Latest News
Kompromisi
Pikënisja tjetër e Brukselit ka qenë dëshira e Kosovës dhe Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Kuper andaj këmbëngulte: nëse sinqerisht doni që të jeni pjesë e BE-së, duhet gjithsesi t’i përmbushni standardet, si ato të lëvizjes së lirë dhe të bashkëpunimit rajonal. Pse nuk i arrini këto standarde menjëherë?
Nga Shkëlzen Maliqi
Kontrolli i përbashkët i kufijve është arritje e një standardi evropian për të dy palët, dhe në esencë siguron se kufijtë e Kosovës me Serbinë janë te këto pika, se Kosova është territor dhe tërësi doganore e veçantë nga Serbia.
Marrëveshja për menaxhimin e pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë është një kompromis tipik diplomatik. Marrëveshja siguron bashkëpunimin dhe kalueshmërinë e kufirit në rrethanat që përndryshe nuk do të lejonin zgjidhjen e problemeve edhe për një kohë shumë të gjatë. Nisur nga ngulitja në interesat dhe pikëvështrimet maksimaliste nga të dyja anët, në Veri të Kosovës dhe në raportet e Kosovës me Serbinë, pa këtë marrëveshje do të kishim vetëm ndonjë zgjidhje të dhunshme, ose krizë dhe bllokadë shumëvjeçare çfarë është ajo e Qipros.
Për zgjidhjen eventuale të dhunshme nuk e kanë forcën dhe autorizimet asnjëra palë sepse Kosova kontrollohet nga trupat e NATO-s. Ndërkaq, NATO nuk ka ndërmend që të përdorë forcën për një kauzë që do të kuptohej si pro-kosovare, e as si pro-serbe.
Urtësia e kompromisit qëndron në heqjen dorë nga kërkesat e skajshme. Nëse Kosova do të insistonte që Serbia të njeh pavarësinë e Kosovës si kusht për marrëveshje, kjo do të refuzohej nga Serbia mbase për shumë kohë. Po kështu, edhe këmbëngulja e Serbisë që Kosova të heq dorë nga pavarësia është diçka pa kuptim dhe e pamundur. Me këto kushtëzime nuk do të kishte dialog, as avancim raportesh. Andaj qëllimi i dialogut nuk kanë qenë realizimi i interesave maksimale. Dialogu është marrë me problemet që kanë mundur të zgjidhen me kompromis në interes të dy palëve dhe të qytetarëve, duke mos i dëmtuar interesat vitale të dy shteteve, ashtu siç perceptohen ato në kohën e sotme. Në këtë konsiston logjika e kompromisit të arritur.
Ekstremistët nuk mund ta kuptojnë këtë logjikë. Serbët e gjorë në veri të Kosovës, të manipuluar prej kohësh, ëndërronin si në kohën e Millosheviqit se për shkak të tyre do të mund të fillonte edhe një luftë e tretë botërore. E donin Rusinë përkrahë, kërkonin shtetësinë ruse, si një çmendi të sojtë pas zhgënjimit që përjetuan kur Beogradi zyrtar dhe sinjale se po e pranon kompromisin.
Edhe faktorët ekstremistë shqiptarë bënin presion në Qeverinë e Thaçit që të shkohet deri në fund në sigurimin e sovranitetit të Kosovës, duke e marrë dhunshëm kontrollin mbi veriun. Ishin kundër dialogut dhe që paraprakisht Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur. Janë këto demagogji të bukura për vesh, por aspak realiste. Janë vetëm ca ndërsime të papërgjegjshme luftënxitëse dhe po kështu një çmendi e sojtë në qasje.
Qasja e tretë, realiste, ka qenë ajo e BE-së dhe SHBA-ve, që kërkonin dhe projektonin zgjidhjen e problemeve konkrete mes dy shteteve, pa i adresuar çështjet statusore. Ndërmjetësuesi Robert Kuper kishte shtruar këso pyetje: a mund të bëhen marrëveshjet për çështje konkrete siç janë qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, njohja e ndërsjellë e dokumenteve personale dhe të udhëtimit, të diplomave, shfrytëzimi i librave të kadastrit, marrëveshjet për energji dhe pos-telekom etj.?
Kur i shtronte këto pyetje ndërmjetësuesi kishte parasysh modelet e bashkëpunimit mes shteteve që nuk e kanë njohur njëri tjetrin, por kanë bërë marrëveshje kompromise të përkohshme. Njëri prej këtyre modeleve ka qenë bashkëpunimi mes dy shteteve gjermane pas Luftës së Dytë Botërore.
Pikënisja tjetër e Brukselit ka qenë dëshira e Kosovës dhe Serbisë për t’u anëtarësuar në BE. Kuper andaj këmbëngulte: nëse sinqerisht doni që të jeni pjesë e BE-së, duhet gjithsesi t’i përmbushni standardet, si ato të lëvizjes së lirë dhe të bashkëpunimit rajonal. Pse nuk i arrini këto standarde menjëherë?
Është gabim trashanik kur në Kosovë pohohet se vetëm Serbia ka pas interes dhe përfitim nga marrëveshja, sepse është shumë afër pranimit të kandidaturës për anëtarësim në BE. E vërteta është se për ta fituar statusin e kandidatit, kjo marrëveshje i duhet po aq edhe Kosovës. Ne jemi një çik me vonesë në krahasim me Serbinë, por kjo nuk çon shumë peshë. Me gjasa, as Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa Kosovën, e as Kosova pa Serbinë, në kuptimin se këto dy shtet duhet të rregullojnë çdo kontest dhe problem mes veti, për të fituar statusin e anëtarit të barabartë.
Marrëveshja e arritur në Bruksel për kontrollin e përbashkët të pikave kufitare duhet të çojë drejt tejkalimit të gjendjes së tensionuar në veri. Kuptohet, me këtë marrëveshje dialogu nuk ka përfunduar, por është kapërcyer njëra nga nyjat më të vështira në krejt procesin, ajo e definimit dhe menaxhimit të kufijve.
Kontrolli i përbashkët i kufijve është arritje e një standardi evropian për të dy palët, dhe në esencë siguron se kufijtë e Kosovës me Serbinë janë te këto pika, se Kosova është territor dhe tërësi doganore e veçantë nga Serbia. Prezenca e policisë dhe doganës serbe në këto pika nuk do të thotë se Serbia ushtron kontrollin mbi brendinë e Kosovës, madje as mbi Veriun, sepse në këtë pjesë të Kosovës nuk do të ketë më hyrje dalje pa kontroll dhe për kontrabandime mallrash. Serbia do të t’i ketë në këto pikë të kontrollit policët dhe doganierët për territorin e vet, ashtu sikurse që edhe Kosova do t’i ketë policët dhe doganierët për territorin e vet.
Dhe EULEX-i do të sigurojë që marrëveshja të respektohet në përpikëri dhe të zgjidhen konfliktet eventuale. Thjesht, ata që janë kundër marrëveshjes, gënjehen dhe gënjejnë. Është tjetër gjë nëse analizat do të tregonin se ka mundur të arrihet më shumë, se ka pas mundësi edhe për kompromise më të favorshme, por kompromiset janë të tilla, që askënd nuk e lënë të kënaqur. Sa bërtet opozita kosovare se kjo është tradhti, po aq e zëshme është edhe ajo serbë që pohon se Serbia praktikisht me marrëveshjen e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Një misfikim i kundërshtarëve më duket tejet manipulues kur pohohet se me marrëveshjen Serbia ka arritur që të rikthejë kontrollin mbi Kosovën dhe se hapi tjetër është integrimi i Kosovës me Serbinë. Nuk bëhet fjalë për këtë. Por është e vërtetë se në të ardhmen jo edhe aq të largët, do të jemi me Serbinë, si shtet fqinjë, në një bashkim me shtetet evropiane. Dhe kompromisi i së shtunës është një hap drejt kësaj të ardhme kur do të duhej të kuptonim se mes fqinjëve armiqësitë nuk mund të janë të përjetshme.
Kuptohet, nuk e kam as iluzionin se rrugët e pajtimit do të janë të lehta. Për këtë kanë të drejtë ata që thonë se duhet të kemi kujdes se çfarë kompromise bëhen sot, se a janë në funksion të të ardhmes më të mirë, apo janë abuzime dhe manipulime të pushtetarëve të pasinqertë. Besoj se kompromisi aktual është i dobishëm dhe në funksion të paqes dhe sigurisë.
Express
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment