Home | Opinion | Revolucioni i ardhshëm rus?

Revolucioni i ardhshëm rus?

image
Gjendja në Rusi ende nuk mund të quhet revolucion. Megjithatë rusët janë duke u vetëdijesuar se po qe se duan demokraci dhe drejtësi sociale, atëherë duhet të përfshihen në një betejë aktive. 
 
 



Robert Service
 
 
 


Gjendja në Rusi ende nuk mund të quhet revolucion. Megjithatë rusët janë duke u vetëdijesuar se po qe se duan demokraci dhe drejtësi sociale, atëherë duhet të përfshihen në një betejë aktive. Ata më në fund duket se do të jenë të gatshëm të luftojnë për të drejtat e tyre


Oxford – Mikhail Gorbachev, para njëzet vjetësh, njoftoi fundin e një eksperimenti të madh botëror. Pas shtatë dekadash, Bashkimi Sovjetik do të shkatërrohej, pesëmbëdhjetë republikat e tij do të pavarësoheshin, dhe kapitalizmi do ta zëvendësonte ekonominë e planifikuar sovjetike. Eshtrat e mumosur të Leninit nuk ishin prekur në mauzoleun e Sheshit të Kuq në Kremlin në Moskë, por kauza për të cilin ai e kishte përkrahur revolucionin në vitin 1917 më nuk e kishte ndjeshmërinë për miliona rusë dhe miliona persona të tjerë në mbarë botën.

Dy dekada prej asaj kohe, populli rus ka vendosur të çojë krye kundër shtypjes së heshtur dhe sistemit të korruptuar të pushtetit – ata nuk folën deri në momentin kur vota e tyre u vodh në fillim të këtij muaji. Më shumë se pesëdhjetë mijë persona morën rrugët. Kjo thuhet se ka qenë protesta më e madhe ruse pas rënies së Bashkimit Sovjetik në Moskë. Vladimit Putin, që pretendon të kthehet në postin e presidentit, është në telashe serioze pas asaj që po ndodh në rrugë.

Kriza e brendshme e komunizmit, në kontrast me këtë, ishte një çështje e heshtur. Fundi i Bashkimit Sovjetik ishte revolucionar, por nuk kishte një turmë njerëzish që ua kishin mësyrë mureve të Kremlinit, as nuk kishin sulmuar zyrat e KGB-së për të shfryrë kundër agjentëve të saj. Në të vërtetë, fundi i komunizmit u shënua me një aktivitet të ulët politik që nuk ishte parë më herët.

Në televizionin kombëtar, Gorbachev doli me një çehre trimi: “Tani po jetojmë në një botë të re”, tha ai gjatë paraqitjes televizive më 25 dhjetor të vitit 1991, që ishte edhe fjalim i dorëheqjes. “Ka ardhur fundi i luftës së ftohtë dhe luftës së armëve, sikurse edhe militarizimit të çmendur të vendit”. Por ai nuk mundi ta fshihte dëshpërimin e tij se Bashkimi Sovjeti po shpartallohej.

Gorbachev po e paguante çmimin për dështimet e tij. Ligjet ekonomike që kishte fuqizuar në vitin 1988 kishin dobësuar ekonominë shtetërore, pa lejuar krijimin e ndërmarrjeve private. Kishte irrituar institucionet dominuese të vendit – Partinë Komuniste, KGB-në dhe ushtrinë – por kishte nxitur edhe gatishmërinë e tyre për t’iu hakmarrë. Duke i dhënë hapësirë të madhe lirisë së shprehjes, pa vetëdije kishte lejuar radikalët të denonconin komunizmin, ani pse ai kishte bërë shumë reforma.

Gorbachev e kishte marrë me mend se reforma e tij do të sillte shpërthim të “popullit sovjetik”. Por ai nuk e dinte se ky popull më nuk ekzistonte. Estonezët letonët dhe lituanët ishin për krijimin e shteteve të tyre të pavarura dhe kishin zgjedhur bashkatdhetarët e tyre baltikë t’u ndihmonin në këtë rrugë. Gjeorgjianët kishin zgjedhur në vitin 1990 president një nacionalist të regjur. Në mbarë zonat kufitare në perëndim dhe jugperëndim të Bashkimit Sovjetik kishte nisur procesi i dezintegrimit.

Në gusht të vitit 1991, derisa Gorbachev po qëndronte në pushime në Krime, bashkëpunëtorët e tij çuan krye kundër reformave të tij, duke organizuar një grusht shteti. Por komplotuesit nuk kishin llogaritur se për të pasur sukses kishin nevojë edhe për ndihmën e Boris Yeltsinit, një ish-komunist radikal që ishte zgjedhur president i Rusisë para dy muajve. Yeltsini u priu rusëve drejt Shtëpisë së Bardhë të Moskës qendrore. Duke qëndruar mbi një tank, ai i sfidoi komplotuesit. Grusht shteti kishte dështuar dhe në momentin kur Gorbachev u kthye pas arrestit shtëpiak, ishte Yeltsini që dukej heroi i vërtetë. Megjithatë, Yeltsini mendonte se nuk do ta dëshmonte supremacinë e tij derisa të mos shkatërrohej Bashkimi Sovjetik dhe të mos e qeveriste Rusinë e tij të ndarë nga pjesa tjetër sovjetike. Adhuruesit e tij e shikonin një gjigant të madh të së ardhmes nëse do të prishej blloku sovjetik. Ai konsideronte komunizmin si një qorrsokak dhe një ankth totalitar. Dhe ndryshe nga Gorbachev, ai e thoshte këtë hapur dhe pa asnjë ekuivok.

Mundësia e tij për aksion erdhi më 1 dhjetor të vitit 1991, kur ukrainasit votuan për t’u ndarë nga Bashkimi Sovjetik. Pa Ukrainën, ishte e qartë se Bashkimi Sovjetik do të përballej me kërkesa të tjera për ndarje. Yeltsini u takua fshehurazi me presidentin ukrainas dhe atë bjellorus, ku u pajtuan ta prishnin Bashkimin Sovjetik.

Gorbachevit nuk i kishte mbetur tjetër derë, përveçse të pajtohej. Yeltsini e ndoqi atë pa zhurmë nga Kremlini. Populli rus duket se më shumë ishte mësuar t’i shihte politikanët në televizor, sesa të ishin aktivë në transformimin e vendit. Ata kishin kohë të gjatë që tregoheshin cinikë me liderët komunistë, dhe traumat e gjata nga ekzekutimet, arrestimet dhe koha e Terrorit të Madh të Stalinit të viteve tridhjetë, i kishte bërë ata të ftohtë ndaj politikës.

Ani pse mijëra rusë i ishin bashkuar Yeltsinit në sfidimin e komplotuesve në gusht të vitit 1991, u dobësua aktivizimi qytetar me përkeqësimin e gjendjes. 

Pasi që ndërmarrjet shtetërore iu nënshtruan privatizimit, punëtorët filluan që t’i frikësoheshin papunësisë dhe u bënë ballë thirrjeve për të bërë grevë. Sektori rus i prodhimit dështoi; vetëm sektori i materieve petrokimike, arit dhe drurit e përballuan me sukses stuhinë e zhvillimit kapitalist. Një numër i vogël biznesmenësh u bënë super të pasur, duke shfrytëzuar mangësitë ligjore dhe duke përdorur shpesh metoda të paligjshme dhe të dhunshme. Shumica e qytetarëve të Rusisë paskomuniste u lodhën jashtë mase dhe nuk ishin në gjendje të bënin asgjë. 

Protestat publike kundër Kremlinit u bënë më të vështira nën Putinin. I zgjedhur si president më 2000 dhe duke shërbyer tani si kryeministër, ai ka shfrytëzuar manipulimet zgjedhore, diskualifikimin e rivalëve politikë dhe kontrollin e televizionit shtetëror për të mbetur në pushtet. Ndonëse u bë i popullarizuar për shkak se solli stabilitetin, vetë administrata e tij tani është shndërruar në një cak zemërimi. 

Shumica e rusëve janë të lodhur nga korrupsioni, keqqeverisja dhe varfëria që ka pllakosur shtetin e tyre, derisa elita e Kremlinit po fiton nga eksportet e naftës dhe gazit. 

Opozita, që është luftuar me vite të tëra nga vetë Putini, ende nuk ka qenë në gjendje që ta shfrytëzojë jostabilitetin aktual. Megjithatë, protestat e tashme e kanë zgjuar nga gjumi kryeministrin e Rusisë. 

Putin duhet ta kuptojë se supremacia e tij nuk mund të zgjasë përgjithmonë. Gjendja në Rusi ende nuk mund të quhet revolucion. Megjithatë rusët janë duke u vetëdijesuar se po qe se duan demokraci dhe drejtësi sociale, atëherë duhet të përfshihen në një betejë aktive. Ata më në fund duket se do të jenë të gatshëm të luftojnë për të drejtat e tyre. 



(Autori është Pedagog në Kolegjin “St. Antony” të Oxfordit dhe bashkëpunëtor në Institutin Hoovert të Stanfordit) 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0