Home | Opinion | Përrallat me Demokraci [Perëndimore] në Lindjen e Mesme

Përrallat me Demokraci [Perëndimore] në Lindjen e Mesme

image
Në fakt zgjidhja nuk po duket në horizont në pritshmërinë e krijimit të ndonjë forme hibride organizimi socio-politik demokratik me nuanca fetare në Lindjen e Mesme. Ndoshta mund të jetë koha për një ri-interpretim të interesit kombëtar të secilës prej fuqive të mëdha në rajon.



 
 


Nga Enri Hide*
 
 
 


Ndoshta ka ardhura koha që, bazuar tek filozofët politikë të kahershëm, ku kemi gjetur gjithnjë strehë kur vjen fjala tek ngërçet socio-politike të Perëndimit [të Krishterë], të shohim mos gjejmë ndonjë formë hibride të formulimit të interesit kombëtar perëndimor në artikulimin e politikës së jashtme

Në Tunizi, në fund të tetorit, Enahda (një parti islamike e moderuar) fitoi zgjedhjet me rreth 37 për qind të votës popullore, duke marrë 89 nga 217 vende në Asamblenë Parlamentare e duke qenë e detyruar të fillojë negociata me forcat e tjera politike, afër dhe larg saj, për të krijuar kuorumin e nevojshëm qeverisës. Ndërsa në Egjipt, në fund të nëntorit, në raundin e parë të zgjedhjeve për të qenë më të saktë, një tjetër parti islamike (por kjo jo dhe aq e moderuar), Vëllazëria Myslimane, e cila me rastin e zgjedhjeve kishte ndryshuar emrin në “Partia për Liri dhe Drejtësi”, fitoi rreth 36 për qind të votës popullore, kurse partia e dytë më e madhe rezultoi, për “çudinë” e “analistëve” perëndimorë, partia Al Nour, e islamikëve salafistë, me rreth 24.5 për qind të votave. Të dyja këto kanë shpallur aleancën mes tyre për të formuar qeverinë e re të Egjiptit. Ky është realiteti dhe këto janë faktet e patjetërsueshme.

Tani le të vijojmë arsyetimin tonë.
 
Së pari, narracioni i revolucioneve arabe mund të qëndrojë. Dhe duhet të qëndrojë – sa kohë që analiza jonë merr turravrap kah qasjes ndaj tyre si revolucione drejt “prirjes së natyrshme” të botës arabe drejt një forme alternative të organizimit socio-politik mbi baza fetare islamike (jo islamik – për të diferencuar termat dhe kuptimin e tyre). Në këtë rast Perëndimi, më shumë idealist sesa realist, duket se nuk po arrin t’i rrokë këto ndryshime në kompleksitetin e të kuptuarit të tyre. 

Së dyti, “Pranvera arabe”, për të përdorur metaforën e shumëdëgjuar në ligjërimin e politikëbërësve perëndimorë, mund të shndërrohet në një “Dimër të Madh”, i cili mund edhe të mos përkojë me stinët e vitit, nëse vijon kjo “dallgë e re” fitoresh e islamikëve nëpër zgjedhje edhe në zgjedhjet e pritshme në vende të tjera arabe (ose jo-arabe, thjesht me shumicë myslimane) muajt e ardhshëm. Së treti, biem dakord paraprakisht se heterogjeniteti i popujve që ndodhen në kufijtë e ballkanizuar politikë të Lindjes së Mesme nuk na lë vend për të arsyetuar në mënyrë homogjene për të gjithë rajonin. Së katërti, përrallat me demokraci perëndimore në Lindjen e Mesme duket se kënaqin vetëm egon e pakënaqur nga ndryshimi politik në Uashington i para disa viteve të neokonservatorëve, kur në Shtëpinë e Bardhë erdhi një demokrat si Barack Obama, bashkë me premtimin për një frymë ndryshe në qasjen e deritanishme ndaj politikës së jashtme amerikane, sidomos në Lindjen e Mesme.

Po le t’i rikthehemi Egjiptit. Së pari, pozicioni politik i kastës ushtarake mbetet ende i paqartë. Edhe pse lidershipi i saj ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se qenia e tyre në krye të pushtetit politik është e përkohshme dhe se janë të gatshëm t’ia kalojnë atë qeverisë që do të zgjidhet me votat e popullit, mbetet për t’u parë sesa të gatshëm do të jenë ta transferojnë vërtet atë. 

Kjo duhet parë në kushtet kur elita ushtarake mbetet i vetmi aktor i besueshëm për Perëndimin, sidomos për Shtetet e Bashkuara, influenca e të cilëve mbi lidershipin ushtarak është e vetmja e dhënë e patjetërsueshme për momentin. Së dyti, siç ka filluar të artikulohet këto javët e fundit me një forcë gjithnjë e më kumbuese në elitat e politikës së jashtme perëndimore, jo vetëm amerikane, Perëndimi duhet të ketë kujdes kur shpreh dëshirat e tij në lidhje me produktin socio-politik të së ashtuquajturës “Pranverë arabe” – sidomos kur dëshira e tij është demokracia. Problemi në këtë rast është se “ëndrra mund të bëhet vërtet realitet” – por ama jo kaherë demokracia sjell në pushtet demokratë (në parime, bindje e filozofi politike), siç na ka mësuar historia. Nuk ka asnjë lloj garancie, të paktën gjer tani, se edhe në Lindjen e Mesme do të funksionojë pandehma disashekullore perëndimore, sipas së cilës demokracia bart një formë demokratike regjimi që respekton ato liri dhe të drejta të njeriut që burojnë nga filozofia politike e rilindjes europiane apo nga parimet edhe më të hershme të filozofëve të Greqisë së Lashtë. Turbullirat shoqërore, të mbrujtura nëpër pakënaqësitë e shumta të qytetarëve (varfëria, ndrydhja e lirisë, etj., pa fund si këto), jo gjithnjë çojnë në revolucion; revolucioni jo gjithnjë sjell demokraci; dhe demokracia jo gjithnjë sjell një formë europiane ose amerikane sistemi politik: Kjo nuk duhet harruar.

Po përse po e themi këtë? Së pari, sepse sa herë që europianët e kanë harruar këtë, janë gjendur përballë të papriturave të dhimbshme historike. Sigurisht që regjimi hitlerian kishte një mbështetje të gjerë popullore, kjo s’mund të mohohet. Pa dyshim që revolucioni iranian nuk solli në pushtet ato grupe shoqërore që e iniciuan (pa dashur kurrsesi të hyjmë këtu në debatet e shumta mbi të). Historia është e mbushur me shembuj të tillë.
Së dyti, dilema që kjo sjell në formulimin e politikave të jashtme të vendeve perëndimore rikthen në vëmendje përballjen e përhershme midis idealizmit dhe realizmit. Idealizmi në një sistem ndërkombëtar anarkik ose, për disa, gjysmë-anarkik, ka qenë gjithnjë i rrezikshëm. 

Mjafton të shohim periudhën mes dy Luftërave Botërore dhe idealizmin e tepruar uilsonian që mbrujti politikën e jashtme amerikane (cilido dëshiron ta elaborojë më tej këtë argument le t’i hedhë një sy librit të Edward Carr). Realizmi demokratik si doktrinë e politikës së jashtme ka rezultuar i dështuar, siç na e tregojnë shembujt e Irakut, Afganistanit por edhe të trajtimit të Lindjes së Mesme. Po ashtu, pa synuar të hyjmë në detaje argumentuese, deri-diku i dështuar rezulton dhe realizmi klasik e neoklasik, sa kohë që shtetet perëndimore (me në krye Shtetet e Bashkuara, por pa përjashtuar as Britaninë e Madhe apo Francën) nuk arrijnë dot të krijojnë një model hibrid të përcaktimit të interesit kombëtar si ndërthurje të përhapjes së demokracisë me interesat gjeopolitike.

Rasti i Egjiptit nxjerr në pah pikërisht këto dilema jetike me të cilat po përballen politikëbërësit e fuqive të mëdha, sidomos në Shtetet e Bashkuara. Bëhet fjalë për një vend me rëndësi kyçe në skakierën gjeopolitike globale, jo vetëm për Amerikën, por për të gjithë aktorët e tjerë në gjendje të projektojnë një vizion gjeostrategjik global.

Në fakt zgjidhja nuk po duket në horizont në pritshmërinë e krijimit të ndonjë forme hibride organizimi socio-politik demokratik me nuanca fetare në Lindjen e Mesme. Ndoshta mund të jetë koha për një ri-interpretim të interesit kombëtar të secilës prej fuqive të mëdha në rajon. Ndoshta ka ardhura koha që, bazuar tek filozofët politikë të kahershëm, ku kemi gjetur gjithnjë strehë kur vjen fjala tek ngërçet socio-politike të Perëndimit [të Krishterë], të shohim mos gjejmë ndonjë formë hibride të formulimit të interesit kombëtar perëndimor në artikulimin e politikës së jashtme.



*Pedagog i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0