Latest News
Status Quo
Nënshkrimi i traktatit të aderimit nga ana e Kroacisë përbën shembullin më kuptimplotë se procesi i zgjerimit, pavarësisht ndërlikimeve që ka pësuar në vite, konfirmohet si një mundësi e patjetërsueshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u transformuar e demokratizuar.
Ditmir Bushati
Javës që shkoi, kryetarët e vendeve anëtare të BE-së u mblodhën në Bruksel për të diskutuar mbi disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me bashkërendimin e politikave fiskale dhe ato të zhvillimit ekonomik, në kohën kur e ardhmja e monedhës së përbashkët dhe vetë modeli i bashkimit ekonomik e monetar janë vënë në pikëpyetje. Sikurse ndodh përherë me samitet e fundvitit, një pjesë e takimit u përqendrua te procesi i zgjerimit, i cili merr një dimension edhe më të rëndësishëm në këtë periudhë të vështirë që po kalon BE.
Nënshkrimi i traktatit të aderimit nga ana e Kroacisë përbën shembullin më kuptimplotë se procesi i zgjerimit, pavarësisht ndërlikimeve që ka pësuar në vite, konfirmohet si një mundësi e patjetërsueshme e vendeve të Ballkanit Perëndimor për t’u transformuar e demokratizuar. Aderimi i Kroacisë në BE, më 1 korrik 2013, dëshmon gjithashtu se procesi i zgjerimit do të vazhdojë për sa kohë reformat përmbushen, duke rrëzuar çdo alibi të qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e shohin si varkë shpëtimi krizën ekonomike të BE-së, për të mos përmbushur kësisoj reformat që nevojiten për rrugëtimin europian.
Duke qenë se për shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor (përfshirë Shqipërinë) konkluzionet ishin mbyllur në nivelin e ministrave të Punëve të Jashtme të BE-së në takimin e Këshillit të datës 5 dhjetor, vëmendja ndaj takimit të Këshillit Europian të 9 dhjetorit u përqendrua në vendimmarrjen për Serbinë dhe Malin e Zi, për të cilat Komisioni Europian pati rekomanduar në tetor, respektivisht, akordimin e statusit të vendit kandidat dhe fillimin e bisedimeve për anëtarësim.
Serbia shpresonte të merrte statusin e vendit kandidat për shkak të bashkëpunimit me Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe marrëveshjes së arritur në minutat e fundit me Kosovën, për të ashtuquajturat pika të përbashkëta doganore dhe kontrollit të kalimit me Kosovën. Por, një grup vendesh me peshë të konsiderueshme, të kryesuara nga Gjermania, kanë mbrojtur pikëpamjen se marrëveshja me Kosovën është e pamjaftueshme dhe madje e vonuar. Si rrjedhim, kryetarët e vendeve anëtare të BE-së vendosën që të rishqyrtojnë çështjen e statusit të vendit kandidat për Serbinë, në Këshillin Europian të ardhshëm të marsit 2012.
Konkluzionet e Këshillit Europian janë udhërrëfyese, duke përcaktuar drejtimet se ku duhet të përqendrohet Serbia: (a) zbatim korrekt të marrëveshjes doganore duke përfshirë edhe menaxhimin e integruar të kufijve; (b) bashkëpunim rajonal gjithëpërfshirës; (c) lejimin e EULEX dhe KFOR për të ushtruar autoritetin e tyre në Veri të Kosovës.
Duhet theksuar se pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë edhe më e vështirë për Beogradin, kur dihet se në muajin maj Presidenti Tadiç do të përballet në ringun elektoral me radikalët, të cilët kundërshtojnë “kursin europian” dhe bëjnë presion “për moslëshimin e Kosovës”. Ky dështim i serbëve ka prodhuar edhe “viktimën” e parë politike. Zëvendëskryeministri Bozidar Djeliç, që mbulon çështjet Europiane, lajmëroi dorëheqjen porsa u njoh me vendimin e BE-së, mbase i vetëdijshëm se marsi do ta gjejë edhe më pak të angazhuar Serbinë në “rrugën europiane”, për shkak të zgjedhjeve parlamentare.
Lidhur me Malin e Zi, Këshilli Europian vendosi parimisht për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në qershor 2012, duke kënaqur në këtë mënyrë qëndrimin skeptik të Francës ndaj fillimit të menjëhershëm të bisedimeve. Për të arritur te tryeza e bisedimeve, Malit të Zi i duhet të punojë më shumë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në gjysmën e parë të 2012, Komisioni do të përpilojë një raport të ri, ku do të vlerësohet ecuria në këto dy fusha, si dhe në lidhje me pavarësinë e Gjyqësorit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore. Ndërkohë, Komisioni Europian do të përgatisë kuadrin negociues me Malin e Zi dhe njëkohësisht do të fillojë procesin e shqyrtimit analitik të acquis communautaire.
Për vendet e tjera, përfshirë edhe Shqipërinë, Këshilli Europian konfirmoi konkluzionet e 5 dhjetorit 2011, duke u mjaftuar në ripërsëritjen e perspektivës europiane. Dallimi mes Shqipërisë nga njëra anë, dhe Serbisë e Malit të Zi nga ana tjetër, është i qartë. Në rastin tonë, nuk parashihet asnjë etapë e ndërmjetme nga vendet anëtare të BE-së për t’i kërkuar Komisionit Europian që të vlerësojë ecurinë e progresit të Shqipërisë deri në vjeshtën e vitit 2012. Ndërkohë që Kryeministri refuzon kokëfortësisht të marrë përsipër përgjegjësinë për këtë dështim historik dhe duket se i leverdis statuskuoja. Gjithnjë me strategjinë e njohur, ku statuskuoja propagandohet si sukses dhe “armiku” është opozita.
Sipas konkluzioneve të Këshillit të BE-së, Shqipëria duhet të kurojë “plagët e hapura” nga procesi zgjedhor i deformuar i 8 majit dhe mospërmbushja e 12 përparësive kryesore, duke theksuar nevojën për rezultate konkrete e të qëndrueshme. Madje, në rastin e Shqipërisë bëhet sërish i njëjti referim te konkluzionet e dhjetorit 2010, duke përforcuar idenë se kursi europian mund të jetësohet veç përmes reformave dhe aspak statuskuosë shoqëruar me propagandën demonizuese ndaj opozitës. Opozita shqiptare po ushtron përgjegjësinë e saj në këtë proces përmes iniciativave konkrete që synojnë daljen nga statuskuoja. E bindur se vetëm dalja nga statuskuoja do të mund të konkretizojë perspektivën europiane të vendit. Dhe njëkohësisht rotacionin politik, aq shumë të nevojshëm për t’i dhënë një hov të ri zhvillimit e transformimit demokratik të vendit.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment