Latest News
Konsensusi kundër korrupsionit, si masë antikrizë
Sepse, institucionet demokratike janë ato që shërbejnë në një perspektivë afatgjatë si antibiotikë në luftën kundër korrupsionit. Për këtë kërkohet dhe një vullnet e impuls i ri politik, që ato të funksionojnë në mënyrë efektive.
Rexhep Mejdani
Situata e rëndë financiare në Greqi e Itali, që çuan në rënien e qeverive politike dhe zëvendësimin e tyre me qeveri teknike, ndryshimi i krahut politik pas zgjedhjeve në Spanjë, masat jo gjithmonë të suksesshme në Portugali e Irlandë, rënia e fundit e shkallës së kreditimit të pesë vendeve europiane (Itali, Spanjë, Belgjikë, Slloveni e Qipro) po kërcënon me një situatë recesioni deri Britaninë e Madhe (ekonomia britanike u reduktua me 0.2% në tremujorin e fundit), rrëshqitja e Belgjikës në një situatë recensioni, alarmi në BE mbi rritjen jodemokratike të kontrollit mbi institucionet e jetën publike në Hungari nga qeveria e Orbanit, dorëheqja e Kryeministrit rumun Bok nën trysninë e protestave masive etj.; dëshmojnë se situata ekonomike në Europë është po aq e zymtë si tre muaj më parë. Madje, ajo po shoqërohet me protesta masive dhe deformime politike. Një situatë e tillë imponon, në Shqipëri, masa shumë më serioze në planin ekonomik e financiar, përfshirë dhe luftën kundër korrupsionit. Në këto kushte, ka nevojë urgjente për një konsensus real politik dhe një ndërveprim të gjithanshëm pozitë-opozitë, një zë shumë më profesional e shumar në analizë e vendimmarrje…
Korrupsioni si antitezë e qeverisjes së mirë
Në kushtet e krizës financiare dhe të borxhit, një nga proceset e rëndësishme në zhvillimin politik-institucional e social-ekonomik të Shqipërisë (të klasifikuar si vend hibrid), është ai i përmirësimit në vazhdimësi të qeverisjes dhe, mbi të gjitha, lufta pa kompromis kundër korrupsionit. Kjo bëhet akoma më e domosdoshme në prani të një rendimenti të dobët në menaxhim dhe një efektiviteti të ulët në shërbimet publike. Po aq problematike janë: demagogjia, propaganda e tepruar dhe manipulimi politik (p.sh. në procese zgjedhore), mungesa e llogaridhënies, e përgjegjësisë administrative, mangësitë serioze të koordinimit, harxhimi jo transparent i parave publike, shoqëruar me një nivel të lartë korrupsioni. Në kushte të tilla, pavarësisht premtimeve elektorale e manovrimeve publike, qoftë dhe arritjeve, si kërkesë kryesore mbetet përmirësimi i qeverisjes dhe i agjencive të saj, ulja e shpenzimeve të pastudiuara, duke minimizuar në radhë të parë korrupsionin politik, administrativ e kapilar. Po aq e rëndësishme është dhe heqja dorë nga “përralla e modelit”, duke ristrukturuar e menaxhuar me nikoqirllëk burimet publike, duke vlerësuar e konsideruar propozimet e opozitës dhe grupimeve pakicë. Përndryshe, çdo vonesë e sotme mund të rezultojë nesër po aq goditëse sa ajo greke! Pra, është urgjent “kthimi me këmbë në tokë”, gjetja e gjuhës së kompromisit dhe konsensusit, mobilizimi i përbashkët politik për zgjidhje sa më optimale, lufta kundër abuzimeve me autoritetin e zyrës, minimizimi i pozicioneve politike partizane e fanatike. E thënë ndryshe, kërkohet me ngulm një ndërveprim pozitë-opozitë për një qeverisje normale, një fokusim parësor mbi hapjen e pjesëmarrjen, transparencën e barazinë, përgjegjshmërinë e gatishmërinë, llogaridhënien e efektivitetin, shkëmbimin apo marrje-dhënien e informacionit, parashikimin e planifikimin, zbatimin e ligjit. Natyrisht, për të arritur këto parametra, detyra kryesore i takon shumicës parlamentare, e cila duhet të heq dorë nga psikologjia antidemokratike që “ajo është shteti”; dhe, ndërkohë, në funksion të këtij procesi konsensusi duhet të angazhohet edhe opozita, me të gjithë kapacitetin e saj qeverisës (por jo si ndonjë “shtojcë zbukuruese” e pozitës së sotme)…
Nuk mohohet se ndërtimi i një qeverisje të mirë është bazë për një zhvillim të qëndrueshëm dhe parakusht për rritjen ekonomike. Veçse, me qeverisje nuk nënkuptohet vetëm qeveria (dega ekzekutive) dhe dy degët e tjera të pushtetit (dega legjislative dhe juridike), por dhe agjenci e sektorë të tjerë që lidhen me çështje publike, përfshirë biznesin, struktura të shoqërisë civile etj. Qeverisja e mirë varet dhe nga shkalla me të cilën qytetarët e perceptojnë qeverinë e institucionet shtetërore, sa legjitime i shohin ato, sa ato janë të angazhuara në përmirësimin e standardit të jetës, garantimin e ligjit dhe rendit publik, për barazinë e qytetarëve, modernizimin e infrastrukturës, plotësimin e shërbimeve publike. Parë me këtë sy, perceptimi i shumicës së qytetarëve, sidomos pas ngjarjes së Gërdecit dhe vrasjeve të 21 janarit, nuk është pozitiv, pavarësisht që në shumë media pro qeveritare propagandohet “modeli” shqiptar i qeverisjes, demokracisë e ekonomisë. Kjo edhe pse antitezë e një qeverisje të mirë është korrupsioni!…
A ka korrelacion midis nivelit të demokracisë dhe atij të korrupsionit?
Një akt korrupsioni është dhe krejtësisht antidemokratik; i tillë është, p.sh. shfrytëzimi i zyrës publike për përfitime private. Ai deformon në vetvete detyrën publike, ushtrimin e saj në përputhje me votën e dhënë. Megjithatë, korrelacioni midis nivelit të demokracisë dhe atij të korrupsionit nuk është i thjeshtë. Kjo vihet re dhe në dallimin midis “leximeve” ligjore-juridike apo “shumimit” të perceptimeve popullore. Veçse, në mesatare, një regjim demokratik gjeneron, përgjithësisht, më shumë antikorpe kundër korrupsionit se sa çdo sistem tjetër, ku liritë politike janë të cunguara. Një vend që organizon zgjedhje të rregullta, të lira dhe të ndershme, që respekton garën politike dhe ka një mjedis politik me forcat opozitare aktive dhe të mirë organizuara, ku degët legjislative dhe gjyqësore janë realisht të pavarura, ku plotësohen më së miri parametrat e lirisë së shprehjes dhe medias së lirë, një vend i tillë ka kushte më të favorshme për të luftuar korrupsionin se një vend tjetër ku cungohen këto kolona. Kjo duhet kuptuar dhe në rastin e Shqipërisë, prandaj dhe shfaqen pengesa e vonesa në proceset integruese! Prandaj, në vend që të pompohet modeli ynë hibrid nevojitet një balancë e drejtë midis pushtetit të zyrtarëve e kontrollit të publikut, një zhvendosje e qartë në favor të një qeverisje të hapur, ku parësore mbeten informimi e transparenca, d.m.th. dhe llogaridhënia. Po ashtu, një demokratizim në rritje nënkupton dhe një media aktive dhe të pavarur, një shoqëri civile më të devotshme, një qytetari më pjesëmarrëse. Kjo duhet kuptuar mirë në kushtet tona. Sepse, institucionet demokratike janë ato që shërbejnë në një perspektivë afatgjatë si antibiotikë në luftën kundër korrupsionit. Për këtë kërkohet dhe një vullnet e impuls i ri politik, që ato të funksionojnë në mënyrë efektive. Madje, në këtë kuptim, vullneti politik mbetet ingredienti çelës i një strategjie të efektshme në luftën kundër korrupsionit. Kur është kështu, si shpjegohet që thuhet shumë dhe bëhet pak tek ne?!…
Por, ka njerëz që mendojnë ndryshe. Sipas tyre, demokratizimi, duke shtrirë e fuqizuar liritë politike e civile, mund të krijojë mundësi abuzimi të lirisë, të ushqejë mungesë përgjegjësie, deri duke krijuar hapësira përfitimi për elitat ekonomike e politike. Pikërisht ky abuzim jodemokratik me hapësirat e lirisë në sistemet demokratike mund të krijojë incentiva e favore negative ose të “ushqejë” korrupsionin, të paktën në një kohë të shkurtër. Për këtë arsye, në Shqipëri, nevojiten të analizohen në detaje kostot e larta të fushatave të fundit elektorale (deri “zhurmat” për korrupsion e mitmarrje elektorale); duhet reaguar ndaj ndikimit, deri kapjes së disa hallkave institucionale apo drejtimit të partive politike prej biznesit të pandershëm, politizimit e nepotizmit të aparatit shtetëror etj. Problemi bëhet akoma më serioz kur disa zyrtarë të zgjedhur, të pasuruar nëpërmjet korrupsionit, shfaqen si biznesmenë, pa u shpuar nga ndonjë “gjemb” juridik! Këto dukuri janë ndeshur në periudhat kalimtare të ndryshimeve politike e ekonomike nga sisteme autoritare në ato demokratike, pra dhe në Shqipëri, ku në vitet e para kanë ndikuar, p.sh., vakuumi institucional, mungesa e autoritetit shtetëror me rënien e menjëhershme të kontrollit autokratik, konflikti i vlerave të mëparshme me ato të mëvonshme, krijimi i një elite të kapërthyer me të kaluarën, decentralizimi, privatizimi e hapja e ekonomisë ndaj pjesëmarrjes private e kapitalit të huaj etj. Veçse, ndryshe nga mjaft vende ish socialiste, sot anëtare të BE-së, në demokracitë ende të brishta, si Shqipëria, disa nga këto dukuri janë akoma të pranishme.
Korrupsioni e zhvillimi, shkaqe e pasoja, kura e ilaçe
Vendet në zhvillim, përgjithësisht, janë të zhyer e përmbytur në korrupsion. Por, ndryshe nga kohë më parë, kur kjo sëmundje kishte shtrirje sidomos në këto vende, në kohët e fundit edhe vende të zhvilluara (industrializuara), me demokraci të ndërtuar mirë, janë bërë preh e një korrupsioni në përmasa të konsiderueshme. Nuk kanë qenë të pakta rastet e ndeshura në SHBA, Mbretërinë e Bashkuar, Japoni, Belgjikë, Itali, Francë, Spanjë etj. Pra, e keqja është se korrupsioni politik po prek edhe shoqëri demokratike në vende të industrializuara. Nga ana tjetër, raste të tilla dëshmojnë se korrupsioni jo patjetër është i lidhur vetëm me varfërinë, nën zhvillimin e autoritarizmin. Ama, korrupsioni bëhet mjaft më i dëmshëm në vendet në zhvillim, me burime të kufizuara apo të shfrytëzuara në mënyrë të padrejtë e joefektive. Gjithashtu, në vende të tilla mungon personeli i specializuar, me përvojë në kontroll e auditim, në analiza e vlerësime financiare, përfshirë investigimin e evazionit, zbulimin e vjedhjeve dhe manipulimeve. Kjo duhet të kihet parasysh, në Shqipëri, për strategjinë e luftës kundër korrupsionit, edhe pse aty mund të ndërtohen praktika shumë më të mira institucionale në bazë të kooperimit pozitë-opozitë, bashkëpunimit me shoqërinë civile, me median e qytetarët. Bile, në këtë optikë, në një ardhme të afërt vlen të dimensionohet nga pikëpamja kushtetuese edhe agjencia e specializuar – Kontrolli i Lartë i Shtetit- si sy i mprehtë dhe zë i fortë i opozitës!…
Globalizimi i krimit, vetë sindikatat kriminale ndërkombëtare janë problemi tepër shqetësues i kohërave moderne. Për ta reduktuar këtë krim global duhen luftuar, në radhë të parë, shkaqet e korrupsionit, të rrënjëzuar në ekonomitë e politikat e zbatuara brenda çdo vendi. Madje, sot, korrupsioni po gjen terren edhe brenda ekonomive e politikave liberale, nëpërmjet të cilave në kushte brishtësie të sistemit institucional e nivelit të ulët të shoqërisë civile, futen në veprim mjaft praktika abuzive. Disa faktorë kritikë, që duhen goditur me mjaft forcë, janë: monopoli i fuqisë te qeveritarët e lartë (sidomos në regjime me prirje autokratike), niveli i ndershmërisë dhe cilësia e angazhimit të zyrtarëve në kryerjen e detyrës, shkalla e llogaridhënies dhe transparencës së institucioneve shtetërore. Me mjaft rëndësi është mjedisi ekonomik-ligjor e sistemi rregullator i tij. Pavarësisht, disa arritjeve të deritanishme, sot, në Shqipëri, në kushtet e krizës së BE-së, kërkohet më tepër analizë e observim për një vendimmarrje të re financiare, qoftë dhe duke u kthyer në një variant të mëparshëm më të avancuar.
Po ashtu, ecuria e reformës ekonomike në periudhën e tranzicionit ka krijuar mundësi jo të vogla për shtrirjen e korrupsionit, p.sh., në privatizimin e objekteve dhe ndërmarrjeve publike. Faktorë me peshë mbeten dhe ato të lidhur me varfërinë, shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë, me orientimin ndaj tyre etj. Problematik mbetet ndikimi mbi shtresimin e poshtëm dhe të mesëm të administratës publike, që “ka diçka në dorë”, sidomos në kushtet e një rekrutimi politik e nepotik. Me “kosto” shumë më të lartë është korrupsioni në nivelin e sipërm të administratës apo në strukturat e larta politike. Këto të fundit kanë një ndikim të madh në evolucionin e korrupsionit, jo thjesht në prirjen autokratike për centralizim të vendimmarrjes, por dhe për kontrollin e ndikimin nga pozicione kryesore shtetërore, për diferencimin e shkallës së llogaridhënies demokratike dhe të përfundimit juridik. Çështja bëhet më shqetësuese kur mekanizmat e kontrollit dhe kufizimit demokratik të pushtetit ekzekutiv janë jo funksionalë, përfshirë mekanizmin parlamentar dhe atë gjyqësor…
Nisur dhe nga eksperienca shqiptare, korrupsioni prek jo pak rritjen ekonomike, zhvillimin njerëzor e asistencën sociale, godet nivelin e demokracisë, rrit kostot e ndërmarrjeve private, deformon shpërndarjen e të ardhurave, pengon futjen e investimeve të huaja, dëmton besimin ndaj institucioneve, cenon deri sëmur moralin e qytetarit. Po jo vetëm kaq! Kur qeverisja e administrata e saj e humbasin besueshmërinë qytetare, mund të krijohen situata të vështira, deri të rrezikshme si në kohën e krizës së piramidave, rritet paqëndrueshmëria sociale, pakënaqësia e reagimi publik, prodhohet një gjendje e përgjithshme me mangësi serioze në respektimin e zbatimin e ligjit, duke goditur jo vetëm aktivitetin normal politik-institucional, por dhe veprimtarinë ekonomike. Po kështu, në situata të tilla deformohet shpërndarja e burimeve, pesha dhe cilësia e saj, deri duke rritur koston e mallrave dhe shërbimeve; konstatohen oscilime në përparësinë e shpërndarjes së fondeve publike, deri duke cenuar kërkesa bazike si ushqimi, shërbimi shëndetësor e edukimi, qoftë dhe duke reaguar me ngathtësi e pa zemër. Shembull tipik është sot ai që media e ka quajtur “hotel Totozani”!…
Në përgjithësi, korrupsioni bëhet shkak e pasojë e zhvillimit të dobët ekonomik, e vonesave dhe e varfërisë. Ai e minimizon efektivitetin e aktivitetit ekonomik, e “zhyen” mjedisin social-politik, por dhe krijon një nivel të lartë risku e pasigurie në transaksionet ekonomike, frenon iniciativën private dhe investimet me burime të brendshme apo të jashtme. E thënë ndryshe, korrupsioni e dëmton rëndë ndërmarrjen e ndershme duke penguar zhvillimin, si në kontekstin e bllokimit të veprimtarive individuale, ashtu dhe të kultivimit të frikës për futjen e investimeve të huaja të drejtpërdrejta. Kjo ndeshet jo pak dhe në kushtet shqiptare. Madje, në zonat më të varfra apo më pak të zhvilluara, kushtet e rënda të jetesës dhe pabarazia social-ekonomike e bëjnë mitmarrjen e zyrtarëve dhe personave të tjerë publikë akoma më të paturpshme, deri monstruoze, me një efekt të menjëhershëm në varfërimin e popullit, dobësimin e institucioneve demokratike dhe të respektit ndaj tyre. Ky është, në thelb, korrozioni politik-institucional e social-ekonomik nëpërmjet korrupsionit, që merr forma sistematike e kapilare, duke u kthyer në “filozofi” e “psikologji” dite. Sot, në rastin shqiptar, një psikologji e tillë e shëmtuar, pa ndërmarrë veprime shumë më serioze (të mbështetura politikisht dhe ligjërisht nga të dy krahët e politikës), mund të kthehet në një gangrenë të shoqërisë. Kjo, edhe pse mitmarrja (p.sh., për të përshpejtuar një regjistrim e dokumentim zyrtar, një transaksion ekonomik etj.), mund të rezultojë efektive në pikëpamje kohore e saktësie, por, ama, kur kjo praktikë shtrihet kudo, “saktësia” e “efektiviteti kohor” bëhen zero, vonesat dhe produktiviteti i zyrës (zyrtarit të saj) mbeten të njëjta…
Së fundi, vlen të theksohet se kudo në botë, shtetet e organizmat ndërkombëtarë po përpiqen të krijojnë masa e mekanizma antikorrupsion për sektorin publik e privat. Këto iniciativa kanë disa elementë të përbashkët: ndryshime në strukturën e qeverisjes, në agjencitë e teknikat e tyre në garantimin e llogaridhënies, përmirësime programore në përputhje me kushtet konkrete të brendshme e të jashtme, ndryshime në sjelljen morale e etike, mbështetje politike e ligjore e sektorit privat dhe shoqërisë civile. Megjithatë, siç rezulton, institucionet antikorrupsion, legjislacioni e sistemi rregullator shfaqen jo efektivë pa vullnetin dhe angazhimin politik, por edhe vullnetin e angazhimin shoqëror. Por dhe kjo nuk mjafton. Sidomos, kur strukturat antikorrupsion manifestojnë mungesë pavarësie, kanë burime të dobëta financiare e njerëzore, shfaqin mungesë dukshmërie publike, u nënshtrohen lojtarëve politikë e protagonistëve publikë. Gjithashtu, për të minimizuar korrupsionin administrativ, shërbimet publike duhet të jenë shumë më afër konsumatorit, duke rritur kështu efektivitetin e tyre, pse jo dhe duke pakësuar kostot e veta nëpërmjet mekanizmash të tillë si transparenca e llogari-dhënia. E kundërta ndodh kur kultivohet një atmosferë “sekreti”, veçanërisht në ndërveprimin publik- privat. Madje, në rastin shqiptar nuk mungojnë rastet kur korrupsioni zyrtar, administrativ e politik, është ngushtësisht i lidhur edhe me këtë ndërveprim binomial, duke cenuar jo vetëm moralin e administratës publike e biznesit, por dhe etikën e vetë politikës.
Pse jo edhe duke angazhuar mjete, duke furnizuar procedura e rrugë jo morale e jo etike të bërjes biznes dhe politikë. Korrupsioni, mosrespektimi i ligjit dhe pandershmëria e dyanshme bëhen, kështu, karakteristika tipike të jetës politike e ekonomike. Po t’i shtohen kësaj gjendje edhe dobësitë e sistemit gjyqësor në investigim, procedim e gjykim, apo sjelljet joetike e korruptive brenda tij, atëherë shqetësimi ynë mbetet po aq serioz në kohë. Por, kështu, nuk mund të vazhdohet më tej! Duhet lëvizur me shpejtësi, jo me fjalë e demagogji, jo me mburrje e lavdërime, as me pretendime modelesh të suksesshme, por me masa të gjithanshme të miratuara me konsensusin e të gjitha forcave politike, të përfaqësuesve të tyre në Kuvend.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment