Latest News
Viti i pesimizmit të arsyeshëm
Do të doja që në vend të kësaj, 2012-a ta dëshmojë se është një vit në të cilin eksperimentit të euros - kulmi i një procesi pesëdhjetëvjeçar të integrimit politik dhe ekonomik në Europë - do t'i vijë fundi.
Joseph Stiglitz
Dikush kohëve të fundit e tha si me pahir se gjëja më e mirë e vitit 2011 ishte se me gjasë do të mbetet një vit më i mirë se 2012-a. Nëse vazhdojmë qasjen sipas kësaj logjike, derisa ka pasur shumë shqetësime për rënien politike të Amerikës, diçka më e tmerrshme për Amerikën dhe mbarë botën do të ndodhte në rast se republikanët do t'ia kishin dalë me sukses ta mbronin Programin e tyre për mosbërjen e ndryshimeve për shkurtime buxhetore që ruajnë stabilitetin financiar të shtetit. Nuk do të ketë ndryshime të mëdha në politikat ekonomike amerikane së paku edhe në vitin që po hyjmë. Kështu që nuk do të ketë ndryshime radikale deri në vitin 2013.
Edhe dy gjëra të tjera pozitive për 2011-n: Amerika duket se më në fund e ka shkrirë atë dallimit ndërmjet të të pasurve dhe të të tjerëve - ndërmjet njëpërqindëshit në hava dhe çdokujt tjetër. Dhe lëvizjet e rinisë, prej revolucioneve të botës arabe, e deri te rinia spanjolle dhe lëvizja “Pushtoje Wall Streetin”, e kanë bërë të qartë se, o burra, diçka njëmend nuk po shkon me sistemin kapitalist.
Prandaj, me gjasë, janë problemet ekonomike dhe politike që ishin manifeste në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë në vitin që po e lëmë pas - dhe të cilat deri tash janë menaxhuar si mos më keq - por ato vetëm sa do të përkeqësohen në vitin e ri. Çdo parashikim për vitet në vazhdim varet, më shumë se zakonisht, nga qorrsokaku amerikan dhe gatishmëria e liderëve evropianë për t'i gjetur ilaç krizës së euros. Parashikimet ekonomike tani janë të zorshme të bëhen, por ama kur vjen puna te parashikimet politike, topat e kristaltë mjegullohen edhe më shumë. Por le të themi se ky do të jetë parashikimi im më i mirë.
Liderët europianë në mënyrë të vazhdueshme pretendojnë përkushtimin e tyre ndaj shpëtimit të euros, por ata që e bënë shprehi ta përsërisnin këtë fjali, janë të zotuar të mos bëjnë atë çfarë u kërkohet më së shumti. Ata e kanë kuptuar se masat e shkurtimeve buxhetore do ta ngadalësojnë rritjen ekonomike - me gjasë, nuk do ta kemi larg recesionin e radhës, dhe me këtë presion të madh mbi kurrizin e vendeve anëtare, eurozona do ta ketë të vështirë ta menaxhojë krizën. Ama ata nuk kanë bërë asgjë për ta promovuar rritjen. Janë futur në spiralen e vdekjes.
E vetmja gjë që është bërë për shpëtimin e euros është fuqizimi i Bankës Qendrore Europiane t'i shesë bondet e vendeve të zhytura në borxhe, të cilat kanë bërë që të nisë rritja e vlerës së normave të shkëmbimit. Gjermanët kanë vendosur të tregojnë forcën e tyre. Nuk lejuan të ketë një fuqizim të madh të BQE-së, me pretendimin se krizën duhet ta zgjidhin politikanët, e jo bankierët.
Por, përgjigjes politike i ka mbetur pak kohë për ta thënë fjalën e vet. Skenari më i mundshëm, do të jetë pak a shumë kështu: shkurtime, ekonomi më të dobëta, papunësi dhe rritje deficitesh, me liderët evropianë duke dhënë më së paku nga vetja për tejkalimin e krizës. Thënë troç, na presin më shumë trazira ekonomike.
Dita vendimtare - kur euroja vjen në prag të zhdukjes ose kur Europa do ta marrë një hap të jashtëzakonshëm për shpëtimin e monedhës së përbashkët - mund të vijë në vitin 2012, por besoni apo jo, liderët evropianë do të bëjnë çmos që ta shtyjnë atë ditë. Europa do të vuajë, e bashkë me të edhe mbarë bota.
Shtetet e Bashkuara kishin pritur se do të shënonin një rimëkëmbje të prirë nga eksporti, por me shkallën e rritjes ekonomike që po shohim në Europë, konsumatoren më të madhe amerikane, kjo nuk duket se do të bëhet realitet. Dhe në kohën kur pritet të ketë shkurtime të reja buxhetore, mund të ndodhë se administrata e Obamas do të jetë e detyruar të mos zbatojë disa plane taksative për shkak se do të rritej presioni republikan.
Kjo, e kombinuar me uljen e taksave në nivelin lokal dhe shtetëror, do të thotë se masat e para të shkurtimeve buxhetore do të nisin të zbatohen në vitin 2012. Në të njëjtën kohë, dështimi për t'ia dalë mbanë me krizën e patundshmërive - që shkaktoi krizën financiare të vitit 2008, do të ndikojnë edhe më shumë në vitin e ardhshëm, sepse mund të ketë rënie të pronave.
Askush në asnjërin kamp politik nuk duket se është i gatshëm të përballet me faktin se rregullimi i sistemit bankar, ani pse i nevojshëm, nuk ishte i mjaftueshëm për rikthimin e rimëkëmbjes ekonomike. Ekonomia amerikane para pak kohësh po mbahej në jetë nga një mbështetje artificiale që çoi në pasoja të pamenaxhueshme. Nuk ka asnjë mundësi t'i kthehemi gjendjes së vitit 2007.
Ama asnjëra parti nuk është treguar e sinqertë dhe të tregojë se çfarë shkoi keq, ose të dilte me një agjendë të avancuar për adresimin e të metave. Ky vit i Amerikës do të karakterizohet nga afishe të postuara nëpër mure, me slogane për më shumë vende pune, politika të frenuara fiskale dhe mundësi mbështetjeje për ata që do të kenë programe të qarta biznesi. Asnjëra palë nuk do të dalë me një program të rikthimit të stabilitetit ekonomik dhe të reduktimit të pabarazisë ndërmjet të pasurve dhe pjesës tjetër të mbetur të vendit.
Kam qenë një kritik i vendosur i tregjeve, por madje edhe pjesëmarrësit e tregut amerikan, tani duket se kanë nisur ta nuhasin se liderët nuk janë të zotët për këtë detyrë. Nëse investitorët kishin vuajtur në vitet nëntëdhjetë për shkak të ekzagjerimeve politike, ata do të kenë të drejtë të vuajnë nga pesimizmi i arsyeshëm në vitin e ardhshëm. Mbi të gjitha, amerikanët do të jenë të shtrënguar të zgjedhin ndërmjet një lideri që e ka dëshmuar se nuk mund të nxjerrë vendin nga ky lloç ekonomik, dhe një që nuk e ka dëshmuar paaftësinë e tij për këtë punë - por që vetëm se do t'i përkeqësonte gjërat me programet ekonomike që do ta rrisnin pabarazinë dhe do ta ngadalësonin rritjen ekonomike.
Shpresoj se ngjarjet do të dëshmojnë se nuk pata të drejtë, dhe pesimizmi im të dalë i tepruar. Por druaj se rreziqet tashmë janë lëshuar tatëpjetës. Do të doja që në vend të kësaj, 2012-a ta dëshmojë se është një vit në të cilin eksperimentit të euros - kulmi i një procesi pesëdhjetëvjeçar të integrimit politik dhe ekonomik në Europë - do t'i vijë fundi.
Në atë rast, në vend se të kishim një shpresë për një fund të recesionit të madh të 2008-s - një rënie që zgjati shumë dhe shkaktoi shumë vuajtje - 2012-a do të shënonte fillimin e ri dhe shumë më frikësues të një faze të katastrofës më të madhe ekonomike të botës në tre çerekët e një shekulli.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment