Latest News
Au revoir, Jules Ortega!
I admironte shqiptarët për modestinë dhe mikpritjen aq shumë, saqë kur e kreu misionin që e kishte, si i ngarkuar nga Komisioni Europian për promovim të europianizmit në këto treva, përfaqësues i të rinjve dhe pjesë e organizatës...
Ardian Ramadani
Ditë e bukur prilli. Takimi i parë përmes një rendez-vous, të organizuar nga miku im, ish student dhe ish nxënës, D.M. ,me një njeri, i cili për shumë pak kohë do të fitonte besimin tim të plotë, por që edhe ky besim ishte reciprok. Zhyl Ortega (Jules Ortega), djaloshi 22 vjeçar që vinte nga qyteti Beziers i jugut të Francës, qytet në Languedok (Languedoc), pjese e departamentit Herault. Më impresionoi me dituritë, aftësitë dhe kapacitetet e tij. Si dhe me shkathtësitë për përshtatje dhe ambientim. Ajo që më la përshtypje edhe më shumë ishte aspekti i kuriozitetit. Tentonte të dinte dhe mësonte gjithçka për këtë vend të shtrigave, të quajtur Maqedoni, shtet ky me probleme të ndryshme duke filluar prej emrit e deri në pafundësi.
Nga ditë në ditë filluam të njiheshim më shumë, të shpalosshin dhe të mësonin shumë gjëra që nuk i dinim. Unë perfeksionoja frëngjishten, e ai filloi një demarsh të mirë në gjuhën shqipe dhe në gjuhën sllavomaqedonase. Takimet u shpeshtuan, poashtu edhe aktivitetet. Filluam që para zgjedhjeve të majit në Maqedoni të takoheshim me fytyra politike, me deputetë të ardhshëm e kandidatë të mundshëm po që nuk fituan zgjedhjet dhe të drejtën të jenë përfaqësues të popullit, me ata që e fituan këtë të drejtë e me shumë e shumë njerëz. I admironte shqiptarët për modestinë dhe mikpritjen aq shumë, saqë kur e kreu misionin që e kishte, si i ngarkuar nga Komisioni Europian për promovim të europianizmit në këto treva, përfaqësues i të rinjve dhe pjesë e organizatës Multi Kulti, e vetmja organizatë ku funksionon gjithçka si duhet në aspektin e marrëdhënieve ndëretnike, ku nuk ka frustrime dhe ku ndjehesh se je jashtë realitetit të hidhur, atij iu mbushën sytë me lot.
Por, sapo të dalësh prej aty menjëherë ballafaqohesh me realitetin e hidhur të frustrimeve, urrejtjeve dhe mërive të shkaktuara nga politika, si e quante miku im Ortega, e marrë (la politique folle). Nuk arrinte të kuptonte pse kishte urrejtje mes dy komuniteteve të mëdha në këtë shtet të brishtë, pse të rinjtë nuk shoqëroheshim mes veti. Ndodhte që edhe grindeshim ngase kërkonte të krahasonte rastin e Francës dhe këtij shteti, ku më thoshte se përse nuk pranojmë përkatësinë maqedonase dhe të natyralizohemi sikurse të tjerët që natyralizohen kur duan të bëhen francezë. I shpjegoja se dallimi mes Francës dhe Maqedonisë ishte aq i madh, sa i buburrecit dhe elefantit, se ky shtet buburrec me 1000 probleme i krijuar dje, e i paaftë për të ndërtuar qytetarinë për të gjithë dhe për ti dhënë shansin e barabartë të gjithëve nuk mund të krahasohej me Francën e Molierit, Hygosë, Balzakut, Monteskjesë, Diderosë, Kamysë, e mandej të Risheljesë, të Napoleonit, të Robespierit, të Klemensos, të De Golit, të Dëstengut, të Monesë, të shumë e shumë figurave të ndritura, pa të cilat kuptimi mbi Francën dhe Evropën, nuk do të kishte kuptim. I sqaroja se ky shtet s’mund të aplikonte doktrinën e Risheljesë, atë të shtetit komb, ngase është i kontestuar së pari nga fqinjët, së dyti aspekti historik dhe gjeopolitika nuk mund t’i lejojë atë privilegj. Dhe më në fund arriti të pajtohej me këtë konstatim timin. Ashtu më tha.
