Home | Opinion | Mirë se vjen viti i shqiptarëve

Mirë se vjen viti i shqiptarëve

image
Dhe lavduroni këtë ditë madhështore! Gëzohuni o Shqiptarë t’arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë. Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju lumenj dhe dete të Shqipërisë! 

 
 



Frank Shkreli
 
 



Jemi në prag të Vitit të Ri 2012. Është një rast që si individë dhe si familje vlerësojmë të arriturat dhe sukseset, por edhe reflektojmë mbi të metat e gabimet e vitit që kaloi. Në të njëjtën kohë, fillimi i Vitit të Ri, përbën një rast të mirë për një angazhim tw ri-dedikim të ri për të përcaktuar për veten objektiva të reja për t’u realizuar gjatë Vitit të Ri. Festa e Vitit të Ri është, pra, një rast i mirë për të ndërmarrë një fillim të ri në përcaktimin e realizimit të objektivave të reja, si individë, si shoqëri dhe si komb.
 
Secili prej nesh përcakton objektivat dhe merr vendime për ato që shpreson të realizojë gjatë Vitit të Ri, duke përfshire një përkujdesje më të mirë për shëndetin, për të gjetur një punë më të mirë për t’u kujdesur më shumë për familjen, për të ndaluar pirjen e duhanit, e tjera. Si komb, me gjithë problemet me të cilat përballet sot ai në të gjitha trojet e veta në Ballkan, kombi shqiptar ka mjaft arsye të festojë këtë Vit të Ri për sukseset e arritura deri tani në këtë përvjetor jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Por, në të njëjtën kohë është edhe një rast i mirë që të reflektojë dhe të përgatitet për sfidat që e presin kombin në 100 vjetët e ardhshëm. Lufta për liri, demokraci dhe pavarësi është një përpjekje e vazhdueshme pasi ajo është çmimi i lirisë së vërtetë të një kombi. Nën tiraninë komuniste, shqiptarët pësuan vuajtje të tmerrshme me humbjen e lirisë dhe të pavarësisë personale, me një çmim të lartë për mbarë kombin. Prandaj, përpjekjet për të ruajtur lirinë dhe pavarësinë, qoftë lirinë individuale qoftë atë kombëtare, duhet të jenë të pa ndërprera dhe të patundura.
 
Kështu që, ndërsa festojmë Vitin e Ri 2012, le të betohemi në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë për tu rikthyer në rrugën dhe në frymën e Nëntorit 1912, si dhe në frymën, objektivat dhe qëllimet e Lidhjes së Prizrenit, e cila shpërtheu vrullin e rilindjes së kombit shqiptar, por edhe të Besëlidhjes së Lezhës me 1444 nën kryesinë e Gjergj Kastriotit-Skënderbe, që populli shqiptar të jetonte i lirë, i pavarur dhe me nder në tokat e gjyshërve dhe stërgjyshërve të tij. Këto objektiva janë aktuale edhe sot.
 
Por besoj se me gjithë sfidat me të cilat përballet sot kombi shqiptar, shqiptarët janë në mes të një rilindjeje të madhe kombëtare. E vetmja gjë që mund të ndalojë dhe të sabotojë këtë ringjallje historike janë përçarjet politike midis vetë shqiptarëve dhe vetëkënaqësia me gjendjen aktuale. Është normale që në një demokraci funksionale të këtë përçarje dhe mosmarrëveshje politike ose taktike, por nuk duhet lejuar që këto mosmarrëveshje të sjellin ujë në mullirin e kundërshtarëve të interesave kombëtare të shqiptarëve, ashtu që të mos ndalohet ose mos Zot të shuhet ky vrull ringjalljeje epokale. Dhe ata që janë të kënaqur me gjendjen aktuale janë ata që besojnë se sfidat janë tepër të mëdha për t’u përballuar, ose mendojnë se fitorja sigurohet pa bërë gjë. Kështu nuk mendonte as nuk vepronte Gjergj Kastrioti me trimat e tij, kështu nuk mendonin të parët tanë në Prizren, aty ku u mblodh e gjithë Shqipëria, dhe kështu nuk mendonin burrat e mbledhur në Vlorë 100-vjet më parë, të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare për t’i deklaruar botës se shqiptarët do të jetonin më vete, të lirë e të pavarur, brenda kufijve ku flitej gjuha shqipe.
 
Lufta dhe përpjekjet e vendosura të brezave të mëparshëm të shqiptarëve gjatë historisë për realizimin e qëllimit kombëtar për të siguruar bekimet e pavarësisë, lirisë, demokracisë dhe të dinjitetit njerëzor për çdo pjesëtar të kombit shqiptar – megjithëse jo i realizuar plotësisht – kanë dhanë më në fund rezultatin e lirisë dhe demokracisë që gëzojnë sot shqiptarët kudo, si asnjëherë më parë në historinë e tyre. Megjithëse misioni nuk është kryer, në këtë Vit të Ri dhe në këtë jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë- me gjithë mend e zemër të festojmë të kaluarën- dhe ndërkohë duke luftuar “intrigat e huaja dhe komeditë e brendshme”, brezi i ri të përgatitet që të përballojë sfidat e ardhshme gjatë 100-vjetorit të dytë, bazuar në vlerat dhe themelet morale të paraardhësve, të cilët me respekt për njërin-tjetrin dhe duke venë interesat e Atdheut mbi ato personale, bënë të mundur këtë përvjetor që festohet me krenari më 2012.
 
Prandaj, sipas Ilia Dilo Sheperit, këtë Vit të Ri që shënon edhe 100- vjetorin jubilar të pavarësisë së Shqipërisë: “Mblidhuni bijtë e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh të Atdheut! Faluni! Përunjuni përpara këtij Senotafi të shënjtë! Adhuroni shpirtërat e Dëshmorëve! Dhe lavduroni këtë ditë madhështore! Gëzouni o Shqiptarë t’arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt’e bukur që fluturoni në qiellin e Shqipërisë. Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju lumenj dhe dete të Shqipërisë! Bekonani ju o Dëshmorët e shenjtë t’Atdheut. KURAJO, DURIM DHE SHPRESË TI O SHQIPËRI’’. (Ilia Dilo Sheperi)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00