhe ushtarak i Rusisë ishte vazhdimisht kundër shtetit të ri - Republikës së Kosovës. Që nga viti 1999 paramilitarët rusë dhe serbë kanë mbajtur dhe po mbajnë peng cepin verior të trungut shqiptar, atë cep ku shqiptarët jo shumë kohë më parë kishin vrarë si të padëshirueshëm kangjallozin (kancelarin) rus.
 
Përsëritja e lojës së ruletës Rus në Ballkan
 
Ditëve të fundit Rusia po riluan ruletën e vet me idetë e mykura dhe të tejkaluara për gjoja një krizë të re (Lindore), herë me ide për atdhesimin e 20.000 – 40.000 serbëve të Kosovës në Rusi – Siberi, herë me krijimin e një batalioni sllav që do të përbëhej nga serbët, bullgarët dhe rusët po ashtu edhe me shpalljen e pavarësisë së tri komunave serbe në veriun e Kosovës për të frikësuar kështu popujt e Ballkanit ose për të dobësuar qëndrimet e disa vendeve Evropiane dhe pozitën e qeverisë së Kosovës për mos ndryshimin e kufijve në Ballkan. Në këtë mënyrë Rusia dëshiron që me çdo kusht të ruajë interesat gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan qoftë edhe në mënyrë simbolike.
 
Ç’ka fshihet pas këtyre ideve dhe cili është karremi serbo-sllavo-rus për veriun e Kosovës dhe Kosovën lindore?
 
Jemi dëshmitarë se këto ditë u lansuan, po vazhdojnë të lansohen si dhe po dalin sheshit idetë, dëshirat dhe propozimet e papjekura politikisht dhe po aq të rrezikshme në aspektin gjjeostrategjik për ndërrimin e territoreve me Republikën e Serbisë. Pse po bëhemi kaq naiv? Cilat janë ato territore që ne ja kemi marr Serbisë, kur dhe pse tani qenka momenti për t’ia kthyer? Pse po i kthehemi një transaksioni të rrezikshëm që në mesin e viteve 50-ta e kishte bërë me qëllim të caktuar Aleksander Rankoviçi?
 
Ja faktet gjeostrategjike se pse serbët dhe rusët nuk janë të interesuar për ndërrim territoresh?
 
1. Qeveria e Serbisë që nga viti 1911 ka një plan të detajuar për hapjen e një kanali ujor për të pas dalje në det përmes portit të Selanikut (lumi Morava), nëpër territorin e tri komunave shqiptare të Kosovës lindore, Maqedoni dhe deri në Greqi.
 
2. Rusia përmes rrugës tokësore (transversale), kishte dhe ende ka qasje deri në Greqi, rrugë tokësore e cila përshkon të gjitha shtete sllave dhe ortodokse. Rrugë e cila bie nëpër Kosovën Lindore.
 
Këto ishin dhe janë ende dy momentet gjeostrategjike që Serbia dhe Rusia i kishin realizuar në vitin 1956 përmes A. Rankoviçit me ndërrimin e territoreve shqiptare (për naivët në çështjet e Sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare) gjoja mes Kosovës dhe Serbisë. Qëllimet e Serbisë dhe Rusisë për këto ndërrime ishin se: Serbia do të ruante rrugën tokësore Rusi–Greqi, si dhe për shkak të ndërtimit të kanalit të vet ujor, njëkohësisht do ta ruante dhe mbronte Kosovën lindore, tani më pjesë integrale e Serbisë sipas parimit territorial dhe atë të Sovranitetit (Kosova nuk ishte në atë kohë as krahinë autonome).
 
Pastaj, Serbia do të mbronte enklavën serbe në veri të Kosovës sipas parimit etnik dhe duke e keq përdor këtë enklavë si pykë çarëse në mes shqiptarëve gjysmë të asimiluar të Peshterit dhe Sanxhakut dhe shqiptarëve të Kosovës, njëkohësisht duke siguruar rrugën e vet tokësore të quajtur më vonë si magjistralja e Ibrit për dalje në Adriatik përmes Malit të Zi. Edhe pse në njëzet vitet e fundit ndodhën ngjarje dramatike, tragjike dhe luftëra të cilat rezultuan me shpërbërjen e ish Jugosllavisë, ku lindën dhe u krijuan shtetet të reja, mund të krijohet përshtypja e zbehjes dhe e pamundësisë së realizimit të këtyre skenarëve serbë dhe rusë, prapëseprapë Serbia dhe Rusia do të përpiqen vazhdimisht të luajnë këtë lojë dhe vetëm në një rast të vetëm Serbia mund të tërhiqet nga këto plane:
 
Nëse integriteti dhe sovraniteti i Serbisë rrezikohet nga radikalët myslimanë të Sanxhakut dhe autonomistët Hungarezë të Vojvodinës, vetëm atëherë Serbia e frikësuar mund të përshpejtojë hapat drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s për tu futur nën ombrellën e mbrojtëse të saj me qëllim që të mbrojë jo vetëm integritetin dhe sovranitetin, por edhe vet qenien e saj kombëtare.
 
Tani, pse janë të rrezikshme dhe të pamatshme idetë për ndërrimin e territoreve?
 
Së pari askush nuk e din se cilat janë kërkesat dhe ofertat serbe për këtë çështje, tek e fundit kur e kërkoi Serbia zyrtarisht pikërisht një gjë të tillë, përveç një rasti kur presidenti serb Tadiç i bëri një kërkesë Shqipërisë (jo Kosovës), dhe jo për ndërrim territoresh, por për një rirregullim të kufijve në Ballkan, kërkesë kjo shumë e paqartë, konfuze dhe shumë konfliktuoze për të gjithë popujt e Ballkanit. Sidoqoftë kjo kërkesë ju drejtua Shqipërisë e jo Republikës së Kosovës, kësaj Republike që deri sot e kanë njohur më shumë se 80 shtete të Evropës dhe botës e të cilët këmbëngulin që s’do të ketë pazare rreth kufijve të Kosovës.
 
Mendimet, idetë, planet dhe strategjitë mund të jenë joshëse por çështja është se sa dhe me çfarë çmimi janë të realizueshme këto ide? Me gjithë këto vështirësi që tani po ballafaqohet shteti ynë i ri, sa na duhen tani sprovat dhe sfidat e tilla jashtë mundësive tona dhe a nuk na mjafton shtrirja e shtetësisë në terë Kosovën si dhe stabilizimi dhe demokratizimi i mëtejmë i këtij shteti të ri dhe me prosperitet? Duke i pas parasysh të gjitha këto zhvillime të shtruara këtu dhe idetë e përsëritura serbe dhe ruse për një rikthim në Ballkan me çdo kusht, atëherë vetvetiu lind pyetja: Kush do të pësojë përsëri nga kjo ruletë ruse në Ballkan?
 
- Bullgarët, jo. Ata ishin mashtruar një herë gjatë krizës lindore nga rusët.
 - Serbët, jo. Sepse këta nuk i besojnë askujt dhe se e kishin tradhtuar edhe vetë Rusinë gjatë krizës lindore dhe gjatë periudhës së socializmit edhe pse Rusia kishte krijuar shtetin serb.
 - Shqiptarët, jo dhe assesi nuk duhet të tërheqin këmbëzën e nagantit të ruletës ruse, sepse çdo shqiptar duhet ta kujtojë historinë e joshjes së Prenk Bib Dodës nga Rusët dhe Serbët (gjatë krizës lindore) që në këmbim të Republikës së Mirditës, ai të sulmonte garnizonet turke kur t’i jepnin urdhër rusët dhe serbët. Ai kishte dëgjuar urdhrat dhe këshillat e tyre, por pësoi një përfundim të turpshëm dhe tragjik.
 
Në qoftë se sot ne marrim parasysh këto fakte historike të cilat na kanë ndodhur jo më larg se dje, atëherë së pari duhet të punojmë që ta zbrazim mullirin e nagantit të ruletës ruse, që ai mos të kërcasë fare, tek e fundit ndoshta ky edhe mund të jetë një mulli tërësisht i zbrazët ose vetëm një blof për të favorizuar dhe forcuar pozitat serbe në bisedimet e ardhshme me shqiptarët. Sidoqoftë Republika e Kosovës si kundërmasë ndaj këtyre kurtheve shekullore duhet të nxjerr prioritetet e saja për të quar përpara projektin e vet të shtet ndërtimit dhe bashkimit.
 
Po cilat janë këto prioritete:
 - Shtrirja e Sovranitetit në tërë territorin e pranuar ndërkombëtarisht.
 - Bashkimi me Shqipërinë qoftë edhe në formë konfederate
 - Një shtet i vetëm ose në konfederatë me Shqipërinë në Bashkimin Evropian dhe në NATO
 
Kjo do të ishte rruga e vetme që pastaj pjesët e kombit të mbetura jashtë trupit të atdheut do të mund të integroheshin natyrshëm në trungun amë.
 
(Autori është udhëheqës i Divizionit të Analizave dhe Planifikimit Emergjent në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent - Ministria e Punëve të Brendshme)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0