Home | Opinion | Biopolitika, biopushteti, biometria...

Biopolitika, biopushteti, biometria...

image
Njeriu kosovar ende sot mbetet pa vendbanim, biopolitika dhe biopushteti zëvendësojnë qytetin/shtetin, vënë nën kontroll trupin dhe privatësinë duke shtypur individin.
 
 
 


Halil Matoshi
 
 
 
 
 
 

Vetëm Kosova kushtëzohet kaq hapur dhe vrazhdë nga BE-ja, me koncesione të natyrës politike dhe juridike, duke kërkuar nga ajo të japë pak nga pak sovranitetin e brishtë që e ka, në favor të të vetmit shtet me sovranitetin më të fuqishëm që nga luftërat e viteve ’90, Serbisë. 


Të kërkosh sovranitet të plotë në epokën e sovranitetit të kufizuar, kur secili shtet anëtar e bart një pjesë nga sovraniteti shtetëror në strukturat mbinacionale, siç është BE-ja, kjo i shkon për dore vetëm Serbisë.

Në anën tjetër, Kosova kushtëzohet në mënyrë permanente.

Nga ajo kërkohen standarde para statusit, pastaj kompromise të dhimbshme për shtet: Decentralizim, që krijoi komuna njëetnike në epokën e globalizmit, vende të garantuara në Kuvend për pakica etnike dhe votë të shumicës së dyfishtë për çështjet që prekin interesat e tyre, eksterritorialitet për kishat ortodokse serbe, deri te ligjet ku kjo kishë merr fuqi t’u diktojë komunave rregullimin hapësinor (Ligji për Qendrën Kulturore të Prizrenit dhe ai për Hoqen e Madhe).

Tashti nga Kosova kërkohen standarde pas statusit, skanime (2009) e riskanime, studim fizibiliteti, zgjidhje kreative për veriun, deri te aplikimi i pasaportës biometrike...

Kjo qasje vë në pah joekzistencën juridike, të sovranitetit të Kosovës, por ekzistencën biologjike dhe biohistorike të një popullsie të tërë të vendosur në një hapësirë për jetë të zhveshur – në biopolitikë.

Njeriu kosovar ende sot mbetet pa vendbanim, biopolitika dhe biopushteti zëvendësojnë qytetin/shtetin, vënë nën kontroll trupin dhe privatësinë duke shtypur individin.

Racionalizmi dhe teknologjia e lartë e zëvendësuan Zotin.

Civis’i zhvendoset në hapësirë për jetë të zhveshur (nga çfarëdo e drejte).

Për Primo Levin, njeriu në jetën e zhveshur është njeri pa kufizime, së këndejmi pa imperativ moral.

Prandaj, Kosova “kushtëzohet” me biopushtet, një Qeveri amorale, zhvatëse dhe që e ka gërryer legjitimitetin demokratik, që ka fabrikuar industrialisht votën e lirë dhe që e ka lënë vendin në mjerim.

Hapësira të tilla biopolitike sot, ku sistemi normal pezullohet, madje në mënyrë virtuale, disa autorë të biopolitikës i cilësojnë madje edhe identifikuesit (çipat) në pasaportat biometrike.

Survejimi online “i gjakut dhe trupit” dhe i lëvizjes së lirë përmes pasaportës biometrike është bërë paradigmë e të jetuarit në epokën e pas 11 shtatorit.

Por kjo që perëndimorët e bënë, në emër të sigurisë, është kërcënuese për lirinë.

E siguria me lirinë shkojnë vetëm të pandara.

Kjo i përgjigjet asaj që thotë Michel Foucault për detyrimin e mosekzitencës së seksit, thjesht është “shtrirje e një rrjeti të tërë mikropushtetesh mbi trupin”.

A nuk është kjo ajo “irracionalja e prodhuar nga mendja”, në trajtën e mendjes instrumentale?

Kosova si entitet politik është mësuar të jetojë nën diktatin e presionit ndërkombëtar tash e dy dekada.

Sidomos pas vitit 1990 kur kosovarëve u kërkohej të dilnin në zgjedhjet e Serbisë, për ta emancipuar dhe demokratizuar kështu shtetin që kishte rrëshqitur në fashizëm koncensual.

Demokracitë e mëdha e toleruan Serbinë dhjetë vjet që t’i shtypte e poshtëronte shqiptarët kosovarë, madje disa segmente të këtyre demokracive, edhe duke pranuar një pakt të heshtur me fashizmin serb, i cili, po ashtu mbeti i padënuar.

Dhe sot, e mban shtetin e ri peng të trashëgimisë hegjemoniste, me pretendime të hapura territoriale ndaj saj dhe me Kosovën si pjesë të saj në preambulën e Kushtetutës serbe.

Pastaj kur në skenë doli guerilja shqiptare, dikush me ngut e cilësoi si organizatë terroriste (Gelbard) dhe kur lufta shpërtheu, dikush e kushtëzonte ushtrinë çlirimtare të linte territore. Më 1998 Kijeva, një katund në perëndim të Kosovës u shpall zona më e rrezikshme në glob (Holbrooke.)

Dhe me përfundimin e luftës, Kosova u kushtëzua me demilitarizim, pastaj trupa e saj ushtarake u rrudh në një organizatë për emergjenca civile. 

Në këtë situatë, Brukseli zyrtar po i thotë shkoqur shumë gjëra, duke i adresuar Prishtinës shumë vërejtje, të shumtën me arsye. 

Mirëpo, një gjë po e mbulon me kujdes.

Ose së paku nuk po e thotë hapur faktin se 22 kombe anëtare të BE-së e kanë njohur Kosovën me sovranitet të plotë dhe integritet territorial. 

Nëse është kështu, atëherë Kosova, edhe pse nuk njihet nga pesë vende të BE-së, e këtë zyrtarët evropianë e kanë në majë të gjuhës, sa herë që kërkojnë kompromise nga lidershipi kosovar (i nënshtruar deri në përmasa serviliteti dhe nën presion të vazhdueshëm), do të duhej të zbardhej edhe ana tjetër e medaljes. 

Këta zyrtarë duhej të flisnin çdo mëngjes se edhe Serbia nuk njihet nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në kufijtë që pretendon se i ka, prandaj nuk e ka të garantuar anëtarësimin me të drejta të plota në BE.

Jo përderisa nuk i tërheq policët dhe spiunët vrasës të kohës së fashizmit millosheviqian nga veriu i Kosovës dhe posaçërisht jo përderisa nuk e amendamenton Kushtetutën duke e hequr përfundimisht Kosovën nga preambula e saj.

Këto janë parakushtet thelbësore për çfarëdo bisedimesh të mëtutjeshme.

Një parim themeltar i BE-së thoshte dikur e një kohë se një vend mund të anëtarësohet në BE atëherë kur nuk paraqet rrezik për paqen rajonale ose globale dhe kur nuk ka telashe me fqinjët e saj. 

Fillimisht përgjigjja evropiane ndaj situatës në Kosovë u nxit nga kujtimet e holokaustit dhe të torturave çnjerëzore që solli nacionalizmi i skajshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe këto eksperienca historike shërbyen si përligjje për ndërhyrjen e armatosur në Kosovë, shkruan Robert Cooper.

Kurse pas çlirimit të saj dhe pas Shpalljes së Pavarësisë po përligjet mbytja e saj.

Sepse kushtëzimet ndaj kosovarëve janë shndërruar në trend botëror.

Kushtëzime për liri e dinjitet njerëzor, kushtëzime për pavarësi e shtet, kushtëzime për liberalizimin e vizave, kushtëzime për njohje, për nisma rajonale, për integrime...

Edhe sa dekada të matshme vetëm me kushtëzime për koncesione ndaj Serbisë duhet t’i mbijetojë ky shtet i vogël, për të arritur në finalen e maturimit të tij, për të marrë një biletë për në trenin e BE-së?

Dhe a do të mbetët deri atëherë ndonjë pjesëz mëvetësie, si ornament?

Sidoqoftë, kosovarët janë mirënjohës përjetësisht se më 1999 Kosova megjithatë u shpëtua prej Perëndimit nga gjenocidi i sigurt.

Paçka se ndërkohë aty-këtu në çarqe euroskeptike nisi të bëhej modë zhvendosja e së drejtës, nga viktima te xhelati i deridjeshëm.

Kur dihet botërisht se problemin e Kosovës Serbia hegjemoniste e sheh si çështje thjesht territoriale, më kot Kosova ofron zgjidhje evropiane, kushtetuese dhe ligjore.

Duke cituar secilën referencë, secilën fusnotë të zgjidhjeve evropiane.

Kosova tashmë po mbytet në “perandorinë e fusnotave”.

Nëse Beogradi organizon zgjedhje për pushtet brenda konstitucionit kosovar, nëse paguan dhe mban ish-policët që vranë mbi dhjetë mijë kosovarë dhe ua plaçkitën dhe ua dogjën atyre gjithçka që krijuan për një shekull jetësor, çfarë kuptimi do të kishte që Kosova të ulej në nismat rajonale afër Serbisë e të shpjegojë asteriksin, për ata që i ngrenë vetullat kur e dëgjojnë fjalën Kosova!? 

Perëndimi për t’u shfajësuar për do shuplaka që i dha Serbisë më 1999, e ka vendosur aktualisht futurën e Kosovës në shënjestrën, ku qitës jo gjithaq të shkathët ushtrojnë me harqe e shigjeta.

Nisur nga kjo, duhet theksuar se jo gjithmonë me shkathtësi, Brukseli zyrtar po shpërfaq konceptin se interes imediat i saj është Serbia e jo Kosova.

Natyrisht, kjo për dy arsye të dukshme dhe ndonjë të kamufluar. 

Arsyeja e parë që del në shesh është synimi për ta shkëputur Serbinë nga influenca ruse dhe së dyti për të “interferuar” në trupin politik serb që të mbajë pushtetin Boris Tadiqi edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. 

Sikur atëbotë, në vitet ‘90 kur u kërkohej kosovarëve të dilnin në zgjedhje për ta demokratizuar Serbinë!?

E nder arsyet “e fshehta”, natyrisht se ka ndikim perceptimi i shqiptarëve si “trup i huaj” brenda Evropës, ku shtete që kanë aspirata fashiste karshi shqiptarëve kosovarë, si Greqia e Serbia, e në një shkallë edhe Maqedonia, nga evropianët trajtohen si “ne” kurse kombi më properëndimor në Ballkan, kosovarët, trajtohen si “ata”!?. 

Dhe në këtë mësymje, Evropa do të vazhdojë gjuajtjet drejt Kosovës hala gjatë kohë.

Evropa e vjetër ka prodhuar politika shumë të padrejta dhe brutale ndaj kosovarëve, sidomos për këta njëqind vjetët e fundit dhe duket se, edhe kjo Evropa e re, shpesh po i rikthehet asaj trashëgimie përmes reminishencave nëpër fusnotat e pluhurosura të fillimshekullit të 20-të, vetëm për arsyen se shumë shqiptarë përkisnin në islam.

E serbët në kampin e madh të krishterimit. 

Politikat që trashëgojnë, në një pjesë jo të vogël, janë politika të këqija, të cilat, sipas Giovani Sartorit, duhet rimendue ex novo. 

Lajm i mirë, sipas tij, është – mes atyre politikave të mira - se fundi i ideologjive lejon vërtet “të rimendosh” , d.m.th. të reflektosh lirisht dhe pa frikë.

A duhet të rimendohet Evropa?

Natyrisht se po. Ajo duhet të mësohet t’i rimendojë shqiptarët jo tutje si “trup i huaj”, por brenda vetes, si mishërim i vetë idesë evropiane.

Sartori thotë se sot Evropa po shkon në drejtim jo edhe aq të errët, pra në rrugën e shpresës, megjithëse Kosova po vuan konstituimin e saj përditë.

Nëse nga Prishtina, Brukseli kërkon zgjidhje speciale, territoriale për veriun e saj, Qeveria kosovare duhet ta zërë një avokat të fortë dhe ta mbrojë “Jo”-në përfundimtare.

Boll ma! 


Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0