Home | Opinion | * * *

* * *

image
Njerëzit po flijohen, në pamundësi për të zgjidhur hallet e tyre. Njerëzit po vriten e aksidentohen përditë. Njerëzit po vrasin njëri tjetrin, bile edhe brendapërbrenda familjes, për një copë tokë, për një rrugicë, për një gardh. 
 





Nga Pandeli Bardhi

 
 
 



Çdo ditë që kalon, i madhe i vogël, që jeton në këtë vend, po bindet se ky shtet militantësh po degradon e po falimenton dita ditës!... Është kthyer tashmë në “modë”, që njerëzit të hipin nëpër tarraca, nëpër shtylla elektrike, nëpër vinça e ku të mundin, duke kërcënuar se do të flijohen! Më së shumti, ky është një apel, një thirrje që i bëhet shtetit për të dalë nga “vrima” ku është futur! Format dhe mënyrat që i bëhen shtetit, të zgjohet nga “gjumi”, janë nga më të ndryshmet. Ato, janë të shumta e të larmishme. Njerëzit po flijohen, në pamundësi për të zgjidhur hallet e tyre. Njerëzit po vriten e aksidentohen përditë. Njerëzit po vrasin njëri tjetrin, bile edhe brendapërbrenda familjes, për një copë tokë, për një rrugicë, për një gardh. 
 
Ky shtet, që rri “zgjuar”, nuk e kupton dhe nuk do të kuptojë se edhe kërcënimet që i bëhen për t’u flijuar, është masa e fundit dhe më ekstreme, që ata i drejtojnë shtetit. Ata nuk janë të “sëmurë psiqikë”! Ata nuk duan që të hidhen në të vërtetë. Ata nuk janë të sëmurë mendorë, por janë shumë normalë. Po të ishin të sëmurë mendorë, ata qoftë larg, do të hidheshin dhe nuk do të ndiheshin për t’i bërë apel shtetit, “hajde na shiko, se si do të hidhemi”! Ata i kanë konsumuar të gjitha format, i kanë bërë të gjitha ecejaket, por shteti, as nuk dëgjon e as nuk denjon të dëgjojë, sepse është vetë ky shtet, që i nxit qytetarët e vet të vetëflijohen, të kalojnë në masa ekstreme. Në një farë mënyre, këta njerëz “tallen” me shtetin, por edhe shteti, nga ana e tij tallet me ta! Tallja është e dyfishtë. Sapo strukturat e shtetit e dëgjojnë një rast të tillë, ulërijnë sirenat e makinave të policisë, të mbushur me specialë dhe shkojnë në vendin e ngjarjes. Mbas negociatave të “shumta”, më në fund arrijnë suksesin e duhur. Operacioni i koduar “x” përfundon me sukses. “Suksese” të njëpasnjëshme, arrijnë forcat e policisë në goditjen e krimit të organizuar. Nishani nuk mungon që në çdo mbledhje, të përmendë “arritjet” e mëdha të policisë dhe strukturave të saj. Një propagandë e madhe bëhet edhe tash së fundi, në të gjithë median e shkruar apo atë vizive, për monstrën e vjedhjeve në banka dhe vrasjen e dy personave.
 
Kjo është për t’u lavdëruar, por jo deri në këtë ekstrem, në një kohë që shumë vrasje, si të deputetëve, kryetarëve të komunave, gjyqtarëve e deri tek biznesmenët e njerëzit e thjeshtë, i ka mbuluar pluhuri i harresës. Përveç kësaj, vetëm një fije modesti sikur të kishte kjo Polici e Shtetit, do të pranonte se edhe më këtë kriminel që e kapën, nuk e pranojnë që në gjashtëmbëdhjetë vjedhje, kryesisht banka dhe tre vrasje e plagosje, pesëmbëdhjetë herë kanë dështuar dhe vetëm një herë kanë fituar. Raporti është 15 me 1 në favor të kriminelo-hajdutit monstër! Ka më shumë se një javë, që mbushen faqet e shtypit dhe kronikat televizive me këtë hajdut, sikur të kishin kapur “qiellin me dorë”! Por, edhe të drejtë kanë organet e shtetit, mbasi kapja e tij është ngjarje e jashtëzakonshme, dhe kur hajdutët e kriminelët nuk kapen, është normale!... 
Vesi i keq i mburrjes, po na bëhet gangrenë. Një sukses që arrijmë, e hiperbolizojmë dhe disfatat e shumta, “ minimizojmë”!. Askush sot, nuk i beson më shtetarët që dalin e tregojnë përralla, duke mos marrë mbi vehte asnjë grimë “pluhuri”. Treguesit që ky shtet po falimenton dita ditës dhe ka mbetur si “gërmadhë” në këmbë, janë të përditshme, të dukshme, të prekshme. Nuk ka siguri për jetën, nuk ka siguri për biznesin, bile nuk ka siguri as duke qëndruar në shtëpi. Qytetari i sotëm është kudo i kërcënuar. Më lart thamë se, është shteti, ai që kërcënon qytetarët, është shteti, ai që i çon njerëzit të flijohen. Shteti i kërcënon ata dhe i shtyn të vetëflijohen me indiferentizmin e tij, me mosveprimin dhe indiferencën në zgjidhjen e halleve të shumta që ata kanë. A e ka zgjidhur shteti, çështjen e shumëpërfolur të pronës? A ka shkuar ajo tek ai që i takon? Jo! Ky është shkaku që njerëzit
vetëflijohen.
 
A gjen drejtësi qytetari në këto organe drejtësie? Jo që jo, sikur edhe për dhjetra vite të sorollatet! A mund të zgjidhë qytetari i thjeshtë, qoftë edhe një problem sado të vogël në këto administrata të korruptuara? Kurrë! Militantët e administratës, as nëpër zyra nuk i gjen, le më pastaj që të zgjidhësh hallin! A kanë mbetur shumë gjallë nga ata 85 vjeçarë, të sfilitur në burgjet e diktaturës për t’u dëmshpërblyer? Shumë pak! Kjo është zgjidhje që bën shteti? A mund të marrë qytetari i thjeshtë, shërbimin shëndetësor pa e shitur edhe shtëpinë, nëqoftëse ka? Asnjëherë! Këto dhe shumë të tjera si këto, i shtyjnë njerëzit të bëjnë sakrificën më sublime, atë të vetëflijimit! Qytetarët e këtij shteti, që pret të integrohet në BE, i kanë konsumuar të gjitha të drejtat e tyre në mënyrë ligjore. Duke qenë se kurrkush nuk i ka dëgjuar dhe nuk do t’i dëgjojë, për sa kohë të jenë këta pushtetarë, njerëzit do të zgjedhin format e jashtëligjshme. Ata do të zgjedhin atë që u shkon për shtat qeveritarëve, atë të korrupsionit. Në pamundësi edhe të kësaj, do të hipin në tarracë, apo në ndonjë shtyllë elektrike dhe do të bërtasin”. “Të kemi ardhur shumë herë o shtet dhe ti nuk merr mundimin, as të na dëgjosh, atëhere ne po hipim në tarracë dhe ti hajde na “prit”! Por shteti “human”, që ka “në plan të parë” jetën e njerëzve, nuk mund ta “lejojë” këtë!. Ky është shtet, që edhe të “rreh”, por edhe nuk të le të qash! I katandis qytetarët të jetojnë me një asistencë qesharake, që nuk mjafton as për të blerë ujë dhe në fund, shkon “kujdeset” që të mos vetëflijohen! Ua heq kafshatën e bukës, pronën që u takon me ligj dhe shkon me shkopinj gome të “kujdeset” për jetën e tyre, madje u bie edhe sirenave të “binden” mileti dhe t’u tregojë atyre me “vepra”, se çfarë “kujdesi” bën shteti për qytetarët e vet!
 
I kërcënuar është qytetari sot, edhe kur shkon në trotuare. Atje duhet patur kujdes nga ndonjë makinë, apo nga ndonjë thes me mbeturina, që mund t’a hedhin nga katet e sipërme. Kjo nuk është më shumë përgjegjësi e shtetit, se sa e qytetarëve, por shteti të bëjë atë, që ato pak trotuare që janë, të mos zihen nga shitësit për të shitur lëpjeta, rroba, vezë, qumësht e gjizë!
Edhe në shtëpi, qytetari është i kërcënuar. Në shtëpi, madje është dyfish i kërcënuar. Së pari, është i kërcënuar nga hajdutët ordinerë. Këta e dinë tashmë. që para nuk ka, por vjedhin ç’të mundin, televizorë, pjata, lugë, e deri tek qepët e ushqimet e përditshme! Së dyti, qytetari është i kërcënuar edhe nga ndonjë “damlla” faturë e CEZ-it katër milionëshe, apo e UKT-së tre apo katërqindmijëshe. Ku do ta zgjidhësh pastaj hallin që të zë? A mund të zgjidhet ky tek zyrat “kujdesi ndaj klientit”, që në fakt janë kthyer në “tmerri i klientit’?... A nuk janë këto fakte bindëse, që njerëzit t’i drejtohen zotit dhe jo shtetit, për të mos i zënë e keqja? Janë hedhur në garë shtetarët e sotëm, kush e kush të tregojë më shumë përralla. Na del një Florian Mima dhe na thotë se për vitin 2012, rritja ekonomike do të jetë 4% ! Por, edhe me kaq, ky nuk është i kënaqur. Po të realizohen disa parametra, vazhdon, mund të shkojë deri 8% ! Mjafton që ky të jetë në unison me “ustallarët” e vet, pa nuk ka rëndësi se treguesit e mekanizmave ndërkombëtarë, flasin të kundërtën. Deri kur këta do të vazhdojnë të mashtrojnë këtë popull, me përralla të tilla? Nuk duhen shumë mend ta kuptosh! Derisa këta të jenë në pushtet! Më pas... “Pas nesh, kiameti të bëhet’!... Pasqyra e shtetit të sotëm, është njësoj si ata punëtorët e mirëmbajtjes së rrugëve, që ka vendosur kryebashkiaku Basha. Këta i sheh çdo ditë në trotuaret e rrugës së Kavajës, që sot heqin pesë pllaka këtu, e nesër pesë pllaka atje, sa për t’u gjendur në punë.
 
Këto arnime, për tre ditë kthehen në gjendjen e mëparshme dhe ata, përsëri fillojnë nga e para. Në trotuaret dhe rrugët ku “buron” ujë, këta i hedhin asfalt sipër dhe defekti “merr fund”! Shteti ka punën e tij, bashkia të sajën dhe uji ka punën e tij... Kështu është kur del “Basha para Dollapit”! Kështu ka punuar e vazhdon të punojë edhe shteti. Edhe shtetarët e diktaturës vidhnin. Por ata vidhnin e hanin si “miu”! Ata e kishin të vendosur, që do të ishin të përjetshëm në pushtet. Këta të sotshmit, vjedhin e hanë si “ariu”. Këta e dinë që sot për nesër janë, prandaj mendojnë “O burra të vjedhim sa më shumë, se të nesërmes nuk i dihet”... Dhe kanë të “drejtë”, jetojmë në demokraci... Qytetarit nuk i mbetet gjë tjetër, përveç asaj, që të hipë në ndonjë shtyllë elektrike, apo tarracë pallati dhe që nga këto “lartësi” të shohë shtetin “e vogël” si milingonë, e t’i bëjë thirrje, për t’a “ndihmuar”...

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00