Home | Opinion | Begatia e shkabave dykrenore

Begatia e shkabave dykrenore

image © Photo: Redvenger
 Prandaj, ne bijtë e pavarur të shekullit të ri duhet të rifitojmë vetëdijen e pavarësisë, ta ruajmë si sytë e ballit, ta përdorim me nikoqirllëk në dobi të prosperitetit mbarëkombëtar, e të luftojmë që këtë të drejtë ta gëzojnë edhe vëllezërit që s’e kanë. 







Nga Xhovalin Delia
 
 
 
 


(Nga ngritja e flamurit, tek ngritja e monumentit) Shpallja e konkursit për monumentin e pavarësisë dhe hapja ndërkombëtare e tij për një monument kombëtar, në princip e konsideroj hap të guximshëm artistik e qytetar të Ministrisë së Kulturës dhe të Galerisë Kombëtare të Arteve, pasi teorikisht, një hapje e tillë premton prurje, ndërthurje kulturash dhe si rezultat edhe mundësi zgjedhjeje, por praktikisht, procedura e zhvillimit të konkursit “të hapur” nuk garanton domosdoshmërisht prurje e për pasojë as zgjedhje cilësore. Gjithashtu, ekspozimi i projekteve në Galerinë Kombëtare të Arteve, pas përzgjedhjes së jurisë, qe një tjetër propozim konstruktiv perspektiv për debat të hapur, por për fat të keq nuk u perceptua nga kritika dhe u anashkalua nga mediat e masmediat. Shkaqet mund të jenë shumë: ngathtësia e njërës, papërvoja e tjetrës apo indiferenca e të dyjave por efekti është një: izolim i vlerës, fenomen normal në shoqëritë e pazhvilluara që favorizon e jo rrallë kurorëzon mediokrën. 
 
Duke qenë se vlera, “më e mira” është gjithmonë relative e shumë e diskutueshme, në botën e qytetëruar demokratike, njeriu i papërsosur, për të disiplinuar dobësitë e tij, praktikon receta të ftohta teknike procedimi, konkursin anonim. E thënë shkurt, autori fitues njihet pasi shpallet vepra fituese. Jam i vetëdijshëm se kultura e vendit tonë është ende larg një “finish-i” të tillë, por nëse synojmë të arrimë një ditë, qoftë edhe me vonesë, le të nisemi! 
 
Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të paragjykoj as të vë në dyshim drejtësinë e jurisë për çka ka zgjedhur e as të jurinë e qeverisë për fituesin që do të shpallë, por procedura teknike e ndjekur deri në shpalljen e fituesit, edhe sikur projekti i zgjedhur do të jetë vërtetë “më i miri”, i lë shteg edhe autorit “më të keq” për të dyshuar. Nuk është fjala “për të mbyllur gojët e liga” por për të ngushtuar shtigjet që çojnë automatikisht në komprometimin e vlerës. Një konkurs i paragjykuar nuk ka si të garantojë prurje sasiore e aq më pak cilësore. Ndërsa konkursi anonim nuk garanton domosdoshmërisht veprën më të mirë, por nuk i lë hapësirë as “më të mirit” humbës të paragjykojë e as të diskutojë “më të keqin” fitues. Konkluzioni: konkursi anonim është fillim i mbarë, konkurruesit nuk harxhojnë kohë e energji “për ti gjetur anën komisionit e qeverisë” por i përkushtohet projektit për të dhënë më të mirën, cilido që të jetë rezultati pasi është i qetë se do të hyjë në një garë të drejtë e të ndershme. Pa dashur të marr rolin e “artistit të ndershëm hero”, por për të kuptuar atë çka dua të them, rrëfehem: kam qenë dhe mbetëm skeptik për garat e kurorëzimin e tyre në përgjithësi e sidomos në Shqipëri, por pasioni dhe ambicia artistike më kanë shtyrë të punoj me dëshirë rreth 3 muaj për projektin në fjalë, të cilit i korrespondon një vlerë prej 13.700.00, (sipas standardit artistik në Firence, ku 4.700.00 euro ka kushtuar vetëm realizimi i modelit). Pse gjithë ky impenjim shpirtëror, fizik e material? Dy ndër burimet e shumta të kësaj energjie ka qenë pikërisht anonimati i konkursit dhe ekspozimi i projekteve pas “përzgjedhjes anonime”, ç’ka do të thotë ose më e saktë si e kam interpretuar unë: garë e ndershme, unë do të bëj më të mirën, le të fitojë më i miri! Idealizëm naiv?! Mbase por në princip ky është misioni i artistit, pasion, ndershmëri e sakrifica, paçka se prej të cilave artisti, rrallë e kurrë përfiton, përkundrazi, por ky është fati, ose më saktë dialektika e kësaj qenie. Tingëllon ideale por në fakt për artistët e vërtetë është mënyrë jetese normale. Nga ana tjetër, ata që përgatisin garën e “peshojnë” vlerën artistike duhet të jenë të aftë për ta organizuar, të ndershëm e të përgjegjshëm për të kurorëzuar një impenjimi të ndershëm e të përgjegjshëm artistik. 
 
Ajo që më ra në sy në projektet e paraqitura për monumentin e pavarësisë, ekspozuar në GKA, ishte begatia e shkabave dykrenore që jo në pak raste nga simbol qenë transformuar në “shenja kombëtare”, si ato rrugore. Pa dashur të hyj në kompetencat e kritikës, thjesht si vizitor artist, mendoj se ndryshe nga shenjat, të cilat janë mjete për të komunikuar një koncept në mënyrë të përpiktë, simboli zotëron një përmbajtje emocionale nga i cili rrjedh një kuptim racional. 
Pyes: me doemos ne shqiptarët duhet të identifikohen edhe në monumentin e pavarësisë me një shpend të egër, qoftë edhe super i stilizuar? Si duhet ta marrim begatinë e shkabave: si krenari kombëtare, patriotizëm, fantazi shqiptare, apo shterpësi artistike? 
 
Vizioni im për pavarësinë si koncept, është ngjashëm me strukturën e harmonisë kozmike, ligjeve të së cilës i nënshtrohet edhe planeti ynë me gjithë gjallesat nga ku nuk përjashtohet krijesa e arsyeshme njeri e as shqiptari në pavarësi, ligjshmëri kjo që favorizon e kushtëzon njëkohësit temperamentin e pasioneve dhe modelin social politik mbi Dhè e në Shqipëri. Pra një vepër laike por njëkohësisht një monument kulti, një faltore e përditshme për shoqërinë, një monument të pavarësisë kombëtare në kontekstin e harmonisë universale. 
 
Jemi me fat që jemi të pavarur, por jetesa e pavarur 100- vjeçare na e ka bërë pavarësinë të paperceptueshme si oksigjenin që ndonëse nuk rrojmë dot pa të as një dekik, nuk e shohim, edhe pse e kemi mësuar në dituri natyre që ekziston e harrojmë e jo rrallë e injorojmë. Prandaj, ne bijtë e pavarur të shekullit të ri duhet të rifitojmë vetëdijen e pavarësisë, ta ruajmë si sytë e ballit, ta përdorim me nikoqirllëk në dobi të prosperitetit mbarëkombëtar, e të luftojmë që këtë të drejtë ta gëzojnë edhe vëllezërit që s’e kanë. Ne mund ti atribuojmë vetes gjithçka, por nuk duhet të harrojmë se jetojmë në një univers i cili nuk është i përbërë vetëm me njerëz e as vetëm me shqiptarë të pavarur. Sa më të nxënë e më të vetëdijshëm do të bëhemi për harmoninë që na rrethon, aq më të lirë e më të pavarur do të ndjeheshim ndaj kaosit që na kërcënon. 
 
Parë në këtë këndvështrim, do të doja që në sheshin para Muzeut Kombëtar, (pasi të ç’pyllëzohet) të shikoja një monument universal, si pikë referimi për gjithë shqiptarët, si kod për çdo krijesë të arsyeshme, si pasqyrë e ligjeve të padukshme të pavarësisë, si mishërim i harmonisë universale, jashtë të cilave pavarësia e liria individuale dhe kombëtare do të ishin të dyshimta. Një model i kozmosit në miniaturë, ku njeriu mund të kuptojë se shpata është mjeti i fundit që njerëzit e arsyeshëm përdorin ndaj marrëzisë njerëzore. Pra jo thjesht një simbol konvencional të ngrirë në beton, çelik apo polisterol, për tu kujtuar si datë historike por një monument të animuar, një vepër filozofike, shkencore e artistike që të fton për ta vëzhguar, dëgjuar e reflektuar: Kush jemi? Nga vijmë? Ku jemi e ku po shkojmë? 
Zaten misioni i njeriut të arsyeshëm artist, shkencëtar e politikan është të kërkojë, zbulojë, krijojë e propozojë edhe “irracionalen” në dukje, gjithnjë në shërbim të progresit mbarë njerëzor, i cili nuk është gjë tjetër veçse vepër e këtyre krijesave irracionale. 


Regjisor – Piktor - Shkrimtar

www.xhovalindelia.it

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00