Home | Opinion | Hapësira e partisë që po lind

Hapësira e partisë që po lind

image
Hapësira politike, ashtu si dhe hapësira fizike, ka përmbajtje relativiste. PD dhe PS krijuan hapësirë politike që në lindjen e tyre për shkak të boshllëkut të krijuar menjëherë pas rrëzimit të sistemit totalitar, boshllëk që u mbush menjëherë me ekuilibrin që prodhojnë të kundërtat.

 
 


Besnik Gjongecaj 






A ka vend për një parti tjetër politike në Shqipëri? Ka kohë që këtë pyetje e bëjnë shumë njerëz dhe pothuajse të gjithë kanë edhe përgjigjen gati. Intuitivisht, përgjigjja që e shoqëron këtë pyetje është se për sa kohë që janë dy partitë e mëdha, PS dhe PD, edhe hapësira politike për një parti tjetër të suksesshme është nul, inekzistente. Kjo mënyrë e të konceptuarit të hapësirës politike jo vetëm nga njerëzit e thjeshtë, por edhe nga të tjerë që merren me këto punë, është shndërruar në një mentalitet, është bërë tabu. Sipas këtij mentaliteti, realiteti politik i sotëm është i dhënë njëherë e përgjithmonë, një ekzistencë statike dhe jo ashtu si ai është në fakt: një proces dinamik, në ndryshim të vazhdueshëm. Mentaliteti i pamundësisë së lindjes së entiteteve të tjera politike në Shqipëri, pra, mentaliteti i pamundësisë së ndryshimit esencial të balancave politike në vend, është në fakt aq sa produkt i propagandës qeveritare, aq edhe produkt i një realiteti të deformuar me dashje nga dy partitë që sundojnë jetën politike të vendit. Djallëzisht ky mentalitet është futur në kokën e shqiptarëve për t’i lënë ata pa shpresën e ndryshimit politik të vendit. Duan apo nuk duan shqiptarët, dy “dinozaurët prehistorikë” janë të pandryshueshëm.
 
Ose me njërin, ose me tjetrin, rrugë tjetër nuk ka. Kështu i bie që në vend të adoptohet politika, pra në vend që politika të ndryshojë për t’iu përshtatur interesave në ndryshim të shqiptarëve, janë këta të fundit që do të duhet të ndryshojnë në përputhje me atë që paradoksalisht nuk ndryshon: natyra dhe interesat e politikës. Nuk janë qytetarët, por dy dinozaurët që kanë në dorë jo vetëm historinë, por edhe realitetin e politikës së sotme. Politikanët e sotëm tundin faktet dhe zgërdhihen pas tyre. Na ishin njëherë disa parti që u formuan nga të ikurit prej PD; ku janë sot ata, të ikurit, partitë që formuan!? Na ishin njëherë disa parti që u formuan nga të ikurit e PS, ku janë sot ata, partitë që formuan!? Disa u kthyen kokulur te PS, disa te PD, disa nuk u kthyen dhe u tretën gradualisht nën acarin e politikës. Por ç’u bë me atë që as u kthye te partia mëmë dhe as u tret, pra, ç’u bë me LSI, me atë që thotë se jam partia e integrimit!? Partia me inicialet që tingëllojnë si zhurma e një fshese që fshin, LSI, është edhe rasti më i çuditshëm që përfundimisht i vuri vulën mentalitetit të pamundësisë së formimit të një partie tjetër të suksesshme në politikën e këtij vendi. LSI as nuk qëndroi atje ku ishte, pra në mes të dy të mëdhenjve, as nuk u kthye andej nga kishte dalë, te PS, por, në mënyrën më të çuditshme, si në një film me fantazma, si në jerm, hyri në një portë të huaj, në portën e partisë tjetër, PD; pra në portën e asaj ngrehine që e kishte gjuajtur me top, e kishte sharë, poshtëruar, dhe akoma më zi, hyri pa trokitur, u ul në mes të sofrës, mori një lugë prej saj dhe filloi të mbllaçitet e uritur, pa folur asnjë fjalë, pa pyetur demokratët, madje pa pyetur askënd rreth sofrës. Dukej sikur kishte shkuar fantazma e Konstandinit për të mbajtur një fjalë të dhënë, dikur, dikujt.

* * * 

Mentaliteti i pamundësisë së ndryshimit të balancës ekzistuese politike në vend është formëzuar në kushte fare të pafavorshme për të, pra, në kushtet e një regjimi që po rrëshqet gjithmonë e më shumë në autoritarizëm dhe që pikërisht për këtë arsye, popullor do të duhej të ishte mentaliteti i mundësisë së fshirjes nga skena politike të dy dinozaurëve ekzistues dhe jo i përjetësimit të tyre. Regjimi i Tiranës prodhon korrupsionin më tragjik në krejt hapësirën e kontinentit, sepse karakterizohet nga një pushtet i centralizuar që vazhdon të centralizohet gjithmonë e më shumë dhe në më pak duar; nga institucione që nuk janë ndërtuar mbi bazë të mekanizmit “check and balance”; nga një mungesë e konkurrimit real dhe më së fundi, nga një mungesë ulëritëse e transparencës. Motivimi si një shtysë në përfshirjen e qytetarit në zhvillimin e shoqërisë është shndërruar në të kundërtën e tij, në frikë, që lind gjithmonë kur fati i njeriut dhe i karrierës nuk është në duart e tij, por të dikujt tjetër. Veçanërisht kjo e fundit ka çuar në lindjen e autocensurës, tregues sinjifikativ i ekzistencës së regjimit, çka është shoqëruar me fitoren e padiskutueshme të të paaftëve dhe të korruptuarve, por edhe me shansin tragjik të konsolidimit të këtij regjimi në të ardhmen. E gjitha kjo, paradoksalisht, mbahet në këmbë nga vetë shqiptarët. Mentaliteti i pamundësisë së ndryshimit të skenës politike është shndërruar në psikologji popullore dhe kjo e ka zhytur këtë vend në fatalitetin e pamundësisë së ndërtimit të një të ardhme ndryshe nga e sotmja.

* * * 

Më të interesuarit e ruajtjes së mentalitetit të pamundësisë së ndryshimit të balancës ekzistuese në politikën shqiptare janë vetë krijuesit e saj, PD dhe PS. Cilësimi si “partia e Topit” të partisë që pritet të zgjerojë hapësirën politike shqiptare është në fakt fillimi i një lufte primitive që dy prehistorikët e politikës shqiptare sapo kanë nisur për të ruajtur status quo-në në realitetin politik. Është fillimi i një beteje sipas një stili të njohur denigrues, që veçanërisht PD e ka adoptuar në të gjitha betejat meskine që zhvillon brenda llojit. Kështu i ka quajtur të gjitha partitë që janë krijuar nga njerëz të dalë prej saj për t’i rikthyer kokulur më vonë ose për t’i bërë inekzistentë. Partia e Cekës, partia e Pollos, partia e Shehit, apo kushedi se çfarë tjetër. Brenda një cilësimi janë të tria bashkë: edhe djallëzia, edhe mënyra e të menduarit, madje edhe fallxhorëku. Duke e cilësuar si partia e Topit, PD synon djallëzisht zvogëlimin e përmasave të saj në sytë e publikut shqiptar. Përmes këtij cilësimi u jep shqiptarëve mesazhin që ajo është parti e një njeriu, madje e një njeriu që e formon atë për shkaqe thellësisht personale, vetëm pasi nuk mundi të rifitojë pozitën e Presidentit të Republikës për të dytën herë. Është thjesht një inat personal, një mllef, një duf dhe vetëm kaq. Cilësimi i partisë që pritet të lindë vetëm si parti e dikujt kërkon të krijojë imazhin e gënjeshtërt se prapa kësaj partie nuk ka qytetarë, nuk ka masa njerëzish me sy të errësuar nga trajtimi çnjerëzor që u bën qeveria, të kërrusur nga mungesa e lirisë, nga dinjiteti i nëpërkëmbur, nga uria. Cilësimi i partisë që po lind si “parti e Topit” është pjesë e mentalitetit primitiv, veçanërisht atij të PD. Ka shumë vite, por edhe shumë ngjarje, që kanë çrrënjosur nga kjo parti gjithçka me vlerë që trashëgonte nga formimi i saj. Kjo parti ka kohë që nuk ka ideologji, nuk ka program, nuk ka bashkëjetesë demokratike, nuk ka statut, nuk ka organe, nuk ka autoritete në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale.
Ideologjia e demokracisë u zëvendësua me kultin e individit dhe autoriteti i partisë u zëvendësua me individin autoritar, ku bashkohen të gjitha: krijuesi, mëshiruesi, ai që të dënon, ai që të fal, ai që nuk të fal, ai që të ushqen, ai që të lë pa bukë, ai që ta jep karrigen me po aq lehtësi sa ta merr atë. Është ky mentalitet tashmë i ngrirë përfundimisht, i pandryshueshëm, që nuk e lejon PD dhe askënd brenda saj të karakterizojë një parti që po lind ndryshe, veçse si parti të një individi. Së fundi, brenda cilësimit “parti e Topit” ka edhe fallxhorëk, ka edhe lexim fati, madje, sipas një reflektimi perfekt të kodit të një injorance të thellë. Duke e cilësuar si parti e një individi dhe jo si parti që, sipas gjitha gjasave do të ketë një mbështetje të gjerë popullore, apo si një parti që ka një pozicion të caktuar politik, apo si një parti që futet në skenën politike nga një grup njerëzish që prej kohësh shprehin shqetësim të thellë për gjendjen në të cilën është katandisur jo vetëm e djathta, jo vetëm politika, por e gjithë Shqipëria, fallxhorët e prehistorikëve, veçanërisht ata të PD, “lexojnë te filxhani” se partia që po lind do të ketë të njëjtin fat që ka pasur çdo parti me emër individi. Do të ndiqni të njëjtin ritual si paraardhësit, ky është fati juaj, thonë fallxhorët. Ose do të bëheni shumë shpejt inekzistentë, ose do të ktheheni po kaq shpejt te mëshiruesi, por me një status tjetër, si plangprishës.

* * *

Hapësira politike, ashtu si dhe hapësira fizike, ka përmbajtje relativiste. PD dhe PS krijuan hapësirë politike që në lindjen e tyre për shkak të boshllëkut të krijuar menjëherë pas rrëzimit të sistemit totalitar, boshllëk që u mbush menjëherë me ekuilibrin që prodhojnë të kundërtat. Që atëherë, hapësira politike shqiptare nuk ka pranuar parti të tjera politike, ose, për të qenë më të saktë, të gjitha provat për krijimin e partive të tjera politike kanë dështuar. Ky fakt ka shtyrë jo pak njerëz të mendojnë që kemi të bëjmë me një gjendje përfundimtare në politikën e këtij vendi. Në fakt, nuk është kështu dhe nuk mund të jetë kështu, veçanërisht për rastin e një regjimi si ai i Tiranës. Ashtu si në kuptimin relativist, hapësira politike nuk është aty apriori, ajo krijohet në përputhje me natyrën e entitetit politik dhe nevojën e qytetarëve për të. Nuk ka hapësirë politike në përgjithësi, por hapësirë politike për një parti të caktuar, ashtu sikundër nuk ka hapësirë politike konstante, të dhënë njëherë e përgjithmonë, por ka hapësirë politike që zmadhohet apo zvogëlohet sipas partive që meritojnë të marrin pjesë në të. Hapësira politike shqiptare ka mbetur me dy parti, sepse të gjitha tentativat e tjera kanë qenë gjithmonë simetrike me njërin apo me tjetrin “prehistorik” ekzistues. Dhe këtu ndodhet çelësi i të kuptuarit të sistemit të sotëm dypartiak. Të gjitha partitë e derisotme, të dala nga PD apo nga PS, kanë dështuar, sepse kanë qenë gjithmonë dhe në thelbin e tyre ose si PD, ose si PS; pra, në thelb, kanë qenë të panevojshme, të paafta për ta zgjeruar hapësirën politike të vendit. Partia e re që pritet të zgjerojë rëndshëm hapësirën politike të vendit do të mund ta bëjë këtë vetëm nëse para se të ketë një program të djathtë, bën publik një program për shndërrimin e regjimit të Tiranës në një sistem demokratik. Që të krijojë hapësirën e vet në politikën shqiptare duhet në radhë të parë dhe parasëgjithash të mos i ngjajë dy partive ekzistuese.
 
As në mision, as në përbërje, as në targetin politik, as në formën e ekzistencës. Meqenëse profili i saj pritet të jetë i vendosur në të djathtë, veçanërisht duhet të mos i ngjajë PD së sotme. Që të ndodhë kështu, realiteti politik ekzistues duhet të konsiderohet i jashtëzakonshëm dhe për këtë arsye, edhe sjellja e partisë që po lind duhet të jetë e jashtëzakonshme. Kjo gjë është në përputhje me qëndrime dhe shembuj të marrë nga historia e politikës. Partitë që kanë krijuar hapësirë politike kanë qenë misionare të ndryshimeve rrënjësore të mentaliteteve dhe formave të ekzistencës së politikës. Për këtë duhet dhënë garanci para se të kërkosh votat. Partia e djathtë që po lind duhet të japë garanci se nuk do të ketë ish-komunistë dhe ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit si autoritete të saj, se çdo autoritet i partisë do të jetë subjekt i një transparence familjare për të ardhurat, aktivitetin financiar dhe pozitën që merr në shoqëri çdo individ i familjes, se do t’i rikthejë të persekutuarve vendin që meritojnë në shoqëri dhe të plaçkiturve plaçkën e plaçkitur nga sistemi komunist dhe nga regjimi i sotëm, se do të organizojë brenda vetes sistemin një anëtar një votë dhe se garanton qarkullimin e elitave në parti. Pasi t’i aplikojë këto parime te vetvetja do të presë votën popullore për t’i shtrirë ato nga partia në qeverisjen e Shqipërisë, duke dhënë garanci të forta se synimi i saj nuk është të futet në Parlament sa për të bllokuar një mazhorancë dhe për të ndarë pushtetin me të, por përmirësimi i jetës së shqiptarëve nëpërmjet ndërtimit të demokracisë.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0