Latest News
Ja pse duhet përjetësuar 21 Janari
Thënia e ish ambasadorit amerikan Widhers, gati në përlotje, se “më 21 janar 2011 u derdh gjak i shenjtë shqiptar”, ishte një përmbyllje drithëruese e gjithë asaj panorame që ai bëri për situatën tejet të rëndë në të cilën ndodhet Shqipëria sot.
Nga Noel Hajdini
(Ish ambasadori amerikan Widhers: U derdh gjak i shenjtë shqiptari) Dy ditë më parë të gjithë pamë “autogolin” e kësaj qeverie, përmes emisionit të Blendi Fevziut, “Politika dhe videopërgjimet” në TV “Klan”. Humnera ku kemi rënë të gjithë si shtet e si komb është shumë më e thellë nga sa e mendonim: Në zyrat e shtetit, shtetarët tanë, ministra e zëvendësministra të qeverisë së Sali Berishës luanin “live” para miliona shqiptarëve me miliardat e megakorruspionit. Pamje të kësaj natyre, asnjëherë nuk na kishin parë sytë deri sot. Afera me pako të tëra eurosh, lumë parash në “cash”, “me dengje” siç thotë populli, derdheshin në tavolinën e punës së një zyre të rëndësishme të këtij shteti. Gjykata e nxori të pafajshëm Ilir Metën. Kurse biseda korruptive dhe paratë që derdheshin lumë, sipas pamjeve në video që na dha emisioni “Opinion” na shokuan të gjithëve. Na asfiksoi të gjithëve, na preu gjunjët ky demonstrim korruptiv ekstra. Pra, asgjë s’ka qenë fallco, në gjithë këtë mesele disa vjeçare. Një vit luftë e fortë politike rreth kësaj teme, nuk ka qenë e kotë, natyrisht. Nuk ka asnjë njeri naiv në këtë botë që të mendojë të kundërtën. Kjo, pra, provon qartë perceptimin e pagabueshëm të opinionit publik shqiptar, të të gjitha kategorive shoqërore shqiptare në përgjithësi, për nivelin e lartë të korrupsionit që ekziston në Shqipëri.
Çfarë është thënë një vit më parë për megakorrupsionin në qeverinë e Sali Berishës, nuk ka patur asgjë të dyshimtë apo të diskutueshme. Kjo provon edhe një herë se motivimi i atyre që demonstruan përpara Kryeministrisë një vit më parë, ka qenë i plotë, e mëse i arsyeshëm. Kjo qeveri duhet të ikë. As atëhere, më 21 janar 2011 dhe as tani më 21 janar 2012, nuk mendon njeri në këtë vend se qeveria duhet rrëzuar me mjete jo demokratike, me barbarizma apo me forma jakobine. Jo. Kjo qeveri, (në realitet mashtruese) duhet të ikë. Duhet të ikë, sa më parë. Ndërkombëtarët gati sa nuk e artikulojnë haptaz largimin e saj pa kushte. Kjo qeveri, me një takëm ministrash të zhytur keqaz në korrupsion, duhet të largohet vetë. Për këtë arsye, 21 janari, duhet përjetësuar në historinë e re të demokracisë shqiptare. Pamjet skandaloze të megakorruspionit qeveritar, të para përmes “autogolit” të djeshëm të “Klan”-it, i japin të drejtë cilitdo në këtë vend për të gjykuar se sa drejtë e kanë patur protestuesit e një viti më pare, teksa demonstruan përpara Kryeministrisë. Dhe kjo qeveri, ky kryeministër që kemi në krye, vrau katër njerëz të pafajshëm.
Katër familjarë të mirë, katër pjestarë të kësaj Europe, drejt së cilës duam të shkojmë. Thënia e ish ambasadorit amerikan Widhers, gati në përlotje, se “më 21 janar 2011 u derdh gjak i shenjtë shqiptar”, ishte një përmbyllje drithëruese e gjithë asaj panorame që ai bëri për situatën tejet të rëndë në të cilën ndodhet Shqipëria sot. E gjunjëzuar para një korrupsioni të pa-fre të qeveritarëve. Të atyre që janë përfolur, natyrisht. Ja pse duhet përjetësuar 21 janari. Që në këtë vend të mos ringjallen më “demokracitë hibride”, apo “demokraturat” e tipit putinian. “Shqipëria po bën hapa drejt lindjes”. E rëndë, por shumë e vërtetë, kjo aksiomë e ish-ambasadori Widhers... Me një qeveri si kjo e Sali sulltanit, nuk mund të bëhen hapa ndryshe, veçse drejt... lindjes. Shqipëria është sot vendi i mijëra të papunëve. I mijëra njerëzve që nuk mbyllin dot ditët e muajit me ato pak qindarka që iu “garanton” kjo mënyrë qeverisje. Nga njëra anë thotë “po ju rris rrogat e pensionet”, kurse nga ana tjetër ua merr përmes taksave e rritjes së pakontrolluar të çmimeve. Thuhet se këto ditë bileta e autobusit do bëhet 70 lekë, nga 3 lekë që është deri tani. Asnjë projekt për kompensim. Ndërsa Basha, ish-ministri që pa nga dritarja e kryeministrit vrasjet e katër njerëzve të pafajshëm më 21 janar 2011, tani kryetar bashkie, (i zgjedhur me vota të vjedhura), thotë se “për këtë popull, kam hequr 60 taksa (!!).
Ku? Si? Nuk shpjegon. Thjeshtë, flet me gjuhën mashtruese të kryeminstrit të vet. Ja pse kjo qeveri duhet të ikë dhe ja pse 21 janari 2011 duhet përjetësuar në histori. Në “Opinion” të Fevziut, shqiptarët panë më sytë e tyre pako të trasha eurosh që ndaheshin mes qeveritarëve. Asnjë nuk mund thotë se kjo nuk ka ngjarë. Ishte vetëm me një të shikuar. Po sa herë ka ndodhur kjo? Asnjë nuk di të thotë. Mbase ndodh përditë në zyrat e shtetit shqiptar. Ja pse 21 janari 2011 duhet përjetësuar. “Çanta ime është e mbushur plot me video të tjera që tregojnë korrupsionin”, tha Spartak Braho. Kjo është një çmenduri e vërtetë. Nuk ka rëndësi se si e ka emrin ai që e luan këtë korrupsion: Ilir, Dritan, Gimi, apo Leonard. Asnjë rëndësi nuk ka kjo. Duhet të jesh budalla që të mos besosh të vërtetën ulëritëse. Ndërsa në këtë vend, ka mijëra e mijëra të varfër, çantat e qeveritarëve mbajnë pako me para të vjedhura. Kjo nuk është thjeshtë fyerje, jo. Ky është korrupsion pa limit. Më tej akoma: Është prerje me sopatë mbi zverkun e shqiptarëve. Në ato pamje nuk kish asnjë gjë të sajuar. Asnjë për be. Ja pse kjo qeveri duhet të ikë vetë.
Ja pse demonstrimi i popullit duhej të ishte një qind herë më i motivuar se kaq. 21 janari duhet përjetësuar për të na kujtuar gjithmonë se nuk duhet ndërtuar kështu shteti demokratik. Se duhet ndëshkuar çdo lloj qeverisje që drejton vendin në këtë mënyrë. Se qebaptorja e Saliut tani është qelbur krejt. Në çdo qoshe të saj ka “çorbë të prishur”. Që nga gëlltitja e parë e kësaj çorbe, nga Xhuveli, e deri tani tek “Ilir Meta e co”, ka një lumë të tërë që kutërbon. Po e dëgjon edhe bota erën e keqe. Mesazhet e forta të zotit Widhers nga ”Zëri i Amerikës” apo të zëvendëspresidentit për strategjinë dhe analizën në PE, zoti Christofer Walker nuk lenë vend për tjetër gjykim: Shqipëria po bën hapa prapa, korrupsioni i egër, gërryes dhe i pashpirt po e largon nga Europa.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment