Home | Opinion | Bisedoj me “të Bukurën e Dheut”!

Bisedoj me “të Bukurën e Dheut”!

image
 Qysh nga koha e Faik Konicës, e deri në ditët e sotme, për afro një shekull, vazhdon të jetë aktuale shprehja “Zoti e ruajtë Shqipërinë nga shqiptarët”!




Nga Pandeli Bardhi

 
 
 
 



Do t’u shkonte më shumë për shtat sikur t’ju thoshin “Kush të ka shëmtuar kështu, moj e shëmtuara e Dheut”, por mua nuk ma nxë goja të ta them, si çdo biri, për nënën e vet. Atë që të thonë “arkitektët” e tu, se ti je “E bukura e Dheut”, nuk është e vërtetë. Duhet të ruheni shumë nga ata që ju bëjnë qejfin. Më e mira është që të jem unë i gabuar, por këtë që them, unë e argumentoj. Ti ke një “kokë drejtuese”, të “çakorduar”, me “mballoma” qeveritare, që po ta marrin shpirtin çika-çika... “Kokë drejtuese”, që i ngjan atyre kokave prej lecke, që u vendoseshin pupaceve, për të trembur sorrat në domate! Edhe veshjen ta kanë bërë si të pupaceve. Ti ke patur dhe vazhdon të kesh qeveritarë batakçinj, si të djeshmit edhe të sotshmit, pavarësisht nga ngjyrat lara lara që mbajnë, e kuqe, rozë apo blu. Qysh nga koha e Faik Konicës, e deri në ditët e sotme, për afro një shekull, vazhdon të jetë aktuale shprehja “Zoti e ruajtë Shqipërinë nga shqiptarët”! Këtë e tha edhe “Kryearkitekti” juaj, që të “vret” natën e të “qan” ditën. Këtë, ai nuk e tha për Edi Ramën, por për më tepër se gjysmën e shqiptarëve, që i quan “armiq”, “spiunë”, “këlyshë të bllokmenëve” etj. Ai, si një shoshar bredh rrugëve të Europës dhe të gjithë “pazarin” e shtëpisë e nxjerr në “mejdan”. Ai kënaqet, kur edhe hungarezët e duartrokasin, kur ky, fajtor për gjithçka, bën shqiptarët e “pandreqshëm” të tipit Edi Rama. Shqiptari mallkon shqiptarët dhe “bota qesh, e fshati tallet”. Edhe “humbamenot” e Europës qeshin, kur shqiptarët shajnë e mallkojnë shqiptarët. Por, nuk është vetëm ky. Ai ka grumbulluar një “tufë” batakçinjsh”, “rrjepacakë” dhe “egërsirash”, që çdo ditë të shqyejnë si “grabitqarë”, të pijnë gjakun dhe “plagët” që të shkaktojnë, kërkojnë të t’i mjekojnë me ilaçe “të skaduara”, që edhe këto i nxjerrin nga xhepi i qytetarëve. Grabitësit më të mëdhenj, i ke “humanët” e tu, mjekët, si ata privatë, edhe shtetërorë, që “rrjepin” shëndetin e fukarait!...
 
Zoti, ty, moj “E bukura e dheut”, ma ka qejfi të të them kështu, të bëri me të vërtetë të bukur. Ta mbushi “barkun” me flori, me argjend, me arin e zi. Të zbukuroi me gjithçka të florinjtë. Po ku i ke? Kush po i gëzon? “Pjella” jote nuk po i gëzon, të huajt po. Ata vijnë nga ana e anës dhe bashkë me “ujqërit” qeveritarë, të rrjepin edhe ata. Të marrin floririn, mineralin, naftën dhe të “zbukurojnë” me plehra të përpunuara në mënyrë të “këndshme”, këpucë e pantofla hedhurina, dhe lloj-lloj mallrash “rifuxio”, nga stoqet e mbetura të Europës... Nuk ta kanë fajin të huajt, fajin ta ka “pjella” jote. Këta ta marrin “gjakun” e pastër, naftën, që edhe këtë si mineralet, ua shesin të huajve, të cilën e përpunojnë dhe ty të shesin mbeturinat, sa “bishti koka” dhe të tjerat i ndajnë me disa “rrjepsa” që të thonë “E bukura e dheut”! Prandaj të vijnë të huajt. Ata nuk vijnë për të parë “bukurinë” tuaj, ku ska mbetur “as shkëmb as gurrë, por vetëm tym e pëlhurë”! Diktatura e djeshme krenohej se të kishte bërë “Shkëmb graniti, në brigjet e Adriatikut”. Për këtë, edhe kishte një fije të vërtetë, shkëmbinjtë t’i dha natyra, diktatura, të bëri beton me qendra zjarri, që të të mbronte nga armiqtë e jashtëm dhe ti pak a shumë i ngjaje një “shkëmbi graniti”. Po si i bëhet halli, këtyre të sotmëve. Këta të lanë “lakuriq në mes të ujqërve”. Këta të zhveshën, të rropën, të diskriminuan dhe të shitën për “një euro”... E, çfarë “bukurie” do t’u tregosh të huajve, ti “e bukur”, kur qysh nga e kaluara e deri në ditët e sotme, edhe ata që keni “pjellë” vetë, duan t’ia mbathin, e të ikin sa më larg. Pa më thuaj, a ka ndonjë vend tjetër në Europë, me këtë pozicion të mrekullueshëm, me det e me një klimë të shkëlqyer, që ju fali natyra, me tërë këto pasuri, të ketë numrin më të madh të refugjatëve nëpër botë”?! Unë, nuk di. Ti po të dish, ma thuaj.
Edhe këta që jetojnë këtu, mos kujtoni se janë pasanikë. Edhe këta, i mbajnë andej sytë që të mbijetojnë, përndryshe... Edhe shteti, andej, nga emigrantët i mban sytë, pa lere çfarë thonë se ekonomia ecën me hapa “galopante”! Këtyre, që rrinë këtu, i ka “zënë rrota bishtin” e nuk ikin dot, se gati janë, vetëm të ikin! Dikur, të shkonte pak bukuria, të paktën nga “flokët”, që të rrinin kurorë. Por sot edhe “flokët”, pyjet, t’i kanë qethur “zero”, e s’të lanë, as dru, e as kërcu. Ku i ke “çukat, kodrat, brinjët, gërxhet, e pyjet e gjelbëruar”!? Edhe këto t’i kanë zhdukur, edhe kockat do të t’i tresin!... Të mashtrojnë duke të thënë se do të të “zbukurojmë” me arrorë e me lajthi! Po të duash, që të vuash akoma, besojini, këtyre “bahçevanëve”! Edhe shkëmbinjtë nuk po t’i lenë rehat.
 
Edhe ata po i djegin e po i kthejnë në “kancer” për trupin tënd, nëpërmjet furrave të gëlqeres. Mashtruesit, që vetë i ke “pjellë”, të thonë se ti ke ekonominë më pjellore në Europë. Po atëherë, si shpjegohet që fëmijët e tu, nuk kanë bukë të hanë? As fëmijët, e as pensionistët, që të kanë dhënë aq shumë, nuk po ja japin as “thërrimet” e pensionit! Edhe atë naftën, që rrjedh nëpër dejet e tua, po e kthejnë në tym e blozë kanceroze, për trupin tënd. Dikur, kishe disa hekurudha, disa fabrika e uzina, që aq sa i kishte “portofoli” i Diktaturës, bëri diçka. Po sot, ku i ke këto “linja” të trupit tënd, ashtu si ishin, pa le më t’i “zbukurojnë”?! Janë turrur njerëzit e tu, të t’i shqyejnë e t’i shesin për skrap. Ku e ke “rojtarin” shtet, që kujdeset për ju? Ai bën gjumin e thellë “demokratik”. Nuk janë fajtorë ata fakirë, që detyrohen të vjedhin telat elektrikë. Ata vënë kokën në rrezik, për bukën e gojës... Mirë këta fakirë, që nuk mendojnë se një ditë do ta gremisin edhe trenin me njerëz, që heqin edhe kapakët e pusetave për skrap, po “fantazma” shtet, ku është? Është shteti. Është, por ai është kthyer vetë në shitës skrapi. Ai nuk ngopet. Ai nuk ngopet as me ato fabrika e uzina, që po i shet për skrap. Ky, që ke në krye moj “E bukura e Dheut” është shteti “shkrap”, që gjithçka po e kthen në skrap. Edhe “linjën” aq të bukur trupore, Rrugën e Kombit, po e shqyejnë dhe po i heqin pjesët anësore dhe ato metalike për t’i shitur për skrap dhe jo vetëm ajo. Për shumë njerëz, autostradat, si kjo, janë kthyer në “bela”, pa mbikalime e nënkalime, por kjo është tjetër gjë... Damarët e tu, rrugët, janë kthyer në burime rreziqesh, ato janë të mbushura me plehra e hedhurina, që vetëm të ndotin. Kështu ndodh, kur bëhen rrugë “elektorale”. Dikur, “venat” e tua, lumenjtë e përrenjtë ishin plot “lëng” e ujë të kulluar. Sot, jo vetëm lëng që nuk rrjedh në to, por vetëm “qelb”, vetëm “qelb” e hedhurina. Sikur të mos ishte mjaft kjo, edhe “rruazat e kuqe”, po t’i gërryejë. Po e gërryejnë rërën, e po t’i shembin edhe urat, t’i marrin hekurin edhe atyre dhe ta shesin për skrap. Pushtetarët bëjnë sehir dhe mendojnë se si do të vjedhin votat në të ardhmen, kush do të jetë President, si do të organizojnë sa më mirë paradën e Gay-ve! Nuk vjen e keqe nga homoseksualët, more pushtetarë, ata nga qejfi e kanë, lërini të marshojnë, se ata nuk prishin punë, ata veç të “mira” sjellin, atë që do të qeshin një copë herë qytetarët! Juve, nuk e keni problem t’u siguroni autobusë, por halli që ka zënë të tjerët si do t’i bëhet?!
 
Ti, ke një bregdet të shkëlqyer. Por, e kanë ndotur me ujra të zeza, me mbeturina, me gardhe e me ç’të mundin. Kujton se është e vërtetë ajo që thotë “Baca”, se kanë ardhur katër milionë turistë të të shohin!? Përralla!.
Jo të gjitha kryeqytetet e botës, zoti i bëri me fat, që t’u jepte nga një lumë, apo të paktën një përrua, që të kalonte mespërmes tyre. Këtë fat, ja dha Londrës, Parisit, Budapestit etj. Ja dha edhe Tiranës, lumin e Lanës, si i thonë. Për të gjithë njerëzit e kryeqyteteve që thamë, ishte fat për ajrin e pastër, për gjelbërimin, për mjedisin për çlodhje etj., etj. Vetëm për Tiranën, kjo është “mallkim”! Është mallkim, mbasi, jo vetëm çdo mbikalim i saj është kthyer në banjo publike, por edhe çdo pemë e mbjellë. Uji është jetë dhe njerzit, afrohen ku ka ujë, sidomos në ditët e nxehta të verës. Qytetarët e Tiranës duhet t’i largohen Lanës, se të ngjall “krupën”, me erën e urinës dhe të grumbujve të plehrave. Edhe fëmijët kanë qejf, si kudo në botë, të shohin një rosë, një patë, apo ndonjë zog në ujin e Lanës, por kur fëmija kërkon të shkojë pranë ujit, mamaja i thotë: “Jo, jo andej mami, se është pis”! E kështu, fëmijët rrinë e vështrojnë nga larg, “rosat” ngjyra ngjyra, bidona plastikë, qese plasmasi, xhaketa të vjetra, e ç’nuk sjell. Lana sjell me një shpejtësi afro 800 copë për sekondë, por, që nuk ka kompjutër që i numëron! Stolat prej dërrase që u bënë, u prishën për të ndezur zjarr, “turrni i tretë”.
 
Edhe stolat prej betoni, që u bënë nga liqeni, edhe ata u prishën e ja morën hekurin për skrap, siç i morën edhe ato të dritave dekorative! Sa për ujë, nuk bëhet fjalë! Por, pa më thuaj, o “E bukura e dheut”, ke, apo nuk ke identitet? Thonë që qytetarët e tu e kanë prejardhjen nga pellazgët dhe nga ilirët. Për këtë ka shumë dëshmi. Por, a ka mbetur ndokund, ndonjë “pasaportë” që ta vërtetojë këtë? Jo jo, asgjëkundi. Ato janë kthyer në “kosha” për të hedhur hedhurinat, e vende “ku mërzen cjapi me zile, e ku kullosin bagëtia”! Këtë, e them ashtu kot, se këtu, nuk kanë bukë të hanë njerëzit, unë kërkoj të harxhohen ca para! E përse këto para? Për “vjetërsira”! Kam edhe shumë të tjera për të thënë, në të ardhmen, por më thuaj, a janë të mjaftueshme këto?! Si doni që t’u them? T’ju them “Po sot Shqypni, pa më thuej si je, porsi një lis i rxuem përdhe” apo “Dikur, ke pas kenë, nji zonjë e randë”, e sot je një... Nuk dua t’ju a them as njërën e as tjetrën, se përsëri të kam nënë, e nuk dua t’ia bëj qejfin hasmit...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
2.00