Latest News
Fussnote*
Nuk ka ndërtuar konsensus të gjerë politik për çështje vitale kombëtare (duke e shpërfillur në vazhdimësi opozitën) dhe së dyti çmimi i kompromisit ka qenë simbolik, ose tepër i ulët, ngase kur palët negociojnë, secila nga to e ka të qartë pragun e fundit negociues.
Halil Matoshi
Kosova është shtet pa ose me fusnotë* dhe me ose pa republikë, përderisa është njohur si shtet i pavarur nga demokracitë më të fuqishme botërore dhe ka sistem politik republikan. Por në rastin e denominimit për pjesëmarrje në nismat rajonale, Qeveria e Kosovës i ka bërë dy gabime themelore. Nuk ka ndërtuar konsensus të gjerë politik për çështje vitale kombëtare (duke e shpërfillur në vazhdimësi opozitën) dhe së dyti, çmimi i kompromisit ka qenë simbolik ose tepër i ulët.
Kosova pa yll ose edhe me të është emërtimi, i cili me vullnetin e popullit të saj është shpallur shtet i pavarur dhe është njohur si i tillë nga 87 kombe të botës (Kosova është emri kushtetues i shtetit kosovar në preambulë), kurse për BE-në është shtet i pambaruar prandaj do ta përdorë denominimin me fusnotë (pasi që pesë anëtare të saj nuk e kanë njohur) dhe kjo nuk e bën më pak shtet.
Kosova e ka fituar lirinë në qershor të vitit 1999, e që mund të konsiderohej si Statu nascendi (shtet në lindje e sipër.)
Më 10 qershor 2007, ShBA-ja e ka njohur de facto Kosovën, kur Geoge W. Bush tha në Fushë-Krujë: “Kosova është e pavarur dhe duhet të jetë shtet i pavarur tash.”
Më 17 shkurt 2008, Kosova e ka shpallur aktin e pavarësisë, e cila sipas mendimit të GjND-së, që është trup i OKB-së, nuk është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.
Në anën tjetër, për Serbinë Kosova është një pjesë e territorit të saj e vënë përkohësisht nën protektorat ndërkombëtar (Sipas Rezolutës 1244 të KS të OKB-së), por që akti i saj i pavarësisë është i ligjshëm.
Qeveria e Kosovës ka marrë mbështetje verbale nga disa diplomatë të vendeve të fuqishme të BE-së, si rezultat i arritjes së marrëveshjes me Serbinë për t’u prezantuar në nismat rajonale. Prishtinës zyrtare do t’i ofrohet me siguri e drejta që Komisioni Evropian t`i bëjë një studim fizibiliteti, sipas shembujve në rajon, e pastaj me gjasë edhe të ratifikojë marrëveshje kontraktuale si stabilizim-asociimi (SAA.)
Prandaj sipas këtyre diplomatëve, “fusnota” është formula e duhur me të cilën Kosova do të fitojë mbështetje edhe tek pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Kjo do të ishte në rregull po qe se mbështetja verbale të ishte garanci, mirëpo kush mund të garantojë një gjë të tillë për Kosovën, kur dihet se marrëveshje kontraktuale me BE-në mund të nënshkruajnë vetëm shtetet, sepse këso marrëveshjesh ratifikohen në parlamentet e secilit shtet anëtar të BE-së veç e veç.
Është shumë problematike që pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën të votojnë në parlamentet e tyre pro marrëveshjes kontraktuale të BE-së me Kosovën.
Referimi në Rezolutën 1244 dhe në Mendimin e GjND-së në fusnotë, si zëvendësim për emërtimin kushtetues të Republikës së Kosovës, është kompromis politik, prandaj nuk mund të cilësohet si marrëveshje e favorshme nga lidershipi kosovar, por natyrisht as nga ai serb, megjithëse, për shkak të momentumit politik brenda BE-së, Serbia është interes jetik.
Prandaj BE-ja nga aspekti etik e ka flijuar pak Kosovën, për më shumë Serbi brenda saj.
Sidoqoftë ajo ia mundëson Kosovës dhe të flasë me zërin e saj në nismat rajonale pa UNMIK-un.
Por në rastin e denominimit, Qeveria e Kosovës i ka bërë dy gabime themelore.
Nuk ka ndërtuar konsensus të gjerë politik për çështje vitale kombëtare (duke e shpërfillur në vazhdimësi opozitën) dhe së dyti çmimi i kompromisit ka qenë simbolik, ose tepër i ulët, ngase kur palët negociojnë, secila nga to e ka të qartë pragun e fundit negociues.
Po a ka mundur të shitet më shtrenjtë ky kompromis politik?
Po. Prishtina zyrtare do të duhej të ishte këmbëngulëse në parim, rreth kompromisit politik, të domosdoshëm, në dy drejtime:
Së pari, të insistojë që Serbia konform me Rezolutën 1244 t’i tërheqë strukturat ilegale nga pjesa veriore e Kosovës; së dyti, të kërkojë që Serbia të iniciojë amendamentimin e Kushtetutës së saj për ta hequr nga preambula e saj Kosovën si pjesë integrale të territorit të saj.
Ose, për shembull, edhe më pak, të insistonte që për kompromis të marrë të drejtën e paraqitjes së Kosovës me fusnotë, s’ka dert, në FIFA dhe UEFA.
Por po ngjet se ky është çmimi që i ka vënë Kosovës një lidership që nuk mendon, ose që s’është konsistent.
Në këto drejtime do të duhej që të mësynin negociatorët kosovarë, sepse kompromisi i bërë vetëm sa për të “dalë nga izolimi ndërkombëtar”, siç po e komenton kryeministri kosovar, është e domenit të ruajtjes së pushtetit personal. Izolimi ndërkombëtar logjikisht duhet t’i adresohet vetë Qeverisë: Pse e ka shpjerë vendin në izolim?
Kush është përgjegjësi?
Dhe për ta adresuar këtë çështje duhet qartë të thuhet se izolimi i ka shkaktarët e vet, që janë keqqeverisja, krimi i organizuar dhe korrupsioni, abuzimi i procesit zgjedhor, mossundimi i shtetit të së drejtës etj.
Natyrisht se dialogu Kosovë – Serbi ka devijuar nga dialogu për çështje teknike në dialog për çështje ekskluzivisht politike dhe pasi që kemi të bëjmë me një çështje politike, atëherë do të duhej që të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës.
Porse kjo “marrëveshje” për denominim në nismat rajonale del të mos jetë as marrëveshje, por me insistimin e Serbisë cilësohet vetëm konkluzion, që nuk është kategori juridike, prandaj edhe nuk duhet adresuar Kuvendit për ratifikim!?
Po ashtu nga aspekti legal kjo çështje është jashtë kompetencave të Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk ka marrë formën e vendimit ose ligjit.
Dhe Gjykata Kushtetuese në këtë rast nuk ka materie me të cilën duhet të merret.
Meqë zyrtarisht nuk është marrëveshje por konkluzion, atëherë në aspektin e së drejtës ndërkombëtare nuk ka kurrfarë pasoje, sepse thjesht nuk është marrëveshje ndërmjet palëve por akordancë ose pajtueshmëri mes dy palëve për një çështje teknike.
Duke qenë se Rezoluta 1244 është kategori kushtetuese e Republikës së Kosovës (neni 153, prania ushtarake) si derivat e “Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës” të Marti Ahtisaarit, që po ashtu e ka pikënisjen në Rezolutën 1244, përfshirja e saj në fusnotë të marrëveshjes me Serbinë, prodhon pasoja politike: I) lë mundësinë Serbisë që të vazhdojë ta trajtojë Kosovën si pjesë integrale të Serbisë sipas preambulës së Kushtetutës serbe, si dhe krijon parakushte për zgjidhje jokushtetuese ose një status të përkohshëm asimetrik të pjesës veriore të Kosovës, duke lënë veriun nën Rezolutën 1244 deri në një zgjidhje mes palëve.
Pra “fusnota” hap mundësi për fusnota të tjera...
Në anën tjetër, konkluzioni për paraqitjen e Kosovës me fusnotë në nismat rajonale, që është i përkohshëm, sepse nuk e ka fuqinë e ligjit, prandaj nuk i vë në pozicion ‘neutral ndaj statusit” shtetet që e kanë njohur Kosovën; por në kësi pozicioni i lë vetëm shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë.
Definicioni më i shkurtër por më i sakti për shtetin është ai i Immanuel Kantit që shtetin e sheh si bashkim me ligj të një grupi njerëzish.
Parakushtet që duhet t’i ketë një shtet për t’u pranuar si subjekt i të drejtës ndërkombëtare (sipas Konventës së Monte Videos, 1993) janë: a) popullsia e përhershme; b) territori i caktuar; c) pushteti sovran; d) qeveria dhe aftësia (e trupit politik të shtetit respektabil) për të hyrë në marrëdhënie me shtetet e tjera;
Një vend që të përmbushë kriteret themeltare të krijimit të shtetit është shtet, me ose pa fusnotë, me ose pa njohje ndërkombëtare, duke qenë ose jo anëtare e OKB-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare. Këto kritere varësisht prej konteksteve historike dhe politike marrin karakteristika moderne, të pëlqyeshme. Pra një popullsi e përhershme (kompakte) që ka shprehur vullnetin e lirë politik për shtet; Një pushtet sovran dhe një Qeveri efektive, por edhe demokratike, që ka nën kontroll tërë territorin dhe së fundi një trup të shëndoshë politik që është i aftë për të hyrë në marrëdhënie bilaterale dhe multilaterale me kombet e tjera, duke marrë edhe detyrimet, që e ndërtojnë një shtet-komb.
Si e definon Ortega Y Gasset në këtë kontekst të qenit komb shtetformues të mbështetur në ligj?
“Të kesh lavdinë dhe të kaluarën e përbashkët, vullnetin e përbashkët në të sotmen; të pasurit e veprave të mëdha të përbashkëta dhe dëshirën për të bërë edhe më tej vepra të tilla të mëdha; ja kushtet qenësore për të qenë komb.”
Robert Kagan zëshëm, por edhe Marc Weller më qetë, janë të bindur se koncepti Westphalian i sovranitetit shtetëror i shekullit 17 po merr fund, pikërisht duke pasur parasysh qasjen unilaterale amerikane dhe kështu e drejta ndërkombëtare po evoluon, sipas standardit progresiv të saj, që i trajton katastrofat humanitare si një përjashtim në rregullin e mosndërhyrjes. Natyrisht se Kosova dhe kombkrijimi, që arkitekti i saj Martti Ahtisaari e konceptoi si rast sui generis e dëshmojnë këtë. Kagan mendon se amerikanët e kanë siguruar triumfin e moralit mbi ligjin. Ky autor citon Glennonin që thotë se parimi i mosndërhyrjes i mishëruar në Kartën e KB-së është shkelur aq shpesh, për këto gjashtë dekada, saqë nuk mund të kualifikohet më si ligj ndërkombëtar, pra sipas tij, bota është në një gjendje paligjësie ndërkombëtare, “desuetude.”
Porse pas intervenimit unilateral të NATO-s në Kosovë, Aleanca Veriatlantike arriti që më në fund më 10 qershor 1999 ta “blinte” një Rezolutë të OKB-së (1244) që “qeveria e botës” të adaptonte një administrim të saj në Kosovë, duke e përligjur edhe intervenimin unilateral atje. Edhe ky ishte një inicial se KB-ja po ndryshon. Por thuajse gjithçka u përmbys pas 11 shtatorit 2001, kur ShBA-ja invadoi Afganistanin dhe më pas Irakun. OKB-ja iu rikthye “doktrinës së plugjeve” duke mbetur në rolin e një organizate për shpërndarjen e ndihmave humanitare. Konteksti kosovar po dëshmon, ndërkaq se edhe në të drejtën ndërkombëtare dhe në vetë “qeverinë e botës” po depërton gjithnjë e më shumë doktrina e “vetëvendosjes zhdëmtuese” (që e zbërthen saktësisht Marc Weller), e cila mbi të drejtën domestike të shteteve vendos mbrojtjen e bashkësive, popujve që i nënshtrohen represionit në shkallë gjenocidale dhe shkeljeve masive të të drejtave të njeriut, e kjo pashmangshëm do ta shpinte OKB-në në reformë të thellë konceptuale dhe strukturore, pra do t’i ndryshonte edhe postulatet westphaliane të sovranitetit shtetëror.
Kësisoj Kosova i ka konsumuar të gjitha procedurat e OKB-së (madje arkitekti i saj, Ahtisaari, ishte emëruar nga vetë OKB-ja.
Kosova gjendet para sprovës së afirmimit të pavarësisë së saj të mohuar.
OKB-ja nuk është kredibile që ta adresojë çështjen e Kosovës në negociata të reja, sidomos pas verdiktit të “gjykatës botërore” (GjND.)
Prandaj nëse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së nuk përfill gjykatën së cilës ia adresoi çështjen e Kosovës, atëherë Kosova e ka fituar të drejtën që të mos e përfillë çfarëdo rezolute eventuale të votuar aty, e cila ia cenon në çfarëdo forme pavarësinë e njohur tashmë nga tetëdhjetë e shtatë kombe.
Kosova dhe miqtë e saj, pasi që Serbia e njohu si valid mendimin e GjND-së, duhet që të kërkojnë mënyra për adoptimin e mendimit të GjND-së si valid në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, që njëherësh do të ishte akti i parafundit për anëtarësimin e Kosovës në OKB. Në këtë situatë Kosovës i vyejnë 130 njohje (dy të tretat) e Asamblesë së Përgjithshme, që kjo e fundit me rezolutë të posaçme t’ia adresojë KS-së anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë frymë eurodeputetja Ulrike Lunacek porosit kosovarët: Përdoreni fusnotën!?
Serbia pra, me marrëveshjen e fundit për denominimin e Kosovës, e njeh si valid Mendimin e GjND-së, kjo frymë duhet ta influencojë edhe Këshillin e Sigurimit të OKB-së që në rast se i adresohet njohja e Kosovës nga Asambleja e Përgjithshme, nuk ka më asnjë arsye për kërcënim me veto nga Rusia dhe Kina.
Sepse secila marrëveshje e arrirë me negociata, pra paqësisht mes palëve në konflikt është postulat i pranueshëm për KS.
Pra, edhe pas fusnotës jetohet në Kosovën shtet, ashtu siç qytetarët e saj e projektojnë dhe e dizajnojnë.
Fusnota, ndonëse sqaron diçka për dikë, më 2012, megjithatë nuk është fundi i botës!
_____________
* Fussnote është fjalë gjermane Fuss – nën këmbë dhe Note- shënim... që tregon një shënim ose vërejtje në fund të tekstit për një subjekt, që është shënim plotësues ose që jep sqarime shtesë për një subjekt, por mund të përmbajë edhe citat ose referencë për tekstin në fund të të cilit është vënë.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment