Latest News
Mbi konfliktin Berisha-Topi
Kjo klimë ku besnikëria ndaj grupit/bandës vlen shumë më tepër sesa ligji, duke patur parasysh se po kombinohet edhe me qëllimet për kapjen e presidentit të ardhshëm dhe kryeprokurorit të ardhshëm, ndërkohë që Gjykata duket tashmë e kapur...
Fatos Lubonja
Kjo klimë ku besnikëria ndaj grupit/bandës vlen shumë më tepër sesa ligji, duke patur parasysh se po kombinohet edhe me qëllimet për kapjen e presidentit të ardhshëm dhe kryeprokurorit të ardhshëm, ndërkohë që Gjykata duket tashmë e kapur...
Ndonëse e ndjek kronikën politike shqiptare me vëmendje të veçantë e kam të vështirë të them se kam gjetur në mediet ndonjë tregim bindës për atë se pse janë prishur Berisha me Topin. Kjo edhe pse protagonistët, që të dy, nuk kanë qenë asnjëherë transparentë dhe, po ashtu, gazetarët që i kanë intervistuar apo ata që kanë investiguar për këtë çështje, duke qenë o në shërbim të njërit, o të tjetrit, nuk kanë treguar profesionalizmin e duhur për të na afruar tek e vërteta. Në këto kushte më duket se e vërteta duhet kërkuar duke iu referuar përvojës nisur që nga trashëgimia e Enver Hoxhës: pjesërisht me ish enveristin Berisha në krye të PD-se si dhe, pjesërisht, si pasojë e ndeshjes së kësaj trashëgimie me institucione të një sistemi demokratik. Më konkretisht, sipas meje, njëri nga shkaqet ka të bëjë me liderin gjithnjë e më të plotfuqishëm e më dlirant në parti që largon ose mënjanon një pjese të vjetrish, që gjithsesi kanë pasur një autoritet në parti, dhe afron ndjekësit e rinj me të cilët ndjehet më i sigurt. E, në këtë kontekst, zelli dhe intrigat e këtyre të fundmëve për t’i hapur rrugën vetes kanë bërë, pastaj, pjesën e mbetur të punës. Të mos harrojmë se Berisha kishte një vit që qeveriste kur Topi u bë President dhe se, me afrimin e të rinjve besnikë dhe disa grupeve të reja interesi, kishte krijuar një grup të pakënaqurish brenda PD-së të cilët, në një farë mënyre, gjenin tek Topi, kryetar i grupit parlamentar e figura numër dy në parti, një pikë të rëndësishme mbështetjeje. Duhet venë në dukje gjithashtu se Topi, edhe pasi u bë President, ka punuar në një farë mëyre për axhendën e tij me ta, duke e vendosur veten në pozita konfliki me lidershipin e PD-së. Pra jam i prirur të besoj se më shumë sesa faktorë parimorë që kanë të bëjnë me demokracinë në parti, apo korrupsionin në qeverisje një nga shkaqet kryesorë që ka nxitur konfliktin Berisha – Topi është i lidhur me faktorë psikologjikë në luftën për pushtet brenda PD-së.
Një shkak tjetër është i lidhur me atë se përvoja e trashëguar e partisë shtet e shtyn Berishës të mendojë se është ai dhe vetëm ai që duhet të bëjë shiun dhe diellin në këtë vend, gëzimin edhe hidhërimin, drejtësinë edhe padrejtësinë, pra edhe Kryeministrin edhe Presidentin, Kryeprokurorin, Kryeopozitarin, Kryearkitektin, Kryeagronomin etj. Pra ai e ka vështirë edhe të imagjinojë se mund të ekzistojnë institucione të pavarur prej tij dhe që madje ta kontrollojnë atë.
Këtyre shkaqeve duhet t’u shtojmë edhe një diçka tjetër të rëndësishme, Po të ndjekësh trajektoren e PD në pushtet gjatë këtyre viteve do të vesh re se, për shkak të abuzimeve të rënda me korrupsionin, të ngjarjeve si Gërdeci apo 21 Janari është bërë gjithnjë e më i nevojshëm përdorimi i politikave agresive, radikale si ndaj opozitës edhe ndaj institucioneve që duhet të jenë të pavarura. Në këtë kontekst figura të moderuara në parti bëhen gjithnjë e më të papranueshme. Kështu, duke qenë i njohur si mbështetës i një grupi të moderuarish të PD dhe njëherësh në krye të institucionit më të rëndësishëm që e ka të detyruar me Kushtetutë moderacionin, Topi filloi të trajtohet sipas psikologjë se ai që nuk është me mua është armiku im.
Megjithatë, pa tentuar të hyjmë më thellë në hipotezat mbi shkaqet e prishjes, komenti duhet fokusuar mbi ato që duken dhe pasojat e kësaj prishjeje që sipas meje janë shumë të rënda për politikën shqiptare.
Së pari, kemi të bëjmë me një ndeshje midis dy institucionesh që tregojnë një brishtësi të jashtëzakonshme të shtetit demokratik duke e nxjerrë Shqipërinë në dritë fort të keqe brenda dhe jashtë vendit.
Së dyti, nëse do të gjejmë shkaktarin, gjithmonë në nivel të asaj që duket, ky është pa dyshim Kryeministri i cili duke qenë kryetari i partisë, kryetar i qeverisë dhe njeriu që dominon organin më të rëndësishm ligjvënës në vend Parlamenti, pra figura më e fuqishme e vendit, ka detyrë i pari të ruajë ekuilibrat në partinë e tij dhe me institucionet e tjera kurse ai, me sulmet që ka bërë veçanërisht pas 21 janarit (duke akuzuar Presidentin dhe Kryeprokuroren për grusht shteti pa asnjë provë, por vetëm mbi sentimente antipatie që vetë i ka nxitur më së shumti me qëdrimet paraardhëse të tij) ka treguar një qëndrim të papranueshëm për një vend demokratik
Së treti, ajo që bie në sy janë metodat e shëmtuara që po përdor PD për ta sulmuar Topin, që krijojnë një klimë shumë të rëndë në politikën shqiptare. Sulmet nga gazeta RD dhe vetë Kryeministri ndaj Presidentit për fallsifikime dokumentash e për marrje pronash të paligjëshme janë shumë problematike në këtë kontekst. Nuk dua të hyj asfare në vërtetësinë apo pavërtetësinë e këtyre akuzave. Ka diçka që është shumë më e rëndë edhe nëse këto janë të vërteta: fakti se kjo parti, me një psikologji që i shkon më shumë grupeve mafjoze sasa një partie, i nxjerr këto gjëra vetëm në kohën kur prishet me dikë dhe konsidereon se ai duhet eliminuar. S’ka shqiptar që të mos mendojë se politikanët tanë e kanë përdorur sot e gjithë ditën pushtetin e tyre për të zgjidhur problemet personale të pronave e të pasurimit vetiak e familjar, (çka s’e përjashton as Topin nga loja), por ama s’ka shqiptar që të besojë se njeriu më i korruptuar që paska nxjerrë PD-ja qenka Bamir Topi. Kjo klimë ku besnikëria ndaj grupit/bandës vlen shumë më tepër sesa ligji, duke patur parasysh se po kombinohet edhe me qëllimet për kapjen e presidentit të ardhshëm dhe kryeprokurorit të ardhshëm, ndërkohë që Gjykata duket tashmë e kapur, (siç e provoi gjyqi i Metës), krijon imazhin se shteti po shndërrohet i gjithi në instrument të një bande të vetme me në krye kapon e saj të padiskutueshëm. Dhe alibia se po këtë gjë synonte edhe Edi Rama në krye të PS-së po bëhet gjithnjë e më shumë një “gjurmë” përpara “ujkut” që kemi përpara.
Përshtypja ime është se shqiptarët – e këtu kam parasysh edhe shumë prej atyre që janë në PD apo që i shërbejnë PD-së – nuk mund të lejojnë të shkohet deri këtu. Qoftë edhe për faktin se, në një vend ku nuk ka njeri të cilit të mos mund t’i gjesh ndonj gjë për ta shantazhuar e sulmuar në stilin që po sulmohet Topi, ndjehen të gjithë të kërcënuar. Ndërkaq, praktika të tilla ku korrupsioni në vend se të pastrohet duke vendosur ligjin për të gjithë njëlloj përdoret me standart të dyfishtë për të shtuar besnikët më një anë dhe luftuar kundërshtarët më anë tjetër, nuke bëjnë gjë tjetër veçse e dyfishon këtë si krim duke dyfishuar edhe ndjenjn e padrejtësisë tek njerëzit.
Është folur e po flitet shumë për partinë e Topit dhe rreziqet që ajo paraqet për PD-në. Sipas meje, me këto që po shohim të ndodhin, më shumë sesa partitë e Topit dhe Spahiut, PD-së dhe aleatëve të saj po ua shterr votat përditë vetë Berisha dhe kamikaxet e tij syverbër me sjelljet dhe klimën që po krijojnë në vend.
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment