Latest News
Pema e ndaluar shqiptare
Por, derisa bashkimi politik i Kosovës dhe Shqipërisë është shfaqur si temë për shkak të rritjes graduale të popullimit në tërë rajonin, që sigurisht se është ngushtë e ndërlidhur edhe me telashet e mëdha ekonomike (e tërë Evropa Juglindore), mosfunksionimin e ...
Agron Bajrami
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë edhe më tej është “pemë e ndaluar politike” në Prishtinë. Por, megjithatë, më shumë çfarë Kosova dhe Shqipëria janë më afër njëra-tjetrës se që janë, shembull, federata e Bosnjë- Hercegovinës dhe Republika Serbe, të cilat janë zyrtarisht një shtet, por kryesisht nuk funksionojnë ashtu
Para rreth dhjetë ditësh përmes internetit u përhap lajmi se një grup deputetësh në Parlamentin e Kosovës kishte përgatitur një rezolutë me të cilën Kosova do të votojë për bashkim me Shqipërinë.
Ky lajm, që së pari u botua nga një agjenci pak e njohur nga Tirana, me shpejtësi të madhe u përhap në rajon, e madje edhe në Evropë, meqë në një afat të shkurtër u ripublikua në shumë media rajonale dhe më gjerë. Por, një lajm i tillë ishte befasi e madhe për publikun në Kosovë, posaçërisht për deputetët në Parlament, prej të cilëve shumë thanë se është hera e parë që dëgjojnë për një iniciativë të tillë.
Zyrtarisht, në Parlamentin e Kosovës nuk ekziston një iniciativë e tillë. Jozyrtarisht shumica e deputetëve dyshojnë nëse lajmi ishte një “balon testues” me të cilin dikush ose ka dashur që të shihte se cilat do të jenë reagimet, ose ka dëshiruar të tërhiqte vëmendjen nga trendi në rritje i nacionalizmit në skenën politike, jo vetëm në Kosovë.
Sepse nuk është fshehtësi që në Kosovë, e së fundi edhe në Shqipëri, veprojnë disa parti dhe lëvizje politike që angazhohen për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë.
Në Prishtinë më e njohura është lëvizja “Vetëvendosje”, e cila udhëhiqet nga Albin Kurti, dhe e cila pas zgjedhjeve të fundit parlamentare e bë partia e tretë për nga madhësia në Parlamentin kosovar, me rreth 13 për qind të votave. Në Shqipëri tashmë është në fazën e fundit të krijimit grupimi i ri politik që angazhohet për bashkimin e shqiptarëve, e që veten e quan Aleanca Kuqezi, sipas ngjyrave të flamurit shqiptar, me të cilin identifikohen nacionalisht të gjithë shqiptarët në botë.
Por, megjithatë, pushteti real politik i këtyre forcave është ende i vogël që të mund të arrijë rezultate më konkrete në afat të shkurtër.
Në Kosovë pothuajse të gjitha partitë e tjera parlamentare, përfshirë Partinë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi, si dhe partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike, insistojnë që Kosova duhet të vazhdojë rrugës së vet si një shtet i pavarur, ndërsa bashkimi me Shqipërinë do të arrihet kur të dy vendet të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.
Vijën e njëjtë – se bashkimi i të gjithë shqiptarëve do të “ndodhë” me anëtarësimin e të gjitha vendeve të rajonit në BE – e mbajnë edhe dy partitë më të mëdha në Shqipëri, demokratët e kryeministrit Sali Berisha dhe socialistët opozitarë.
Për më tepër, në Kosovë ekziston edhe pengesa e madhe ligjore për bashkimin: Kushtetuta e Kosovës thotë se Kosova është Republikë e pavarur që nuk mund të bashkohet me asnjë shtet tjetër, sikur edhe që asnjë pjesë e një shteti tjetër nuk mund t’i bashkohet Kosovës.
Një zgjedhje e tillë kushtetuese është rezultat i negociatave me Serbinë, të ndërmjetësuara nga emisari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, ndërsa qëllimi i bashkësisë ndërkombëtare gjatë negociatave ishte që të sigurohet se Kosova nuk do t’i bashkohet Shqipërisë, dhe që veriu i Kosovës nuk do t’i bashkohet Serbisë, ose që territori me shumicën serbe nuk do të shkëmbehet për Luginën e Preshevës në Serbi, ku shumica e popullatës është shqiptare.
E edhe nëse shumica e partive në Kosovë do të pranonte një ndryshim kushtetues që do të lejonte bashkimin me Shqipërinë, një gjë e tillë nuk është e mundur pa dy të tretat e votave të përfaqësuesve serbë në Parlament, meqë Kushtetua nuk lejon mbivotimin e pakicave në çështjet që janë edhe në interes të tyre.
Por, derisa bashkimi politik i Kosovës dhe Shqipërisë është shfaqur si temë për shkak të rritjes graduale të popullimit në tërë rajonin, që sigurisht se është ngushtë e ndërlidhur edhe me telashet e mëdha ekonomike (e tërë Evropa Juglindore), mosfunksionimin e shteteve dhe demokracive (gati të gjitha vendet e rajonit kanë probleme me krimin, korrupsionin, vjedhjet zgjedhore, qeverisjen e keqe), si dhe problemeve të pazgjidhura territoriale (në Bosnjë-Hercegovinë, mes Kosovës dhe Serbisë) apo të drejtave minoritare (serbët në Kosovë, shqiptarët në Serbi e Maqedoni, problemet etnike në Bosnjë-Hercegovinë, myslimanët në Serbi), në prapavijë megjithatë po ndodh një tjetër lloj i afrimit të Kosovës dhe Shqipërisë, që ka më pak lidhje me politikën, e më shumë me ekonominë.
Në fakt, vendet e Ballkanit janë tregje të vogla, andaj edhe integrimi rajonal – posaçërisht mes sistemeve që fizikisht janë afër dhe në aspekte sociale të ngjashëm, sikur që është rasti me Kosovën dhe Shqipërinë – është gjë e natyrshme, që nuk është e thënë se duhet shikuar ekskluzivisht si një zhvillim negativ i ngjarjeve.
Në kuptimin ekonomik e social, Kosova dhe Shqipëria duken se janë më afër sesa që ishin, shembull, Serbia e Mali i Zi në disa vjetët e fundit apo, madje, se që janë sot Federata e Bosnjë-Hercegovinës dhe Republika Serbe, të cilat zyrtarisht janë një shtet!
Andaj, frika e sotme nga bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë, sikur edhe të gjitha frikët e tjera nga projektet e ashtuquajtura nacionale apo edhe populliste, më parë është tregues se në fakt problemi i vërtetë gjendet tek jofunksionaliteti i shteteve paskomuniste në hapësirën e Ballkanit, që gjithsesi i shtyn njerëzit në kërkim të zgjidhjeve të tjera, prej të cilave më joshëset janë ato që politika zyrtare i shpall si “të ndaluara”. Koha Ditore
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment