Home | Opinion | Endrra kineze e Kryeministrit

Endrra kineze e Kryeministrit

image
Pekini është një fuqi ekonomike në rritje, por i dobët për rol botëror. Është mbresëlënës për sa i takon statistikave ekonomike, por jo domethënës për të pasur rolin dhe peshën e një fuqie globale, pasi pasuria e një kombi ka rëndësi, por po ashtu edhe të ardhurat për frymë të tij dhe kualiteti i popullsisë.


 
 
Nga Dritan Hila
 
 
 



Nëse do ju thonin se në aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, nuk ka një njeri që të dijë gjuhën kineze do habiteshit dhe nuk do ta besonit. Megjithatë e vërteta është kjo. Dhe nëse pas kësaj do dëgjonit deklaratën e Kryeministrit shqiptar se do bëjë kinezçen gjuhë të dytë të shqiptarëve, atëherë do ishit në dilemën se këtu ka diçka që nuk shkon: ose Kryeministri nuk ka lidhje me realitetin, ose sa më sipër është gënjeshtër. Ministria e Jashtme është aty dhe kushdo mund ta vërtetojë. Mbetet e dyta. 
 
Historia shqiptaro – kineze është mëse gjashtëdhjetëvjeçare me të përpjetat dhe tatëpjetat e saj. Dikur ishim aleati i vetëm i saj në Europë, ndërsa sot Perandoria e Mesit kërkohet nga të gjithë. Me çantën mbushur me dollarë është e mirëpritur të mbulojë shpërdorimin që europianët i kanë bërë të ardhmes së tyre me kreditë e tërhequra nga sportelet e bankave. Dikur vend dogmatik që shpërndante revolucionin në botë, sot me emisarët e saj bisedohet qetësisht për biznes. Dekada përpara, minuese e rendit kapitalist, sot konkurrente lojës se kalibrit botëror. Në çdo cep të botës ku ka lëndë të parë, apo mundësi të ngritjes së bazave mbështetëse ekonomike, përfaqësuesit diplomatikë sybajame mundohen të jenë bashkëpunues dhe oreksndjellës për objektivat e tyre. E në këtë konfigurim nuk duket se ka të sharë synimi i Kryeministrit shqiptar për të tërhequr vëmendjen e Pekinit. Ta lemë mënjanë dyshimin se kinezët nuk janë të vëmendshëm ndaj standarteve demokratike të një vendi dhe ky partneritet mund ti shërbejë Berishës si një patericë në rast konflikti me perëndimin. Le mos e mendojmë dëshirën e tij për klasifikim të pushtetit personal, ndaj të cilës Kina nuk ka probleme. Në analizë të fundit e gjitha kjo tentativë për të ofruar vendin si bazë kineze në Europë, shëmbëllen me përçartje se sa përllogaritje serioze politike e diplomatike. 
 
Së pari, Shqipëria nuk ka ndonjë volum shkëmbimi mallrash të konsiderueshëm me Kinën. Prodhimet me origjinë kineze synojnë çmimin e lirë por që lë për të dëshiruar në cilësi. Një popullsi si ajo shqiptare që synon cilësinë e jetës perëndimore, mallrat kinezë do kenë gjithmonë e më pak akses. E shkuara e ka dëshmuar këtë fakt. 
Së dyti, Kina është vend në rritje ekonomike dhe ekspansion të llojit të veçantë, por ende nuk është investitor në tregjet e huaja, ku eksporton kapitalet së bashku me teknologjinë e saj. Përkundrazi, shkon si investitor financiar, pikërisht që të marrë teknologjinë. Ku ka hyrë, ka blerë industritë ekzistuese të vendasve, duke shfrytëzuar markën dhe kapacitetet njerëzore të pritësve. Në rastin shqiptar, fabrika e sapunit në Rrogozhinë apo e reçelit në Përmet kanë vdekur me kohë që të mundeshim t’i ndillnim. 
 
Së treti, nëse Kinës do i ofroheshim si bazë ekonomike në Ballkan, domethënë në brinjë të Europës, kjo do ngjallte dyshimet europiano-perëndimore, rrjedhimisht armiqësinë e tyre. Shqipëria nuk ka këllqe për betejë ekonomike dhe diplomatike kundër armiqve të kësaj politike; nuk mund të dalë kundër kreditorëve dhe investitorëve të saj më të mëdhenj. Fqinji ynë grek, fillimisht Karamanlisi dhe më vonë Papandreu, u përpoq të hapej ndaj rusëve dhe kinezëve me shpresën se do t’i hiqnin lakun e borxheve. Rezultati është që sot asnjëri prej tyre nuk drejton vendin dhe janë të zhytur më keq në borxhe. Shembull më elokuent nuk ka për ilustrim. Kina mund të futet në Europë, por kjo do të ndodhë aq sa duan dhe ku duan SHBA-ja dhe aktorët kontinentalë Gjermani dhe Francë. Kush dëshiron të bëjë pilotin e provës nuk merret seriozisht, siç është rasti ynë, ose silurohen, siç ka ndodhur me të tjerë. Pekini është një fuqi ekonomike në rritje, por i dobët për rol botëror. Është mbresëlënës për sa i takon statistikave ekonomike, por jo domethënës për të pasur rolin dhe peshën e një fuqie globale, pasi pasuria e një kombi ka rëndësi, por po ashtu edhe të ardhurat për frymë të tij dhe kualiteti i popullsisë. E në këto tregues Kina është ende vend i botës së tretë. 
Parë në këndvështrimin praktik, është e pamundur futja e gjuhës kineze si e dytë në shkolla. Do duheshin të paktën dymijë mësues të kësaj gjuhe, kur ndërkohë nuk ka një degë fakulteti që përgatit këta mësimdhënës. Edhe nëse do mund të realizohej ky objektiv, lind pyetja se për çfarë do ju duhej kjo gjuhë shqiptarëve, përveçse të bënin pazarin tek Medreseja ku shesin nja tridhjetë kinezë? Nëse do jetë kinezçja gjuhë e dytë dhe shqipja do vazhdojë të mbetet e parë, po me anglishten çfarë do bëhet, për mos folur për italishten si vendi tradicional që kemi lidhje dhe sferë e influencë e së cilës jemi nga shekulli i 18-të, apo me gjermanishten, vendi fabrikë dhe lokomotivë e Europës? Anglishtja vazhdon dhe mbetet gjuha më e folur në botë. Spanjishtja e ndjek pas. Ndërkohë fuqia ekonomike e SHBA dhe primati i saj do mbeten të pa kontestuar edhe për dyzet vjet të tjera sipas përllogaritjeve të instituteve më serioze strategjike. Fuqia ekonomike dhe ushtarake e perëndimit në tërësi nuk do jetë e kontestuar deri në fund të shekullit, ashtu si edhe në dymijë vjetët që lamë pas. Atëherë përse një vendi të vogël si ne do t’i duhej shpenzimi i resurseve në mësimin e kinezçes? 
 
Shqipëria mund të shfrytëzojë nostalgjitë që janë ende në Ministrinë e Jashtme Kineze, për një politikë më dashamirëse ndaj vendit dhe Kosovës; mund të kultivojë marrëdhënie miqësore, duke mos harruar se aleati ynë, SHBA, nuk është dhe aq në raporte të mira me Pekinin; shqiptarët mund të vazhdojnë të mbrohen nga shiu me çadra kineze; të argëtojnë fëmijët me lodrat e tyre, madje edhe të dëgjojë Kryeministrin kur ka halucinacione. Por nuk mund t’i lejojnë vetes luksin të futet në aventura të tilla ekonomike e politike.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0