Latest News
Zoti Kryeministër, ma besoni mua drejtimin e Ministrisë së Punës!
Njëkohësisht do të bëni hapin e parë dhe më të rëndësishmin për t’i edukuar shqiptarët me dashurinë për punën, për kulturën dhe disiplinën e punës, për efiçencën, rentabilitetin, kursimin dhe uljen e kostove, duke i dhënë vlerë gjithçkaje, kohës dhe burimeve lokale, pikësëpari.
Edmond Vlashaj*
Zoti Kryeministër, ma besoni mua drejtimin e Ministrisë së Punës! Për 10 muaj kjo ministri do të kishte transformuar jetën e mijëra e mijëra njerëzve të varfër e të zhytur në borxhe. Nuk do të kishte kurrsesi shpenzime sociale, lëmoshë sociale, dembelizëm social, parazitizëm social, horrllëk social, degjenerim social, dhe korrupsion social. Do të kishte thjesht investime sociale nëpërmjet një fondi të vetëm, i cili të menaxhohej nga një institucion i vetëm i varur nga Ministria e Punës, dhe i kontrolluar dhe i verifikuar në transparencë maksimale nga të gjitha institucionet e mundshme, duke filluar që nga pushteti lokal. Kështu në këtë rast nuk do të kishim shpërndarjen e pandershme dhe në shumë raste të korruptuar të ndihmës sociale nga këshilltarët e komunave dhe të bashkive të cilët më parë ia japin ndihmën sociale "mikut të mikut të mikut", pajisur me “Benz-Mercedes” etj. "mirëdina", sesa t’i japin hallexhiut, i cili ka nevojë "si i vorfni copën". Verifikoni listat e ndihmës sociale në çdo komunë dhe bashki dhe keni për të parë faktet më të thekura të pashpirtësisë dhe pangopësisë që Korrupsioni Laraman, me të gjitha ngjyrat i laramanuar, ka parashikuar për fatin e drejtësisë sociale në Shqipëri. Çka do të thotë investime Sociale? Investime sociale janë të gjitha ato projekte që synojnë ngritjen financiare dhe ekonomike nëpërmjet punës të familjeve të varfra. Keni shumë shembuj në vendet perëndimore, p.sh. në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe në vende të tjera, shembuj tipik dhe ilustrativë se si mund të funksionojë skema e ndihmës sociale nëpërmjet projekteve të punës në komunitet, nëpërmjet formimit profesional apo nëpërmjet punës në shtëpi.
Shembulli 1. Një person, por dhe shumë persona mund të bëhen pjesë e aksionit të pastrimit të territorit. Në çdo fshat dhe në çdo lagje qyteti. Nuk do të kishim qese plastmase në asnjë qoshe të Shqipërisë. Qeset e plastmasës do të grumbulloheshin për riciklim, nga ku do të dilte rroga e tyre sociale nëpërmjet punës sociale.
Shembulli 2. Familje të tëra do të angazhoheshin në grumbullimin e mbeturinave drusore dhe bimore kalorifike, si p.sh. tallash, copa drush, që kalben kot në terren, shkurre nga krasitja e pemëve etj., të cilat krejt kollaj do të përdoreshin si lëndë e parë për kaldajat e ngrohjes së shkollave në dimër apo për ngrohjen me kaldaja të ndërtesave të tjera publike. Ja, pra, ku doli dhe rroga sociale për punën sociale.
Shembulli 3. Mbjellja e bimëve aromatike dhe medicinale në ballkonet dhe tarracat e shtëpive, në kopshtet e tyre etj. Shteti familjeve të varfra duhej t’u garantonte blerjen për një periudhë kohe të këtyre produkteve, si dhe rishitjen te kompani të interesuara për këto produkte (borzilok, sedano, majdanoz, sherbelë etj. do të ishin disa prej bimëve). Në këtë mënyrë ambienti do të ishte më me oksigjen, por nga shitja e këtyre produkteve do të kishim të përftuara pagat sociale në punën sociale.
Shumë shembuj të tjerë do të rreshtoheshin dhe do të konkretizoheshin nëse në krye të kësaj ministrie do të ishte një njeri vizionar, praktik, përfshirës i të gjitha kontributeve dhe energjive të mundshme në territor dhe shumë i ndjeshëm ndaj halleve të njerëzve të thjeshtë. Nëpërmjet investimit social dhe punës sociale, zoti Kryeministër, do të mundeni të bëni nul një herë e mirë pushtetin e korrupsionit në shpërndarjen e lëmoshës që kanë aktualisht këshillat komunale dhe bashkiake, si dhe do të nxirrni një herë e mirë nga apatia dhe gjumi letargjik ministrinë më vitale në zbutjen e varfërisë dhe problemeve sociale, pra Ministrinë e Punës. Njëkohësisht do të bëni hapin e parë dhe më të rëndësishmin për t’i edukuar shqiptarët me dashurinë për punën, për kulturën dhe disiplinën e punës, për efiçencën, rentabilitetin, kursimin dhe uljen e kostove, duke i dhënë vlerë gjithçkaje, kohës dhe burimeve lokale, pikësëpari. Nuk kemi asnjë lloj arsye të kemi krizë, nëse shteti do të funksiononte me këtë lloj mentaliteti. Me mentalitetin e ri të efikasitetit në çdo sektor të jetës sonë publike dhe private.
* Kryetar i lëvizjes “Shqipëria e Re”
Rate this article
Comments (0 posted)
Post your comment