Home | Opinion | * * *

* * *

image
Studentet e Dhjetorit të ‘90-s ëndërronin një shtet ligjor e demokratik, në të cilin të gjithë-qytetarë, pushtetarë e politikanë- të jenë të barabartë para ligjit dhe askush të mos jetë mbi ligjin. Qeverisja e këtyre 20 vjetëve nuk ka asgjë të përbashkët edhe me këtë ideal të Lëvizjes Studentore dhe parim bazë të një shteti demokratik.




 
 
Zef Brozi 

 
 
 



Me rastin e 21-vjetorit të Lëvizjes Studentore

Në këtë 21-vjetor të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, mirënjohja dhe respekti u takon ish-studentëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, që të bashkuar dhe frymëzuar nga idealet më të pastra e më të bukura rinore për një Shqipëri demokratike e si gjithë Europa, rrëzuan regjimin diktatorial dhe i hapën rrugën pluralizmit politik e ndryshimeve politike, sociale dhe ekonomike në Shqipëri. U takon së pari ish-studentëve të Dhjetorit të ‘90-s, të cilët bënë revolucionin që të shkruajnë për këtë ngjarje që tingëllon aktuale, edhe pse kanë kaluar më se dy dekada.

Prandaj në këtë shkrim unë dua të trajtoj vetëm një çështje: Sa u realizuan ëndrrat dhe idealet e Lëvizjes Studentore që nga ajo kohë e deri më sot. Është e dhimbshme të ballafaqosh ëndrrat dhe idealet e Lëvizjes Studentore me realitetin e sotëm të Shqipërisë. Sot Shqipëria nuk është ajo për të cilën u ngritën në protesta studentët e Dhjetorit 1990. Qeveritë dhe politikanët e derisotëm i përbaltën, i harruan dhe madje edhe i gjakosën idealet studentore. Sot Shqipëria është ashtu si nuk duhej të ishte. Sot Shqipëria, edhe pse në letër, është demokraci, në fakt ajo ka një regjim diktatorial e të korruptuar që sa vjen e bëhet edhe më i rrezikshëm për popullin. Lëvizja Studentore nuk u bë për të rrezuar një diktaturë të kuqe dhe për ta zëvendësuar atë me një diktaturë tjetër shumëngjyrëshe. Lëvizja Studentore nuk u bë as për të shkulur e tërhequr zvarrë monumentin prej metali të ish-diktatorit dhe për ta zëvendësuar me monumentin e gjallë të diktatorit Sali Berisha. Lideri i Lëvizjes Studentore dhe ish-kryetari i parë i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, ishte mbase ndër të parët që paralajmëruan që në shtator 1992 se një diktaturë e re po instalohej në Shqipëri. Për fat të keq, shqiptarët nuk e morën seriozisht këtë alarm që po e jepte jo opozita, por vetë themeluesi dhe drejtuesi i Partisë Demokratike.

Studentët e Dhjetorit të 1990-s, me thirrjet e tyre të fuqishme “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, zgjuan dhe bashkuan rreth vetes masat e gjëra të popullit si asnjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë së derisotme. Por në atë kohë, studentët as që e shkonin nëpër mend se politika dhe qeverisja e mbrapshtë e viteve që pasuan do ta mbanin Shqipërinë larg familjes europiane edhe në vitin 2011. Mbase sot Shqipëria, në disa aspekte, është realisht më larg Bashkimit Europian se sa ishte në vitet 1993-1994. Nuk mund të thuash se ke hyre në Europë vetëm se sot mund të shkosh pa vizë në disa vende të saj, të drejtë që shqiptarët ishin të fundit e Ballkanit që Europa ua dhuroi. Nuk mund të thuash se meqenëse je anëtar i NATO-s, je automatikisht një vend me qeverisje demokratike dhe të ndershme. Faktet tregojnë se një diktaturë dhe një mafie politiko-kriminale tepër e rrezikshme është instaluar në Shqipëri pa përfillur, madje edhe më keq se aq, duke nëpërkëmbur edhe principet dhe reputacionin e institucioneve perëndimore. Në fakt, regjimi berishian nuk e ka pasur as e ka sinqerisht e seriozisht pranimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian a institucione të tjera perëndimore, parimet e të cilave vijnë në kundërshtim me mënyrën e qeverisjes dhe e vënë në rrezik pushtetin e tij antidemokratik dhe të korruptuar.

Studentet e Dhjetorit të ‘90-s ëndërronin një shtet ligjor e demokratik, në të cilin të gjithë-qytetarë, pushtetarë e politikanë- të jenë të barabartë para ligjit dhe askush të mos jetë mbi ligjin. Qeverisja e këtyre 20 vjetëve nuk ka asgjë të përbashkët edhe me këtë ideal të Lëvizjes Studentore dhe parim bazë të një shteti demokratik. Sot Shqipëria konsiderohet një ndër vendet me korrupsionin më të lartë dhe ku krimi i pushtetarëve nuk ndëshkohet. Është një shenjë ogurzezë fakti që edhe sot, politikanët e të gjitha ngjyrave e kaheve në Shqipëri, përfshirë edhe ata që për demagogji deklarohen për heqjen nga Kushtetuta të imunitetit, realisht me veprimet e tyre tregojnë se janë për të mos ndryshuar Kushtetutën dhe për t’ua lënë të paprekur imunitetin shtetarëve e deputetëve, pra ata janë që korrupsioni dhe krimi i pushtetarëve sot dhe në të ardhmen praktikisht të mos hetohet e ndëshkohet. Pra forca e ligjit dhe e pushtetit duhet të bjerë vetëm mbi qytetarin e thjeshtë, por jo mbi shtetarët dhe politikanët e korruptuar dhe inkriminuar. Imuniteti i pushtetarëve sot është kthyer në një mburojë të pathyeshme të krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Çdo forcë politike që është për ta ruajtur të paprekur këtë mburojë nuk jep shpresë reale se mund të drejtojë në mënyrë demokratike dhe të ndershme, prandaj edhe meriton ndëshkimin e popullit në zgjedhjet e ardhshme. Unë mendoj se është nevojë imediate që brenda muajit mars 2012 të bëhen ndryshimet më të domosdoshme në Kushtetutë, lidhur me heqjen e imunitetit për pushtetarët, si dhe për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm me votim direkt nga populli dhe jo me matrapazllëqe politike e blerje-shitje votash.

Lëvizja Studentore aspironte që në Shqipëri populli të vendoste për qeverinë, Parlamentin dhe liderët e tij përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Por të paktën që nga viti 1995 e deri më sot, mafia në pushtet e ka kthyer Shqipërinë në një vend ku vota nuk ka vlerë, sepse zgjedhjet falsifikohen, manipulohen, shiten e blihen me para, me qese mielli a me favore të paligjshme.

Lëvizja Studentore ëndërronte që Shqipëria të bëhej një vend me ekonomi të përparuar, me turizëm të zhvilluar dhe me një mirëqenie në rritje për të gjithë. Sot një pjesë e madhe e popullsisë po jeton në një varfëri që sa vjen e thellohet, ekonomia është në krizë, ndërsa turizmi është pothuajse inekzistent. Edhe pse më se një e treta e popullsisë së vendit janë në imigracion (sipas OKB-së, Shqipëria është një rast unik në botë, sepse ka në imigracion një popullsi aq të madhe të saj), shqiptarët bëjnë edhe sot sakrifica të mëdha për të lënë vendin e tyre ku ata ndihen të pashpresë.

Studentët e Dhjetorit 1990, as nuk e shkonin nëpër mend se pas vitit 1990 e deri më sot, Shqipëria do bëhej turpi i botës me fëmijë, gra e burra të ngujuar nëpër shtëpi me vite të tëra nga frika e gjakmarrjes. Ndërsa shteti nuk vepron për t’i dhënë fund një fenomeni të tillë që është jo vetëm antiligjor, por dhe në kundërshtim edhe me zakonet e dikurshme të kanunit popullor. Jo, një fenomen si ky, ku fëmijë e gra të ngujohen, një gjëmë e tmerrshme si kjo nuk ka ndodhur në kohën e diktaturës komuniste. Madje gjakmarrja deri në vitet ‘90 pothuajse u zhduk si fenomen dhe kjo ishte një arritje e madhe qytetërimi dhe e veprimit të ligjit. Prandaj sot Europa e ka të vështirë ta besojë se një dukuri e tillë ndodh realisht në Shqipërinë që insiston të bëhet anëtare e saj. Një vend me kulla ngujimi, as e meriton dhe kurrsesi Europa nuk mund ta pranojë në familjen e saj.

Një rrezik tjetër i madh dhe i shumanshëm i kanoset vendit nga ligji antishqiptar që miratoi mazhoranca për importimin e mbetjeve. Përshëndes nismën e disa organizatave e shoqatave joqeveritare që kanë kërkuar referendum për këtë çështje dhe i bashkohem listës së atyre që do të nënshkruajnë kërkesën përkatëse. U bëj thirrje studentëve e të gjithë shqiptarëve, pavarësisht nga përkatësitë e tyre partiake e bindjet politike, përfshirë edhe imigrantët kudo që janë, që të bëhen pjesë e kësaj iniciative dhe ta shpëtojnë vendin nga një katastrofë e gjithanshme që do t’i shkaktohet Shqipërisë nga materialet dhe mbeturina tepër të rrezikshme që do të sjellë aty mafia ndërkombëtare, nëse ky ligj nuk shfuqizohet sa më parë.

Me dhimbje konstatoj se sot, në terrenin shqiptar, duket se është krijuar një psikozë disi e përgjithshme se të flasësh për ideale të mëdha, për ideale të pastra, pra edhe për idealet e Lëvizjes Studentore të ‘90-s do të thotë se “ke ngelur në vend”, se je naiv, se “nuk jeton me realitetin” etj. Normale quhet të jesh në pushtet dhe të bësh korrupsion. Normale quhet që të manipulosh, vjedhësh e falsifikosh zgjedhjet. Normale quhet që edhe votimet në Parlament të falsifikohen. Normale quhet që Kryeministri kërcënon deputetët në Parlament dhe i fyen e shpif me fjalor që do t’i vinte turp edhe më rrugaçit të botës. Normale quhet edhe mosreagimi e deputetëve të mazhorancës, edhe pse kur Kryeministri flet e kërcënon një deputet të opozitës, edhe deputetët e mazhorancës duhet të ndihen të fyer e kërcënuar. Një Parlament serioz e i denjë do të duhej ta shkarkonte Kryeministrin tragjiko-komik që dhunon, nëpërkëmb e poshtëron Parlamentin para të cilit ai duhej të dridhej dhe të përgjigjej.

Normale quhet në Shqipëri që shteti, nën komandën e tiranit, vrau më 21 janar 2011 katër qytetarë që protestonin për një jetë më të mirë, për qeverisje të ndershme e demokratike. Dhe i vrau ata protestues të paarmatosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, aty ku as në dhjetor 1990-shkurt 1991 diktatura komuniste nuk guxoi të vriste studentët dhe popullin që protestonte. Është alarmante, është e papranueshme, është diçka që duhet të ngrejë studentët dhe gjithë popullin në këmbë fakti që edhe sot pas më se 10 muajsh, Prokuroria nuk heton komanduesit e këtij akti terrorist që dihen publikisht: I pari është vetë Sali Berisha i “kullës së ngujimit”. Unë dua të besoj dhe shpresoj se në prokurori dhe gjykata ka edhe prokurorë e gjyqtarë të ndershëm e kurajozë, që në zbatim të ligjit, nuk do të hezitojnë për të hetuar dhe gjykuar edhe vetë urdhëruesin e vrasjes së katër dëshmorëve të demokracisë në mbrëmjen e përgjakur të 21 janarit 2011. Nëse kjo nuk ndodh pa vonesa të mëtejshme, perspektiva e Shqipërisë bëhet edhe më e zymte nëse populli do të vazhdojë të heshtë.

Unë nuk di ndonjë rast tjetër në botë si ajo që ndodhi në Shqipëri në janar 2011, kur Kryeministri, kryemjeshtri i fyerjeve, kërcënimeve dhe akuzave, fyeu me fjalorin më vulgar të gjuhës shqipe, si edhe akuzoi për puç drejtuesit e institucioneve më të larta të shtetit, Presidentin, Prokuroren e Përgjithshme dhe kreun e Shërbimit Informativ të Shtetit. A nuk është a papranueshme, e pamoralshme dhe kërcënim për shtetin ligjor, që edhe këto akuza e fyerje të kalonin me një heshtje mortore sikur të mos ketë ndodhur gjë? Në një shtet demokratik, në një rast të tillë ose treshja e akuzuar duhej të përgjigjej para drejtësisë e të shkarkohej nga detyrat, ose akuzuesi nuk do të ishte me Kryeministër, por duke vuajtur dënimin e dhënë sipas ligjit dhe provave që janë aq të shumta. Meriton të falënderojmë gazetarët e akuzuar nga Berisha si “puçistë”, sepse të paktën ata nuk heshtën, por e vazhduan me kurajë “puçin”, duke shpalosur të vërtetat dhe faktet si për aktin terrorist të 21 janarit, ashtu edhe për korrupsionin dhe inkriminimin e qeveritarëve.

Thuhet se studentët i ka zili edhe mbreti, ndërsa diktatorët u frikësohen. Edhe përvoja e këtyre 20 vjetëve dëshmon se kur heshtin studentët diktaturat dhe qeverisjet e këqija e të korruptuara e kanë jetën e gjatë. Duket se në Shqipëri studentët, rinia në përgjithësi dhe masat e gjera të popullit, janë indiferentë ndaj realitetit në të cilin jetojnë dhe nuk protestojnë ndaj varfërisë dhe problemeve të tyre të përditshme. Duket se ata e lënë fatin e tyre dhe të vendit në duart e partive politike. Me një naivitet dhe papjekuri politike mendohet edhe se rrëzimi i qeverive të korruptuara dhe inkriminuara, mbrojtja e votës dhe zgjedhjeve të ndershme, mbrojtja e parimeve të demokracisë dhe shtetit ligjor, është detyrë dhe mision vetëm i opozitës politike. Unë nuk di ndonjë rast as në Shqipëri, as në botë që diktaturat të jenë rrëzuar nga partitë politike e jo nga studentët, rinia dhe populli i bashkuar në protesta. Rinia shqiptare dhe i gjithë populli duhet të mësojnë dhe të frymëzohen nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit 1990, si edhe nga protestat popullore që sollën fundin e diktatorëve në Tunizi, Egjipt, Libi dhe së shpejti mbase edhe në Siri e vende të tjera. Dekada e dytë e shekulli 21 është dekada e rrëzimit të diktatorëve në shumë vende të globit dhe e tillë duhet të jetë edhe për Shqipërinë.

Si rregull partitë politike vijnë në pushtet apo dalin në opozitë sa herë bëhen zgjedhje. Një opozitë sado e fuqishme të jetë nuk ka forca që e vetme, pa mbështetjen e gjerë të popullit e sidomos të studentëve dhe rinisë të rrëzojë diktaturën. Për më tepër, ka raste që partitë politike ose janë të pleksura me shumë fije të dukshme e të padukshme me pushtetin dhe shijojnë përfitimet e bashkëjetesës, bashkëqeverisjes, apo edhe të “kompromiseve historike” me diktatorin.

Një ringjallje e frymës protestuese të shqiptarëve u duk në vitet 2009-2011, kur opozita arriti të udhëheqë në protesta qindra mijëra qytetare që aspirojnë për një jetë më të mirë, për një qeverisje të ndershme e demokratike dhe për zgjedhje të lira e të pamanipuluara. Por, për fatin e keq të Shqipërisë, disa ndërkombëtarë e institucione ndërkombëtare ranë në grackën e pushtetit dhe shërbyen si zjarrfikës të urrejtjes dhe kryengritjes popullore kundër diktaturës. Me të tilla veprime dhe me përkëdheljet që i kanë bërë dhe mbase vazhdojnë t’i bëjnë regjimit të korruptuar e kriminal në Shqipëri, ndërkombëtarët kanë dështuar totalisht në ndërtimin e shtetit ligjor e demokratik në Shqipëri, i kanë zgjatur dhe po i zgjasin jetën tiranisë, qeverisjes së korruptuar dhe mafies kriminale në pushtet. Miliona a miliarda euro e dollarë të taksapaguesve perëndimore që janë investuar në formë donacionesh e projektesh për shtetin ligjor, për zgjedhjet dhe çështje të demokracisë në Shqipëri kanë shkuar dem. Kjo është e vërteta tepër e hidhur, por që është mirë të pranohet dhe të ndërmerren hapat e duhur korrigjues, siç bëri me të drejtë Bashkimi Europian, të cilin Berisha nuk arriti ta mashtronte më gjatë, as ta korruptonte, as t’ua nënshtronte interesave të tij.

Është sa e dhimbshme, aq edhe e çuditshme që në Shqipëri diktatorët dhe pushtetarët e korruptuar nuk përkulen as nga mali i mëkateve dhe akuzave që u rëndojnë, por mbijetojnë në pushtet në çdo situatë. Dhe kjo ndodh, sepse kanë një popull që e duron varfërinë e shtypjen, kanë një popull që i frikësohet dhe u nënshtrohet diktaturave dhe kur thika i shkon deri në palcë, kanë një sistem drejtësie që është nën thundrën e tiranit dhe që ka humbur besimin e popullit. Një situatë e tillë do të mund të vazhdojë derisa rinia të zgjohet, derisa studentët të ngrihen, derisa një popull i tërë të vrasë frikën dhe të ngrihet e protestojë fuqishëm. Kur edhe në Shqipëri qeveritarët dhe tirani të kenë frikë popullin dhe jo populli të ketë frikë nga pushtetarët, atëherë shqiptarët do të ndihen vërtetë të lirë, atëherë edhe demokracia do të mund të vendoset, edhe qeveritë do të jenë të përgjegjshme para popullit, edhe populli do të ketë shanse për një jetë më të mirë. Dhe atëherë edhe shqiptarët do të jenë më të denjë dhe të përgatitur për të hyrë në familjen e shumëndërruar të Bashkimit Europian. Dhe atëherë do të kemi të drejtë të themi se edhe ëndrrat dhe idealet e mëdha të Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990 u bënë realitet. Le të shpresojmë dhe kurrë të mos i humbasim shpresat dhe besimin te forca dhe idealet që mbartin studentët dhe rinia e Shqipërisë sonë të dashur!

 
 
Uashington DC, 4 dhjetor 2011

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0