Home | Opinion | Integrimi u shërben qytetarëve, jo politikës

Integrimi u shërben qytetarëve, jo politikës

image
Edhe mbrojtja e interesave të qytetarëve, përfshirë biznesin, nuk është tërësisht e garantuar, pjesërisht prej politikës, qeverisjes (qendrore e vendore) dhe administratës së saj; pjesërisht prej dobësive ligjore e abuzimeve etike të Gjyqësorit.
 
 
 


Rexhep Mejdani

 
 
 
 
  

 
BE-ja si replikë e shtetit-komb 
Pesë kolonat bazë të zhvillimit politik në Europë janë: shtetformimi, zhvillimi kapitalist, kombformimi demokratizimi e sistemi i mirëqenies sociale. Vetë procesi i integrimit europian mund të konsiderohet si faza e gjashtë e këtij zhvillimi, ku pjesë bazike është trajtimi i kufijve, “bërja” e “ribërja” e tyre drejt një sistemi politik shumë më të hapur e racional që, ndryshe nga sistemi vestfalian, është në thelb një lloj çintegrimi. Me këtë sy, procesi i anëtarësimit mund të shihet si një dinamikë integrimi-çintegrimi, e krahasuar me atë të formimit të shtetit-komb. Kanë qenë pikërisht dobësitë e këtij shteti-komb në shmangien e luftërave shkatërrimtare apo menaxhimin e drejtë të konkurrencës ekonomike, që nxitën krijimin e një bashkimi shtetesh-kombe (BE-së), ndërkohë që paaftësia ushtarake u mënjanua nga një bashkim tjetër (NATO-ja). Këto dy strukturime të mëdha dhe proceset integruese në to i kanë përqafuar në mënyrë masive që në fillimet e tranzicionit, politika e qytetari shqiptar. Veçse, aktualisht, integrimi europian, si një fazë e gjashtë, po eklipsohet jo pak nga një fazë e shtatë – nga globalizimi. Është ky i fundit që po provokon dita-ditës erozionin e kufijve tej nivelit europian. Por, ka një dallim, integrimi europian ka të bëjë me zhvendosje, lëvizje e ndërtim kufijsh, ndërsa globalizimi është më tepër një çështje transcendence e kufijve, e kapërcimit të tyre, shoqëruar edhe me krijimin e qendrave të reja globale të qeverisjes. P.sh., kufijtë e ndërtuar në nivel europian nuk ofrojnë mbrojtjen e duhur ndaj prodhimeve kineze; bile, në tërësi, konkurrenca në nivel global i ka tejkaluar kufijtë e sapondërtuar të BE-së.
 
 Edhe pse në strukturimin e saj BE-ja e ka tejkaluar shtetin-komb, deri duke lëvizur kufij të ndryshëm (ekonomikë, ushtarakë, kulturorë etj.), ajo po krijon replikën e tij, duke dimensionuar veçori të tilla të shtetit-komb si: njëfarë shtetformimi, aftësi e cilësi demokratike, kapacitete shpërndarëse (pavarësisht që, në erën e globalizimit, shteti i mirëqenies sociale po e humbet “shëndetin” e vet). Këtu përfshihen dhe mjaft probleme legjitimiteti në nivel europian (në fakt, të deficitit të legjitimitetit) apo të së ardhmes së demokracisë parlamentare europiane. Në shumicën e rasteve, vendimet në nivel europian bazohen në vullnetin e qeverive kombëtare. Për këtë arsye. Europa ka nevojë për më tepër demokraci për të legjitimuar veten. Por, dhe shqiptarët për më shumë miq brenda Europës. Sidoqoftë, në një të ardhme të afërt, legjitimiteti i shtetit-komb nuk do të garantojë dot legjitimitetin e BE-së, sepse vetë reformimi e strukturimi i BE-së po e kufizon në vazhdimësi atë. Pra, shteti-komb (ende me legjitimitet të vetin) dhe BE-ja (me legjitimitet më tepër të qeverive kombëtare) janë dy faza zhvillimi në një proces permanent të prishje – ndërtimit të kufijve të llojllojshëm. E thënë ndryshe, duhet të merren parasysh efektet e njëkohshme të lëvizjes së kufijve në shtetet-kombe anëtare dhe të ndërtimit të kufijve të rinj në nivel europian. Dhe, për këtë duhet të përgatitet (pse jo dhe të përfitojë) jo vetëm politika shqiptare, por dhe qytetari shqiptar, sidomos në Shqipëri e Kosovë.
 
 Pavarësisht këtyre zhvillimeve, ndryshe nga SHBA si superfuqi globale, në një formë gati klasike të një shteti-komb, BE-ja është një strukturë e re makro-politike e qeverisjes, me mjaft dobësi të brendshme, me një politikë monetare ende pa politikë fiskale. Në mjedis ndërkombëtar të qetë këto dobësi janë të kapërcyeshme, por jo në situata krize. Madje, një Europë e Bashkuar përballë një krize ushtarake ka nevojë të sillet si një shtet unitar me kufijtë e vet! Një evolucion i tillë duhet kuptuar. Bile, çështja më e rëndësishme për qytetarin shqiptar, ashtu si çdo qytetar europian, është të kuptuarit e procesit të integrimit në përputhje me rolin dhe interesat e tij, qofshin ato të natyrës politike-ekonomike, social-kulturore, territoriale, grupore apo elektorale. Po ashtu, në lidhje me anëtarësimin europian, ai duhet të bëjë dallimin midis projektit, procesit e produktit të integrimit. Sepse projekti i integrimit u referohet përpjekjeve të intelektualëve, elitave politike e lëvizjeve masive për të krijuar një ndërveprim e ndërlidhje, njëfarë politike europiane që duhet kuptuar e ndjerë, pse jo, dhe për të kontribuuar. Kurse procesi i integrimit europian i referohet bashkimit të shteteve-kombe të Europës në një sistem më të integruar ekonomik, legal e politik, duke mishëruar anët më pozitive në trajektoren e ndryshimit pas kolapsit të Perandorisë Romake (që nga qeverisjet në kuadër të polis-it, perandorisë, regnum-it, shtetit absolut, monarkisë kushtetuese) dhe ndërtimit të shtetit modern, duke kombinuar më mirë perspektivat e ndryshme të natyrës makro e mikro. Së fundi, produkti i integrimit i referohet rezultatit të këtij procesi, ndërtimit të institucioneve, politikave, legjislacionit e praktikave konkrete të BE-së bazuar në parimet kryesore demokratike, në përfshirjen dhe zbatimin e të cilave kërkohet punë e angazhim tërësor.
 
 BE-ja si model e garant për demokracinë. 
 
Parimet demokratike, vetë demokracia në vendet anëtare të BE-së janë konsideruar si garanci e model për zhvillimet shqiptare, për institucionet, elitën intelektuale, partitë politike e qytetarët. Në Shqipëri, kushtëzimi politik mbi plotësimin e standardeve të anëtarësimit është konsideruar si kriter e gur provë për cilësinë e pjekurinë e klasës politike, nivelin e angazhimit të saj dhe, mbi të gjitha, për bashkëpunimin midis forcave politike dhe institucioneve shqiptare. Për fat të keq, pas mbi 20 vjetësh, nuk mund të flitet ende për pjekuri e cilësi, angazhim e bashkëpunim të tillë. Aq më tepër që hija e pushtetit, por dhe “hileja” për ruajtjen ose marrjen e tij, në kurriz të demokracisë e qytetarit shqiptar, mbetet po aq triviale si më parë. Ndërkohë, shqetësues po rezulton procesi i mëtejshëm i demokratizimit në vendet anëtare të BE-së, sidomos ato të reja. Madje, në disa raste, përgjigjja ndaj pyetjes mbi efektet negative e pozitive të zgjerimit europian në zhvillimin e demokracisë të vendeve anëtare, mirëqeverisjeve të tyre, rolit të institucioneve të pavarura, mirëfunksionimit të sferës publike, pjesëmarrjes qytetare e nivelit të angazhimit të shoqërisë civile etj., nuk është aq optimiste. Kjo ka ndikuar edhe në opinionin publik shqiptar. Ndryshe nga vitet e para të tranzicionit, kur sjellja dhe pritshmëria politike e qytetare ndaj proceseve integruese ishte me “veshje” ëndërrimtare, deri naive, sot në Shqipëri procesi i integrimit europian lexohet e kuptohet në mënyrë shumë më realiste. Mjaft gjëra kanë ndryshuar, disa për mirë e disa për keq, por në mesatare, pavarësisht vonesave e gabimeve të politikës, në mjaft drejtime situata është më e mirë. Veçse, nisur nga sjellja politike me fyerje e zhyerje, me konflikte e përplasje, me reagime deri armiqësore midis partive e drejtuesve kryesorë, aktualisht ndjehet një indiferencë në rritje brenda shoqërisë shqiptare. Madje, më shumë se stërzgjatje e lodhje, po shfaqet një zhgënjim i qytetarëve shqiptarë, jo thjesht e vetëm për politikën e politikanët, por dhe për ëndrrën e tyre, për kthimin në Europën e dëshiruar. Gjithashtu, në situatën e sotme kritike, me gjithë fuqizimin e kontrollit kancelarik të pushtetit e populizmit, propagandës e demagogjisë, ushqimit e reagimit militant po rritet pakënaqësia në veprimtaritë, bisedat e reagimet e ndryshme, në punë e shkollë, rrugë e kafene. Bile, nuk mungojnë as zërat në rritje për fajtorin e vërtetë të kësaj vonese. Dhe vetëkuptohet, është faktori kryesor qeverisës që, në vend të nxiste aksione jodemokratike, duhet të kishte bërë koncesionet e domosdoshme. Është pikërisht politika që, në lojën e përditshme midis marrjes e akumulim – absolutizimit të pushtetit dhe plotësimit të standardeve të integrimit, më shpesh e më shumë mendon e ka menduar për pushtetin dhe zgjatjen e tij, për egon e “historinë” e vet, në kurriz të proceseve demokratike, së ardhmes europiane të Shqipërisë. Kjo bëhet akoma më e dhimbshme me mbetjen prapa të Shqipërisë edhe ndaj Serbisë! Aq më keq që me dhënien kësaj të fundit të statusit të kandidatit, u harruan bëmat e gjakderdhjet, pastrimi etnik e gjenocidi serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Dhe ndërkohë, përveç dorëzimit të disa drejtuesve serbë në Hagë, në shoqërinë e institucionet serbe, pas gjithë këtyre viteve, ende nuk ka ndodhur katarsi i vërtetë ndaj krimeve masive me origjinë etnike e fetare. Bile, me sa duket, kjo nuk do të ndodhë kurrë!…
 
 Parë me këtë sy, a mund të rrezatojë BE-ja, në sajë dhe të ndonjë anëtarësimi të ri, po atë garanci e model demokracie të fillimeve të tranzicionit? A mund të perceptohet ajo në të njëjtën mënyrë ëndërrimtare si më parë? Pa dyshim që jo. Veçse, relativizimi i modelit, ndryshim i tij, mund të çlirojë prej kompleksit të inferioritetit atë pjesë të politikës shqiptare, që është e interesuar më shumë për pushtetin e saj sesa interesat e qytetarit.
 Aspekte pozitive e negative.
 
 Çlirimi prej këtij kompleksi, ndoshta, mund të shërbejë për një përafrim më të drejtë të vetë procesit të integrimit europian, për të mirat dhe të këqijat, aspektet pozitive e negative që e shoqërojnë atë. Në radhë të parë, si hallkë e rëndësishme e këtij procesi është lëvizja e lirë (e arritur tashmë), përfshirë mundësitë e reja të shkollimit, kualifikimit, punësimit etj. Po aq të rëndësishme, sidomos pas anëtarësimit në eurozonë, janë, me gjithë tronditjet e fundit, monedha e përbashkët, kooperimi ekonomik, partneriteti e solidariteti midis vendeve anëtare, mundësia për mbështetje financiare në sektorë parësorë, shndërrimi i identitetit të qytetarit, p.sh., nga ai thjesht shqiptar në atë të shqiptar-europian, shtrirja e përkatësisë së tij në një komunitet më të fuqishëm e hapësirë shumë më të gjerë (p.sh. gjatë krizës së Kosovës, bashkëpunimi me NATO-n e bëri shumë më të mbrojtur hapësirën ajrore, detare e tokësore të Shqipërisë). Akoma më i mbrojtur është qytetari i saj me anëtarësimin në NATO. Edhe anëtarësimi në BE do t’i japë një shtysë të re të gjithanshme proceseve shqiptare politike, institucionale, ekonomike e sociale, do ta bëjë Shqipërinë më të fuqishme, më dinjitoze, më demokratike, dhe vetë qytetarin e saj më të lirë dhe të garantuar. Mbi të gjitha, nëpërmjet integrimit europian realizohet dhe vetintegrimi kombëtar.
 
 Por, nuk janë të pakta edhe aspektet negative. Midis tyre vlen të konsiderohen: problemi i tregut, i varësive të shumanshme të tij, niveli ekonomik, stili i jetës e standardi i saj, raporti prodhim/konsum, vetë prodhimi shqiptar dhe mbijetesa e bizneseve të lidhura me të (raporti i mallrave shqiptare me ato të importit) etj. Kështu, p.sh., duke krahasuar përvojën e vendeve të reja në BE dhe situatën aktuale shqiptare (në pritje të marrjes së statusit të vendit kandidat), vihet re se tregu shqiptar dominohet nga mallra të një cilësie relativisht të ulët, kurse për eksportet bujqësore shqiptare drejt BE-së kondicionet janë tepër të ashpra. Edhe për prodhimet e tjera apo shërbimet shqiptare ndeshen vështirësi të ngjashme. Gjithashtu, në këtë proces integrues, çmimet po bëhen gjithnjë e më të larta dhe jeta më e shtrenjtë; ndërkohë që rroga minimale është ende e ulët, papunësia shqetësuese, situata kriminale e përkeqësuar, niveli i pensioneve apo i asistencës sociale jashtë standardit. Mjaft nga shpresat e fillimit, përfshirë dhe sloganin “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa”, nuk janë plotësuar ende, madje nuk pritet të plotësohen në një të ardhme të afërm. Edhe mbrojtja e interesave të qytetarëve, përfshirë biznesin, nuk është tërësisht e garantuar, pjesërisht prej politikës, qeverisjes (qendrore e vendore) dhe administratës së saj; pjesërisht prej dobësive ligjore e abuzimeve etike të Gjyqësorit. Nga ana tjetër, nuk mund të mohohen projekte të shumta infrastrukturore, rinovimi apo ndërtimi i shkollave me parametra bashkëkohorë, modernizimi i teknologjive të mësimdhënies, përfshirë ato të informacionit, kualifikimi, specializimi e bashkëpunimi në kuadër të projekteve komunitare e atyre bilaterale, binjakëzimet e ndryshme në nivel prefekture, bashkie e komune etj.
 
 Pas vështirësive dhe zvarritjeve të shumta para ambasadave në marrjen e vizave dhe një pritshmërie afro 20-vjeçare, qytetari shqiptar jo vetëm u lumturua prej liberalizimit të vizave, por dhe e respektoi në tërësi vendimmarrjen europiane. Edhe në lidhje me anëtarësimin në BE ai i gëzohet këtij procesi, por jo me emocionet e mëparshme. Madje, sado i zhgënjyer, ai po e lexon më saktë kohën duke e kuptuar më mirë “diplomacinë” tradicionale europiane. Ndërkohë, pavarësisht pakënaqësisë së shprehur, vendimmarrja në BE pritet të jetë më pak hezituese, pa “paragjykime” brenda strukturave të saj. Por, edhe detyrat e shtëpisë duhet të kuptohen më mirë duke u shndërruar në një pjesë thelbësore të ndërgjegjes institucionale, politike e shoqërore, e vetë përgjegjësisë qytetare. Në të vërtetë, përplasjet e fundit midis forcave politike shqiptare, midis drejtuesve kryesorë, sidomos të institucioneve kryesore, po shpalosin krejt të kundërtën, u shërbejnë “hapur” keqdashësve të shqiptarëve. Aq më tepër që ndeshen tentativa, kategorizime e emetime propaganduese për ndarje Lindje-Perëndim, sipas trashëgimisë e mendësisë individuale e kolektive.
 
 Integrimi pozitiv e negativ
 
 Në procesin e integrimit europian të Shqipërisë, një çështje që vlen të analizohet në nivelin politik e publik është dhe ajo që lidhet me konceptin e integrimit pozitiv dhe atij negativ. Kështu, integrim pozitiv është ai ku rregullat e përbashkëta të anëtarësisë vendosen nga një autoritet më i lartë, që arrin t’i sheshojë pabarazitë rajonale ose pabarazi të tjera. Ndërsa, integrimi negativ i referohet mënjanimit të barrierave (veçanërisht atyre të tregut) midis vendeve anëtare. Më i qartë është ky integrim negativ, sepse fondet apo burimet e BE-së janë relativisht modeste, krahasuar me ato të kontrolluara nga vendet anëtare të veçanta (shpenzimet në nivelin e BE-së janë afro 1% e GNP-së vjetore totale, ndërkohë që vendet anëtare shpenzojnë diku midis 35% dhe 50% të prodhimit vjetor kombëtar). Nga ana tjetër, BE-ja (struktura qeverisëse e saj) ka mjaft kompetenca e fuqi mbikombëtare. Ato ia mundësojnë “qeverisjes” së saj imponimin e ligjeve e rregullave tek vendet anëtare, duke rritur shkallën e integrimit pozitiv. Por, deri tani, ajo nuk ka pasur fuqi të rrisë taksat e veta. Ky është një dallim jo i vogël krahasuar me një shtet normal, ku fuqitë politike e ekonomike janë të ndërlidhura midis tyre.
 
 Në fakt, sistemi i krijuar në bazë të traktateve europiane është më i prirë drejt integrimit negativ sesa atij pozitiv. Ndërsa, ky i fundit identifikohet me vlera të tilla si: mbrojtja sociale e korrigjimi i tregut. Po ashtu, integrimi negativ lidhet më shumë me liberalizimin e tregut, “derregulimin”, dumping-un social ose mbrojtjen e interesave ekonomike. Kjo duhet kuptuar mirë jo vetëm nga politika, por dhe biznesi shqiptar. Aq më tepër që masat e integrimit pozitiv ndërhyjnë në çështje ekonomike dhe të ngjashme me to, ndërsa të drejtat fondamentale janë më të mbrojtura në kuadër të integrimit negativ. Te ky i fundit futet dhe kultura (përfshirë atë politike e legale), që nuk mund të jetë statike, por i nënshtrohet një cikli të vazhduar ndërveprimesh e ndryshimesh të përbashkëta. Në këtë optikë, në kuadër të integrimit europian, ka kuptim të analizohet në detaje raporti midis kombëtares dhe kozmopolites, përfshirë dhe shqyrtimin e kritereve mbi transformimin demokratik të identitetit kolektiv në Shqipëri, mbi ndërveprimin ndërkulturor, ndikimin e veprimtarive dhe strategjive kryesore të aktorëve socialë.
 
Integrimi kërkon ndryshim të kulturës politike
 
 Raporti aktual midis integrimit pozitiv e negativ duhet të kuptohet drejt në Shqipëri. Në fakt, sipas mjaft vëzhguesve dhe diplomatëve kryesorë, zhvillimet në Shqipëri manifestojnë njëfarë “patologjie” të politikës shqiptare, mbi të cilën ka jo pak ndikim integrimi pozitiv. Për mirë ose keq, vetë ecuria e demokracisë shqiptare orientohet apo “lokalizohet” (qoftë edhe në dukje) në procesin e integrimit europian; veçse ajo, në shumicën e rasteve, nuk është e sinqertë. Madje, për lidershipin politik aktual, ajo ende nuk kuptohet si zhvillim i brendshëm i nevojshëm, por si “zbatim” urdhri europian, si “servilizëm” e “pëlqim” i jashtëm. Ndërkohë që vetë demokracia europiane, ecuria e saj, në thelbin e vet, mbetet nacionale, si rrezatim e shpërhapje mesatare midis vendeve anëtare. Një gjë e tillë e bën të domosdoshëm zhvillimin e brendshëm.   Në përgjithësi, bazat demokratike (pra dhe kushtetuese) të procesit të integrimit gjenden, në të shumtën e rasteve, në vendimmarrjet kombëtare. Edhe në rastin shqiptar, ky proces duhet të mishërohet në vendimet e kuvendit, në funksion të integrimit. Pse jo dhe në referendumin popullor përkatës. Nga ana tjetër, siç u trajtua më sipër, procesi i integrimit ka dhe një legjitimitet tjetër, atë të traktateve, mekanizmave të paqes e stabilitetit, kohezionit e solidaritetit, rregullimit e nxjerrjes së normave rregullatore për politikat e tregut tej kufijve kombëtarë, një variant zbatimi ligji të denacionalizuar në mbrojtjen e të drejtave kryesore. Ndërkohë, deri diku, këtij procesi i mungon legjitimiteti demokratik e kushtetues, pavarësisht fuqizimit të rolit të Parlamentit Europian. Pra, në thelb, ky integrim varet nga legjitimiteti demokratik e kushtetues i institucioneve kombëtare (në radhë të parë i parlamenteve kombëtare), që shprehin vullnetin e popullit dhe sintetizojnë kapacitetin qeverisës përkatës. Kjo, edhe pse, në vazhdimësi po theksohet ndërvarësia, po ecet me shpejtësi drejt zhvendosjes së fuqisë për nga strukturat mbikombëtare.
  
 Integrimi europian, njëlloj si shteti modern administrativ mbi të cilin ndërtohet, përpiqet të funksionojë mbi parimin e legjitimitetit dhe të ndarjes së fuqisë nëpërmjet shpërhapjes e fragmentimit të fuqisë rregullatore jashtë parlamenteve kombëtare, me angazhimin e strukturave ekzekutive e teknokratike mbikombëtare dhe mekanizmave mbikëqyrës të kësaj “qeverisje administrative”. Pikërisht, delegimi i fuqisë tek institucionet europiane në mënyrë të natyrshme është shoqëruar me ndryshime të domosdoshme ligjore, deri kushtetuese, për qeverisjet kombëtare. Kjo vlen dhe duhet të kuptohet, sa më shpejt, aq më mirë, edhe nga politika shqiptare. Ajo, ose duhet t’u shërbejë qytetarëve, t’u ushqejë atyre ëndrrën e integrimit dhe ta realizojë atë, ose të “llaçkavitet” më tej, e urryer keqas, në ethen e vet të pushtetit, larg interesave qytetare e kombëtare…
 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0