Latest News
* * *
Po çfarë duhet? Thjesht një variant rezervë. Politika shqiptare duhet të hedhë në Tavolinën e Brukselit dhe Uashingtonit krijimin e Shqipërisë Natyrale.
Koço Danaj
...prandaj, le të fusim në fushën e Lojës, Shqipërinë Natyrale!!!
Ngjarjet e fundit në Kosovë dhe mbi territorin e Kosovës, mund të krahasohen me përjetimet mbi një ndeshje futbolli, kur arbitri pa të drejtë e shton lojën, dhe ti pëson gol. Mund të ankohesh mbi arbitrimin e ndeshjes, arbitri edhe mund të gjobitet, por ndeshja nuk anulohet. Pavarësisht se goli është bërë në minutat shtesë. Le të bëhemi më konkretë: U shpall pavarësia e Kosovës më 17 shkurt 2008. Festë e madhe, e natyrshme. Parulla folklorike, si ‘Bac u kry’ etj. etj. Por një muaj më pas, më 17 mars 2008, Samarxhiç hedh në treg 6 pika që atakonin pavarësinë e Kosovës. Deklarata negative nga shqiptarët, nuk i pranojmë, nuk do zbatohen. Vetëm kaq, ndërsa diplomacia serbe i çoi këto 6 pika në OKB, te Ban Ki Mun. Erdhi qershori i 2008-s, Ban Ki Mun i dërgon letër Tadiç-it dhe Sejdiut. Të parit i drejtohej me cilësinë e Presidentit, të dytit pa këtë cilësim.
Në letër parashtroheshin 6 pikat që duhej plotësuar nga Qeveria e Kosovës. Çfarë ndodhi? Deklarata nga Prishtina dhe Tirana: Nuk i pranojmë, nuk i njohim. Njohim vetëm Planin Ahtisaari. Dhe vetëm kaq. Ndërkaq diplomacia serbe vazhdoi punën. Forcoi strukturat paralele në Veri të Kosovës, të cilat deri më sot nuk e njohin Prishtinën. Dhe në fund, erdhëm deri tani, kur kemi një plan 4 pikësh të Tadiç-it, që kërkon një republikë serbe në Veri, kur kemi një propozim të Busek-ut për të filluar bisedimet për ndarjen e Kosovës, kur kemi konkluzione të një instituti prestigjioz gjerman se harta e Ballkanit nuk ka përfunduar. Përsëri nga Prishtina dhe Tirana kemi deklarata se nuk pranojmë. Por që në fakt lëshojmë dhe vazhdojmë të lëshojmë.
Pse kështu? Pse kjo lojë në mbrojtje e politikës shqiptare? Sepse politika dhe diplomacia shqiptare nuk ka strategji, nuk ka variante, nuk ka skenarë. Por nuk pranon as të ketë. Për shembull: Po sikur Brukseli dhe Uashingtoni të thonë që Tadiç ka të drejtë, çfarë do bëjë Thaçi, Berisha, Kurti, Rama, Mustafa? Do vazhdojnë të mos pranojnë apo do fillojnë të negociojnë? Cili është plani i tyre rezervë, apo planet rezervë? Kanë apo nuk kanë? Po nëqoftëse bashkësia ndërkombëtare kthehet te Marrëveshja Çiano-Ribentrop, që kufirin midis Serbisë dhe Shqipërisë e caktoi tek Ura e Ibrit, çfarë do bëjnë politikanët shqiptarë? Thjesht do refuzojnë, thjesht do japin dorëheqjen, thjesht do lajnë shpirtin duke thënë: Nuk na pyeti njeri? Apo do hedhin në Tavolinë planin e tyre rezervë? Për shembull: Shqipëria e ka në Preambule bashkimin kombëtar, pra e ka një detyrim kushtetues. Por a ka ndonjë plan rezervë sesi mund ta aktivizojë zbatimin e Premabulës? Vetëvendosja në program bashkimin kombëtar e ka deri më tani si vetëvendosje të jashtme. Pra, kur te realizojë vetëvendosjen e brendshme. Por a ka ndonjë plan rezervë sesi mund t’u ndërroje vendet, sesi Bashkimin me Shqipërinë ta kalojë në përparësi? Mund të ketë? Por deri tani asgjë nuk është parë, ka vetëm deklarata folklorike, që nuk flasin për plan rezervë, por vetëm për ta kaluar përgjegjësinë te kundërshtari politik, por asesi sesi të përballohet kundërshtari etnik. Edhe Tirana duket pa asnjë plan rezervë, përkundër këtij plani, ka deklarime se ata që flasin për bashkim kombëtar janë ekstremistë. Thaçi, Berisha, Topi, Kurti, Rama, Mustafa janë kundërshtarë politike që i kërkojnë pushtetin njëri-tjetrit. Ndërsa Tadiç, Daçiç, Gruevski janë kundërshtarë etnikë që nuk kërkojnë pushtetin, por pjesë të territorit shqiptar.
Ndërkaq Brukseli mendon ndryshe, Uashingtoni ka filluar të mendojë ndryshe. Ata i kanë dhënë minuta shtesë lojës diplomatike midis serbëve dhe shqiptarëve. Serbët e kanë bërë një gol. Ka edhe disa minuta shtesë të tjera, loja nuk ka mbaruar. Çdo bëjë Berisha, Thaçi, Topi, Mustafa, Jahjaga, Rama, Kurti? Do mobilizohen të barazojnë dhe të kalojnë në avantazh, apo do pajtohen me rezultatin e deritanishëm dhe në fund do thonë se fajin e kishte arbitri se akordoi minuta shtesë për serbët dhe ata na mundën në këto minuta?
Loja nuk ka mbaruar, minutat e mbetura janë të mjaftueshme për të përmbysur rezultatin në favor të shqiptarëve. Po çfarë duhet? Thjesht një variant rezervë. Politika shqiptare duhet të hedhë në Tavolinën e Brukselit dhe Uashingtonit krijimin e Shqipërisë Natyrale. Duhet ta hedhë Berisha, Thaçi, Kurti, Rama, Mustafa etj. Dhe po e hodhën këtë, të jeni të sigurt se loja diplomatike me Serbinë do përfundojë në favor të shqiptarëve. Ndërsa po nuk e hodhën, përgjegjësia do të bjerë mbi ata dhe shqiptarët do humbasin të tjera territore. Loja nuk ka mbaruar. Le të mësohemi të fitojmë edhe në minutat shtesë. Le të fusim në Lojë Shqipërinë Natyrale.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment