Latest News
Neglizhencë me “shumicë”, për pakicat kombëtare
Ajo, ç’ka është për të ardhur keq, ka një distancë të madhe midis ratifikimit në legjislacion dhe implementimit të tij në praktikë. Ishte mungesa e vullnetit politik, ajo që pengoi ngritjen dhe funksionimin e mekanizmave shtetërore.
Nga Pandeli Bardhi
Që shteti është neglizhent, ndaj të drejtave të pakicave kombëtare dhe minoriteteve, këtë e tregoi qysh nga hartimi i kuadrit ligjor për regjistrimin e popullsisë, e deri në përfundim të kësaj ngjarje të rëndësishme në muajin tetor të këtij viti. Neglizhenca vazhdon edhe më tej, ku në takimin e organizuar me rastin e ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, asnjë prej përfaqësuesve të tij, apo të INSTAT-it, që janë përgjegjës direkt, nuk morën pjesë. Me mungesë serioziteti dhe me veprime formale, përsa i përket zbatimit të të drejtave të pakicave kombëtare, nuk mund të pretendohet, për t’ju bashkuar familjes europiane. Është kjo arsyeja, që i quajturi census, qysh në projektim ishte i detyruar të dështonte. Ajo nuk u vlerësua si një ngjarje e madhe historike, por si një formalitet i zakonshëm. Me të drejtë, z. Përparim Kabo, dr i shkencave filozofike theksoi se regjistrimi i popullsisë dhe i banesave, është ngjarje shumë herë më e rëndësishme edhe nga zgjedhjet lokale. Kjo për të vetmen arsye, se regjistrimi i popullsisë dhe i banesave bëhet një herë në dhjetë vjet dhe mbi të gjitha, kjo kërkon edhe përgjegjësi të madhe nga ana e mekanizmave shtetërore...
Por ja që për shtetin, janë më të rëndësishme ato që kanë të bëjnë me ndarjen e karrigeve shtetërore, se sa kryerja me përgjegjësi e detyrave kombëtare... Fakt është se, kjo ngjarje e rëndësishme, u bë me një indiferentizëm të çuditshëm. Censusi u tjetërsua qysh para nisjes së tij në vitin 2010. Edhe mbas hartimit të kuadrit ligjor, u vendos që ai të bëhej në Janar të vitit 2011. Nga muaji janar, ai u shty për në muajin Prill, për në Korrik, e më pas përfundoi në Tetor. E megjithëse u shty për të disatën herë, ndryshe nga sa thuhej se jemi gati, e vërteta nuk ishte ashtu. Por pavarësisht nga këto, ajo ç’ka ishte më e rëndësishme, ai u formulua në atë mënyrë që çdo deklaratë e qytetarëve, siç ishte ajo për kombësinë, të mos kishte asnjë vlerë. Mohimi i të drejtës për t’ju përgjigjur pyetjes mbi përkatësinë etnike solli një vakuum, i cili e ktheu censusin 2011, një proces aspak efektiv. Nga njëra anë informoheshin organizmat ndërkombëtarë se janë marrë të gjitha masat përsa i përket bashkëpunimit me grupet e interesit dhe përfaqësimit të të gjitha pakicave kombëtare nga ana tjetër, këto nuk përfilleshin. Para fillimit të censusit, nga ana e autoriteteve shtetërore, nuk u gjend asnjëherë mundësia, për t’u organizuar qoftë edhe një takim, apo konsultim me përfaqësuesit e komuniteteve.
Ajo, ç’ka është për të ardhur keq, ka një distancë të madhe midis ratifikimit në legjislacion dhe implementimit të tij në praktikë. Ishte mungesa e vullnetit politik, ajo që pengoi ngritjen dhe funksionimin e mekanizmave shtetërore. Janë këta dhe shumë faktorë të tjerë, të cilët vërtetuan atë ç’ka tha midis të tjerave kreu i Partisë së Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, duke deklaruar se censusi 2011, do të ishte dështim i paralajmëruar. “Ashtu si edhe herët e tjera, edhe përsa i përket censusit, dëgjuam vetëm gënjeshtra qeveritare dhe një qëndrim aspak serioz nga ana e organizmave shtetërore...”, theksoi Dule.Qysh në vitin 1920, Fan S. Noli shkruante se në zonën e Himarës, Dhërmiut e Palasës ekziston një minoritet grek. Kjo është fakt. Në vitin 1945, nga ana e këtij minoriteti, u bë rezistencë masive ndaj regjimit komunist, në mbrojtje të identitetit, gjuhës dhe zakoneve të tyre. Për këtë arsye, diktatura bëri të gjitha përpjekjet, me të gjitha format e dhunës për të zhdukur identitetin e tyre, për të ndërruar kombësinë. Reprezaljet në masë, vrasjet, burgimet e internimet, deri edhe mbyllja e shkollave në gjuhën amtare, justifikoheshin me të vetmen arsye, sepse ata ishin minoritet grek.
Ky ishte qëndrimi i diktaturës komuniste. Por ja që vjen viti 2011 dhe nga ana e shtetit demokratik, nuk respektohen as ato standarde, që janë zbatuar në vitin 1920! Minoriteteve nuk u mohohet e drejta të predikojnë vlerat, kulturat e të drejtat e tyre fetare e kulturore. Nga kjo pikëpamje, edhe censusi i vitit 2011 ishte një proces aspak efektiv dhe i dështuar... Multietniciteti, respektimi i të drejtave të tyre, akoma edhe sot, mbetet një kusht i rëndësishëm për futjen në familjen europiane. Është fakt se në Shqipëri, bashkëjetesa midis feve të ndryshme është për t’u marrë shembull. Në këtë kuadër, ashtu si edhe në bashkëjetesën midis feve, ashtu duhet të jemi edhe përsa i përket bashkëjetesës midis komuniteteve dhe pakicave kombëtare në Shqipëri. Puna pa përgjegjësi e organeve shtetërore, ka bërë që pakicat kombëtare të vijnë duke u asimiluar. Në regjistrat e gjendjeve civile, për mjaft komunitete nuk shkruhet se kujt kombësie i përkasin, siç janë romët, malazezët, egjiptianët etj... Qysh në vitin 1879, në zonën e Shkodrës figurojnë të regjistruar mbi 700 familje malazeze, por këta as janë regjistruar e as nuk është bërë gjë që ky minoritet të integrohet në shoqërinë shqiptare. Ky komunitet, nuk njihet nga organet shtetërore lokale dhe nuk pati asnjë përfaqësues në komisionet e regjistrimit. Rezerva ka edhe nga vllakofonët, edhe këta, ashtu si ata që përmendëm më sipër, nuk dihet se kujt kombësie i përkasin... Për komunitetin egjiptian shkohet edhe më tej akoma, ku në regjistrat e gjendjes civile, në vend të kombësisë shkruhet “Kurbat”! Këta trajtohen si njerëz pa kombësi dhe për pasojë, nuk u njihen as të drejtat e tyre qytetare. Ky komunitet, sipas statistikave numëron mbi treqind mijë, por organet shtetërore, nuk janë të interesuara që të dali numri real i tyre, mbasi në të kundërt do të kishte pasoja. Romët, jo vetëm që nuk u përfaqësuan dhe nuk ishin pjesë e pyetësorit të censusit, por në një farë mënyre ai u kthye edhe në qesharak... Anëtarët e komisioneve të regjistrimit, nuk merrnin mundimin të shkonin ti regjistronin ata në banesat e tyre, por mjaftoheshin duke pyetur në katin e parë: ‘Sa evgjitë, keni në pallat’? Dhe më kaq e quanin të mbaruar detyrën e tyre. Shumica e të dhënave u morën në rrugë, nga burime të ndryshme jo zyrtare. Edhe feja, me të drejtë propagandon, se: “Ai njeri që nuk di se kujt populli i përket, as zotit nuk i duhet”!...
Kokëfortësia shtetërore, konsiston në atë, se gjatë gjithë kohës para censusit, nuk pati një bashkëpunim me organizatat e ndryshme, me qendrën akademike, me organizatat fitimprurëse etj, por regjistrimi i popullsisë dhe i banesave u krye thjesht si një proces statistikor. Kombinim të punëve, pati vetëm me disa organizata fantazmë, të cilat nuk ishin gjë tjetër veçse “gjahtarë” të fondeve qeveritare!. Të gjitha këto “marifete”, bëhen nga ata, që kanë marrë në dorë flamurin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe propagandojnë me të madhe para organizmave ndërkombëtare, se i respektojnë ato deri në një. Kjo kokëfortësi shtetërore, për zhvlerësimin e grupeve e minoriteteve, krijoi të çara të thella, i mënjanoi ata, bashkë me kërkesat e tyre me indiferentizmin shtetëror. Shumë organizata dhe grupe minoritetesh, shprehën pakënaqësitë e tyre, gjë e cila u reflektua gjatë gjithë periudhës, para gjatë, dhe pas censusit. Në shumë komunitete u bënë thirrje për mospjesëmarrje në census dhe mosnjohjen e tij. Nga njëra anë kemi shumicën autoritare shtetërore dhe nga ana tjetër pakicën e ndershme dhe të diskriminuar të minoriteteve. Akoma, vërehen shfaqje të acarimit dhe nxitjes së nacionalizmave, në vend që të bëhet e kundërta. Këto, nuk i shërbejnë interesave kombëtare, dhe është detyrë e organeve shtetërore për të mbrojtur të drejtat e minoriteteve pavarësisht se nga kush cënohen, apo më keq akoma kur ato nxiten nga njerëz apo grupe të caktuara. Kjo kërkon mbi të gjitha që organet shtetërore në radhë të parë, të çlirohen dhe të distancohen nga mentalitetet e së kaluarës dhe ksenofobia. Puna jo serioze e organeve dhe e organizmave shtetërore bëri që nga shumë organizata si ‘komuniteti malazes, ai maqedonas, nga kisha katolike e shumë të tjera të mos njihen rezultatet e këtij regjistrimi... Jo vetëm që “censusi 2011 ishte një dështim i paralajmëruar, por ai ishte në të njëjtën kohë edhe një diskriminim i thelluar, theksoi në diskutimin e tij z. Ligoraq Karamelo.
Më tepër se një census, ai ishte censurë. Ai nuk i shërbeu integrimit të të gjitha komuniteteve në shoqërinë shqiptare, por i shërbeu më tepër përçarjes dhe diskriminimit të këtyre komuniteteve. Ai ç’ka ishte përgjegjësi kryesor, Komiteti Shtetëror i Komuniteteve, pranë Qeverisë, nuk e justifikoi aspak detyrën e tij. Edhe një herë ky Komitet, tregoi se është një organ formal dhe pa asnjë vlerë, kur është puna edhe për këtë çështje kaq të madhe si Censusi 2011. Vegla të tilla , sa për të marrë rrogën, i duhen vetëm një shteti, që nuk zbaton të drejtat e pakicave dhe komuniteteve. E gjithë kjo punë, jo serioze dhe me mangësi të theksuara, pati edhe një faturë financiare jo të vogël, prej katërmbëdhjetë milionë euro, nga taksapaguesit shqiptarë..
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment