Latest News
Të bukurat, që disave u “vrasin” syrin...
Dikur, Mali i Moravës në Korçë, ishte një bukuri e rrallë, me florën e bukur e të shumëllojshme, me ujin e ftohtë. Sot i ngjan një të qethuri “balloboks”, ku vetëm vende-vende ka mbetur ndonjë bimësi. Kudo vepron sëpata. Edhe zjarret nuk mbeten prapa. Nuk dua ti besoj veshëve, atë ç’ka thoshte një devolli.
Nga Pandeli Bardhi
Me syrin e një “bamirëseje” të mirë, mëma natyrë i fali Shqipërisë të gjitha të mirat. Është e vërtetë që ajo, për Shqipërinë, u tregua më e “kujdesshme” dhe më “dorëlëshuar” nga sa u bëri vendeve të tjera. I fali e ç’nuk i fali Shqipërisë. I fali jo vetëm fusha pjellore, por edhe male “pjellorë’’ me të gjitha llojet e mineraleve, të veshur me pyje të bukur. I fali dete, lumenj e liqene të mrekullueshëm. Jo vetëm që nuk i la mangut asgjë mbi tokë, por po kaq të mira e në mos më shumë “i fali” edhe nën tokë. I fali të gjitha llojet e mineraleve, që nga qymyrguri e deri tek floriri. Natyra bëri atë që në jetë të jetëve, këtij populli jo vetëm të mos i mungonte asgjë, por edhe të “flinte” mbi flori! Por, natyra e bëri detyrën e saj, bile e bëri në mënyrë të shkëlqyer.
Mbetej vetëm ajo, që njerëzit, ti shfrytëzonin sa më mirë këto pasuri, në interes të tyre, për të jetuar, shumë herë më mirë nga të tjerët, në kushte më të disfavorshme... Mbi të gjitha, natyra, përveç pasurive që na fali, na e zbukuroi natyrën, me “male të larta e fusha pjellore, me çuka, kodra, brinja, gërxhe, e pyje të gjelbëruar”!
Ajo na “fali” edhe të gjitha mjetet, që të bukurën, këto mirësi, ti përsosim vazhdimisht, pa krijuar asgjë të re… Natyra na “pajisi” me ndjenjën e të bukurës, na “porositi” që atë ta vëmë kurdoherë në shërbimin tonë, duke flakur tej, ndjenjën e të shëmtuarës. Ajo na “pajisi” me ndjenjën e punës dhe jo të dembelizmit, ndjenjën e zbukurimit të mëtejshëm dhe jo të deformimit edhe të atyre që na dha!Sot, mbas kaq kohësh që kanë kaluar, në kundërshtim me rrjedhën e kohës që ka ecur përpara, ato cilësi të mira që na fali natyra, sikur kanë filluar të ecin në drejtim të kundërt! E themi këtë, mbasi me keqardhje vëmë re se bota nuk i ka dhe i krijon, kurse ne, i kemi dhe i shkatërrojmë! Duket, sikur neve na “vret” syrin e bukura dhe po nuk e “shëmtuam” një gjë, nuk na shijon!... Sikur natyra të ishte “gjykatës” dhe të na gjykonte e të na kërkonte llogari, se çfarë kemi bërë për të vënë në shërbim të vetvehtes, ato ç’ka ajo na fali, me siguri do të na kishte dënuar me “burgim të përjetshëm”...
Por, “dënimin” që do të na jepte ky “gjykatës”, ia kemi dhënë ne, vetvehtes. Kemi kohë që “vetëgjyqësohemi” dhe vazhdojmë në këtë rrugë që kemi nisur dhe s’dihet se kur do të “frenojmë”!Shqipërinë e bukur, e bën njeriu i bukur, i sjellshëm, i kulturuar, i vetëdijshëm se gjithçka që bën, e bën në interes të tij, të shëndetit të tij, të mirëqenies së tij, pa pritur nga shteti, i cili bën aq sa bën. Që mund të ishin bërë shumë më tepër gjëra të bukura, kjo është temë tjetër, por nuk mund të thuash që nuk janë bërë. Por ja që këto të bukura që bëhen, njerëzve të “kulturuar” u “vrasin” syrin. Një shembull midis shembujve të pafund, është edhe investimi që është bërë në kurorën e kryeqytetit dhe në Liqenin Artificial. Është për të ardhur keq, tek i sheh këto ambiente kaq të bukura e çlodhëse, shumë të preferuara nga mijëra qytetarë, në mëshirë të fatit. Në park kullosin lopët, të cilat thyejnë e ndotin ajrin e pastër. Shkon aty për tu çlodhur, për të marrë pak ajër të pastër dhe merr erë... bajgë!...Ti do të ulesh në një stol për t’u çlodhur, por është e pamundur që të gjesh një të tillë. Stolat janë të mbushur me hedhurina, mbeturina ushqimesh, qese e shishe plastike, ashtu si edhe ambienti përreth. Kudo hedhurina! Disa punonjëse vijnë vërdallë dhe bëjnë sikur punojnë, duke patur në krye edhe një “shef” që u rri “mbi kokë”, i veshur me kostum e me kollaro! Gjatë gjithë rrugës përgjatë liqenit artificial u vendosën stola dhe drita dekorative, jo pak por plot 86 të tilla.
Nuk kaluan veçse disa javë që ato të shkatërroheshin, jo vetëm poçat të thyheshin, por edhe hekurat të shtrembërohen! Edhe dërrasat e stolave janë hequr! Sa për liqenin, dihet nga të gjithë që atij, vetëm liqen nuk mund t’i thuhet! Në vend të ujit, ai është mbushur me materiale, që nga artikujt plastikë e deri tek xhaketat e rrobat e vjetra! Në hyrje të një Big marketi, aty në afërsi të Librit Universitar, u bë një ambient i bukur me drita e stola. Por edhe këto, nuk i shpëtuan “syrit vigjilent” të gjuajtësve “bukuroshë”, që “stërviten” para se të hyjnë në Kazino! Edhe poçat e llambave u thyen për një kohë rekord, edhe stolat u prishën..Shteti e quan të mbaruar detyrën e tij, vetëm duke nxjerrë ligje, por kur këto ligje nuk zbatohen dhe nuk kërkohet për zbatimin e tyre, është e njëjta gjë sikur të mos kishte fare ligje... Zbatimi i ligjit është kulturë. Me të drejtë populli thotë: “atë që nuk ta jep Perëndia, duhet të ta japi Qeveria”... Por ç’mund të japi kjo qeveri, ashtu si edhe paraardhëset e saj, që jo vetëm qëndron si “sehirxheshë”, kur shikon se si Shqipëria, po shëmtohet përditë e më shumë, por me vetë indiferentizmin dhe paaftësinë e saj, nxit edhe më tej këtë fenomen, që po na bëhet një ves i keq. Është e lehtë të “llomotitësh” ditë e natë si Kryeministri jonë e ta quash Shqipërinë e “bukura e Dheut” dhe “Miss bota”, por është shumë e vështirë, që ta tregosh me vepra, me punë se po bën një gjë të tillë. Megjithatë, është e vështirë të kuptosh se çfarë quan të bukur ky dhe ku e shikon atë. E sheh të bukurën në mirëqenien e qytetarëve, në rritjen ekonomike, në ambientin e pastër, në malet e fushat “pjellore”, në bregoret “bukuroshe” apo ku?
Të gjitha gjasat, sikur nuk e justifikojnë këtë vlerësim të këtij “arkitekti” fantastik dhe nuk është e qartë se në cilin projekt shkatërrimtar që i ka bërë të “bukurës së dheut” duken bukuritë “qeveritare”!... Është e lehtë të flasësh “badihava”, por është e vështirë të punosh, nxitësh e mobilizosh njerëzit, që ata të bëjnë të bukur, gjithçka kanë mundësi, dobi të tyre e të shoqërisë, e mbi të gjitha, zbatimin e ligjit, kudo e në çdo gjë. Një ndër rrugët e bukura është edhe autostrada që lidh Doganën e Kapshticës me Elbasanin. Por kjo e bukur, sipas disa “mjeshtrave” qeveritarë, nuk mund të rrinte pa një të shëmtuar! Dhe e shëmtuara u gjend, duke hapur një kanal në anë të saj, gjatë gjithë gjatësisë për futjen e kabllove optike. Më e keqja është se ky kanal, mbetet ashtu, duke i hedhur një beton shkel e shko... Si edhe shumë rrugë të tjera të bukura, i bëhet edhe një shtojcë e “shëmtuar”! E “shëmtuara” është ajo që asnjëra prej tyre nuk ka një mbikalim apo nënkalim.Përderisa nuk ka shtet, secili sipas kokës së vet, bëhet një “shtet” i vogël! Ata e kanë marrë vetë në dorë iniciativën për të bërë mbi e nënkalime. Janë shkatërruar anësoret dhe njerëzit kanë bërë vetë rrugë, për t’i rënë shkurt e për të dalë në anën tjetër! Fajin, kërkojnë ta gjejnë tek njerëzit, që i bëjnë këto veprime dhe jo tek shteti që është në shërbim të qytetarëve.
Tv Klan çuditet si nuk ka asnjë të ndaluar, për këto veprime. Dakord jemi, veprime të gabuara janë, por ata duhet të çuditen edhe për atë se ku do të kalojnë njerëzit. Mos vallë ata duhet të bëjnë kilometra të tëra për 100 m rrugë? Ku do të kalojnë fëmijët për në shkollë, ku do të kalojnë bagëtia etj., etj. Ja pra që shteti i nxit njerëzit, që ata të bëjnë veprime të “shëmtuara”. Në rrugën e bukur do të kalojnë edhe bagëtitë, edhe karroca, edhe qerrja edhe derrat. Edhe llamarinat anësore, janë vjedhur...As liqenet, as lumenjtë, as malet, as fushat, nuk i kemi të paktën ashtu si i bëri natyra, duke patur parasysh edhe transformimin që i bën njeriu këtyre, për ti shfrytëzuar ato në dobi të tij. Lumenjtë, gërryhen ditë e natë, duke i shndërruar ata në shëmtira të pashembullta! Etja për fitime e disa të pangopurve bën atë, që të shembin edhe urat, të gërryejnë edhe tokat, të shembin edhe ndërtesat! Ligje ka, për ligje flasin të gjithë, por a dëgjon njeri? Ashtu si lumenjtë, edhe liqenet, edhe malet. Bukuria e tyre ka mbetur në “dikurin” e largët. Si ishin dikur, e si janë katandisur sot.
Dikur, Mali i Moravës në Korçë, ishte një bukuri e rrallë, me florën e bukur e të shumëllojshme, me ujin e ftohtë. Sot i ngjan një të qethuri “balloboks”, ku vetëm vende-vende ka mbetur ndonjë bimësi. Kudo vepron sëpata. Edhe zjarret nuk mbeten prapa. Nuk dua ti besoj veshëve, atë ç’ka thoshte një devolli. I venë zjarrin pyllit, që tregtarët të shesin vajgurin, që fshatarët të ngrohen e të gatuajnë me vajguri! Shpresojmë të jenë llafe fshati. Dikur, fusha e Devollit, si një qilim i bukur, i shtruar në “odën” e miqve, sot e ka humbur këtë “shije”. Në tokat e bukës, tek-tuk ngrihen shtëpi banimi. Secili sipas “kustos” së vet. Toka të tjera, kanë mbetur djerr. Të shumta janë parcelat me pemëtoreve, mollë, dardha e kumbulla që zbukurojnë fushën e devollit. Gjë e mirë kjo. E vetmja, “shije” e ëmbël që ndjen, sapo futesh në fushën e Devollit. Por, edhe këta njerëz të apasionuar për punën, rrinë me frikë. A do të na shiten apo do të na mbeten për t’i hedhur në lumë. Ky është ankthi që i bën të rrinë me frikë... Me merak, midis shpresës dhe frikës...
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment