Latest News
Dy mocione mbi reciprocitetin
A ekziston në Shqipëri ndonjë ndjeshmëri politike, individuale e shoqërore për këtë çështje? Në të vërtetë, ka disa shenja që mund të interpretohen si të tilla. Madje, ky ishte refleksi im në bisedën me një ambasador që deri pak vite më parë përfaqësonte Shqipërinë në një vend të rëndësishëm.
Rexhep Mejdani
Lëvizja “Vetëvendosje” i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të zbatojë mocionin e reciprocitetit, të miratuar në Kuvendin e Kosovës kohë më parë. Në funksion të kësaj kërkese, në dy protestat e fundit ajo është përpjekur të bllokonte dy pikat kufitare, në Mërdarë dhe Dheun e Bardhë. Mocioni i lëvizjes “Vetëvendosje” është miratuar me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës. Ai kërkon nga qeveria e Kosovës zbatimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, përfshirë regjimin tregtar apo çështje të tjera në fushën ekonomike, politike etj. Madje, në shtator 2011, kjo lëvizje inicioi fushatën “Duaje Tënden”, me synim kryesor promovimin e produkteve kosovare.
Por, protesta e 14 janarit, me një shpërpjesëtim të panevojshëm të forcës së ushtruar prej policisë, e detyroi PDK-në që të hartonte një mocion të ri mbi reciprocitetin. Kështu, më 20 janar 2012, pas një debati të ndezur, Kuvendi i Kosovës (me 59 vota pro, 41 vota kundër dhe 1 abstenim) rrëzoi mocionin e lëvizjes “Vetëvendosje” dhe miratoi atë të PDK-së, duke shfuqizuar vendimet e mëparshme. Sipas tij, qeveria e Kosovës merr kompetenca të plota për zbatimin e masave të reciprocitetit. Në përputhje me këtë mocion: Kuvendi i Kosovës i mirëpret marrëveshjet e arritura midis Kosovës e Serbisë dhe mbështet zbatimin e tyre të tërësishëm; qeveria, në përputhje me kompetencat kushtetuese e ligjore, angazhohet në mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe të ndjekë zbatimin e përfundimeve të arritura, duke pasur kompetenca të plota në zbatimin e masave të reciprocitetit; ajo është e detyruar që t’i raportojë Kuvendit lidhur me mbarëvajtjen e procesit të dialogut dhe reciprocitetit. Ia vlen të theksohet se këto dy mocione nuk kanë të njëjtin theks: në rastin e parë vendimmarrja mbi reciprocitetin i takon Kuvendit, kurse në rastin e dytë kjo vendimmarrje i delegohet qeverisë, gati duke e shmangur Kuvendin. Sidoqoftë, debati mbi reciprocitetin i ka shërbyer dhe do t’i shërbejë pozitivisht jetës politike e shoqërore në Kosovë e Shqipëri, veçanërisht rritjes së pjekurisë politike, mirëqeverisjes dhe rolit të mekanizmit parlamentar, fuqizimit të ndikimit të shoqërisë civile dhe aktivizimit qytetar…
A duhet të respektohet reciprociteti?
A ekziston në Shqipëri ndonjë ndjeshmëri politike, individuale e shoqërore për këtë çështje? Në të vërtetë, ka disa shenja që mund të interpretohen si të tilla. Madje, ky ishte refleksi im në bisedën me një ambasador që deri pak vite më parë përfaqësonte Shqipërinë në një vend të rëndësishëm. Tek ai ndjehej njëfarë pakënaqësie, diku e drejtpërdrejtë, diku e tërthortë, ndaj “ndërhyrjeve” të disa ambasadorëve të huaj të akredituar në Shqipëri, sidomos për çështje të brendshme të politikës shqiptare dhe të qeverisjes. Kjo, edhe pse këta të fundit, më shpesh, ishin të detyruar!…Argumenti kryesor në pozicionimin e tij të prerë mbetej respektimi i parimit të reciprocitetit. Asnjëherë ai nuk e kishte dëshiruar apo marrë këtë rol. Por as ishte lejuar për diçka të tillë, qoftë dhe kur ishte akredituar në ndonjë vend problematik, në kuptimin e zhvillimit demokratik. Jo thjesht për mungesë kapaciteti e kuraje, as për respekt tradicional diplomatik, por dhe sikur ta guxonte “miqësisht” këtë ndërhyrje, ai do të ndeshej në “barriera” serioze; jo vetëm nga politika e qeverisja e vendit konkret, por as media nuk e pranonte këtë ndërhyrje, aq më keq që t’ia ushqente këtë lloj “oreksi”. Veçse nuk duhet harruar dhe një element tjetër. Në procesin e globalizimit, në vend të sovranitetit klasik, një përmasë reale po merr ndërvarësia. Për më tepër, në binomin sovranitet-ndërvarësi, termi i parë po bëhet më relativ, ndërkohë që termi i dytë po fiton një përmbajtje më absolute. Kjo gjë pasqyrohet, në një mënyrë apo tjetrën, edhe pse jo gjithmonë e kudo, me zëvendësimin e reciprocitetit tradicional me atë të ndërvarur, me zëvendësimin e barazisë së plotë në reciprocitet me anësimin pjesor në një nga “krahët” e tij!…
Por ç’është reciprociteti?
Reciprociteti është mjaft i rëndësishëm në marrëdhëniet midis shteteve, përfshirë dhe traktatet ndërkombëtare. Sipas tij, të drejtat e detyrimet, favoret, përfitimet e procedimet për qytetarët (apo njësitë e tjera legale), në kooperimin midis dy shteteve, duhet të jenë të ndërsjella. P.sh., ky reciprocitet vlen në reduktimin e tarifave, në garantimin e të drejtave të autorit, në njohjen reciproke dhe detyrimin e gjykimit (përfshirë ekstradimin), lehtësimin e kufizimeve të lëvizjes, kushtëzimin për vizat apo heqjen e tyre etj. Ai ka një vlerë të veçantë (në mungesë të një autoriteti qendror të jashtëm) për të mundësuar e garantuar respektimin e marrëveshjeve të ndërsjella, dypalëshe e shumëpalëshe, një sjellje sa më të njëjtë ndaj tyre.
Duhet shtuar dhe diçka tjetër. Politika botërore, në të shumtën e rasteve, mund të konsiderohet ende si anarkike, me një “qeverisje” të përbashkët të dobët, me përqendrim të zbehtë e autoritet hierarkik të paqartë. Edhe pse dëshirohet kooperimi (i plotë apo i pjesshëm), ai vazhdon të jetë i kufizuar, në shumicën e rasteve në përputhje me parimet e sovranitetit në kuptimin e sotëm. E njëjta gjë vlen edhe për ligjin ndërkombëtar, përfshirë respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Veçse, aktualisht, me praninë e dy gjykatave në Hagë nuk mund të flitet më për mungesë autoriteti global, përfshirë edhe procedimin e krimeve ndaj njerëzimit. Pra, edhe në këtë fazë të globalizimit institucional, krahas atij të kapitaleve e tregjeve, reciprociteti mbetet një element i rëndësishëm në praktikën e vendeve sovrane dhe institucioneve ndërkombëtare. Madje, parimi i reciprocitetit shërben si njëfarë “meta-ligji” në sistemin ndërkombëtar, në funksionimin adekuat të vetë këtij sistemi.
Në këto kushte të reja bëhet gjithashtu më i dallueshëm ndryshimi midis reciprocitetit të veçantë (specifik) dhe atij të shpërhapur (difuz). Në rastin e parë respektohet njëvlershmëria midis partnerëve të caktuar, p.sh., në marrëdhëniet diplomatike. Kurse, në rastin e dytë, njëvlershmëria është më pak e qartë. I tillë është, p.sh. rasti kur në vend të partnerit të dytë bëhet fjalë për grup partnerësh (jo aktorësh të veçantë). Bile, në këtë rast, obligimet bëhen më serioze, më globale. Të tilla duhen konsideruar edhe detyrimet e Shqipërisë ndaj strukturave ndërkombëtare, në të cilat ajo është anëtare…
Ku ishim e ku jemi?
Në vitet e para të tranzicionit, mungesa e reciprocitetit, në mjaft drejtime, ishte fare normale. Nuk kishte përvojë demokratike masive, kishte mangësi serioze në realizimin e reformës politike-institucionale e social-ekonomike, ishin të pakta burimet financiare, ishte tepër e dobët ose mungonte fare ekspertiza mbi ekonominë e tregut, kërkohej mbështetje e gjithanshme e tipit “software” dhe “hardware” në të gjitha fushat, kishte hezitim në vendimmarrje etj. Pra, as që mund të bëhej fjalë për reciprocitet specifik, p.sh. në marrëdhëniet ndërkombëtare; ndërkohë, reciprociteti difuz ishte shumë më i kuptueshëm në gjirin e politikës dhe shoqërisë shqiptare, sidomos me anëtarësimin e vendit në shumë organizma ndërkombëtarë perëndimorë. Madje, ky reciprociteti i fundit, në kushtet e krizës globale dhe të borxheve, mbetet po aq i rëndësishëm ndaj strukturave të tilla si FMN-ja, pse jo dhe duke konsideruar elementin “komandues”, të viteve të para të tranzicionit. Megjithatë, për raste të tjera, sot situata duhet vlerësuar ndryshe, veçanërisht kur bëhet fjalë për partneritet real të dyanshëm, si në rastin e kërkesës së drejtë të Vetëvendosjes në Kosovë. Kjo bëhet akoma më e qartë në kushtet aktuale të një bashkëveprimi (disi të pranueshëm) midis forcave politike; aq më tepër në prag të pranimit të Shqipërisë si vend kandidat në Bashkimin Europian…
A e ka fajin politika shqiptare?
Për mungesën e reciprocitetit në çështje apo situata konkrete, një përgjegjësi të drejtpërdrejtë ka vetë politika shqiptare. Ka 21 vjet tranzicion dhe ajo nuk ka arritur akoma të realizojë vetë detyrat e shtëpisë. Ajo, ende nuk arrin që, nëpërmjet debatit, tolerancës, ndërveprimit, pse jo dhe konsensusit, të zgjidhë çështje kryesore të vendit e qytetarëve, të realizojë detyrat e saj të qeverisjes, të plotësojë kritere konkrete të lidhura me problemin e integrimit. Ende sot politika shqiptare nuk i zgjidh dot konfliktet e përplasjet e brendshme, nuk e arrin dot mirëkuptimin politik brenda institucioneve të veta. I tillë është, p.sh., institucioni i Presidentit, i cili, në vend që të shërbejë si mekanizëm komunikimi, vatër besimi dhe qendër diskutimi e zgjidhjeje, jo vetëm nuk mbështetet e respektohet, por anatemohet deri zhvlerësohet në rolin e tij kushtetues si përfaqësues i unitetit të popullit. Prandaj janë jo të pakta rastet kur kanë ndërhyrë të huajt. Madje vetë politika, në raste të tilla, i është drejtuar Trupit Diplomatik, ka kërkuar ndërhyrjet e përfaqësuesve politikë të shteteve kryesore apo të strukturave ndërkombëtare si OSBE, Këshilli i Europës, misioni i BE-së etj. Dobësi e kësaj politike ishte dhe takimi te “Krokodili” (apo “Darka e fundit”) në Strasburg mes Berishës e Ramës, me praninë e zyrtarëve të lartë të Parlamentit Europian dhe komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fyle…
Apo e ka fajin media shqiptare?
Pa dyshim, edhe media ka përgjegjësinë, pse jo dhe fajin e saj. Po të pyeten ambasadorët e Shqipërisë në vende të ndryshme të botës apo ish-ambasadorët tanë, dihet përgjigjja. Ata menjëherë mund të pohojnë se, përveç periudhës së krizës së Kosovës, gjatë së cilës atyre u është krijuar mundësia për të shpalosur pozicionin konkret të shtetit shqiptar në panele, ekrane televizive apo faqe gazetash, në rastet e tjera, vetë ata, përgjithësisht, nuk prodhonin lajm ose nuk “sforcoheshin” për ta realizuar atë. Por, as ndiqeshin nga gazetarët për gjëra që nuk lidheshin me punën e tyre, nuk u kërkohej atyre mendim, qëndrim a intervistë. Natyrisht, ka mjaft arsye për këtë, sidomos duke krahasuar parametra kryesorë institucionalë, ekonomikë, social-kulturorë, por jo të arrihet tek antipodi i kësaj situate që po përjetojmë sot me teprim në Shqipëri. Kjo bëhet akoma më e habitshme për çështje që disa ambasadorë të huaj i njohin më pak se politikanët, se partitë dhe institucionet shqiptare përgjegjëse…
A lidhet kjo dhe me besimin (mosbesimin) e qytetarit shqiptar?
Ka diçka të vërtetë. Ndoshta është një besim i kultivuar në kohë si respekt e mirënjohje, si stimulim e model për zhvillim, si kozmopolitanizëm, diku dhe si “kompleks inferioriteti” ndaj të huajit. Kjo ka bërë që në momente të caktuara qytetari shqiptar preferon të dëgjojë më shumë atë që deklaron e premton i huaji, sesa i veti, i jashtmi, sesa i brendshmi. Bile dhe në rastet kur i brendshmi ka më tepër mundësi të rezultojë më i saktë, të jetë më i aftë, të dijë më shumë, ta njohë më mirë gjendjen dhe të arrijë në përfundime më të drejta. Sidoqoftë, ndryshe nga politikani, që për interesa politike e pushteti, sillet ende si i “kompleksuar”, deri në mënyrë të pasinqertë, qytetari, në përgjithësi, po kërkon më shumë zgjidhje brenda familjes, komunitetit e qeverisjes së tij. Në mënyrë të veçantë ai nuk dëshiron më pohime, sugjerime apo rekomandime “diplomatike”, por kërkesa të prera për veprim e ndryshim. Emancipimi i tij do të ndikojë në emancipimin e vetë politikës shqiptare, për ta shndërruar reciprocitetin në një element thelbësor të kësaj politike…
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment