Latest News
Kali i Tro(..)jës
E tmerrshme. Ndaj... Urgjent duhet të krijohet një grup “ad-hoc” nga strukturat e opozitës, në bashkëpunim me ato të shtetit për të verifikuar statusin e këtyre policive. Unë personalisht, si qytetar kam dyshimet e mia se mos njerëz të pushtetit...
Nga Noel Hajdini
Pas vjedhjes së votës në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-tës dhe më pas, edhe atyre të Tiranës, Sali Berisha nuk po ndalet në kalkulimet e tij histerike për të monopolizuar totalisht shtetin dhe më pas, edhe tërë Shqipërinë. Atëhere, atij nuk i mbetet gjë tjetër, veçse të vetëshpallet “mbret”. Kali i Tro(..)jës nuk ndalet. Makinacionet prej Jude, e sofistikojnë akoma edhe më shumë mendjen e tij delirante, thua se sistemi i djeshëm të ketë lënë pas, jo litarin e varur, por vetë krijesën e djallit. “Ka njëzet vjet, që ata që kemi mbi krye, njerëz me dosje kriminale, neglizhojnë sot hapjen e tyre për të bërë lustracionin, sepse ata janë vetë në ato dosje”, tha në një bisedë televizive i vuajturi i burgjeve të diktaturës, i mençuri, Daut Gumeni. Pushteti i Saliut nuk resht së përdoruri atentatet ndaj shtetit e demokracisë. Një “silurë” e tillë u hodh edhe këto ditë përmes gojës së ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani. “Policia e shtetit, tha ai, të marrë përsipër edhe atributet e prokurorisë”(!!). Domethënë, ajo të shqyrtojë procese e denoncime të ndryshme dhe madje të formulojë edhe pretenca(!!). Kuptohet, që ky është plani i ri makbethian i Saliut, dhe jo mendim personal i Nishanit. Opozita me të drejtë e quajti çmenduri këtë opsion. Imagjinojeni; gjithë ato procese të akumuluara në organin e akuzës dhe që drejtohen kundër njerëzve të Saliut, tani të merren në shqyrtim nga Policia e Shtetit, që sikurse dihet nga gjithë shqiptarët, ka kohë që është bërë njëqind për qind “vegël e pushtetit” të tij. Kurse vetëm formalisht, ajo njihet si “polici e shtetit”. Incidenti tjetër, i këtyre ditëve: një grup policësh privatë, të ambienteve të Tatim Taksave, dhunuan gazetarët e televizionit “Ora News”, vetëm e vetëm se ata kërkonin të merrnin informacion për publikun, se çfarë ngjante brenda mureve të institucionit. Pra, ishin në punën e tyre, për informimin publik. Në një tjetër rast, nën “kujdesin” e policëve privatë, një firmë e dyshimtë ndërtimi dhunon një qytetar në banesën e tij, tek rruga “Ndre Mjeda”.
Në një tjetër rast të mëparshëm: Pas terrorizimit me të shtëna automatiku, nga njerëz të paidentifikuar, një vit më parë u përzunë forcërisht nga fusha e Stacionit të Trenit, banorët e komunitetit rom. Vetëm pak ditë më pas, aty u vendos në një shërbim permanent policia private, në interes të një firme të dyshimtë ndërtimi... Janë gjithë këto ngjarje “të rastit”, të cilat mendoj se duhen analizuar të gjitha me radhë, me gjakftohtësi, për të gjetur se me çfarë strategjie po ecën “Kali i Trojës” në këtë vend. Qofsha i gabuar, por kam dyshimin se këtu, pushteti i Saliut po tenton të monopolizojë dinakërisht gjithçka: edhe postet shtetërore, edhe trojet shtetërore, edhe funksionet publike, etj, etj, përmes strukturave gjoja “civile”, për t’ja kundërvënë shtetit; për ta zgërlaqur atë dhe për të zaptuar më pas tërë Shqipërinë. Me mënyrat klasike të një monarkie primitive. Nuk është aspak për t’u çuditur. Saliu jo më kot “e ngriu” ALUIZNI-n. Diç fshihet pas kësaj. Mbase pushtimi i trojeve shtetërore kudo. “Kali i Tro(po)jës”, ka kohë që po ja kalon për nga dinakëria “Kalit të Trojës”, personifikim i dhelpërisë së grekërve të lashtë. Nga ky këndvështrim, mendoj se opinioni publik duhet të dijë se çfarë janë gjithë këto lloj policishë në Shqipëri. Me gjithë këto uniforma e simbole në rrobën e tyre: Me skifterë, salamandra, bufër, shigjeta e gjarpërinj... Kush i kontrollon ato? Ku janë rregulloret që orientojnë veprimtarinë e tyre? Ku e gjejnë atë kurajo, atë “trimërim”, sa të prekin me dorë, deri dhe gazetarët, që janë njerëzit-simbol të fjalës së lirë? “Kam mbetur i shokuar teksa kam parë një ditë, se si një polic privat, nuk lejonte një efektiv të policisë së shtetit, që të futej për kontroll rutinë në një mjedis publik, afër të cilit ndërtonte një firmë private.
Madje, e kundërshtonte policin e rendit, me një guxim të madh. Ç’po ndodh kështu në këtë vend? Kakofonia shurdhuese e politikës, duket se po lë jashtë vëmendjes episodet reale të luftës së vërtetë që po bëhet “nën rrogoz” për ta kthyer përfundimisht Atdheun tonë në një plaçkë tregu. E tmerrshme. Ndaj... Urgjent duhet të krijohet një grup “ad-hoc” nga strukturat e opozitës, në bashkëpunim me ato të shtetit për të verifikuar statusin e këtyre policive. Unë personalisht, si qytetar kam dyshimet e mia se mos njerëz të pushtetit, mund të marrin nën komandë policinë pyjore, për të monopolizuar më pas të gjitha pyjet shqiptare në interes të disa pushtetarëve. Kam dyshimet e mia, se mos njerëz të pushtetit, marrin nën komandë policinë private (në mos e paçin marrë deri tani), për të “privatizuar” kështu institucionet shtetërore; për të mos lejuar asnjëherë transparencën e aktivitetit të tyre. Për të gatuar aty çorbën që duan vetë, përmes fondeve që shpërdorojnë. Ky ishte edhe shkaku i incidentit me gazetarët e “Ora News”-it. Kam dyshimet e mia, se mos njerëz të pushtetit marrin nën komandë policinë e “shërbimit të sigurisë” dhe e përdorin atë sipas interesave personale; ta zëmë, në Gjirin e Lalëzit, duke zaptuar hapsira pa fund në emër gjoja “të fondacioneve të huaja”. Duke gënjyer se “e kanë blerë të huajt”, etj., etj. Grupi “ad hoc”, duhet të gjejë se kush janë në krye të këtyre strukturave të policive “private”. A mos po përdoren këto polici, si “armë gjahu” nga pushtetarët për të goditur biznesin “opozitar”, apo në një mënyrë tjetër? Grupi “ad hoc”, përmes kontrollit të tij duhet të gjejë; nëse kemi vërtetë të bëjmë me një “Kalë troje” në veprim, që po sfidon fshehtas “nën rrogoz” shtetin dhe demokracinë, apo ky është vetëm një iluzion i rremë i qytetarëve të frikësuar nga situata e përgjithshme e mbisundimit të frikës që ka ngjallur kudo pushteti i Saliut?
Grupi “ad-hoc” duhet të gjejë se kush i drejton këto lloj policish në vend: A mos ka emra që krahas detyrës shtetërore komandojnë edhe këto struktura “civile”, duke krijuar kështu aksidentalisht konflikte interesi? Qytetarët duhet të dinë se kush e sponsorizon infrastrukturën e këtyre policive; private, të sigurisë, asaj pyjore, etj, etj, me motoçikleta super të shpejta e me makina super luksoze. Kush është emri i sponsorizuesit? A ka funksion shtetëror ai, apo jo? Mbi ç’rregullore bazohet veprimtaria e këtyre strukturave? Me rroba të zeza, të dekoruara me lloj-lloj lulkash, me radio e me armatim modern... Një mendje më thotë se gjithë këto para’ të harxhuara për këto uniforma, janë nxjerrë nga ndonjë fond i fshehtë i ndonjë zullumqari shtetëror. Qofsha i gabuar. Gjithë sa theksuam më lart, është mirë të analizohet e të bëhet publike në emër të transparencës. Nuk duhet që “salijtë” e vegjël, me rroben e “policit privat”, të “privatizojnë” çdo gjë, qoftë edhe nisur nga ai funksion i vogël që ata kanë, për ruajtjen e një institucioni shtetëror, sikurse e pamë në emisionin “Alarm”. Këmbana e alarmit ka rënë vërtetë. Duhet ta ndalim “Kalin e Tro(..)jës, para se ai të ketë monopolizuar tërë... Shqipërinë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment