Home | Opinion | Ëndrra e humbur e një pavarësie

Ëndrra e humbur e një pavarësie

image
Ne thjeshtë kemi humbur një kohë. Megjithatë, çfarë ne ende kemi, është shpresa dhe vullneti jonë për të krijuar një masë kritike e cila di ti thotë jo atyre që në zare e luajnë fatin tonë. Kosovë, urime ditëlindjen e katërt. 
 
 


Lumir Abdixhiku

 
 




Katër vjet shtet gjysmak, katër vjet zhbërje të një ëndrre parapavarësuese, katër vjet kthim në realitet të hidhur, zbutje në eufori e përballje me halle, katër vjet rëndesë, stagnim e paqartësi për themelet e Republikës, katër vjet ecje mbrapshtë në sytë e botës, katër vjet ditë të pashpresë për më të varfrit e Evropës, e net fantastike për më të pasurit e politikës, katër vjet në limbo; ky është bilanci i shtetit tënd dhe timit katër vjet pas mëvetësimit. Jo se e menduam kështu, jo se e pritëm kaq rëndë, jo se e merituam kaq keq. 

Kosova e juaj, e imja, dhe e atyre që nuk janë më për të, vazhdon të mbetet një vend i regreseve, i kompromiseve, sakrificës, skamjes, migrimit, krimit, korrupsionit, informalitetit e dhunës. Kosova jonë është vendi ku fqinji sillet si në shtëpi, ku aspiratat tjetërsuese ndaj vendit na shprehen mu në sy e ne qeshim si të marrë, ku barrikadat udhëhiqen nga të njëjtët që i takojmë e përqafojmë në tavolinë, ku deklarimet pretenduese territoriale na jepen nga zemra e vendit nga presidentë që ende nuk kanë kërkuar falje për dhjetë mijë të vrarë, ku Republika na tjetërsohet me simbole nacionaliste të atyre që na shkelën dymbëdhjetë vjet më parë, ku fusnotat pranohen lehtësisht mbi emrin kushtetues pa brengën më të ulët, ku referendumet dënohen, por nuk ndalohen nga institucionet shtetërore pothuajse të njëjtat janë organizata të të drejtave të njeriut e jo institucione të ruajtjes së rendit e integritetit territorial, ku dhimbshmëria për Serbinë bën sakrificën e të pasakrifikueshmes; ku statusi special bëhet një opsion ndërkombëtar; Kosova është vend ku jepet gjithçka e nuk merret asgjë. Katër vjet sakrificë mbi pavarësinë!

Kosova është vend ku ambasadorët na i quajnë përfaqësuesit e popullit si fëmijë të lazdruar e të paditur sa për të na treguar se s’na bëjnë hesap si shtet, ku na thonë se bën pa Republikë e pa reciprocitet, ani pse të njëjtat nuk vlejnë për asnjë vend e shtet, ku presidenti anonim zgjidhet me zarf si të jetë një lojë e kuponëve shpërblyes, ku votohet 140% e  ku dënimi i vjedhjes së votës është më i ulët se një tiketë trafiku, ku mocionet e drejta të Parlamentit merren si rekomandime e ku mocionet e jobarazisë bëhen obliguese, ku ligjet përkthehen e votohen në paketë, ku shumica 90% shqiptare mbetet një minoritet në Parlament, ku qytetet marrin pushtet fetar, ku shërbimet partiake bëjnë institucionet e vëzhgojnë çdo qytetar. Katër vjet rrënim të demokracisë!

Në katër vjet shtet, stagnimet e regreset ekonomike kanë bërë përditshmërinë tonë. Katër vjet më parë ne kishim 40% të papunë e 18% në varfëri, katër vjet më pas jemi në po të njëjtin stad (UNDP). Njëqind eurot e katër vjetëve më parë sot bëjnë më pak se shtatëdhjetë si rezultat i një inflacioni të shkaktuar kryesisht nga politikat e gabuara fiskale e shpenzuese të parasë publike (Enti i Statistikave). Katër vjet më parë ne kishim një deficit tregtar (diferencën mes eksportit dhe importit) jo më të madh se 1.5 miliardë, katër vjet më pas ky deficit arrin në 2.2 miliardë (Doganat e Kosovës). Katër vjet më parë ne qëndronim në vendin e 112 në rangimin e ambientit biznesor, katër vjet më pas ne jemi në vendin e 119 (Banka Botërore). Katër vjet më parë niveli i korrupsionit shënonte vendin e 110-të, katër vjet më pas shënon të 112-in (Transparancy International). Katër vjet më parë normat e interesit arrinin në mesatare 13.9%, katër vjet më pas plot 14.6% (Banka Qendrore). Në katër vjet të plota të gjithë treguesit makroekonomik kanë shënuar rëndesë; papunësia, varfëria, inflacioni, deficiti tregtar, ambienti biznesor, niveli i korrupsionit, kosto e kapitalit janë bërë më keq! Katër vjet ekonomi regresive.

Katër vjet më parë e gjithë bota shihte me plot simpati shtetin më të ri, katër vjet më pas të njëjtët kanë plot neveri për krimin tonë, për korrupsionin tonë, për paaftësinë tonë për të dashtë shtet. Katër vjet më parë liderët botërorë vizitonin zyrat e institucioneve tona për të shprehur admirim për aspiratat tona, katër vjet më pas të njëjtët vizitojnë korridoret e aeroporteve për të na thënë se jemi shumë larg. Katër vjet më parë dyert e institucioneve financiare ndërkombëtare u hapën për ne, katër vjet më pas me njërën nga to regresuam nga marrëdhëniet kontraktuale në monitoruese. Katër vjet më parë gazetat ndërkombëtare, ato që bëjnë tavolinat e çdo familje perëndimore, në ballinat e tyre mbanin simbolin Newborn (i porsalindur), katër vjet më pas mbajnë Thugocracy (banditokraci). Katër vjet më parë investitorë e donatorë me plot vullnet shihnin nga Kosova, katër vjet më pas të njëjtit dalin me deklarata se ikja e tyre nga këtu bëhet vetëm për shkak të korrupsionit. Të paktën katër vjet më parë institucionet mund të blinin “Mercedes”, katër vjet më pas i njëjti as nuk na shet! Katër vjet imazh tmerrues jashtë.

Kosova jonë vazhdon të jetë një shtet ku një ministër blenë veturë sa një mijë pensione, ku mëditjet e përfaqësuesve publik kalojnë rrogën mesatare mujore, ku humben 150 milionë euro e thuhet se është bërë progres, ku autostradat paguhen me çmime tre herë më të larta se të tregut e ku kontrata sa një e katërta e prodhimit vendor mbahet sekret, ku ndërmarrjet publike bëjnë punësimin e motrave, vëllezërve, grave e kushërinjve të politikanëve e ku fëmijët e tyre bëhen drejtorë departamentesh ministrore. Vetëm në Kosovë politikanët me punë publike bëhen milionerë, e prokuroria fle kur secili nga anëtarët e familjes së tyre ka një biznes në emrin e vet. Vetëm në Kosovë hapen ministri për të akomoduar ndjekësit e karriges, e ndahen anëtarët e bordeve publike me marrëveshje koalicionesh. Vetëm në Kosovë një ndërmarrje publike zhvlerësohet dyfish për katër vjet (PTK), një tjetër amortizohet po aq në po kaq vjet (KEK). Vetëm në Kosovë dështimi i privatizimit të ndërmarrjes publike për shkak të korrupsionit vlerësohet si sukses! Katër vjet zhvlerësim e keqpërdorim i pasurisë e parasë publike.

Katër vjet më parë ne kishim një shpresë disi më ndryshe, kishim një ëndërr për një tokë të falur nga Zoti, ruajtur nga të parët, trashëguar nga të tanët, e që na u njoh nga të huajt si e jona. Kishim shpresë se tani kur shteti u bë i yni paradokset e treguara nga stagnimi nëntëvjeçar do të merrnin fund, se motivi i shtetbërjes do të mundte neglizhencën e parazitizmin, se dashuria ndaj vendit, popullit e ardhmërisë do të prodhonte patriotizmin e nevojshëm për të mbytur egot korruptuese që na kishin zënë frymën nëpër vjet. Katër vjet më parë ne kishim një ëndërr. Katër vjet më pas ëndrra është e humbur. Ecjet tona vjetore duken ndonjëherë të parëndësishme, por kur të njëjtat bëhen bashkë atëherë njeriu kupton se ka humbur plot vjet në një ecje mbrapshtë. Lajmi i hidhur është se do të duhen edhe po aq vjet për tu kthyer aty ku kemi qenë njëherë. Potencialet e paspavarësisë, vëmendja ndërkombëtare, ndërtimi i mirëfilltë i shtetit e mundësitë ekonomike nuk do të kthehen asnjëherë tek ne. Ne thjeshtë kemi humbur një kohë. Megjithatë, çfarë ne ende kemi, është shpresa dhe vullneti jonë për të krijuar një masë kritike e cila di ti thotë jo atyre që në zare e luajnë fatin tonë. Kosovë, urime ditëlindjen e katërt. 



 
 


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0