Home | Opinion | Melodi dhe shpoti ballkanike

Melodi dhe shpoti ballkanike

image
Këto kohëra kanë mbaruar, në Ballkan nuk ekziston rreziku i konflikteve të armatosura, por e kaluara ende është e pranishme dhe e fuqishme. Grindjet dhe ballafaqimet mbi shkaktarët e luftërave të fundit vazhdojnë.
 
 
 


Enver Robelli
 
 
 
 



 Dy filma, shumë politikë dhe disa retrospektiva mbi luftën në Ballkan dhe misteret e zërit në Bullgari


1. Luftë me marrëveshje?

Ata janë gati të pandashëm. Edhe nga ajo botë ata ofrojnë material për muhabete në tavolinat e restoranteve ballkanike. Në një barsoletë diktatori serb Slobodan Milosheviq dhe presidenti i Kroacisë Franjo Tugjman takohen në Tokio. “Sa e vogël është kjo botë, i dashur Slobo”, thotë kroati. Serbi përgjigjet: “Jo, i dashur Franjo, nuk është bota e vogël, por Serbia është e madhe”. Ky aludim i referohet një slogani të fansave nacionalistë të futbollit në vitet 90-të, të cilët ëndërronin Serbinë e madhe. “Srbija do Tokija” rimohet dhe domethënë “Serbia deri në Tokio”.

Këto kohëra kanë mbaruar, në Ballkan nuk ekziston rreziku i konflikteve të armatosura, por e kaluara ende është e pranishme dhe e fuqishme. Grindjet dhe ballafaqimet mbi shkaktarët e luftërave të fundit vazhdojnë. Kur ekipet sportive nga Kroacia dhe Serbia luajnë kundër njëri-tjetrit, policia duhet të angazhohet në numër të madh. Kur kroatët lavdërojnë heronjtë e tyre të luftës, serbët reagojnë me zemërim – dhe anasjelltas.

Aktualisht kroatët po inatosen me një film dokumentar të dy regjisorëve nga Beogradi. “Tugjmani dhe Milosheviqi – një luftë me marrëveshje?” sapo është shfaqur në festivalin e filmit Zagrebdox. Autorët Slagjana Zariq dhe Filip Çoloviq kanë biseduar me shumë këshilltarë të besueshëm të dy politikanëve tashmë të vdekur dhe kanë shikuar qindra orë material filmik.

Ata paraqesin tezën se konflikti i përgjakshëm mes Serbisë dhe Kroacisë në gjysmën e parë të viteve 90-të qenkësh inskenuar nga Milosheviqi dhe Tugjmani me qëllim të ndarjes së Bosnjës-Hercegovinës. Dëshmi konkrete për një marrëveshje për luftë kineastët serbë nuk ofrojnë; ata po ashtu heshtin faktin se Milosheviqi instrumentalizoi me mjeshtëri nacionalizmin serb për te siguruar pushtetin dhe për të sulmuar republikat tjera jugosllave.

Megjithatë, filmi i autorëve serbë ka disa cilësi. Gjatë shikimit sërish bëhet e qartë se Tugjmani ishte i fascinuar me Milosheviqin. Këtë e konfirmon edhe ish-kryetari i Kroacisë Stipe Mesiq, i cili në shenjë pakënaqësie ndaj politikës së Tugjmanit ndaj Bosnjës ishte larguar nga Bashkimi Demokratik Kroat (HDZ), partia kryesore e vendit. Tugjman besonte se agresioni i Beogradit kundër Kroacisë mund të evitohet nëse Bosnja ndahet – mes Serbisë dhe Kroacisë.

Mes dy politikanëve asnjëherë nuk u shkëput linja e komunikimit, madje as atëherë kur trupat serbe bombardonin Vukovarin dhe Dubrovnikun. Tugjmani dhe Milosheviqi i drejtoheshin njëri-tjetrit me “ti”, shpesh bisedonin përmes një linje të sigurt telefonike. Në mediumet kroate aparati i gjetur në selinë e presidentit Tugjman shpejt e mori emrin “Slobofon”. Mes viteve 1990-1995 dy padronët e luftës u takuan 47 herë. Këshilltari i Tugjmanit, Hërvoje Shariniq, konfirmon në filmin dokumentar se gjatë luftës kishte udhëtuar 11 herë në Beograd për të zhvilluar bisedime me Milosheviqin dhe këshilltarët e tij.

Në pranverë të vitit 1991 Tugjmani u takua me Milosheviqin në Karagjorgjevo, në kështjellën që shfrytëzohej nga Titoja kur dilte në gjueti dhe këtu për herë të parë konkretisht biseduan për ndarjen e Bosnjës. Në vitin 1995 Tugjmani gjatë një darke në Londër, në të cilën merrte pjesë edhe Milosheviqi, vizatoi hartën e re të Bosnjës në një salvetë. Tugjmani, shkruan gazeta “Jutarnji list” e Zagrebit, ishte sjellë si një politikan tipik ballkanik dhe ishte futur në lojërat perfide politike të Milosheviqit. Bosnjën nuk arritën ta ndajnë Franjo dhe Sloba, sepse planet e tyre i prishi bashkësia ndërkombëtare, e cila pas shumë ngurrimeve ndërhyri ushtarakisht dhe me diplomaci. Por të dytë arritën të dëmtojnë rëndë shoqërinë shumetnike të Bosnjës.

Filmi i regjisorëve serbë sjell një pamje pak më ndryshe të konfliktit mes Serbisë dhe Kroacisë në fillim të viteve 90-të. Duke qenë i fascinuar me vendosmërinë e Milosheviqit në ndjekjen e synimeve politike Tugjmani edhe vetë ishte përpjekur të luajë rolin e luftënxitësit për hesape të tij. Një dëshmi të dorës së parë për këtë së fundi e ka sjellë publicisti Veton Surroi te “Libri i fluturave”. Mes tjerash ai shkruan: “(...) presidenti kroat Franjo Tugjman herët më 1991 na dha mbrojtjen e nevojshme fizike dhe mbulimin me fshehtësi për një takim konsultativ të partive politike shqiptare. Të rrethuar nga forcat speciale kroate u mblodhëm në një banjë, Stubiçke Toplice, përfaqësues të partive kryesore shqiptare në ish-Jugosllavi. Për presidentin kroat, ky duhej të ishte takimi kur shqiptarët e ish-Jugosllavisë të vendosnin se duhej hapur ‘fronti jugor’ kundër Milosheviqit, çka do ta bënte luftën e tij në Kroaci më të lehtë. Për partitë kryesore kosovare, ky tubim duhej të ishte një dakordim që t’i ikej disi luftës, që lufta të mos i prekë viset shqiptare para se të konsumohet në territoret tjera të ish-Jugosllavisë. Ishte tubim kur duhej eliminuar lehtësinë e të shqiptuarit të fjalës luftë”. Kjo u arrit falë këmbënguljes së liderëve shqiptarë të Kosovës të prirë nga Ibrahim Rugova. Ata shqiptarë që insistonin zëshëm për të hapur frontin në Kosovë, në Stubiçke Toplice u qortuan rëndë nga Lazër Krasniqi, kryetar i demokristianëve të Kosovës. “Iu drejtua përfaqësuesit të shqiptarëve të Malit të Zi, insistuesit më të madh për luftë: - Unë kam më shumë anëtarë në Parti sesa që ke ti popullatë shqiptare bashkë me pula në Mal të Zi. Mbasi qenke kaq trim, nisja ti luftës në Mal të Zi, e në të bashkohemi nga Kosova! Dhe me kaq u hesht kjo temë”, shkruan Surroi.



2. Duke vrapuar pas zërave

Marcel Cellier, organist dhe etnomuzikolog zviceran, flet për një botë tjetër, e cila duket aq e largët, për rrëmujën burokratike kur pas qytetit italian të Triestes i afrohej doganës së Jugosllavisë dhe duhej të plotësonte disa dokumente, t’i nënshtrohej kontrollit të rreptë dhe pastaj të vazhdonte udhëtimin në kërkim të zërave. Marcel Cellier flet për kohën kur ende Evropën Lindore e sundonte komunizmi. Atëherë ky zviceran (“duke dëgjuar Radio Shkupin, Radio Sofia dhe Radio Bukureshtin”) udhëtonte bashkë me gruan e tij nëpër fshatra të harruara në Rumani e Bullgari, ku incizonte muzikën popullore dhe e sillte në Perëndim. Albumi “Le Mystère des Voix Bulgares” me këngë të grave bullgare u bë shpejt i popullarizuar në botën perëndimore. Kjo traditë këndimi buronte nga koha e trakasve dhe të dëgjuesit kishin ndikim pothuaj hipnotik. Marcel Cellier, një asket i lindur në Zürich, dhe gruaja e tij Cathrine Cellier kanë merita të jashtëzakonshme për ruajtjen e muzikës së Ballkanit, sidomos të muzikës së virtuozëve romë. Tani regjisori Stefan Schwietert u ka ngritur një përmendore tingujve dhe zërave të Ballkanit, duke e portretuar çiftin që gjithë jetën ia kushtoi muzikës ekzotike ballkanike. Filmi “Meloditë e Ballkanit” ia shpalos publikut një pamje shumështresore të kulturave dhe muzikës së Ballkanit. Po ashtu ky film është edhe një homazh për të gjithë ata artistë që në kushte të rënda ruajtën vlerat muzikore, madje edhe kur gjendeshin nën presionin e regjimeve komuniste që muzikën e vjetër ta vënë në dispozicion të ideologjisë së re. Shpesh artistët u iknin presioneve duke notuar në raki dhe duke dhënë pothuaj shpirtin për artin e tyre arkaik. Kur pushteti ua sillte shpirtin te hunda me presione e shantazhe solistët dhe instrumentistët dinin të interpretonin edhe këngë shpotitëse kundër kolektivizimit të tokës: “Qendra na e vodhi grurin tonë / Kolektivi na e vodhi sanën tonë / Tani s’na ka mbetur gjë tjetër veçse vezët tona / Nëna ime tha: me tre promilë burri im s’mundet më / E shkërdhyer qoftë nëna e kolektivit”. Kështu përqeshej regjimi i Nicolae Ceausescu. Përndryshe bujku që e këndon këtë këngë në film dikur kishte hëngër disa vjet burg pasi kishte kundërshtuar shpronësimin e tokës së tij.




Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0