Më shoqëronte në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë ku punova për 4 vite e gjysmë me radhë si mësimdhënës i gjuhës frënge dhe si sekretar i Fakultetit të Gjuhëve, Kulturave dhe Komunikimit. U impresionua nga pamja e bukur e Universitetit, e unë i thosha që jemi krenar me ndërtesat e këtij institucioni të arsimit të lartë, me kushtet, por mungonte shumëçka tjetër aty.
E se për çfarë e kisha fjalën, një herë tjetër. I sqaroja se ky Universitet është produkt dhe rezultat i mendjes së ndritur dhe vizionare të Arbër Xhaferit, por që ata që u punësuan aty si asistentë, profesorë, dekan dhe si organigramë, do të harronin kontribuuesin për themelim të atij Universiteti dhe se do të shkonin deri në atë shkallë sa të mos lejonin edhe promovimin e librit për Arbër Xhaferin, të shkruar nga Enver Robelli. S’ke ç’ti bësh.
I pëlqente qyteti i Tetovës ku nga mundi i mërgimtarëve dhe nga shpirti i biznesit tetovar nuk has asgjë të vjetër në këtë qytet. I pëlqenin xhamitë, teqeja e Tetovës, besa edhe manastiret, në përgjithësi në Maqedoni, po jo edhe Kryqi i madh gjigant në Vodno, i cili u mboll për tu treguar botës se ç’bën çmenduria njerëzore kur vije në pushtet, se si ndokush për të tentuar që të dëshmojë se është diçka ndërton objekte që kushtojnë shumë shtrenjtë, vetëm e vetëm që të ndërlidhin veten me objekte të vdekura, duke tentuar që të marrin promotorin e kristianizmit në botë. Nuk i pëlqente cenimi i diversitetit fetar në këtë shtet dhe provokimet e njëpasnjëshme etnike, që vinin në përditësi, e unë i sqaroja që kjo është formë e mbijetesës së politikanëve qeveritarë, të cilët sikur mos të shkaktonin tensione e konflikte, nuk do të mbeteshin në pushtet, se veprimet e tyre janë më shumë koordinim për atë se si të qeverisin duke mbajtur komunitetet nën tension që më pastaj qëllimet t’i realizojnë më lehtë.
U gëzua tej mase kur i dhurova të tre librat e mi dhuratë, e mbi të gjitha studimi im apo libri im i parë “Franca dhe diplomacia franceze në periudhën e Risheljesë, Doktrina e shtetit komb dhe arsyeja shtetërore”. E kishim vendosur që të angazhoheshim së bashku në përkthim, mirëpo besoj se këtë qëllim do ta realizojmë në një të ardhme të afërt, ngase obligimet e përditshme nuk na lejuan këtë privilegj. U impresionua kur i tregoja për këtë doktrinë dhe për qëllimet e zgjedhjes së kësaj teme. Mburrej që ishte francez.
Në ndërkohë flitnim edhe për arsyet e humbjes së interesit për mësimin e gjuhës frënge në Maqedoni. I tregoja se kjo ishte si pasojë e gjeopolitikës dhe ndryshimit të zonave të influencës. I sqaroja se Franca edhe më tej ka krenarinë shkëlqyese, por duhet të mbështesë projekte, aktivitete dhe iniciativa të ndryshme që vijnë nga palë të ndryshme frankofone. I shpjegova për mungesën e investimeve në departamentin e frëngjishtes së UEJL, si dhe për arsyet e mbylljes së të njëjtit departament dhe lëndëve zgjedhore të frëngjishtes në UEJL, si pasojë e mosinvestimeve të Ambasadës franceze, po edhe neglizhencës së autoriteteve universitare të cilat mendojnë se në botë duhet të dihet vetëm një gjuhë, ajo angleze.
Tema që më së shumti na preokupoi ishte ajo kur i sqaroja për numrin e të burgosurve shqiptarë nëpër burgjet e Maqedonisë. Kishim rastin të takonim vëllanë e njërit prej të burgosurve shqiptarë, bashkëfshatarë i imi, që u burgos pa fije argumenti dhe u dënua me burgim të përjetshëm. E Jules shokohej me pseudoargumentet e ofruara gjyqësore dhe me sistemin e poshtër të gjyqësorit në këtë republikë bananesh.
I pëlqenin specialitetet tipike shqiptare e ballkanase. Më nderoi me vizitën e tij në shtëpinë time së bashku me mamin e tij dhe një kolege, e më pastaj me babain e tij të divorcuar nga e ëma dhe me një mikeshë të babait. Biseduam e qeshëm, i pëlqeu biblioteka e shtëpisë, mburrja ime e vetme si intelektual, për dallim prej disave që mburrje kanë kafenetë, veturat luksoze dhe femrat, e që kanë marrë tituj shkel e shko, pa respektuar standarde, por që fati i ka sjellë të jenë në shumë funksione dhe të luajnë me paranë, sprovën më të rëndë për njeriun.
Jetonte për çdo ditë me përditshmërinë e kësaj shoqërie dhe i pëlqente ajo. Hante trileqe dhe ëmbëlsira në ëmbëltoret shqiptare, i pëlqente ky popull stoik, po ishte koshient se ky popull ishte fatkeq ngase kishte fatin e hidhur me politikanë të pandërgjegjshëm.
Pjesëmarrja jonë në konferencën e organizuar nga Rrethi i Frankofonëve dhe Ambasada e Francës dhe e Zvicrës në Shkup, gati se u shndërrua në monopol nga ne, duke mbisunduar me pyetje dhe ide. E pamë që flitnim tepër shumë, saqë u bënim mosdurues, e kjo jo për fajin tonë po për shkak të audiencës pasive. Zgjeruam dhe zhvilluam konceptet e laicitetit sipas këndvështrimeve tona edhe pse nuk pajtoheshim me to, ngase unë pëlqeja konceptin amerikan të laicitetit e ai atë të Republikës franceze, andaj i preferova të lexojë librin e Joan Schot, “La politique de foulard” (Politika e mbulesës). Ishte një antisarkozist, por që arsyetonte atë mosdurim të politikës aktuale franceze, ndërsa unë i thurja lavde Sarkozit, për shkak të qëndrimeve të tija proshqiptare para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe pas saj.
I sqaroja se sipas asaj që dija unë në Francë shteti i mbronte individët nga feja, ndërsa në SHBA fetë mbrohen nga shteti, e shteti nga feja. Biseduam gjerë e gjatë për ligjin francez të 15 marsit 2004, ligj ky që ndaloi mbajtjen e simboleve fetare të dukshme dhe jepnim argumente pro et contra ligjit në fjalë.
Më sfidonte me pyetjet për mafien shqiptare, term ky padrejtësisht i përdorur nga qarqe të ndryshme, duke dashur të paraqesin një imazh tjetër për shqiptarët, e unë si kundërpërgjigje i ofroja argumentet për ilirët , për pellazgjishten dhe ilirishten, për luftërat e Skënderbeut, për Konicën, Nolin, Fishtën, ...... për Nënë Terezën, për Ferid Muratin, për Ismail Kadarenë, për Rexhep Qosjen, për Kasim Trebeshinën, për Ukshin Hotin, për politikën e Ibrahim Rugovës, për heroizmin e pashoq të Adem Jasharit. Ai megjithëse stepej nga argumentet dhe informatat për luftërat dhe heronjtë që kishim, prapë insistonte në pyetjet sfiduese.
I sqaroja se termi mafia shqiptare, produkt i qarqeve sllave dhe ruse, në bashkëpunim me qendra të ndryshme antidemokratike ishte sajesë e rrezikshme, ngase ky popull megjithëse në gjirin e saj ka edhe kopukë, mbi të gjitha ka njerëz fisnik dhe të ndershëm. I sugjeroja që mos të binte pre e dy autorëve francez, Ksavier Rofer dhe Stefan Kuere të cilët publikuan një palolibër “Mafia shqiptare”, ku më shumë kishte shpifje dhe pseudoargumente se sa realitet, e ku një fjalë nuk thuhej për krimet dhe mizoritë sllave ndaj shqiptarëve. I sqaroja mikut tim se shqiptarët nuk kanë mafia, se shqiptarët kanë nobelistë dhe figura të shquara të lapsit e pushkës.
I sqaroja se ky komb në gjirin e tij kishte tre religjione, atë shumicë myslimane dhe pjesa tjetër katolike dhe ortodokse, por që kishin mbijetuar për çdo lëvdata shekuj me radhë, dhe që shqiptarët shumicë myslimanë i ndjenin shqiptarët katolik dhe ortodoks si vëllezër të tyre, po aq sa këta të fundit i ndienin vëllezër të parët. I tregoja poashtu se shqiptarët nuk kishin asnjë elaborat për shfarosje të popujve fqinj, përderisa grekët kishin MEGALIDHENË e tyre ndërsa serbët NACERTANIJEN. Kësaj të fundit ia shtoja edhe projektin SKOPJE 2014, projekt ky që irritonte mikun tim me ide europianiste dhe demokratike. Desh pëlciste kur shihte kushtet e mjeruara të arsimit shqip në Kumanovë, që i ngjanin me vendet më të pazhvilluara geto, por gëzohej tej mase për erudicionin e nxënësve shqiptarë që flisnin shumë gjuhë të huaja dhe që kishin inteligjencë të paparë.
U interesua tej mase edhe për librin tim të tretë, e më konkretisht për polemikat e mija me disa individë të rrezikshëm antikombëtarë dhe antihuman, e më konkretisht për polemikat e mija me K.M. nga Shqipëria, dhe u befasua si dhe u tmerrua nga klishetë e tij. E i thosha, e sheh, se edhe ky popull ka në gjirin e tij bastardë dhe ksenofob, por që janë shumë të rrallë.
Bisedat tona nuk u ndalën saherë që takoheshim dhe pinim kafe, derisa i erdhi dita që të shkojë dhe të kthehet në atdheun e tij. Më impresionoi me dhuratat e tij, tre libra në gjuhën frënge, shumë të çmuara, me ofrimin e specialitetit francez të njohur GALETTE, që ishte mjaft i shijshëm, me ofrimin e dhuratave për djemtë e mi sokola, për të cilën i falënderohem, si dhe me atë që më mundësoi perfeksionim të gjuhës frënge dhe përforcim edhe më të madh. I thosha se gjuhët janë det pa bregdet, që kurrë nuk mund të mësohen krejt në tërësi, por që mund të mësohen të fliten pa problem.
Për në fund, kur u ndamë, ai me lot në sy më përshëndeti mua dhe familjen time, shokët, dashamirët, ish studentët dhe nxënësit e mi, si dhe shprehu konsideratën e tij më të thellë për këtë komb fisnik, kombin shqiptar, për shoqërinë në përgjithësi dhe për mikpritjen shqiptare.
Au revoir miku im Jules Ortega, e besoj se atje në Francë, si dhe në Komisionin Evropian, do prezantosh argumentet dhe përvojat e përjetuara pozitive me ne këtu, dhe do çjerrësh maskën e një palolibri për mafien shqiptare, të shkruar nga dy paloautorë. Si dhe shpresoj të kesh filluar në leximin e librave të Ismail Kadaresë, që mund t’i gjesh në gjuhën frënge.
Të dëshirojmë fat dhe suksese në jetë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment