Home | Opinion | * * *

* * *

image
Pavarësia dhe integriteti i institucionit duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm se korrupsioni nuk ka ngjyrë, nuk është as i kuq, as blu, por është i zi. Konstatoj se brenda strukturave të brendshme të KLSH mungon koordinimi në nivelin e duhur. 





Nga Bujar Leskaj* 
 
 
 
 
 
 
Vitin që porsa përfundoi, duke respektuar punën e të gjithë kontrollorëve të KLSH, e vlerësoj një vit pune në zbatim të rekomandimeve të Rezolutës së 2 qershorit 2011 të Kuvendit të Shqipërisë dhe të objektivave të Planit të tij Strategjik të Zhvillimit 2009-2012. Gjatë këtij viti, KLSH ka kryer 152 kontrolle, ku janë konstatuar shkelje financiare me dëm të konsiderueshëm ekonomik dhe ka rekomanduar shpërblimin e këtij dëmi ekonomik në nivel të lartë financiar në arkën e Shtetit. Janë propozuar 1,605 masa korrigjuese administrative, nga të cilat 1,108 janë zbatuar. Nga 720 masa disiplinore dhe administrative të rekomanduara, janë zbatuar 536 prej tyre. Përgjithësisht më duhet të pohoj se janë masa relativisht të lehta. Gjithashtu, KLSH ka kryer kallzim penal gjatë vitit 2011 pranë organeve të Prokurorisë në 6 raste dhe për 13 persona. Pak! Shumë pak! Dobët për të gjithë ne. 
Duke vlerësuar punën gjatë vitit 2011, analizat vjetore të departamenteve në këtë muaj të parë të vitit 2012 dhe përpjekjet e shumta prej jush në auditimet e kryera dhe në raportimet e dhëna, më duhet të pohoj se kemi ende shumë për të bërë, për të qenë konform standardeve ndërkombëtare të auditimit, sidomos me Strategjinë e INTOSAI për vitet në vazhdim (2011-2016), të titulluar “Për promovimin e përgjegjshmërisë, transparencës dhe qeverisjes së mirë”. Kjo strategji, e miratuar në Kongresin e INTOSAI në Johanesburg në vitin 2010 përmban objektivin 
e “Vazhdimit të luftës ndaj korrupsionit”. 

Ne duhet ta denoncojmë korrupsionin edhe kur ai është në një njësi vendore që drejtohet nga socialistët apo demokratët, edhe kur është ushtruar në institucione qendrore, pra në çdo vend dhe kohë. Ne do të kërkojmë riaktivizimin potencial të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Financave, Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror, Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive dhe KLSH, me synim maksimizimin e dobisë së vlerave të saj për çdo departament. Do të punojmë për një bashkëpunim intensiv me Departamentin e Antikorrupsionit në Këshillin e Ministrave dhe për një rivendosje të marrëdhënieve me Prokurorinë, të shkëputura prej disa vitesh. 
Të gjithë duhet të kuptojmë se, nuk ka kontroll pa ndëshkim. Është e rëndësishme që ne të largojmë hijen e kontrolluesit gjobëvënës dhe të atij që abuzon me detyrën. Deri tani janë shumë pak masat për largimin nga puna të personave shkaktarë përgjegjës të dëmeve të konstatuara. 
Pavarësia dhe integriteti i institucionit duhet të na bëjë të ndërgjegjshëm se korrupsioni nuk ka ngjyrë, nuk është as i kuq, as blu, por është i zi. Konstatoj se brenda strukturave të brendshme të KLSH mungon koordinimi në nivelin e duhur. Ka ndodhur që në një subjekt nën kontroll të shkojë një grup auditimi i njërës drejtori dhe pas disa muajsh një grup tjetër nga një departament tjetër, duke ia ulur seriozitetin dhe imazhin institucionit. Informacioni për kontrollet e kryera dhe rezultatet e marra nuk qarkullon elektronikisht mes departamenteve dhe shumë pak punonjës kanë njohuri të mjaftueshme për atë çfarë ndodh në departamentin fqinj. 
Sfida jonë për vitet në vijim do të jetë partneriteti me Gjykatën Evropiane të Audituesve. Do të synojmë të marrim pjesë në programet e tyre të kontrollit për vendet që aspirojnë për në Bashkimin Evropian dhe që përfitojnë nga programet e asistencës së BE-së, përfshirë vendin tonë. Për thellimin e dijeve në auditimin e performancës, do të vazhdojmë partneritetin me institucione homologe që na kanë ndihmuar në të kaluarën, si Zyra Kombëtare e Auditimit e Britanisë së Madhe apo 
Gjykata Hollandeze e Auditimit, por njëkohësisht duke kërkuar 8 partneritet edhe nga institucioni homolog gjerman, suedez apo i vendeve të tjera të fuqishme të EUROSAI. Ne do të nisim të kryejmë auditime të performancës për kreditë që 
strukturat publike qendrore dhe vendore marrin nga institucione dhe organizata të huaja, duke parë tendencën në rritje të këtyre financimeve për ekonominë dhe shërbimet publike të vendit. Vlerësimi i performancës së kredive kërkon dije të zgjeruara dhe specifike dhe për këtë do të kryejmë trajnimet e duhura. 

Në fillimin e vitit 2012 e organizuam duke analizuar gjerësisht punën e  departamenteve, arritjet, mosarritjet, dobësitë tonat dhe të partnerëve tanë e të institucioneve të tjera në Shqipëri. Gjatë kësaj jave takimesh me secilin prej jush në analizën vjetore të drejtorive përkatëse, kemi mundur të ridimensionojmë objektivat tona si auditues të lartë dhe të dimë se ç’kërkohet nga ne. Këtë vit i kemi kryer ndoshta për herë të parë këto takime krejtësisht të hapura. Njerëzit e medias dhe të shoqërisë civile janë ftuar të qëndrojnë në ballafaqimet tona dhe të na njohin e kuptojnë deri në fund, me mundësitë, dobësitë dhe përparësitë tona, si në një libër të hapur. E kemi kërkuar dhe gjithnjë do ta kërkojmë këtë partneritet me median dhe shoqërinë civile, pse janë aleatët tanë më të vlefshëm për të ndërgjegjësuar publikun dhe nëpërmjet tij vendim-marrësit publikë për rolin dhe detyrat tona në të ardhmen. 
Programi i veprimtarisë i KLSH për vitin që sapo kemi hyrë, synon tejkalimin e mangësive të cituara më sipër dhe fuqizimin e mëtejshëm të  rezultateve dhe arritjeve të derisotme të institucionit. Në vijim po përqendrohem në disa nga drejtimet më kryesore, ku mendoj se duhet të intensifikojmë punën për shndërrimin e KLSH në një strukturë profesionale që përdor në mënyrë ekonomike burimet e saj dhe që funksionon me efiçiencë dhe efektivitet, drejtime të cilat ia kam paraqitur në fund të vitit të kaluar Komisionit për Ekonominë dhe Financat të 
Kuvendit të Shqipërisë dhe që janë thelluar më tej pas konsultimeve të  deritanishme me ju. Më konkretisht: 

1- Vizion koherent për KLSH, mbi bazën e eksperiencave më të mira të vendeve të BE-së dhe respektimit rigoroz të standardeve ndërkombëtare të kontrollit INTOSAI. 
2- Thellim i realizimit të misionit të KLSH në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve në administrimin e pronës publike. Ky obligim do të jetë përparësia jonë madhore gjatë planifikimit dhe kryerjes së auditimeve për këtë vit dhe në vijimësi. 
3- Përmirësim i metodologjisë së kontrollit, duke kthyer vëmendjen tek auditimi i performancës dhe auditimi i certifikimit të pasqyrave financiare, krahas rritjes së efiçiencës së auditimit financiar. 
4- Realizim i sinergjizimit të politikave dhe veprimeve me strukturat e tjera shtetërore të së njëjtës fushë, si me Departamentin e AntiKorrupsionit pranë Kryeministrisë, me Njësinë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm, me Drejtorinë e Inspektimit Financiar Publik pranë Ministrisë së Financave dhe, në veçanti me organet e Prokurorisë, duke ruajtur pavarësinë e KLSH si organi më i  lartë i kontrollit ekonomiko-financiar. 
5- Komunikim dhe ndërveprim me Kuvendin, Qeverinë dhe partnerë të tjerë institucionalë, sidomos intensifikim i konsultimeve me Komisionin për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë për përafrimet strategjike të KLSH 2013- 2018, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ndaj Kuvendit, si një detyrim kushtetues. Brenda gjysmës së dytë të këtij viti, do të përgatisim Planin Afatmesëm Strategjik të Zhvillimit të institucionit për vitet 2013-2015. 
6- Programim dhe konsolidim e bashkëpunimit me ekspertët universitarë dhe akademikë të auditimit të financave publike, si dhe me organizata profesionale të kontabilitetit dhe të fushave të tjera të ekonomisë. Unë sapo vij në këtë analizë pas një takimi të vyer me profesorin gjerman, ekspertin e financave publike Hans Ditrich Wenzel. 
7- Intensifikimi i bashkëpunimit me organizatat ndërkombëtare të auditimit si INTOSAI dhe EUROSAI, me institucionet e larta të kontrollit të BE-së, si SIGMA dhe Gjykata Europiane e Audituesve, me institucionet homologe të vendeve të BE- së dhe të rajonit dhe në veçanti me Zyrën e Audituesit të Përgjithshëm të Kosovës. 
8- Zhvillim i burimeve njerëzore të KLSH në nivelin e parametrave të kërkuar nga institucionet ndërkombëtare të auditimit dhe në përputhje me sfidat integruese të vendit. Në këtë kontekst, do të përshtaten më mirë cilësitë profesionale dhe aftësitë e secilit punonjës, me strukturën organike të institucionit, duke bashkuar apo krijuar struktura të reja (si për shembull Vendimi i ditëve të para në ushtrimin e detyrës sime për krijimin e Drejtorisë për Kërkimin, Zhvillimin dhe Kontrollin e  Brendshëm), të afta të përballojnë sfidat e kohës dhe kërkesat e standardeve të miratuara nga INTOSAI. Do të ketë rritje cilësore dhe të numrit të kontrollorëve të trajnuar brenda dhe jashtë institucionit, mbi bazën e listës së nevojave reale të stafit për ngritjen profesionale dhe të kërkesave të shtruara për institucionet supreme të kontrollit në Rezolutën e Kombeve të Bashkuara të datës 22 dhjetor 2011 dhe kërkesave në Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me BE. 
9- Ngritje e kapaciteteve të nevojshme për parandalimin dhe zbulimin e krimit ekonomik në teknologjinë e informacionit. Qeverisja elektronike po fiton gjithnjë e më shumë terren në administrimin e pasurisë publike dhe ofrimin e shërbimeve publike në Shqipëri dhe është e kuptueshme që 12 përdorimi i sistemeve të teknologjisë së informacionit të shoqërohet edhe me forma të reja të krimit ekonomik. Kjo është edhe një nga sfidat më të rëndësishme të KLSH-së në një periudhë afatshkurtër. 
10- Përmirësim i transparencës në marrëdhëniet me publikun, nëpërmjet një partneriteti të gjerë me median dhe me organizatat jo-fitimprurëse të interesuara për bashkëpunim. Vend të veçantë do të zërë partneriteti i KLSH me shoqërinë civile të angazhuar në luftën për parandalimin e mashtrimit financiar dhe korrupsionit. Në përgjigje të ndjeshmërisë dhe pritshmërisë së publikut, kam realizuar me shkresën zyrtare Nr. 92 datë 19.01.2012 dorëheqjen nga imuniteti si 
Kryetar i KLSH. 

Në mbyllje dua të jap mesazhin se do të punojmë për një institucion të lartë auditimi që siguron një komunitet të angazhuar që ka interes ta mbajë qeverisjen qendrore dhe vendore përgjegjëse. Për këtë do të fuqizojmë rolin e pazëvendësueshëm kushtetues te KLSH si institucioni kryesor ekonomiko-financiar, për ekonominë dhe shoqërinë tonë, me detyrë kontrollin e miradministrimit të pronës publike dhe shëndoshjen e financave publike, duke i shërbyer me devotshmëri Kuvendit dhe duke rritur pjesëmarrjen e opinionit publik në realizimin e Buxhetit te Shtetit dhe të auditimit në tërësi.
 
 
*Kryetari i KLSH 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0