Home | Opinion | Fusnota dhe parimet europiane

Fusnota dhe parimet europiane

image
 Procesi i integrimit në BE është bazuar në performancë dhe vlen njëlloj për të gjitha vendet aspirante. Çdo përpjekje për të dalë nga çdo vend në këtë drejtim, do të dekurajonte për vendet e tjera aspirante në ndërmarrjen e reformave të BE dhe për stabilitetin rajonal.





Baton Haxhiu
 
 

 
 
 
 
Është për të ardhur keq që gjuha rebeluese e opozitës ka fusnotën më të keqe se sa Rezoluta 1244. Shitja e sovranitetit dhe ikja e Kosovës nga shtetësia është një përrallë që nuk pi ujë në diskursin politik normal.
 Unë me të vërtetë besoj se personaliteti i Thaçit dhe fati i tij për të qenë në këtë pozitë kanë një rol për të luajtur. Por askush në Kosovë s’ka rol për të shitur diçka në emër të pozitës që mban. Në kohërat normale, në një demokraci të zhvilluar ose çfarë është në Kosovë, lideri është i kufizuar nga ligjet, kontrollet dhe balancat për të bërë veprime të rënda tradhtie. Kjo është një gjë që nuk duhet të jetë pjesë e gjuhës normale politike. Natyrisht, mund të ndërtosh gjuhën e fajësimit deri në nivel tradhtie. Por ç’kuptim ka bashkëpunimi dhe bashkëveprimi kur akuza arrin kulmin?
 Ka mjaft gjëra të tjera për t’u kritikuar, por pesha e kritikës së opozitës po zbehet dhe po bëhet inflative për faktin se ngjyra e diskursit po përqendrohet në gjërat që nuk janë pjesë e kritikës domethënëse.
 Është për keqardhje edhe vendosja e opozitës në pozita antieuropiane dhe antiamerikane. Sepse opozita i takon të njëjtit popull, i cili, natyrisht që ka një përqendrim amerikan dhe europian, ndonjëherë më shumë se sa që duan edhe amerikanët dhe europianët.
 Ka individë që kanë emër dhe mbiemër, dhe diskursi i tij legjitimohet përmes gjuhës që përdor, por assesi një politikan nuk mund të përfaqësojë opozitën në numër e posaçërisht kjo opozitë të vendoset në pozita armiqësore.
 Pozita dhe opozita kosovare duhet të përqendrohen te modeli europian i komunikimit politik, i cili si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi po ndërton parime (parimet e dhjetorit të vitit 2011 në tri pika) dhe nuk tregoi gatishmëri dhe përkushtim për t’i përfunduar ato. Megjithatë, procesi i zbatimit të këtyre parimeve ka qenë vetëm i pjesshëm dhe shtrirja e konkluzioneve ka mbetur kryesisht në letër. Veriu i Kosovës është duke u përballur me postblloqe, strukturat ilegale dhe paralele, si dhe një mungesë e qartë e vullnetit politik nga ana serbe në dhënien e asaj që është rënë dakord në Bruksel. Po përmend tri parimet dhe kushtet e 9 dhjetorit të vitit 2011 që kanë shumë më shumë rëndësi se sa fusnota e 1244-s.
 
Në dokumentin e dhjetorit ishin paraparë tri pika:

 1. Zbatimi i marrëveshjeve për lirinë e lëvizjes dhe mallrave; për regjistrat civilë e kadastrat, për diplomat universitare, e së fundi edhe të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, të nënshkruar më 2 dhjetor të vitit të kaluar.
 2. Marrëveshja për kooperimin regjional duhej të nënshkruhej.
 3. Serbia duhej që aktivisht të bëjë të mundur për EULEX-in dhe KFOR-in të ekzekutojë mandatet e tyre.

 Zotimet që Borko Stefanoviç ia ka dhënë vazhdimisht Edita Tahirit nën ndërmjetësimin e Robert Cooperit, nuk kanë gjetur zbatim në ecurinë e procesit të dialogut të filluar një vit më parë. Kjo pasi ende i mban strukturat e veta paralele në Veri, e me to edhe barrikadat gjithandej zonës mbi lumin Ibër. Gjithashtu, EULEX-i dhe KFOR-i nuk kanë mundësi të lëvizin lirshëm për të kryer mandatin e tyre.
 Pozita dhe opozita do të duhej të bashkërendonin dhe nëse do të mendonin për Kosovën, do duhej të refuzonin bisedën me Cooperin në qoftë se Serbia nuk do t’i plotësonte kushtet e dokumentit të dhjetorit.
 Por, në vend të kësaj, po kthehemi te rutina e bisedave që në fund nuk kanë të bëjnë më parimet që ndërton BE, por mbi shkarje nga dokumenti që krijojnë koniunkturat politike të momentit. E kjo vlen për ndërmjetësuesin Cooper dhe për shefen e Diplomacisë europiane, Ashton.
 Është shumë lehtë për Ashton dhe Cooperin të vijnë në Prishtinë dhe të thonë: kjo është ajo që ju duhet: fusnota, demokratizimi, liria e të shprehurit, siguria, marrëdhëniet me Serbinë dhe pranimi i kushteve europiane etj.
 Por Cooper dhe një pjesë e njerëzve të BE-së nuk e ndiejnë peshën e krizës në Ballkan dhe Kosovë. E kam përvojën e kohës dhe vazhdimësinë e vonesës në proceset ballkanike të këtyre njerëzve.
 Kur diskuton perspektivat për marrëdhënie me Serbinë me këta njerëz, është sikur të kërkosh të përshkruhet një udhëtim, të cilin nuk e keni bërë. Dhe kjo dhimbje e jona është pjesë e vazhdueshme e këtij diskutimi. Pyetja është cili ishte caku final i kësaj sage politike dhe të na thotë dikush nga Europa ta dimë ku janë ndaljet e këtyre diskutimeve të pafundme. A do të ketë luftë me Veri? A do të ndahet Kosova dhe Maqedonia? A do të ketë konflikt në Maqedoni? Çfarë do të ndodhë në Serbi? A do të ketë trazira civile në Kosovë dhe cili do të jetë rezultati nëse ato ndodhin si pasojë e kësaj politike europiane?
 Mbi këto pyetje dhe dilema nuk është pothuaj fare realiste të pritet se Kosova mund të ekzistojë, vetëm me vaksinë kundër sëmundjes, e pa injektim të fortë të përparimit të BE-së, i bazuar në dialogun me Brukselin.

 Gjithashtu, në mungesë të fuqisë së argumentimit të asaj që ofrohet nga Cooper, pozita akuzon opozitën për gjërat që nuk janë fare politikisht të qëndrueshme.
 Është lehtë për njerëzit e opozitës këtu të thonë “kemi mbaruar dhe nuk duam as biseda as marrëdhënie me Serbinë, kurrë më”. Natyrisht, po në një kuptim, kjo edhe është e vërtetë. Por, shikuar ndryshe, kjo nuk do të jetë kurrë kështu. Nuk po themi me këtë se autoritetet serbe do të kthehen në Kosove. Kjo është punë e kryer. Por po them se qëndrimet e Serbisë të bëjnë ta kuptosh se ajo ende ka ndikim në rajon dhe në BE.
 Njerëzit e BE-së sikur nuk po duan të kuptojnë se në këtë rajon gjithkush është peng i dikujt tjetër. Figurativisht shikuar kjo është e vërtetë. Në një farë mënyre Serbia është një lloj pike e zezë midis Europës dhe për fqinjët e saj e sidomos për Kosovën. Prandaj, Cooper dhe BE nuk duhet të jenë shumë optimistë përkitazi me Serbinë, sepse ajo gjendet në gjendjen më të keqe në mbarë dekadën e fundit. Ajo është e kapluar me dezorientimin e njerëzve. Asnjëherë një numër aq i madh njerëzish të shkolluar në Serbi nuk ka krijuar aq shumë teori bizare konspiracioni sesa diskursi politik në Serbi.
 Kujtesa është e shtrenjtë për ata që e përjetojnë një situatë të tmerrshme, por për ata që ndërtojnë politikën e dialogut, kujtesa është vetëm pengesë e saj. Por është për të ardhur keq që e gjitha është harruar nga Serbia. Edhe në kohën kur po bëhet dialogu. Por është për keqardhje fakti se Cooper s’ka kujtesë fare për vitet ‘98 dhe ’99, kur po shtron parimet për dialogun.
 Nëse gjatë disa viteve pas vitit ‘99 ka mundur të dalë ndonjë serb që do të ishte turpëruar për atë që u është bërë shqiptarëve, tani kjo gjasë më nuk ekziston. Ata mendojnë: “Ja ata, ja ne dhe së këndejmi nuk u vjen keq aspak për atë që ka ngjarë”. Tadiçit dhe pushtetit në Serbi u vjen keq vetëm se kanë humbur.
 Qarku i pafund i hakmarrjes, 1912, 1915, 1918, 1941, 1944 e kështu me radhë, është bartur edhe në shekullin e ri kur për shumicën, sot në Kosovë çështje janë elektriciteti, rindërtimi, ngrohja, paratë, siguria, krimi. Pozita dhe opozita duhet të kërkojnë pakon konkrete nga BE për të dalë nga kjo situatë. Dhe jo të merren me fusnotën, e cila kuptimin e ka vetëm në betejën e brendshme, të pafund, të pozitës dhe opozitës në të dyja vendet.
 Për fund duhet të thuhet qartë në Bruksel se BE të gjejë mjetet për të sjellë Serbinë në rrugën e zbatimit. Këto hapa janë të një rëndësie të lartë jo vetëm për perspektivën e marrëdhënieve të mira fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe në dritën e kërkesës së Serbisë për të përparuar drejt BE-së duke dështuar të respektojë standardet e BE-së. Serbia nuk ka dështuar vetëm në zbatimin e marrëveshjeve, por dështimet janë të dukshme edhe në kuadër më të gjerë të kritereve të Kopenhagës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal, sepse ajo nuk ka dhënë ende dorë nga politikat e pengesave ndaj Kosovës dhe disa vende të tjera në rajon.
 Procesi i integrimit në BE është bazuar në performancë dhe vlen njëlloj për të gjitha vendet aspirante. Çdo përpjekje për të dalë nga çdo vend në këtë drejtim, do të dekurajonte për vendet e tjera aspirante në ndërmarrjen e reformave të BE dhe për stabilitetin rajonal.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0