Latest News
Një shoqëri, peng e bipartitizmit
Shtresat më në hall të kësaj shoqërie janë fare të zbuluara nga plagët vdekjeprurëse të këtij tranzicioni; njerëzit pa prona, pa punë, pa strehim, pa llogarira e konto bankare, pa mundësi kurimi e shkollimi, pa mundësi lëvizjeje të lirë apo të cunguar etj, etj., përbëjnë...
Nga Astrit Kosturi
Megjithë gamën e epiteteve shteruese për vlerat e demokracisë dhe të pluralizmit si atribut i saj, për mirëqenien dhe prosperitetin e shqiptarëve, të vëna në përdorim me një elokuencë për t’u admiruar nga Berisha dhe të përshtatura me një zhargon bulevardesk nga Rama, të ndjekur në kor nga “fansat” e tyre të paguar mirë, realiteti politik, ekonomik, social dhe moral i shoqërisë shqiptare në këto njëzet vjet paraqitet kurbën e një krize në rritje, të shpallur dhe të konfirmuar nga vetë strukturat e menaxhimit të statistikave në këtë vend. Edhe pse këto struktura janë nën censurën e diktuar të qeverisë, nuk mund të fshehin plotësisht thelbin e një realiteti dramatik, që e ka emrin krizë dhe që ndihet në çdo qelizë së jetës së këtij vendi. Por përtej këtyre shifrave të thata, që gjithsesi konfirmojnë ulje të nivelit të jetesës, ka një realitet shumë më alarmant deri në klithje: shoqëria shqiptare po përjeton një rënie tronditëse, në këtë vend ku po vritet çdo ditë e nga pak starti i ekonomisë së tregut, guri i themelit të një shoqërie të hapur. Por, mbi të gjitha, në këtë vend po vritet shpirti njerëzor, duke lulëzuar babëzia, krimi dhe ndëshkimi, sipas ligjeve të një xhungle të pashpallur, por që shfaqet si një atribut kërcënues i vendit të shqiponjave.
Mazhoranca sot nuk bën asgjë tjetër përveçse përgatit me ngut strategjinë për demagogjinë e radhës, për t’u ricikluar edhe një herë në pushtet me marifete nga të larmishmet, por jo me një platformë bindëse politike. Nga ana tjetër, opozita hesht dhe, dashje pa dashje, mbulon mëkatet e qeverisë. Gjithë lufta e saj politike, hatërmbetjet, kryeneçësia, rebelimi deri në grevë urie dhe protesta të forta, që u pasuan dhe me gjakderdhje (ky krim mbeti një tjetër mister në hije) etj, u shuan si flakë kashte dhe doli në pah një realitet konstant i këtyre njëzet viteve në politikën bipartiake të Tiranës: dy partitë e mëdha janë bashkë në misionin e tyre për të mbajtur peng çdo alternativë tjetër jo vetëm politike por dhe më gjerë të shoqërisë shqiptare. Pra, mbulimi i krizës së një shoqërie të braktisur nga politika në ëndrrën e saj europiane, është një strategji e kësaj politike.
Nxitimi i opozitës për të kaluar me shpejtësi ligjet e sjella nga mazhoranca në Kuvend, tregon lojën e saj të gjithë këtyre viteve, lojën e dy Oborreve kryesore të politikës, për të ruajtur me çdo kusht supremacinë dhe hegjemoninë mbi elektoratin e shokuar shqiptar. Marrëveshja pozitë-opozitë, për kalimin e një sërë ligjeve në Parlament është komentuar nga shumica e opinionistëve si një fund i luftës së nxehtë midis palëve politike, dhe është përshëndetur si një gjë me mend që po bëka kjo politikë, pas njëzet vitesh lufte të pakuptimtë. Në fakt, kjo marrëveshje vetëm sa nxjerr në pah rënien e fasadave dhe realitetin politik hipokrit në një shoqëri ku nuk ekziston një opozitë reale, por një forcë politike që rri në hije duke pritur e nervozuar deri sa t’i vijë radha, sipas një marrëveshje paraprake, për të ardhur në pushtet, ku po sipas marrëveshjes në fjalë, do të qëndroj aq sa duhet, për t’ia lëshuar vendin palës tjetër. Në thelb, kjo shoqëria jonë është peng i këtij bipartitizmi, “kurban” i dy partive të mëdha, që vazhdojnë ta trajtojnë këtë vend si një lopë për ta mjelë, por pa atë përkujdesjen e njohur që tregon blegtori i mirë ndaj kësaj kafshe të urtë e të dobishme. Zhurmënaja e opozitës është një tymnajë, një iluzion virtual, në një realitet ku evidentohet fryma e bipartitizmit, i cili bën ligjin dhe nuk pyet as për Kushtetutë, as për shtet ligjor.
Marrëveshja pozitë-opozitë për të kaluar me shumicë absolute votash një mori ligjesh, si Kodi i ri Elektoral etj, me kushtet qesharake që i ka vendosur minoranca mazhorancës, për të shtruar disa kilometra rrugë rurale dhe gjëra të tjera të këtij soj, as më shumë e as më pak tregojnë mungesën e një pluralizmi real, mungesën e një starti të vërtetë të konkurrimit të alternativave politike dhe zëvendësimin e dhimbshëm të këtij pluralizmi me bipartitizmin, i cili gjatë këtyre dy dekadave stanjacioni dhe pritje absurde të shumicës së shqiptarëve, ka montuar një shtet të ideologjizmit nepotik, për të sendërtuar pushtetin absolut të një për qind të popullsisë mbi nëntëdhjetë e nëntë për qind të saj.
Ky vend ka shumë më tepër probleme për të zgjidhur se sa shtrimi i disa rrugëve rurale (edhe ata sigurisht që duhen shtruar), se sa ndotja e rëndë urbane dhe agresioni akustik (problem jo të vogla, faturat e të cilave i paguan qytetari i thjeshtë). Ky vend ka humbur shpresën në një luftë të pakuptimtë me mafien politike dhe kjo është një çështje madhore për të cilën opozita bën rreket dhe strëmundohet të bëjë të paditurën. Barra e kësaj politike mbi shoqërinë tonë në krizë është e tillë, sa nga pesha e rëndë dhe dërmuese po rënkojnë dhimbshëm e përvajshëm të gjitha shtresat shoqërore të saj, përveç bosëve me jaka të bardha, që kullandrisin “me duar të pastra” punët e saj të ngatërruara qëllimshëm.
Shtresat më në hall të kësaj shoqërie janë fare të zbuluara nga plagët vdekjeprurëse të këtij tranzicioni; njerëzit pa prona, pa punë, pa strehim, pa llogarira e konto bankare, pa mundësi kurimi e shkollimi, pa mundësi lëvizjeje të lirë apo të cunguar etj, etj përbëjnë një numër të konsiderueshëm të popullatës sonë, për të mos thënë që përbëjnë shumicën e popullit. Kjo shumicë e ka kuptuar, më në fund, që ky pluralizëm i shfrenuar dhe pa rregulla loje është një farsë demokratike, një demagogji e radhës, si të gjitha demagogjitë e konsumuara në këtë vend, që nga, bie fjala piramidat, deri tek zhvlerësimi i parimeve morale dhe humane të kësaj shoqërie në krizë dhe panik ekzistencial.
Dy partitë kryesore politike në Shqipëri luajnë lojën e kungulleshave, zihen e ulërijnë sa për sy e faqe, ndërkohë që kujdesen me një zell për t’u admiruar, që asnjë pëllëmbë tokë të mos rrëshqasë nga kulla e ndikimit të tyre mbi këtë shoqëri të traumatizuar, asnjë forcë apo lëvizje e re politike, që nuk çon ujë në mullirin e tyre të ndenjur, të mos bëjë prokopi, të mos promovohet në këtë vend.
Ligji i ri elektoral është një përpjekje diabolike për të përjetësuar dy ngjyrat e shpëlara të kësaj politike: rozë dhe blu, për të ligjëruar militantizmin si pararojë të zhvillimit dhe progresit kombëtar, (progres ky në vendnumëro, për të mos thënë akoma më keq, prapakthehu) çfarë presupozon ecjen jo para, por dy hapa para e tre hapa prapa të politikës, por dhe të krejt jetës ekonomike, sociale e shoqërore të vendit të shqiponjave, të zënë në grackën e një tranzicioni të gjatë e primitiv, që e ka humbur motivin ekzistencial, në një luftë absurde për të përligjur të pamundurën. Kjo nuk është as më pak e as më shumë veçse një atentat i hapur ndaj sistemit, ndaj ligjësive të shoqërive të hapura, ndaj pluralizmit si një zembrek i kësaj shoqërie. I braktisur dhe i zhgënjyer është populli, të cilin dy partitë e mëdha, edhe pse i thërrasin me një emër kuptimplotë “sovrani”, në të vërtetë e kanë katandisur si mos më keq, në një krizat më të thella ekonomike, sociale e morale, që ai ka përjetuar ndonjëherë gjatë këtyre njëzet viteve tranzicioni eksperimental.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment