Home | Opinion | Ëndrra në sirtar, apo...?

Ëndrra në sirtar, apo...?

image
Në kushtet e krizës globale, ku partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë janë në stanjacion apo recesion, si një plus një që bëjnë dy, edhe ne jemi në krizë. Ku do gjenden paratë për të mbajtur në rritje ekonominë dhe parandaluar pakënaqësitë sociale? 
 
 
 
 
 


 
Nga Dritan Hila

 
 
 
 
 

Në vitin 2013-të, Sali Berisha bëhet tetë vjet pa shkëputje në pushtet.  Synimi i tij është fitorja në zgjedhjet  e këtij viti ters. Nëse e realizon, në  fund të legjislaturës që vjen, në 2017-ën, zgjedhja e presidentit të ri, bëhet pikërisht përpara atyre parlamentare dhe është momenti më i përshtatshëm që të rimarri kreun e shtetit. Në verën e 2023-shit, së bashku me 5-vjeçarin e periudhës ’92 - ’97 të shekullit të shkuar, bën 22 vjet në pushtet. Ja kalon në jetëgjatësi në karrige Brezhnjevit, Hrushovit dhe ish- diktatorëve komunistë të Europës Lindore. Ja marrin vetëm Stalini, Hoxha dhe Kastro. Mbetet në garë me Mugaben dhe autokratë emërvështirë afrikanë. Nëse ia arrin qëllimit, do ketë me se t’iu mburret nipërve. Besnikët do krenohen me nuhatjen që patën në zgjedhjen e padronit. 
 
A do mundet ta arrijë synimin? Për këtë duhet që ekonomia të prosperojë. Në kushtet e krizës globale, ku partnerët kryesorë ekonomikë dhe tregtarë të Shqipërisë janë në stanjacion apo recesion, si një plus një që bëjnë dy, edhe ne jemi në krizë. Ku do gjenden paratë për të mbajtur në rritje ekonominë dhe parandaluar pakënaqësitë sociale? 
 
Vendi ka pasuri natyrore, të cilat ia bëjnë të mundur mbijetesën. Çmimet e lëndëve të para minerare janë trefishuar apo katërfishuar në krahasim me kohën e sundimit komunist. Por për shkak të grykësisë së administratorëve shtetërorë që e shohin veten të përkohshëm në këtë post, shfrytëzohen ekstensivisht nëpërmjet delegimit me licenca të dyshimta. Shumë shpejt do shterojnë. Një pasuri që mbajti me bukë shqiptarët në vitet ’60 - ’80, të shekullit të shkuar po përthahet. E njëjta vlen për hidrokarburet. Sot nxirren afërsisht sa në periudhën komuniste, por në ndryshim nga e shkuara, çmimi është shumëfishuar. Nëse administrimi do ish i përgjegjshëm, do ishte bazë të ardhurash për arkën publike dhe subvencionimin e ekonomisë. Por nevoja për likuiditete është emergjente, ndaj shitet me çmim qesharak. Gjithashtu, makutëria për të futur në pronësi të dyshimta këtë pasuri të çmuar sot, që do jetë përrallore nesër, është e jashtëzakonshme. Shitja urgjente e “Albpetrol”-it dhe e digave të hidrocentraleve, tej çdo statistike, dëshmon krizën e thellë. Janë edhe tregues të anashkalimit të interesave strategjike të shqiptarëve: Sot kur nafta ka arritur 2 $ litrin, ta shesësh për aq dollarë sa të ardhura krijon kjo degë nga shitja në treg e naftës që nxjerr në tre muaj, është kriminale. 
 
Që të pretendosh një mandat tjetër në rrugë demokratike lypsen shërbimet efiçente ndaj popullatës. Por sektori jetik për qytetarët si shëndeti publik është në koma dhe qeveria me vetëdije po e çon drejt vdekjes, në mënyrë që pacientët të shkojnë drejt spitaleve private për kurim, ku duhet të paguajnë me tingëllimën e parave të kursimeve të tyre. Kryeministri dhe ministri i Shëndetësisë, kur kanë nevojë për kujdes shëndetësor, shtrohen në spitale private. Dëshmi më të qartë për krizën e sistemit nuk ka. Të tjerët, kush nuk paguan, vdes. Kurrë më i pamëshirshëm nuk ka qenë seleksionimi darvinian. 
Arsimi parauniversitar ka degraduar si pasojë e emërimeve politike. Asnjë shkollë e re nuk është ngritur nga koha e ndërrimit të sistemeve. Godinat vetëm ristrukturohen. Janë gropa ku peshkojnë korrupsion administruesit e emëruar partiakë. Arsimi i lartë nxjerr produkt i cili nuk mund të konkurrojë me asnjë vend të civilizuar. Për më tepër, vetëm në dy apo tre degë të cilat nuk kërkojnë investime laboratorësh. Në kohë jo të largët, me shoqërinë do ndodhë si me njeriun që ushqehet me një lloj ushqimi: do bëhet skorbutike. 
 
Me mbarimin e parave nga privatizimet, vetëm nga vjelja e TVSH-së nuk mund të mbijetojë shteti. Shkaktare e krizës së sotme botërore, ishte tërheqja e shtetit nga tregjet. Receta e shpëtimit është ndërhyrja e tij. Berisha po bën ekzaktësisht të kundërtën. Në ’97-ën dogji Zyrat e Gjendjes Civile. Këtë radhë po djeg arkën e shtetit. Në Venezuelë dhe Ekuador, Hugo Çavez dhe Rafael Correa pretendojnë mandatet e treta apo të katërta. Ja u mundëson e ardhura nga nafta, me të cilën subvencionojnë programet sociale, shëndetësinë dhe arsimin. Po Berisha shpreson që llafollogjia e përditshme televizive, do iu ndryshojë shqiptarëve perceptimin e realitetit? Bota ka njohur magjistarë që kanë habitur turmat me lepujt që nxjerrin nga kapela. Po kardiologu i Tiranës beson aq shumë tek hipnoza, sa shpreson që shtetasit e tij të kënaqen me lepuj imagjinarë? Mendon se blerja apo paralizimi i shtypit, do mpijë përveç logjikës edhe reflekset e shqiptarëve? Paralelisht me indiferencën ndërkombëtare, mefshtësinë e shqiptarëve dhe ndihmën e administratës së tij të militarizuar, do të arrijë të marrë mandatin e tretë qeverisës? Ndoshta. Vetëm edhe dy pyetje lindin: Parë nga 2012-ta, çfarë kuptimi pati për shqiptarët rënia e Murit të Berlinit? A thua gjithë ajo shpresë do përfundojë nga një diktaturë në një monokraci banale? 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0