Home | Opinion | Media sociale, midis emancipimit e shformimit

Media sociale, midis emancipimit e shformimit

image
Media industriale e tradicionale (filmi, gazeta, radio, televizioni) kërkon burime të konsiderueshme financiare në realizimin dhe regjistrimin, publikimin dhe shpërndarjen e informacionit, ndërsa media sociale nuk është e kushtueshme, është relativisht e kapshme dhe lehtësisht depërtuese tek gjithsecili, duke mundësuar shpejtësi komunikimi dhe marrje e dhënie informacioni.
 



Rexhep Mejdani
 
 
 


Në historinë e njerëzimit, revolucioni industrial, në shekujt XVIII-XIX, shënoi një pikë kthese me efekte të gjithanshme social-ekonom-ike e kulturore. Këtë po bën sot, si kudo në botë, përfshirë Shqipërinë, edhe revolucioni dixhital. Ai po ndikon, diku në mënyrë të dukshme, diku në mënyrë të padukshme, organizimet politike-institucionale e sociale-ekonomike, madje çdo aspekt të veprimtarisë së njeriut. Sidomos në vendet e zhvilluara, tepër i rëndësishëm është ndikimi i internetit, roli i tij mbi fuqinë, kontrollin e kufizimin demokratik të pushtetit ekzekutiv, artin e qeverisjes, stilin e bërjes politikë, marrëdhëniet ndërkombëtare, diplomacinë, biznesin, në përgjithësi, dhe tregtinë, në veçanti etj. Nëpërmjet tij, shumë shërbime, ku futet dhe media, funksionojnë sot “online”, pa pagesë. Ndërsa në procesin e edukimit dhe kërkimit shkencor, interneti është bërë aktualisht i pazëvendësueshëm. Kjo është bota e sotme e zhvilluar; asaj po përpiqen t’i  bashkëngjiten edhe shqiptarët, mbi të gjitha, për të kapur sa më shpejt kohën e humbur…
 
***
 Në ditët tona, me anë të një procesi të lirë dhe të shpejtë, përdoruesit e internetit po realizojnë kontakte të shumëfishta, po shkëmbejnë materiale, injektojnë ide e mendime, shprehin preferenca, dëshira e urime. E thënë ndryshe, “web”-i po ndikon thellësisht mbi veprimtarinë njerëzore, marrëdhëniet midis individëve e popujve, pse jo dhe mënyrën e të punuarit dhe të menduarit. Për më tepër, me anë të këtij procesi elektronik komunikimi e kontakti njeriu i sotëm, pa e kuptuar, po krijon e formëson ide e kode, mënyra sjelljeje e veprimi. Në fakt, ai po ndryshon në vazhdimësi shikimin mbi botën, mentalitetin, rregullat e akomodimit në këtë mjedis të ri gjithnjë e më të digjitalizuar. Bile, në mënyrë virtuale, jo thjesht duke iu nënshtruar një lëvizjeje me një drejtim të vetëm, por sipas dy drejtimeve të kundërta. E thënë ndryshe, ai, brenda rrjeteve sociale, po shfaqet dita-ditës me dy pamjet e veta: si aktor e spektator, si drejtues dhe i drejtuar, si kontrollues dhe i kontrolluar, si veprues e pësues, si prodhues e konsumator, si shitës e blerës. Dhe ky është një evolucion i paimagjinueshëm pak vite më parë!
 
 Pikërisht, pjesë thelbësore e këtij ndryshimi është dhe media sociale. Kjo e fundit, paralelisht me instrumentin e zakonshëm të komunikimit – median tradicionale (me rol parësor në procesin e informimit e kultivimit të qytetarëve mbi procese e ngjarje, zhvillime sociale, kulturore, politike, komunitete e individë etj.); po zë një vend në rritje si një instrument shoqëror komunikimi. Veçse ndryshimi mbetet shumë i madh! Media industriale e tradicionale (filmi, gazeta, radio, televizioni) kërkon burime të konsiderueshme financiare në realizimin dhe regjistrimin, publikimin dhe shpërndarjen e informacionit, ndërsa media sociale nuk është e kushtueshme, është relativisht e kapshme dhe lehtësisht depërtuese tek gjithsecili, duke mundësuar shpejtësi komunikimi dhe marrje e dhënie informacioni. Gjithashtu, media sociale, nga natyra e saj është më pak hierarkike, ndërvepruese dhe e menjëhershme në komentim e publikim, duke shpalosur mundësi të shumëfishuara prodhimi e përdorimi. Nëpërmjet saj, jo vetëm transmetohet thjesht informacioni, por dhe bashkëveprohet me të tjerë gjatë dhënies, komentimit, vërtetësisë e shtrirjes së tij. Ky bashkëveprim mund të jetë i thjeshtë si reagim e përgjigje ndaj një pyetje, si koment e vlerësim, si votim për një punim e shfaqje, si sondazh për një individ e grupim etj., brenda dy personave apo një grupi interesi, por dhe shumë më gjerë. Pikërisht, në këtë kuptim, ndryshe nga media e zakonshme, që funksionon, me ndonjë përjashtim të rrallë, vetëm në një drejtim, media sociale vepron në të dy drejtimet, duke realizuar një komunikim të dyanshëm apo të shumanshëm. Të tillë janë, p.sh., ndërveprimet në “Facebook”, shkëmbimet e videove e fotografive në “YouTube” etj. Pra, sot, media sociale, nëpërmjet teknikave të sofistikuara të komunikimit, po realizon, shumë më mirë se më parë, bashkëveprimin social e dialogun ndërveprues, pjesëmarrjen qytetare, kontrollin e mbikëqyrjen, hapjen e transparencën, demaskimin ndaj abuzimit e korrupsionit, spekulimit e falsifikimit. Pikërisht kjo lloj fuqie i bën rrjetet sociale të rrezikshme dhe të papëlqyeshme, bile të urrejtshme prej abuzuesve të pushtetit politik e publik…
 
***
 Por, kjo forcë e madhe te media sociale po manifeston sot edhe anën krejt të kundërt të saj. Në mungesë të një emancipimi individual e shoqëror, të një etike minimale qytetare, ajo mund të shndërrohet në një armë goditjeje e manipulimi, sidomos për motive politike. E thënë më shkoqur, për funksionimin normal të saj, për mbarëvajtjen dhe cilësinë e kontaktit dhe komunikimit, si shqetësim serioz mbetet aty problemi i qytetarisë dhe etikës, shmangia e abuzimit me gjoja faktet, moslejimi i gënjeshtrave dhe fyerjeve primitive, fanatizmit politik, shpifjeve dhe ofendimeve partizane, pse jo dhe probleme të gjuhës së përdorur, nivelit dhe cilësisë së debatit të vetë përdoruesve etj. Kjo bëhet akoma më shformuese e “përdhosëse” në kushtet kur mjaft nga pjesëmarrësit në rrjetet sociale nuk debatojnë me emrat e tyre, por me emra të sajuar e pseudonime. Jo se kanë munguar edhe më parë shpifje e ndyrësi, helmatisje e plehra mbytës në pak media tradicionale, por nëse ato nuk luftohen sot në mënyrë të gjithanshme, mbartësit e këtij infeksioni (tashmë më të kamufluar) do të vazhdojnë ta sëmurin e mbysin me erën e qelbur edhe median sociale, deri duke ia zbehur asaj forcën e saj goditëse qytetare!…
 
***
 Dhe kjo e fundit është tepër e domosdoshme. Sepse, një problem në vete është roli i mbikëqyrjes në mjedisin digjital e median sociale, alternimi i drejtë midis aktorëve kryesorë dhe teknologjive të avancuara. Aq më tepër që edhe në këtë proces shfaqen njëkohësisht dy anët e medaljes. Nga njëra anë, me këtë mjedis lidhet ngushtë mbikëqyrja e qytetarëve (që nëpërmjet rrjeteve sociale zëvendësohet me mbikëqyrjen e realizuar prej tyre). Bile, në një mënyrë apo tjetrën, një gjë e tillë kërkon analizë dhe përgatitje më të mirë individuale e kolektive, sidomos ndaj mbikëqyrjes virtuale në sy të qytetarit. E thënë ndryshe, për të përballuar më mirë nga ana psikologjike, në një të ardhme të afërt, këtë lloj ndërhyrje me kamera në rrugë, regjistrimet e sigurisë në hyrje të bankave, institucioneve kryesore, shkollave etj., përfshirë dhe regjistrimet private audiovizive. Në shumë vende të zhvilluara, edhe pse një gjë e tillë prek anonimatin e individit, ajo konsiderohet jo vetëm normale, por dhe e nevojshme, bile tepër e dobishme në kuadër të rritjes së sigurisë njerëzore, të përbërëseve kryesore të saj.
 Nga ana tjetër, po aq e rëndësishme, është dhe mbikëqyrja prej vetë qytetarëve. Aq më tepër që mjedisi dixhital, media sociale, rrjetet sociale mund të mishërojnë dy pamje të kundërta “dhune”: atë transparente (pozitive) dhe atë opake (negative), atë emancipuese dhe atë shformuese. Për fat të keq, në mjedisin virtual shqiptar, aspekti emancipues është ende tepër i dobët. Bile, me sa duket, për arsye të trysnive, komandimeve e “shitblerjeve” politike, pisllëkut të disa individëve, instrumente të  tillë si, p.sh. “Facebook” apo “Twitter”, nuk kanë arritur të mbledhin, të qarkullojnë gjerësisht informacionet e duhura mbi korrupsionin, abuzimin politik e administrativ, mbi veprimtaritë e ndryshme kriminale etj., pse jo edhe të rrisin ndjeshmërinë e domosdoshme qytetare, deri në shfaqjen e saj goditëse në procesin zgjedhor.
 
 Veçse, media sociale, krahas shfrytëzimit të saj me frymëmarrje pozitive nga të rinj jashtë politikës, po përdoret edhe nga një pjesë e politikës, shpesh në mënyrë të tërthortë dhe të papastër, deri duke shformuar rolin e saj. Bile, për fat të keq, në disa raste rreth kësaj pjese aktivizohen dhe jo pak “punëtorë me mëditje politike e financiare”. Këta të fundit shërbejnë shpesh për krijimin e murit elektronik ndaj “rebelëve”, kritikuesve, “të papëlqyerve” të bosëve të tyre. Në mënyrë të orkestruar, ata “urdhërohen” për të sulmuar, intimiduar e mbytur çdo zë që i krijon dhimbje veshit të “bosit” politik. Për më tepër që individi, edhe pse i sulmuar krejtësisht me të padrejtë, nuk e ka të lehtë për t’u përballuar i vetëm me të gjithë pjesëtarët e grupit të komanduar, të shndërruar kështu në njëfarë “mafie” publike-mediatike! Kjo e fundit, e nxitur nga “plehra” (që e kanë zhyer në vite tranzicionin shqiptar), përpiqet të fusë teknologji virtuale “getoje”, që e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë emancipimin shoqëror e demokracinë pluraliste shqiptare, që vazhdojnë të helmojnë opinionin publik, të shformojnë realitetin dhe të turbullojnë ndërgjegjen shoqërore, duke goditur e mbuluar vetë të vërtetën për interesa financiare dhe pushteti të shefave pas tyre. Për të minimizuar këto efekte tepër negative të shfrytëzimit të rrjeteve sociale, aq më keq për qëllime krejt të pista, në mjaft rubrika sociale vlen të përfshihen si kritere komunikimi edhe disa elemente emancipuese si imazhi i vetë individit pjesëmarrës, përfshirë dhe të dhëna të tjera të rëndësishme të tij. Kjo mund ta bëjë më të besueshëm jo vetëm profilin vetjak të pjesëmarrësit, por dhe shumë më etik, intelektual e qytetar, debatin me të tjerët. E thënë ndryshe, vlen të mbështeten ato hapësira publike ose platforma të medias sociale që synojnë të respektojnë disa rregullime etike-redaktoriale, deri “ligjore”, në funksion të frymëmarrjes dhe emancipimit individual e kolektiv, kundër fyerjes, urrejtjes e cenimit të dinjitetit njerëzor dhe, mbi të gjitha, si kundërvënie qytetare ndaj manipulimit publik e politik të pistë. Pra, për t’i shërbyer emancipimit dhe për të minimizuar deformimin ende të padënuar publikisht e ligjërisht…

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0