Home | Opinion | * * *

* * *

image
 Partia më e madhe e mazhorancës, tani në mandatin e dytë vazhdon të erozionohet në heshtje, qoftë nga angazhimi i njerëzve më të mirë të saj në ekzekutiv, qoftë përsa i përket realizimit të detyrave kryesore të programit të saj madhor në drejtim të futjes së Shqipërisë në BE dhe përfshirjen e saj në NATO (më tepër të interesave gjeo-strategjike të SHBA, se sa nga plotësimi i kushteve nga ana e Shqipërisë).
 
 
 




Nga Pirro Prifti
 
 
 


Nuk është për t’u habitur, kur në 2009, pas zgjedhjeve të qershorit u realizua një nga koalicionet më të çuditshme në historinë e Shqipërisë, por dhe të Europës, e ndoshta dhe të botës: bashkimi i interesave të kundërta të së majtës me ato të së djathtës! Duke patur parasysh se interesat e kundërta strategjike të të dy koalicioneve janë të sanksionuara në Statutet përkatëse të të dy partive, pra që të dy partitë kanë mbrojtur dhe kanë përfaqësuar shtresa totalisht të kundërta, përsa i përket interesave të çastit, por dhe atyre strategjike, duke patur parasysh se të dy këto parti, njëra e qendrës së majtë (LSI), e cila mbron dhe ka në zbatim parimet social-demokrate në realizimin e programeve (nëse ato janë reale), kurse PD, e cila është një parti e djathtë e qendrës (bazuar në programin e saj) me një direktive liberal demokrate, duke patur parasysh se politikanët e zgjedhur dhe shtresat elektorale që kanë zgjedhur politikanët, janë shtresa që përfaqësojnë dhe përfaqësohen me interesa teorikisht të kundërta, duke patur parasysh se të dy partitë përzgjodhën të krijojnë një koalicion të përbashkët, në teori për të integruar Shqipërinë në BE, interes strategjik i përbashkët por i kundërt përsa i përket interesave që ato mbrojnë, - mund të themi se në Shqipëri u realizua më tepër një koalicion i tipit bizantin dhe klientelist se sa një koalicion integrues për në BE, po të shohin rrjedhën e ngjarjeve.
 
Problemi 8 vjeçar i këtij koalicioni qëndron më tepër në afrimin klientelist (siç e përmenda më parë), në interesa private të disa politikanëve për të shfrytëzuar pushtetin, se sa për të bërë e realizuar programe dhe projekte reale; në zbatimin e mllefeve personale ndaj partive dhe personave të veçantë, se sa ndaj zbatimit të politikave favorizuese për shtresat shoqërore, të cilat votuan pro tyre; se sa në realizimin dhe zbatimin e projekteve reale për të përmirësuar gjendjen ekonomiko-sociale të popullit shqiptar; se sa të realizimit të një strategjie të përbashkët për të afruar dhe integruar Shqipërinë me komunitetet shqiptare jashtë kufijve; se sa të realizimit të integrimit të Shqipërisë në BE, duke zbatuar dhe përmbushur 12 standardet e kërkuara nga BE (në fakt janë 11 standarde se njëri u realizua rastësisht- ai i avokatit të popullit). 
 
Problemet e vështira për t’u zgjidhur dhe programet e vështira për t’u realizuar kanë qenë praktikisht në programin e PD, se sa në atë të LSI dhe më thënë të vërtetën, tre pikat kryesore të Programit të PD: energjetika, rrugët kombëtare dhe ato rurale, realizimi i një buxheti dinamik dhe mbajtja e një niveli papunësie relativisht pa luhatje, janë realizuar dhe ka patur sukses, kurse asnjë program apo pikë e tij përsa i përket LSI, nuk është realizuar. Edhe nëse ka patur: zv/kryeministër, ministër Shëndetësie, ministër të Punëve të Jashtme në këtë koalicion artificial, këto ministri edhe nëse kanë punësuar dhe zbatuar detyra të tipit të ish PPSH (sepse metodika e drejtimit, e zbatimit dhe e rezultateve praktike janë të mentaliteteve të tilla), nuk kanë arritur asgjë në drejtim të rezultateve praktike në përmirësimin e gjendjes. 
  
Kjo të kujton edhe njëherë përvojën e hidhur si në kohën e drejtimit nga PS, ashtu dhe nga PD, se problemet më të mëdha në koalicione më partitë e vogla janë ministritë e drejtuara nga partitë e vogla, të cilat janë burime të pastra korrupsioni, dështimesh strategjike dhe taktike, si dhe burime pranimesh në punë, të individëve aspak profesionistë dhe meritokratë, duke u krijuar dy partive të mëdha dhe vetë koalicioneve përkatëse probleme të mëdha në drejtimin dhe menaxhimin e vendit gjatë viteve të qeverisjes. Kjo duket qartë dhe në drejtimin e koalicionit të majtë 1997-2005, sidomos gjatë mandatit të dytë katër vjeçar, gjatë të cilit mbizotëroi korrupsioni dhe shkelja e ligjit, duke mos realizuar asnjë nga kërkesat për standarde të kërkuara nga BE, kryesisht nga partitë e vogla, por dhe nga vetë PS, e cila angazhoi në drejtimin ekzekutiv njerëz koti si p.sh., në MASH, etj...
Gjatë qeverisjes së djathtë 2005-2013, sidomos gjatë mandatit të dytë u vu re e njëjta gjë: ministritë e partive të vogla gëluan nga klientelizmi, abuzivizmi, shkelja e ligjit dhe korrupsioni galopant, megjithë insistimin e PD për të realizuar 3 pikat kryesore të Programit të tyre. Njëra nga ministritë e drejtuara nga paritë e vogla shkaktoi Gërdecin, tjetra shkatërroi dhe fundosi Shëndetësinë, tjetra ka krijuar amulli të vërtetë në punësim dhe në projekte të asaj ministrie, tjetra përmbyti Shqipërinë e veriut!
Megjithë përfshirjen e individëve profesionistë më të mirët nga partitë e vogla si në shëndetësi dhe Ministrinë e Jashtme, kjo tani në mandatin e dytë qeverisës nuk mund të zgjidhë dot gjë, sepse partitë e vogla kanë burime të pamjaftueshme njerëzore së pari, dhe së dyti partitë e vogla janë nën presion klientelist. Partia më e madhe e mazhorancës, tani në mandatin e dytë vazhdon të erozionohet në heshtje, qoftë nga angazhimi i njerëzve më të mirë të saj në ekzekutiv, qoftë përsa i përket realizimit të detyrave kryesore të programit të saj madhor në drejtim të futjes së Shqipërisë në BE dhe përfshirjen e saj në NATO (më tepër të interesave gjeo-strategjike të SHBA, se sa nga plotësimi i kushteve nga ana e Shqipërisë).
 
Gabimi më i madh i saj është mosgjetja e pikave të kompromisit më PS. Pavarësisht nga përgjegjësia e PS dhe e së majtës në mbartjen e së kaluarës, qoftë për nga mentaliteti qoftë për nga mënyrat e zgjidhjes së problemeve, i mbetet barra kryesore PD që nuk është arritur asnjë nga 11 kërkesat për realizimin e standardeve të kërkuara nga BE. Dihet që pas zgjedhjeve të qershorit të 2009, LSI u fut në koalicion me PD (sipas tyre) thjesht për interesa klienteliste, pavarësisht retorikes së tyre. Arsyeja ishte mospranimi nga ana e PS, që Ilir Meta të bëhej kryeministër. Në fakt ndodhi po ajo që do të ndodhte edhe nëse po ky Ilir Meta do të qëndronte natyrshëm në koalicion me PS: qëndrimi i tij si zv/kryeministër në koalicionin e çuditshëm LSI-PD (+ 19 parti të tjera që kishin 3.8% të zgjedhësve). Mllefi i kryetarit të LSI ka shkaktuar paradoksin e mosintegrimit të Shqipërisë në BE për shkak të realizimit të një koalicioni, që bie erë që tutje si një koalicion interesaxhi, mllefaxhi dhe klientelist. Kjo, sidomos në këtë mandat katër vjeçar të dytë, po duket qartë dëmtimi që po i shkakton Shqipërisë koalicioni problematik duke dëmtuar dhe figura interesante të kësaj partie. Pavarësisht nga ashpërsia e toneve të PD, pavarësisht nga mungesa e tolerancës së PD, e cila nëpërmjet dorës së fortë në drejtim`, mundohet të kompensojë devijimet e partive të vogla, mbeten dy opsione për të neutralizuar këto vështirësi në drejtimin ekzekutiv, legjislativ dhe presidencial: zgjedhjet e parakohshme pas zgjedhjes së presidentit, ose pranimi nga ana e PD që është e pamundur një koalicion i ri me të majtën në drejtimin e ardhshëm të vendit pas 2013, e për pasojë pranimi i një humbjeje të mundshme në të ardhmen.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0